Deri tani, kemi përmendur vuajtjen fizike në xhehenem. Megjithatë, hiç më pak se vuajtja fizike, ekziston edhe vuajtja shpirtërore e xhehenemit. Pendimi, mungesa e shpresës, poshtërimi, një ndjenjë e të qenit të keqtrajtuar, turpërimi dhe zhgënjimi janë ndjenja që lindin nga këto vuajtje të ndryshme.
Në një mënyrë apo tjetër, çdonjëri shijon vuajtjen shpirtërore në këtë botë. Për shembull, humbja e një shoku të afërt, e bashkëshortes apo e fëmijëve apo të qenit i mashtruar prej dikujt në të cilin njeriu ka pasur besim të plotë mbush zemrën me një pikëllim të pashpjegueshëm. Ky pikëllim, në të vërtetë, është një formë e posaçme e vuajtjes të cilën Allahu e mbjellë në zemrën e një personi si ndëshkim për hyjnizimin e dikujt që humb apo të dikujt që e ka tradhtuar atë. Individi ka nevojë që para së gjithash t’i demonstroj Allahut ndjenjat e tij të dashurisë, mirënjohjes, frikës, devotshmërisë, besimit dhe miqësisë. Dështimi për ta bërë këtë dhe thjeshtë shfaqja e këtyre ndjenjave ndaj dikujt tjetër, i cili është krijuar po ashtu nga Allahu dhe kështu ka nevojë për Të, me fjalë tjera, shoqërimi i shokëve Allahut, shkakton këtë vuajtje. Idhujtarët e shijojnë këtë pikëllim, në mënyrë që të mund të mësojnë prej kësaj, në mënyrë që të kërkojnë falje dhe t’i drejtohen Allahut para se t’i kaplojë vdekja. Qenia e cila hyjnizohet, nuk është domosdo, një qenie njerëzore. Njerëzit nuk mund t’ju bëjnë ballë gjërave të ndryshme. Prona, të hollat, pasuria, fama, shkurt, çdo gjë apo çfarëdo koncepti i qenies i adhuruar përveç Allahut mund lehtë të hyjnizohet.
Dhimbja që shkakton humbja e këtyre idhujve në zemrën e njeriut në këtë botë nuk është asgjë tjetër vetëm një shikim i shpejtë në krahasim me vuajtjen e madhe të cilës njeriu do t’i nënshtrohet në xhehenem. Në thelb, ky është një paralajmërim. Në xhehenem, forma e vërtetë dhe e pafund e kësaj dhimbjeje e pret një idhujtar. Herë pas here, kjo vuajtje shpirtërore bëhet aq e fuqishme sa, njeriu parapëlqen vuajtjen fizike. Madje edhe vetëvrasja konsiderohet shpëtim. Ky aspekt shpirtëror i vuajtjes në xhehenem theksohet në Kuran dhe përshkruhet si një “zjarr që arrin deri në loçkë të zemrës”:
Mjerë për secilin që ofendon e përqesh (njerëzit), Që ka tubuar pasuri dhe që atë e ruan të mos i pakësohet. E mendon se pasuria e tij do ta bëjë të përjetshëm. Jo, të mos mendojë ashtu! Se ai pa tjetër do të hidhet në Hutame. E çka din ti se ç'është Hutame? Është zjarri i Allahut i ndezur fort. Që depërton deri në loçkë të zemrës. Ai i mbyll ata, ua zë frymën. Ata janë të lidhur në pranga të njëpasnjëshme. (Sure Humeze: 1-9)
Madje edhe dhimbja më e rëndë në këtë dynja me kohë shuhet. Gjurmët e saj mund të mbeten për një kohë, por koha përfundimisht fshin gjurmët e saj të dhimbshme. Megjithatë, në xhehenem, një dhimbje edhe më e hidhur depërton në zemrat e jobesimtarëve si një furi e papërmbajtur dhe mbetet aty përjetësisht.
Veç kësaj, vuajtja shpirtërore ngjallë një ndjenjë diku midis mungesës së shpresës dhe poshtërimit, tërbimit dhe urrejtjes. Jobesimtarët i nënshtrohen një dhimbje të padurueshme shpirtërore hiç më pak se një dhimbjeje fizike.
