Sipas Kuranit, lufta paraqet një "obligim të padëshiruar" e që duhet vënë në zbatim, duke mbajtur rreptësishtë parasysh vlerat e veçanta njerëzore dhe morale dhe që mund të përdoret në ato raste kur ajo është e pashmangshme.
Në një varg kuranor tregohet se ata të cilët e nisin luftën janë njerëzit pa besim dhe që Zoti nuk i pëlqen luftërat:
"...Sa herë që ndezën zjarr për luftë, Allahu ua fiku atë, e ata përpiqen për shkatërrime në tokë. Allahu nuk i do ngatërrestarët. " (Kurani 5:64)
Në rastin e një konflikti, besimtarët duhet të luftojnë vetëm nëse lufta është e nevojshme. Nëse kundërshtarët sulmojnë, nuk mbetet asnjë zgjidhje tjetër, andaj dhe lufta është e detyrueshme:
"Po nëse ata ndalen (nga provokimi), Zoti është Falës, Mëshirues." (Kurani 2:192)
Një hulumtim i hollësishëm i jetës së Profetit Muhammed (paqja qoftë mbi të) tregon se lufta është një metodë që përdorej për qëllime mbrojtëse vetëm në gjendje të pashmangshme.
Shpallja e Kuranit Profetit Muhamed i vazhdoi për një periudhë prej 23 vjetësh. Gjatë 13 vjetëve të parë të kësaj periudhe, myslimanët jetonin si pakicë, nën një qeverisje pagane në Mekë dhe u ballafaquan me shtypje të shumta. Shumë myslimanë u munduan, u dhunuan, u torturuan, madje u vranë, shtëpitë dhe pronat e tyre u grabitën. Pavarësisht nga kjo, myslimanët vazhduan të jetojnë pa kaluar në dhunë dhe gjithmonë u bënë thirrje paganëve për paqe.
Kur shtypja e paganëve u bë tërësisht e padurueshme, myslimanët u shpërngulën në qytetin e Jethribit, i cili më vonë do të quhej "Medine", ku ata do të vendosnin qeverisjen e tyre në një mjedis më miqësor dhe më të lirë. Madje edhe vendosja e sistemit të tyre politik nuk i shtyu aspak ata që të rrëmbenin armët kundër paganëve të egër të Mekës. Profeti Muhamed i urdhëroi njerëzit e tij të përgatiten për luftë vetëm pasi mori shpalljen e mëposhtme hyjnore:
"Atyre që po sulmohen me luftë, u është dhënë leje të luftojnë, për shkak se u është bërë padrejtë, e All-llahu ka fuqi për t'u ndihmuar atyre (myslimanëve).(U lejuan të luftojnë) Ata, të cilët vetëm pse thanë: "All-llahu është Zoti ynë!" u dëbuan pa kurrfarë të drejte..." (Surja Haxh: 39:40)
Shkurt, myslimanët u lejuan të bëjnë luftë vetëm pse ishin shtypur dhe ishin nënshtruar dhunës. Me fjalë të tjera, Zoti u lejoi të luftojnë vetëm për tu mbrojtur. Në vargje tjera të Kuranit, myslimanët paralajmërohen që të mos përdorin provokime apo dhunë të panevojshme:
"Dhe luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju sulmojnë, e mos e teproni! Se Allahu nuk i do ata që e teprojnë (e fillojnë luftën)." (Surja Bekare:190)
Pas shpalljes së këtyre vargjeve, ndodhën disa luftëra mes myslimanëve dhe paganëve arabë. Sidoqoftë, në asnjërën nga këto luftëra myslimanët nuk ishin pala e cila e nxiti luftën. Për më tepër, Profeti Muhamed krijoi një mjedis shoqëror të sigurt e paqësor për myslimanët dhe paganët, duke nënshkruar Marrëveshjen e Paqes (të Hudejbijes) e cila u plotësi pjesën më të madhe të kërkesave të paganëve. Pala që i shkeli kushtet e marrëveshjes dhe nisi luftën e re ishte përsëri ajo e paganëve. Sidoqoftë, me konvertimet e shumta ne fenë Islame, ushtria myslimane arriti të krijojë një forcë të madhe kundër arabëve paganë dhe Profeti Muhamed e mori Mekën nën kontroll pa gjakderdhje dhe me një shpirt tolerance. Për më tepër, ai nuk e lëndoi askënd, ai i fali ata dhe i trajtoi me tolerancën më të madhe. Paganët, të cilët më vonë do të pranonin Islamin me vullnetin e tyre të lirë, nuk kishin si të mos e admironin këtë fisnikëri të karakterit të Profetit.
