Po qe se nuk ndërmerren hapat e domosdoshëm, nëse nuk paraqiten zgjidhje të qenësishme, shekulli i 21-të do të vazhdojë të jetë kohë terrori dhe dhune, pikërisht sikur që ishte shekulli i 20-të para tij. Prandaj, lufta ideologjike kundër terrorizmit duhet të fillojë me nguti të madhe, të përfshijë numër të madh njerëzish. Kjo luftë do të bëhet në rrafshin e ideve – midis njerëzve të cilët besojnë në moralin e vërtetë fetar, të cilët janë të dashur, falës, të mëshirshëm dhe që kanë në zotërim të plotë ndërgjegjet e tyre dhe atyre që fuqinë e tyre e nxjerrin nga mosdija, mendjemadhësia dhe dhuna.
Në një ajet të shenjtë (Sure Hud: 116), Zoti ynë pyet: "E përse të mos ketë pasur nga breznitë që ishin para jush, të zotët e mendjes e të nderit që të ndalonin çrregullimin e kaosin në tokë..." Besimtarët duhet ta posedojnë vetinë që përshkruan Zoti në këtë ajet. Ndërsa terroristët shpresojnë të arrijnë qëllimet e tyre me anë të dhunës, besimtarët duhet ta dinë se suksesi i vërtetë mund të arrihet vetëm duke u kapur fort pas religjionit të Zotit dhe duke vepruar në pajtim me të. Po qe se Çifutët, të Krishterët dhe Myslimanët bashkohen në këtë luftë, në frymën e respektit për të gjitha besimet dhe idetë dhe me vullnetin e Zotit, do të gëzojnë sukses përfundimtar.
Një terrorist mund të mësoj përmendësh të gjitha burimet fundamentale që qëndrojnë pas besimeve të tij. Megjithatë, një person i tillë nuk është i vetëdijshëm për një të vërtetë të qartë që atij do t'i sjellë lumturi dhe frymëzim, si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër. Kjo për arsye se tërë jetën e tij, ai është edukuar me ideologji radikale, në kontekstin e idesë se jeta është një fushëbetejë në të cilën vetëm i fuqishmi mbijeton, ku dhuna dhe zgjedha janë mënyrat e vetme të mbijetesës. Çdokush që gjen mbështetje në terrorizëm, pa marr parasysh fenë, racën apo kombin e tij, duhet të kuptoj se po vepron nën ndikimin e një filozofie çorientuese, që në një analizë përfundimtare buron prej mendimit materialist dhe Darvinist, edhe pse ajo ndonjëherë paraqitet si ide fetare.
Ata të cilët i drejtohen terrorizmit laik nuk janë të vetëdijshëm se Zoti dhe ahireti ekzistojnë me të vërtetë, se kjo botë është thjeshtë një vend sprove dhe se vetëm ata të cilët besojnë dhe zbatojnë obligimet e tyre fetare me devotshmëri do të jenë të shpëtuar. Ata të cilët i drejtohen gjoja terrorizmit "fetar", janë shumë larg të kuptuarit të urdhrave të Zotit kundër keqbërjes dhe vlerës së jetës njerëzore, sikurse "... Nëse dikush mbyt një njeri tjetër – përveç nëse hakmerret për dikend tjetër apo për shkak se ka shkaktuar korrupsion në tokë – është sikurse të kishte mbytur gjithë njerëzimin. Dhe nëse dikush e shpëton një njeri tjetër, është sikurse ta kishte shpëtuar tërë njerëzimin. " (Kuran 5: 32)
Në këtë pikë, një përgjegjësi e madhe bie mbi të gjithë besimtarët e sinqertë, pa marr parasysh se cilës fe i takojnë. Çifutët nuk duhet të shpërfillin thëniet e Dhiatës së Vjetër që u bëjnë thirrje njerëzve për paqe dhe tolerancë dhe ata duhet t'u bëjnë thirrje të gjithë Çifutëve tjerë t'i kundërvihen terrorizmit – duke përfshirë terrorizmin shtetëror të zbatuar nga Izraeli në territoret e okupuara. Po ashtu të Krishterët duhet t'u bëjnë thirrje të gjithë të Krishterëve tjerë, duke marrë si udhërrëfyes të vetin moralin me të cilin Zoti është më së shumti i kënaqur. Ata duhet po ashtu të theksojnë se "lufta mbi terrorin" nuk duhet të shëndrrohet në një hakmarrje të dhunshme dhe se një "kundër-terrorizëm" paqësor duhet të parapëlqehet, pasi që besimi i Krishterë shpall: "Lum ata që përpiqen për paqen" (Mateu: 5: 9). Njeriu nuk duhet të harroj se terrorizmi buron nga idetë e gabueshme dhe se lufta kryesore kundër terrorizmit duhet të zhvillohet në rrafshin e ideve. Besimtarët duhet të shpjegojnë se këto ide janë të gabueshme si për nga teoria e tyre ashtu edhe për nga praktika. Asnjë ide nuk mund të mbisundojë me ndihmën e dhunës, shtypjes dhe egërsisë dhe tirania kurrë nuk mund të triumfoj.
Ideologjia terroriste është e ndërtuar mbi rërë. Themelet e saj mund të fshihen lehtë me anë të vënies në lëvizje të një fushate të përshtatshme edukative. Pasi që besimtarët në të gjitha pjesët e botës mund të ndihmojnë t'i jepet fund mosdijes që ngjall terrorizmin duke kërkuar zgjidhje, duke shkruar libra dhe artikuj, duke promovuar aktivitete edukative dhe duke përhapur trashëgiminë e tyre kulturore.