Shumë ajete lidhur me xhehenemin na bëjnë me dije se jobesimtarët atje i pret një vuajtje poshtëruese dhe turpëruese. Ata e pësojnë këtë ndëshkim për shkak të mendjemadhësisë dhe krenarisë së tyre.
Në këtë botë, njëri prej qëllimeve kryesore të jobesimtarëve është që t’i bëjnë të tjerët t’ua kenë lakmi atyre dhe të vlerësojnë personalitetin dhe pozitën e tyre në shoqëri. Një karrierë e shquar, fëmijët, shtëpitë e mëdha të bukura, veturat dhe pasionet e tjera të ngjashme të dynjasë kanë vlerë më të madhe për individin kur ata bëhen pjesë e krekosjes së kotë me vetveten. Me të vërtetë, në Kuran, krekosja e njeriut me pasuri dhe pronë përmendet si njëra prej joshjeve të kësaj bote.
Ky pasion, domethënë “krekosja”, në ahiret shndërrohet në ankth që në vete mban poshtërimin si edhe dhimbjen fizike. Kjo për arsye se jobesimtari harro“Allahun, i cili i meriton të gjitha lëvdatat” (Sure Bekare: 267) dhe“që për Allah e çmon epshin dhe dëshirat e tij”(Sure Furkan: 43). Për këtë arsye, ai kryesisht është angazhuar të fitoj vlerësimin e vetes së tij në vend se të madhëroj dhe lavdëroj Allahun. Ai ka ndërtuar jetën e tij mbi fitimin e kënaqësisë së njerëzve tjerë në vend të fitimit të kënaqësisë së Allahut. Për këtë arsye ai është më shumti i dëmtuar kur poshtërohet përpara të tjerëve.
Ankthi më i tmerrshëm për një jobesimtar është të qenit i turpëruar dhe i poshtëruar në sytë e të tjerëve. Ka madje njerëz që më shumë do të donin të vdisnin vetëm për të qenë të vlerësuar në vend se të jenë të turpëruar. Fatkeqësitë që janë karakteristike për xhehenemin kanë këtë tipar në thelbin e tyre. Gjendja e mjerë e banuesve të xhehenemit është kryesisht për shkak të mendjemadhësisë së tyre. Kurrë më parë nuk kanë qenë ata kaq shumë të poshtëruar. Ajete të shumta tërheqin vëmendjen lidhur me këtë të vërtetë:
E në ditën kur ata që nuk besuan paraqiten pranë zjarrit (e u thonë): Ju i shfrytëzuat të mirat në jetën e dynjasë dhe i përjetuat ato, e sot, për shkak se keni bërë mendjemadhësi në tokë pa të drejtë dhe për shkak se nuk respektuat urdhrat e Allahut, do të shpërbleheni me dënim nënçmues. (Sure Ahkaf: 20)
Të mos mendojnë ata që nuk besuan se afatin që u dhamë Ne atyre të jetojnë, është në dobi të tyre. Ne i lamë të jetojnë vetëm që shtojnë edhe më shumë mëkate, se ata i pret dënim nënçmues. (Sure Ali Imran: 178)
Jobesimtarët u nënshtrohen mijëra formave të trajtimit poshtërues edhe më të ulta se mënyrat si trajtohen kafshët në këtë botë. Kamxhikët, prangat dhe kollaret e hekurta ekzistojnë vetëm për t’i poshtëruar. Të pabesët lidhen për shtylla, prangosen dhe lidhen me zinxhirë.
Në realitet, poshtërimi është thelbi i të gjitha mundimeve në xhehenem. Për shembull, ndërsa hidhen në zjarr, ata poshtërohen. Ky trajtim i frikshëm fillon që nga momenti kur të ringjallet jobesimtari dhe kur zgjidhet për t’u dërguar në xhehenem. Veç kësaj, ky ndëshkim nuk pakësohet kurrë.