Parimet islame, që Zoti shpall në Kuran, flasin për këtë politikë paqësore dhe të matur të Profetit Muhamed. Në Kuran, Zoti i urdhëron besimtarët që t'i trajtojnë jomyslimanët me mirësi e drejtësi:
"All-llahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; All-llahu i do ata që mbajnë drejtësinë. All-llahu ju ndalon t'u afroheni vetëm atyre që ju luftuan për shkak të fesë, që ju nxorën prej shtëpive tuaja dhe që ndihmuan dëbimin tuaj; ju ndalon të miqësoheni me ta..." (Kurani 60:8-9)
Vargjet e mësipërme kuranore qartësojnë se si një mysliman duhet të sillen ndaj jomyslimanëve. Myslimani duhet t'i trajtojë të gjithë jomyslimanët me mirësi dhe duhet ti shmangën miqësisë vetëm me ata që shfaqin armiqësi ndaj Islamit. Në rast se kjo armiqësi shkakton sulme të dhunshme ndaj ekzistencës së myslimanëve, pra, nëse ndaj tyre është ndezur një luftë e hapur, në këtë rast Myslimanët duhet përgjigjur atyre me drejtësi dhe duke pasur parasysh përmasat njerëzore të situatës. Të gjitha format e barbarizmave, dhe veprat e panevojshme të dhunës dhe të sulmeve të padrejta janë të ndaluara në Islam. Në një varg tjetër kuranor, Zoti i paralajmëron myslimanët për këtë dhe shpjegon se urrejtja e ndjerë ndaj armiqve nuk duhet t'i shtyjë besimtarët të bëjnë padrejtësi ndaj tyre.
"O ju që besuat! Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të All-llahut, duke dëshmuar të drejtën, dhe të mos tu shtyjë urrejtja ndaj një populli e t'i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë se ajo është më afër devotshmërisë. Kine frikë Allahun se All-llahu di hollësisht për atë që veproni." (Kurani 5:8)
Kuptimi i konceptit të "Xhihadit"
Një tjetër koncept që për shkak të kontekstit të diskutimit vlen të sqarohet, është ai i "xhihadit".
Kuptimi i saktë i fjalës "xhihad" është "përpjekje". Kështu, në Islam "të bësh xhihad", do të thotë "të mundohesh, të bësh përpjekje". Ndaj "xhihadi më i madh është xhihadi që njeriu kryen ndaj vetvetes." Kjo nënkupton përpjekjen e njeriut për të luftuar dëshirat egoiste. Lufta e hapur në rrafshin intelektual ndaj anti-fesë, pikëpamjet ateiste, gjithashtu janë forma të xhihadid në kuptim e plotë të fjalës.
Përveç këtyre kuptimeve ideologjike dhe shpirtërore, edhe lufta në kuptimin fizik konsiderohet si "xhihad". Sidoqoftë, si edhe u sqarua më lartë, kjo duhët të jetë një luftë që bëhet vetëm e vetëm për qëllime mbrojtëse. Përdorimi i konceptit të "xhihadit" për veprat e dhunës kundër njerëzve të pafajshëm, siç është terrori, do të ishte i padrejtë dhe shtrembërim tepër i madh.
Dhembshuria, toleranca dhe humanizmi në historinë islame
Thënë shkurt, doktrina politike e Islamit është jashtëzakonisht paqedashëse dhe e moderuar. Kjo e vërtetë gjithashtu pohohet gjerësisht nga historianët dhe teologët jomyslimanë. Një prej tyre është historiania britanike Karen Armstrong, ish-murgeshë dhe eksperte me famë e historisë së Lindjes së Mesme. Në librin e saj "Lufta e shenjtë", i cili merr në shqyrtim historinë e tri feve me origjinë hyjnore, ajo parashtron komentet e mëposhtme:
...Fjala "Islam" në gjuhën arabe rrjedh nga e njëjta rrënjë me fjalën "paqe" dhe Kurani e dënon luftën si një gjendje anormale e çështjeve, në kundërshtim me dëshirën e Zotit... "...Sa herë që ndezën zjarr për luftë, Allahu ua fiku atë, e ata përpiqen për shkatërrime në tokë. Allahu nuk i do ngatërrestarët. " (Kurani 5:64) Islami nuk e arsyeton një luftë tërësisht sulmuese shfarosjeje, sikur që e bënë Teurati në pesë librat e Biblës. Një fe më reale se Krishterimi, Islami pranon se lufta është e pashmangshme dhe nganjëherë, një detyrë pozitive për t'i dhënë fund shtypjes dhe vuajtjes. Kurani mëson se lufta duhet të kufizohet dhe të zhvillohet në një mënyrë sa më njerëzore të mundshme. Muhamedit i është dashur të luftojë jo vetëm mekasit, por edhe fiset çifute në atë zonë si dhe fiset e krishtera në Siri, të cilët planifikonin ta sulmonin atë në aleancë me çifutët. Megjithatë, kjo nuk e bëri Muhamedin që t'i denonconte Ithtarët e Librit. Myslimanët u detyruan të vetëmbrohen, por ata nuk po zhvillonin një "luftë të shenjtë" kundër fesë së armiqve të tyre. Kur Muhamedi dërgoi njeriun e tij, Zejdin, kundër të krishterëve, në krye të një ushtrie myslimane, ai i porositi ata të luftojnë në rrugë të Zotit me trimëri, por njerëzisht. Ata nuk duhej të shqetësonin as priftërinj, murgj e murgesha, e as njerëzit e dobët e të pandihmë që nuk ishin në gjendje të luftonin. Nuk duhej bërë masakra ndaj civilëve, madje nuk duhej prerë as edhe një pemë apo rrëzuar ndonjë ndërtesë. Kjo ishte krejt ndryshe nga luftërat e Joshuas. (1)
Pas vdekjes së Profetit, myslimanët vazhduan ti trajtonin anëtarët e feve tjera me tolerancë dhe respekt. Shtetet Islamike u bënë shtëpi të sigurta dhe të lira për çifutët edhe të Krishterët. Pas marrjes së Jerusalemit, Kalifi Omer i qetësoi të Krishterët të cilët i kishte kapluar frika e masakrës, dhe u sqaroi se ata ishin të sigurt. Për më tepër, ai u bëri vizitë kishave të tyre dhe u deklaroi se mund të vazhdonin të lirë të praktikonin adhurimin e tyre.