Atë ditë nuk pyetet për mëkatin e tij, as njeriu as xhini. E, cilën të mirë të Allahut tuaj po e mohoni? Kriminelët njihen me tiparet e tyre, andaj me rrëmbim kapen për flok dhe për këmbët e tyre. (Sure Rrahman: 39-41)
Në xhehenem, jobesimtari duhet të pajtohet me një mënyrë trajtimi edhe më të keqe se ajo që përjetojnë kafshët. I kapur për flokësh, ai do të tërhiqet zvarrë për tokë dhe do të hidhet në xhehenem. I paaftë të rezistoj, ai do të kërkoj ndihmë, por pa dobi. Një ndjenjë e dëshpërimit vetëm sa do ta shtojë vuajtjen:
Jo, Jo! Nëse nuk tërhiqet, vërtet do ta kapim për flokësh mbi ballin. Floku rrenacak, mëkatarë. E ai le t'i thërret ata të vetët. Ne do t'i thërrasim zebanitë. Jo, Jo! Ti mos iu bind atij, vazhdo me sexhde dhe afroju Allahut me të. (Sure Alek: 15-19)
Ata do të tubohen, do të jenë të përmbysur me fytyrat e tyre në Xhehenem, të tillëve u përket vendi më i keq, ndaj ata janë më të humburit në rrugën e tyre. (Sure Furkan: 34)
Në të njëjtën mënyrë,
…E kush do të paraqitet me punë të këqija (me besim të gabuar), ata do të hidhen të përmbysur në fytyrat e tyre në zjarr, (u thuhet) Ju nuk shpërbleheni me tjetër pos me atë që punuat. (Sure Neml: 90)
…Ditën kur me fytyrat e tyre do të tërhiqen zvarrë në zjarr. "Vuajeni dënimin Sekar". (emër i një Xhehenemi). (Sure Kamer: 48)
Poshtërimi shtohet edhe më tepër kur të jetë në xhehenem. Përveç dhimbjes fizike, një ndjenjë e fuqishme e poshtërimit pushton banorët e xhehenemit:
(U thuhet engjëjve për mëkatarin) Rrëmbeni e graheni në mes të Xhehenemit. Dhe hidhni mbi kokën e tij ujin e valë e shtojani mundimin. (I thuhet): Shijoje! se ti je ai i forti, i autoritetshmi. E ky është ai (dënimi) për të cilin dyshonit. (Sure Duhan: 47-50)
Kamxhikë, kollare dhe zingjirë të punuar posaçërisht përdoren për të poshtëruar jobesimtarët:
U thuhet zebanive: Kapeni atë, vërjani prangat! Pastaj atë shtini në Xhehenem... Mandej, lidheni atë me një zingjirë të gjatë shtatëdhjetë kut. Pse ai ka qenë që nuk besoi Allahun e madhëruar. Ai nuk nxiste për t'i ushqyer të varfrit. (Sure Hakka: 30-34)
Në këtë botë, përveç atyre që janë të egra, madje edhe kafshët nuk lidhen me zingjirë. Dhe sa u përket qenieve njerëzore, vetëm ata që janë të pashërueshëm dhe të retarduar mentalisht të rrezikshëm lidhen me zingjirë. Duke qenë kështu, ata të cilët dërgohen në xhehenem janë krijesat më inferiore prej të gjitha krijesave. Kjo është arsyeja pse, ata prangosen me “një zingjirë që është shtatëdhjetë kubit i gjatë”, siç thuhet në ajetin e lartpërmendur. Vargjet tjera po ashtu japin hollësi për ketë torturë poshtëruese:
Atyre do t'u vihen prangat dhe zingjirët në qafat e tyre e do të zhyten, në ujin e valë dhe pastaj do të digjen në zjarr. Mandej atyre u thuhet: "Ku janë ata që i adhuronit. (Sure Gafir: 71-73)
E nëse ti (Muhammed) çuditesh (përse të përgënjeshtrojnë), është edhe më e çuditshme thënia e tyre: "A do të kemi krijim të ri pasi të jemi bërë dhe?" Këta janë ata që mohuan Allahun e tyre, ata do të ndëshkohen me pranga në qafë. Pra këta janë banues të zjarrit ku do të qëndrojnë përgjithmonë. (Sure Rra’d: 5)
E idhujtarët atë ditë i sheh të lidhur në pranga. Petkat e tyre janë nga katrani, kurse fytyrat e tyre do t'i mbulojë zjarri. (dalin para Allahut) Për ta shpërblyer Allahu secilin njeri me atë që e fitoi. Vërtet, Allahu është llogaritar i shpejtë. (Sure Ibrahim: 49-51)
Këta janë dy kundërshtarë (grupe kundërshtarësh: besimtarë dhe jobesimtarë) që janë zënë rreth Allahut të tyre; e atyre që nuk besuan, u qepën rroba prej zjarri e u hidhet uji i valë mbi kokat e tyre. Që me atë u shkrihet krejt çka në barqet e tyre e edhe lëkurat. Për ata janë edhe kamxhikët e hekurt. (Sure Haxhxh: 19-21)
Shpirti i errët që paraqet poshtërimi bëhet i qartë në fytyrat e banorëve të xhehenemit. Në dynja gjithashtu, mund ta vëresh brengën serioze të njerëzve që janë të turpëruar, çnderuar dhe keqtrajtuar. Poshtërimi në xhehenem do të ndikojë po ashtu në pamjen e banorëve të xhehenemit siç thuhet në vargun në vazhdim:
Atë ditë sheh fytyra të përulura. (Sure Gashije: 2)
Përveç gjithë këtyre mënyrave të poshtërimit që kemi përmendur deri tani, duhet ta kemi parasysh se forma tjera të ndryshme të tij do të praktikohen në xhehenem. Në Kuran, përdoret termi “poshtërim” dhe jepen disa shembuj për ta sqaruar atë. Megjithatë, duhet të kujtojmë se ky është një term i gjerë i cili assesi nuk mund të kufizohet me pak shembuj. Të gjitha ndjenjat, trajtimi apo ngjarjet që nxisin poshtërimin në shpirtin e njeriut në këtë botë përfshihen në këtë koncept dhe ato janë të gjitha në dispozicion në xhehenem.
Kur të ringjallet, jobesimtari në mënyrë të hidhur kupton veprat e këqija që ka punuar. Pendimi i shkaktuar nga e keqja e pariparueshme e tij i sjellë një tronditje serioze. Gjendja e tij e dëshpëruar keqësohet nga ky pendim i thellë.
Kur jobesimtari ballafaqohet me veprat që ka bërë në këtë botë, kupton se nuk ka më kurrfarë mundësie të përtërij çfarëdo nderi të jetës së tij. E prapëseprapë ai kërkon një tjetër mundësi. Në këtë gjendje shpirtërore, ai dëshiron t’i kthehet jetës së tij të vjetër për të larë gjynahet e tij. Ndërsa, ai kurrë më nuk dëshiron t’i shoh shokët dhe më të dashurit e tij me të cilët ai gëzoi jetën në mënyrë të shkujdesur. Të gjitha miqësitë, të gjitha lidhjet asgjësohen. Mënyrat e jetës dhe traditat që njerëzit pasuan në jetë, shtëpitë e tyre, veturat, bashkëshortet, fëmijët, kompanitë, ideologjitë që ata mbrojnë e humbin vlerën e tyre dhe zhduken. Fare thjeshtë, ato zëvendësohen me vuajtje. Gjendja shpirtërore e shkaktuar nga llahtari i asaj dite rrëfehet si vijon:
E sikur t'i shihje ata kur janë ndalur pranë zjarrit e thonë: "Ah sikur të ktheheshim (në dynja), të mos gënjejmë faktet e Allahut tonë e të bëhemi nga besimtarët!" Jo, (s'është ashtu) po atyre u doli në shesh ajo që e mbanin fshehtë më parë, prandaj edhe sikur të ktheheshin ata do të përsëritnin atë që e kishin të ndaluar, e s'ka dyshim, ata janë gënjeshtarë. Ata thanë: "Nuk ka tjetër, vetëm kjo jeta jonë në këtë botë, dhe ne nuk do të ringjallemi. Dhe, sikur t'i kishte parë ata kur të ndalohen para Allahut të tyre e u thuhet atyre: "A nuk është kjo (ringjallja) e vërtetë?" Ata thonë: " Po, për Allahun tonë!" thotë: "Shijoni pra dënimin për atë që mohonit!" (Sure En’am: 27-30)