Në vitin 1099, 4 shekujsh pas marrjes së Jerusalemit nga ana e myslimanëve, kryqtarët e pushtuan sërish Jerusalemin dhe i vunë shpatën të gjithë banorëve mysliman. Përsëri, përkundër frikës nga ana e të krishterëve, Salahudini, gjenerali mysliman i cili e rimori Jerusalemin dhe e shpëtoi qytetin nga invazioni i vitit 1187, nuk e preku as edhe një civil të vetëm dhe nuk lejoi asnjë ushtarë që të plaçkitë. Veç kësaj, ai i lejoi pushtuesit e krishterë që të marrin të gjithë mallin e tyre dhe të largohen nga qyteti në siguri.
Një portret i tolerancës ndaj të krishterëve në tokat Islamike
Periudhat e Turqve Selxhukë dhe Perandorisë Osmane janë shënuar gjithashtu edhe me tolerancën dhe drejtësinë e Islamit. Siç edhe është e ditur, çifutët që ishin dëbuar nga Spanja katolike gjetën paqen që e kërkonin pikërisht në tokat e perandorisë osmane, ku u strehuan në vitin 1492. Sulltan Mehmedi, sundimtari i Stambollit, lejoi edhe lirinë e fesë së çifutëve dhe të krishterëve. Lidhur me tolerancën dhe drejtësinë e ushtruar nga myslimanët, historiani A. Miquel thotë si më poshtë:
Të Krishterët u qeverisën nga një shtet shumi mirë i administruar e që një gjë e tillë nuk ekzistonte në sovranitetin bizantin apo latin. Ata asnjëherë nuk ishin nënshtruar shtypjes sistematike. Përkundrazi, Perandoria, dhe për më tepër Stambolli, u bë strehë për çifutët më të torturuar spanjoll. Ata asnjëherë nuk u detyruan ta pranojnë Islamin. (2)
Profesori i fesë dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Xhorxhtaunit, Xhon L. Espozito, e komenton njëjtë:
Për shumicën e popullsisë jomyslimane në territoret Bizantine dhe Persiane, tanimë të nështruar qevërisësve të huaj, qeverisja Islamike përbënte një ndryshim qeverisësish, më shumë fleksibile dhe tolerant. Shumica e kësaj popullsie tani gëzonin autonomi më të madhe dhe paguanin taksa më të ula...Fetarisht, Islami u vërtetua si fe më tolerante, duke u ofruar çifutëve dhe të krishterëve vendas, një liri më të madhe fetare. (3)
Siç edhe u sqarua në këto fjalë, historia asnjëherë nuk i dëshmoi Myslimanët si "shkaktues të ngatërresave". Përndryshe, ata i sollën siguri dhe paqe të gjithë njerëzve pa dallim kombësie e feje, të banuar në territore të gjëra me të cilat ata qeverisën. (Për më tepër, shih Drejtësia dhe Toleranca në Kuran, nga Harun Jahja, 2000)
Shkurt, dhembshuria, paqja dhe toleranca përbëjnë bazat themelore të vlerave të Kuranit dhe qëllimet e Islamit që të fshijnë ngatërresat nga faqja e dheut. Urdhërat e Kuranit dhe praktika e myslimanëve gjatë tërë historisë janë aq të qarta sa nuk lënë hapësirë për polemikë.
-------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Shënime:
1-Karen Amstrong, Holy War, MacMillian London Limitet, 1988, faqe 25
2- Feridun Emecen, Kemal Beydilli, Mehmet Yp?irli, Mehmet Akif Aydyn, Ylber Ortayly, Abdülkadir Özcan, Bahaeddin Yediyyldyz, Mübahat Kütüko?lu, Osmanly Devleti Medeniyeti Tarihi, (The History of the Ottoman State), Istanbul: 1994, Yslam Tarih, Sanat ve Kültür Ara?tyrma Merkezi, faqe. 467
3- John L. Esposito, The Islamic Threat: Myth or Reality, Oxford University Press, New York, 1992, faqe. 39