Pozita shoqërore dhe raportet hierarkike, të cilat u konsideruan shumë të rëndësishme në këtë botë, e humbin gjithë kuptimin e tyre në xhehenem. Gjendja në të cilën katandisen si popujt ashtu edhe udhëheqësit e tyre është e atillë sa ata mallkojnë njëri tjetrin:
Dhe (sikur të shihnin) kur do të largohen ata që u prinin prej atyre që i ndiqnin (paria largohet prej atyre që u shkuan pas), e të gjithë e shohin dënimin dhe këputen lidhjet e tyre. E Ata, të cilët u patën shkuar pas do të thonë: "Ah, sikur të na lejohej një kthim (në dynja) e të largohemi prej tyre (prijësve) siç u larguan ata tash prej nesh!" Kështu Allahu do t'ju paraqesë veprat që janë dëshpërim për ta, e ata nuk kanë të dalë prej zjarrit. (Sure Bekare: 166-167)
Ditën kur fytyrat e tyre do të përmbysen në zjarr e thonë: "Të mjerët ne, ta kishim adhuruar Allahun e respektuar të dërguarin!" Dhe thonë: "Allahu ynë, ne i dëgjuam udhëheqësit tanë dhe të parët tanë, por ata na shmangën nga rruga e drejtë". Allahu ynë, jepu atyre dënim të dyfishtë dhe mallkoj ata si është më së keqi! (Sure Ahzab: 66-68)
E duke u grindur mes vete në të, ata thonë: “Pasha Allahun, njëmend ne kemi qenë krejtësisht të humbur, Kur juve (idhuj) ju kemi barazuar me Allahun e botëve. Neve nuk na humbi kush tjetër vetëm se kriminelët (prijësit). E tash për ne nuk ka ndonjë ndihmës (ndërmjetësues). Nuk ka as ndonjë mik të sinqertë. E, sikur të mund të kthehemi (në dynja) edhe njëherë, do të bëheshim besimtarë.”
Në këtë (që u përmend) ka argumente bindëse, po shumica e tyre nuk besuan. (Sure Shu’ara: 96-103)
Grindja shtohet në mes të banorëve të xhehenemit që ballafaqohen me vuajtjen e përjetshme. Secili njeri akuzon secilin njeri tjetër. Shokët e ngushtë e urrejnë njëri tjetrin. Burimi kryesor i kësaj urrejtjeje është miqësia që ata aq shumë e deshën në këtë botë. Ata joshën njëri tjetrin për të bërë gjynahe dhe inkurajuan mohimin. Të gjitha konceptet lidhur me miqësinë janë zhdukur përballë zjarrit të xhehenemit dhe të gjitha lidhjet e forcuara në këtë jetë u shkëputën. Në mes të gjithë kësaj tollovie, çdonjëri është vetëm, duke mallkuar gjithë të tjerët:
(Allahu) Ju thotë: "Hyni në Xhehenem me atë popull që ishte para jush nga xhinët dhe njerëzit (e që ishin si ju). Sa herë që një grup hyn në të, e mallkon atë të mëparshmin derisa kur të arrijnë në të i gjithë, grupi i fundit i tyre thotë për grupin e parë: "Allahu ynë, këta (paria) na kanë humbur neve (nga rruga e drejtë), pra shtoju dënimin me zjarr atyre!" (Allahu) Thotë: "Për secilin (grup) është (dënimi) i shtuar, por ju nuk po dini. (Sure A’raf: 38)
Ata që nuk besuan thonë: "O Allahu ynë, na i trego ata të dy nga xhinët dhe njerëzit, të cilët na bënë të jemi të humbur, e t'i shkelim me këmbët tona dhe le të jenë prej më të poshtërve!" (Sure Fussilet: 29)
Dhe (përkujto) kur duke qenë në zjarr, ata grinden në mes vete, e të dobëtit u thonë atyre të mëdhenjve: "Ne kemi qenë ithtarë tuaj (në dynja), a mund të na largoni ndonjë pjesë të dënimit me zjarr?" Ata që kishin qenë pari thonë: "Ne të gjithë jemi në të!" Allahu ka vendosur në mënyrë të prerë në mes njerëzve". (Sure Gafir: 47-48)
Ky është një grumbull që bashkohet me ju (u thonë engjëjt parisë): "Mos paçin komoditet as mirëseardhje (thonë paria)!" Ata janë që do të digjen në zjarr. Ata (të shtypurit) thonë: "Jo, juve mos u qoftë as mirëseardhja, as komoditeti; ju jeni që na e përgatitët këtë!" Sa vendqëndrim i keq është! O Allahu ynë, ata thonë: "Atij që na e bëri këtë, shtoja dyfish dënimin në zjarr!" Dhe thonë: "Ç'është që nuk po i shohim disa burra që ne i konsideronim prej të këqijve. E që i kemi pas marrë ata në tallje, a mos na u ka larguar shikimi prej tyre?" Kjo armiqësi në mes banuesve të zjarrit është e vërtetë. (Sure Sad: 59-64)
Banorët e xhehenemit janë në një gjendje të pashpresë. Tortura të cilës i nënshtrohen është jashtëzakonisht e egër dhe e pafund. E vetmja shpresë e tyre është të qajnë dhe të përgjërohen për shpëtim. Ata i shohin banorët e xhenetit dhe i lusin për ujë dhe ushqim. Ata përpiqen të pendohen dhe kërkojnë falje prej Allahut. Mirëpo, të gjitha veprimet e tyre janë të kota. Ata u përgjërohen rojeve të xhehenemit. Ata madje kërkojnë që ata të veprojnë si ndërmjetës midis tyre dhe Allahut dhe kërkojnë mëshirë. Dhimbja është aq e padurueshme sa që ata kërkojnë të jenë të shpëtuar prej saj qoftë edhe vetëm për një ditë të vetme:
Dhe ata, që janë në zjarr, rojës së Xhehenemit i thonë: "Luteni Allahun tuaj të na e lehtësoj dënimin, bile një ditë!" Ata u thonë: "A nuk u patën arritur juve të dërguar tuaj me argumente të qarta? Ata përgjigjen: "Po (na kanë ardhur)!" E pra, (u thotë roja) lutuni ju vetë, po lutja e jobesimtarëve është asgjë!" (Sure Gafir: 49-50)
Jobesimtarët vazhdojnë të kërkojnë falje, por ata refuzohen rreptësishtë:
Ata thonë: "O Allahu ynë, ne na patën mundur të këqijat (u dhamë pas epsheve të dynjasë) dhe si të tillë ishim popull i humbur! Allahu ynë, na nxjerr prej tij, e nëse gabojmë përsëri, atëherë vërtet, jemi mizor!" Ai thotë: "Heshtni aty e mos më folni!" Pse një grup prej robërve të Mi thanë: "O Allahu ynë, ne besuam, prandaj na falë dhe na mëshiro, se Ti je më i miri i mëshiruesve!" E ju i patët tallur ata, sa që ajo tallje bëri që të harronin përkujtimin ndaj Meje, madje edhe qeshnit me ta. E Unë sot i shpërbleva ata për atë që ishin të durueshëm atë janë fitimtarët. (Sure Mu’minun: 106-111)
Ky është në të vërtetë fjalimi i fundit i Allahut për banorët e xhehenemit. Fjalët e tij “Qëndroni këtu të turpëruar dhe mos Mu lutni!” janë përfundimtare. Që nga ai moment, Allahu kurrë nuk i përfill më banorët e xhehenemit. Njeriu as që do të dëshironte të mendoj për këtë gjendje.
Përderisa gjynahqarët digjen në xhehenem, ata që arrijnë “lumturinë dhe shpëtimin” mbesin në xhenet duke iu gëzuar dobisë së mirësive të pafund. Vuajtja e banorëve të xhehenemit bëhet më e fuqishme kur e vërejnë jetën e besimtarëve në xhenet. Me të vërtetë, ndërsa i nënshtrohen mundimit të padurueshëm, ata mund të “shohin” mirësitë e mrekullueshme të xhenetit.
Besimtarët, të cilët jobesimtarët i përqeshën në këtë botë, tani kalojnë një jetë të plotë dhe të lumtur, duke jetuar në vende përrallore, shtëpi madhështore me femra të bukura dhe duke shijuar ushqimin dhe pijet. Pamja e besimtarëve në një gjendje të qetësisë dhe begatisë keqëson edhe më tej keqëson poshtërimin e qenies në xhehenem. Këto skena shkaktojnë dhimbje më të madhe dhe vuajtje pikëllimit të tyre.
Pendimi bëhet gjithnjë e më i thellë. Mosrespektimi i urdhrave të Allahut në këtë botë i bën ata të ndiejnë brejtje të thellë të ndërgjegjes. Ata u drejtohen besimtarëve në xhenet dhe përpiqen të flasin me ta. Ata u përgjërohen për ndihmë dhe keqardhje ata. Megjithatë, këto janë përpjekje të kota. Banorët e xhenetit i shohin ata gjithashtu. Biseda në mes të banorëve të xhehenemit dhe të xhenetit është si vijon:
Që janë në Xhenete e i bëjnë pyetje njëri-tjetrit, Përkitazi me kriminelët (e u thonë): "Çka u solli juve në Sekar?" Ata thonë: "Nuk kemi qenë prej atyre që faleshin (që bënin namaz); Nuk kemi qenë që ushqenim të varfrit; Dhe kemi qenë që përziheshim me të tjerët në punë të kota. Dhe kemi qenë që nuk e besonim ditën e gjykimit. Derisa na erdhi e vërteta (vdekja)!" E tanimë, atyre nuk u bën dobi ndërmjetësimi i ndërmjetësuesve. (Sure Mudeththir: 40-48)
Ndërkaq, besimtarët dhe hipokritët do të diskutojnë njëri me tjetrin. Hipokritët janë njerëzit që qëndruan me besimtarët për një kohë të caktuar. Përkundër faktit se nuk kanë besim në zemrat e tyre, dhe kryekëput për përfitim personal, ata i kanë zbatuar obligimet e tyre fetare sikur të ishin besimtarë. Kështu, ata kanë fituar emrin e “hipokritit”. Në zjarrin e xhehenemit, ata u përgjërohen besimtarëve t’u ndihmojnë. Dialogu në mes këtyre dy grupeve në Kuran transmetohet si vijon:
Ditën kur hipokritët dhe hipokritet atyre që besuan u thonë: "Na pritni (ose na shikoni) të ndriçohemi prej dritës suaj!" U thuhet: "Kthehuni prapa jush (në dynja) e kërkoni ndonjë dritë!" Atëherë vihet ndërmjet tyre njëfarë muri që ka një derë, e brendia e tij është mëshirë (Xheneti), e ana e jashtme e tij është dënimi (zjarri). (Hipokritët e mbetur në errësirë) I thërrasin ata (besimtarët): "A nuk kemi qenë edhe ne së bashku me ju!? (Besimtarët përgjigjen): "Po, por ju e shkatërruat veten (me hipokrizi), ju prisnit kob të zi për besimtarët, ju dyshonit në çështjet e fesë dhe ju mashtruan shpresat e kota deri kur ju erdhi caktimi i Allahut (vdekja) dhe ashtu, përkitazi me Allahun, mashtruesi ju mashtroi. E sot, prej jush nuk pranohet ndonjë kompensim e as prej atyre që nuk besuan, vendi juaj është zjarri, ai është ndihma juaj: sa përfundim i keq është ai". (Sure Hadid: 13-15)
Përveç të gjitha karakteristikave të xhehenemit që i kemi përmendur deri tani, ekziston një aspekt tjetër i tij i cili i shton fuqinë vuajtjes së përjetuar: ai është i përjetshëm. Në këtë botë, fakti se madje edhe dhimbja më e thekshme zvogëlohet me kohë e ngushëllon njeriun. Fundi i çdo dhimbje është lumturi dhe madje pritja e kësaj lumturie jap shpresë.
Mirëpo, nuk ekziston një shpresë e tillë në xhehenem dhe kjo është ajo që tronditë banorët e xhehenemit më së shumti. Kur ata të hidhen në zjarr, të pranguar, të djegur, të fshikulluar dhe të ngujuar në vende të ngushta, me duart e tyre të lidhura për qafë, ata e dinë se kjo do të zgjatë përjetësisht. Përpjekjet e tyre për të ikur s’mund të kenë sukses kurrë. Kjo tregon se vuajtja e tyre do të zgjatë përgjithmonë. Ankthi që ndiejnë ata shpjegohet si vijon:
Sa herë që përpiqen të dalin prej tij nga vuajtjet e padurueshme, kthehen me dhunë në të përsëri (u thuhet): "Vuani dënimin me djegie!" (Sure Haxhxh: 22)
Xhehenemi është një vend tërësisht i izoluar. Jobesimtarët hyjnë në të dhe kurrë më nuk dalin. Nuk ka rrugëdalje prej xhehenemit. Ndjenja e izolimit rrethon jobesimtarët. Ata janë të rrethuar me mure dhe dyer të mbyllura. Kjo ndjenjë e hidhur e mbylljes përshkruhet në Kuran si vijon:
Ndërsa ata që nuk i besuan argumentet Tona, ata janë të së majtës. Kundër tyre është zjarri i mbyllur. (Sure Beled: 19-20)
E ti thuaj: "E vërteta është nga Allahu juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë. Ne kemi përgatitur për jobesimtarët zjarr që muret e tij (të flakës) i rrethojnë ata, e nëse kërkojnë shpëtim, ndihmohen me një ujë si katran që përzhit fytyrat. E shëmtuar është ajo pije, e vend i keq është ai". (Sure Kehf: 29)
Të tillët (që ndjekin djallin) kanë vendin në Xhehenem dhe prej tij nuk kanë të ikur (shpëtim). (Sure Nisa’: 121)
Kur jobesimtarët shohin zjarrin, ata bëhen plotësisht të vetëdijshëm se ku e kanë vendin. Ata e kuptojnë me të vërtetë se nuk ka asnjë mundësi çfarëdo qoftë ajo të shpëtojnë nga zjarri. Në këtë fazë, koncepti i kohës humb kuptimin dhe fillon një vuajtje e përjetshme. Natyra e pareshtur e dhimbjes është ana më e keqe e saj. Madje edhe nëse kalojnë një qind vjet, një mijë vjet apo me miliona vite, njeriu kurrë nuk i afrohet fundit. Miliona vite nuk janë asgjë krahasuar me përjetësinë. Jobesimtari që banon në xhehenem pret një fund, e megjithatë, pa dobi. Kjo është arsyeja pse theksohet natyra e përjetshme e xhehenemit:
Hipokritëve dhe hipokriteve dhe jobesimtarëve Allahu u ka përcaktuar zjarrin e xhehenemit, ku do të jenë përgjithmonë, ai mjafton për ta, dhe ata i ka mallkuar Allahu. Ata kanë dënim të pandërprerë. (Sure Teube: 68)
Sikur të kishin qenë ata Allaha, ata nuk do të hynin në të, po që të gjithë do të jenë aty përgjithmonë. (Sure Enbija: 99)
Po për ata që nuk besuan është zjarri i Xhehenemit. Ata as nuk gjykohen që të vdesin (të rehatohen) e as nuk u lehtësohet ndëshkimi. Kështu e ndëshkojmë secilin që është shumë i pabesim. (Sure Fatir: 36)
Gjithë dhimbjes në këtë botë i vjen fundi. Gjithmonë ekziston shpëtimi. Njeriu i cili ndien dhimbje ose vdes ose dhimbja e tij lehtësohet. Mirëpo, në xhehenem, dhimbja është e vazhdueshme dhe e pareshtur, duke mos ofruar kurrfarë lehtësimi madje as edhe për një moment të vetëm.
Gjatë gjithë këtij libri, është vënë në pah se ata të cilët nuk i refuzojnë urdhrat e Allahut në këtë dynja dhe e mohojnë ekzistencën e Krijuesit të tyre nuk do të kenë shpëtim në ahiret dhe do të përballen me një vuajtje të llahtarshme në xhehenem.
Prandaj, pa humbur kohë, secili duhet të kuptoj gjendjen e tij në praninë e Allahut dhe t’i nënshtrohet Atij. Përndryshe, ai do të pendohet dhe do të përballet me një fund të frikshëm:
Ata që nuk besuan shpeshherë do të kishin dëshiruar të kishin qenë myslimanë. Lëri (Muhammed) ata, të hanë, të dëfrehen dhe t'i preokupojë shpresa (se do të jetojnë shumë), e më vonë do të kuptojnë. (Sure Hixhr: 2-3)
Rruga për t’iu shmangur ndëshkimit të përjetshëm, për të fituar lumturinë e përjetshme dhe kënaqësinë e Allahut është e qartë.
Para se të jetë tepër vonë, keni besim të sinqertë në Allahun. Kaloni jetën tuaj duke bërë vepra të mira për ta fituar kënaqësinë e Tij…
(Engjëjt) Thanë: "ti je i pa të meta,ne nuk kemi dije tjetër përveç atë që na e mësove Ti.Vërtetë, Ti je i Gjithëdijshmi, i Urti!" (Sure Bekare: 32)