Xhehenemi…Ky vendbanim, ku atributet e Allahut, el-Xhabar (Imponuesi), el-Kahar (Nënshtruesi) dhe el-Muntekim (Hakmarrësi) manifestohen përjetësisht është krijuar veçanërisht për t’i shkaktuar vuajtje njeriut. Në Kuran, xhehenemi përshkruhet sikur të ishte një qenie e gjallë. Kjo krijesë është përplot zemërim dhe urrejtje për jobesimtarët. Që nga dita kur është krijuar, pret me padurim që të hakmerret mbi jobesimtarët. Etja e xhehenemit për jobesimtarët kurrë nuk mund të shuhet. Urrejtja e tij ndaj jobesimtarëve e bën atë të tërbohet. Kur takon ata të cilët mohojnë, tërbimi i tij bëhet më i fortë. Krijimi i kësaj flake i shërben një qëllimi të vetëm: të shkaktojë vuajtje të padurueshme. Me të vërtetë, ai do ta kryej detyrën e tij dhe do të japë dhimbjen më të rëndë të mundshme.
Pasi që të ndodhë gjykimi i jobesimtarëve në praninë e Allahut, ata do të marrin Librat e tyre nga ana e majtë e tyre. Ky është momenti kur ata do të dërgohen në xhehenem përjetësisht. Për jobesimtarët nuk ekziston mundësia për të ikur. Do të ketë me miliarda njerëz, dhe kjo turmë e madhe nuk do t’u jap jobesimtarëve mundësinë për të ikur apo për t’u lënë anash. Askush s’mund të fshihet në këtë turmë. Ata që dërgohen në xhehenem vijnë me një dëshmitar dhe një grahës të vet:
Dhe i fryhet surit, e ajo është dita e premtuar (për dënim). E do të vijë secili njeri bashkë me të dhe grahësi edhe dëshmitari. (I thuhet) Ti ishe në një huti nga kjo (ditë) e Ne ta tërhoqëm perden tënde dhe tash ti sheh shumë mprehtë. E shoku (përcjellësi) i tij do të thotë: "Kjo që është te unë (regjistri i veprave) është gati. Ju të dy (engjëjt) hidhini në Xhehenem secilin mohues kryeneç. Secilin pengues të veprave, mizor e të dyshimtë në fe. I cili Allahut i shoqëroi Allah tjetër, pra hidheni atë në vuajtjet më të rënda". (Sure Kaf: 20-26)
Jobesimtarët do të dërgohen drejt këtij vendi të tmerrshëm. Sipas Kuranit, ata dërgohen “në turma”. Mirëpo, gjatë rrugës për në xhehenem, në zemrat e jobesimtarëve frymëzohet frika. Zhurma e tmerrshme dhe gjëmimi i zjarrit dëgjohet në largësi:
Kur të hidhen në të, ata do t'ia dëgjojnë atij ushtimën e ai vlon. Nga zemërimi, ai gati copëtohet. Sa herë që hidhet në të ndonjë turmë, roja i pyet: "A nuk ju pat ardhur juve ndonjë pejgamber (qortues)?" (Sure Mulk: 7-8)
Prej këtyre vargjeve, është e qartë se kur të rikrijohen, të gjithë jobesimtarët do të kuptojnë se ç’do t’ju ndodhë. Ata do të mbeten krejtësisht të vetmuar; nuk do të kenë shokë, të afërm apo përkrahës për t’ju ndihmuar. Jobesimtarët nuk do të kenë fuqi për të qenë mendjemëdhenj dhe do të shikojnë tinëzisht. Njëri prej ajeteve përshkruan këtë moment si vijon:
Do t'i shohësh ata duke iu afruar atij (zjarrit) të frikësuar nga nënshtrimi, se si e shikojnë me bisht të syrit tinëzisht (me një shikim të vjedhur). Ata që besuan do të thonë: "Vërtet, të humbur në ditën e kiametit janë ata që e humbën vetveten dhe familjen e vet!" Ta dini pra, se mizorët janë në dënim të përjetshëm. (Sure Shura: 45)
Në fund jobesimtarët arrijnë tek dyert e xhehenemit. Kurani përshkruan ngjarjet atje si vijon:
E ata që nuk besuan sillen në grupe te Xhehenemi, e kur arrijnë te ai, dyert e tij hapen e roja e tij u thotë atyre: "A nuk u patën ardhur juve të dërguar nga mesi juaj t'ju lexojnë shpalljet e Allahut tuaj, t'ju tërheqin vërejtjen për ballafaqimin tuaj në këtë ditë?" Po, (na kanë ardhur...) thonë ata, por fjala (vendimi) e dënimit domosdo është bërë realitet kundër jobesimtarëve! U thuhet: "Hyni nëpër dyer të Xhehenemit, aty do të jeni përgjithmonë, sa vend i keq është për kryelartët!" (Sure Zumer: 71-72)
Për secilin prej grupeve krijohet një portë e posaçme e xhehenemit. Varësisht nga shkalla e kundërshtimit të tyre ndaj Allahut, njerëzit i nënshtrohen një klasifikimi. Jobesimtarët vendosen në vendet e tyre individuale në xhehenem sipas gjynaheve që kanë bërë. Kjo shprehet kështu në Kuran:
(Allahu) Ju thotë: "Hyni në Xhehenem me atë popull që ishte para jush nga xhinët dhe njerëzit (e që ishin si ju). Sa herë që një grup hyn në të, e mallkon atë të mëparshmin derisa kur të arrijnë në të të gjithë, grupi i fundit i tyre thotë për grupin e parë: "Allahu ynë, këta (paria) na kanë humbur neve (nga rruga e drejtë), pra shtoju dënimin me zjarr atyre!" (Allahu) Thotë: "Për secilin (grup) është (dënimi) i shtuar, por ju nuk po dini. (Sure A’raf: 38)
Një tjetër ajet jap informacion të hollësishëm për xhehenemin:
…E s'ka dyshim se xhehenemi është vend premtimi i të gjithë atyre. Ai (xhehenemi) i ka shtatë dyer, çdonjëri prej tyre ka shtegun (derën) e caktuar (nëpër të cilën do të hyjë). (Sure Hixhr: 43-44)
Ata që i nënshtrohen torturës më të rëndë do të jenë hipokritët. Këta janë njerëzit të cilët u sollën sikur të jenë besimtarë, edhe pse nuk kishte besim në zemrat e tyre:
S'ka dyshim, munafikët do të jenë në shtresën më të ulët (në fund) të zjarrit dhe për ta nuk do të gjesh mbrojtës. (Sure Nisa: 145)
Xhehenemi është plot urrejtje; uria e tij për jobesimtarët nuk mund të shuhet kurrë. Përkundër asaj se shumë jobesimtarë hidhen në të, ai kërkon më shumë:
(Përkujto) Ditën kur Ne Xhehenemit i themi: "A je mbushur?" E, ai thotë: "A ka ende?" (Sure Kaf: 30)
Kur të ndizet njëherë, do të vazhdojë të digjet përjetësisht. Allahu përshkruan xhehenemin në Kuran si vijon:
E Unë atë do ta hedhë në Sekar! E, ku e di ti se çka është Sekar? Ai nuk lë send të mbetet pa e djegur. Ai është që ua prish dhe ua nxin lëkurat. (Sure Mudeththir: 26-29)
Padyshim, hyrja për në xhehenem është po ashtu e dhimbshme. Njerëzit “hidhen” në të. Sipas një ajeti tjetër, ata“hidhen njëri mbi tjetrin” (Sure Shu’ara: 94) në të.
Posa të arrijnë jobesimtarët në xhehenem, dyert mbyllen pas tyre. Këtu, ata shohin pamjet më të frikshme. Ata menjëherë kuptojnë se do të “futen” në xhehenem, vendi në të cilin ata do të banojnë përjetësisht. Dyert e mbyllura tregojnë se nuk do të ketë shpëtim. Allahu përshkruan gjendjen e jobesimtarëve si vijon:
Ndërsa ata që nuk i besuan argumentet Tona, ata janë të të majtës. Kundër tyre është zjarri i mbyllur. (Sure Beled: 19-20)
Kjo vuajtje në Kuran përshkruhet si“një dënim i rëndë”(Sure Ali Imran: 176), “ndëshkim i rreptë” (Sure Ali Imran: 4) dhe“një ndëshkim i dhimbshëm e pikëllues” (Sure Ali Imran: 21)Përshkrimet e tij janë të papërshtatshme për të dhënë një kuptim të plotë të ndëshkimit në xhehenem. Duke mos qenë në gjendje që të durojë madje edhe djegiet e vogla në këtë botë, njeriu nuk mundet as ta paramendoj të jetë i ekspozuar zjarrit përjetësisht. Për më tepër, dhimbja që zjarri shkakton në këtë botë nuk mund të krahasohet me ndëshkimin e rëndë të xhehenemit. Asnjë dhimbje nuk mund të jetë e ngjashme me atë të xhehenemit:
Atë ditë askush nuk mund të dënojë sikur Ai. Dhe askush si Ai nuk mund të lidhë me pranga. (Sure Fexhr: 25-26)
Ekziston jeta në xhehenem. Mirëpo kjo është një jetë në të cilën secili moment është përplot vuajtje dhe dhimbje. Në atë jetë, çdo lloj mundimi fizik, mendor dhe psikologjik, krahas formave të ndryshme të torturës dhe turpërimit shfryhen në mënyrë të papërmbajtur. Është e pamundshme që të krahasohet me çfarëdo vuajtje në dynja.
Njerëzit në xhehenem e perceptojnë dhimbjen përmes të gjitha pesë shqisave. Sytë e tyre shohin pamje të neveritshme dhe të frikshme; veshët e tyre dëgjojnë britma të rrëqethëse, gjëmime dhe klithma; hundët e tyre mbushen me erëra të padurueshme dhe të hidhura; gjuhët e tyre shijojnë shijet më të ndyta dhe më të padurueshme. Ata e ndiejnë xhehenemin thellë në qelizat e tyre; kjo është një dhimbje e rëndë që çmend e që është vështirë të imagjinohet në këtë dynja. Lëkura e tyre, organet e tyre të brendshme dhe tërë trupi i tyre shkatërrohet dhe ata përdridhen nga dhimbja.
Njerëzit e xhehenemit janë shumë të qëndrueshëm ndaj dhimbjes dhe nuk vdesin kurrë. Prandaj, ata nuk mund ta shpëtojnë veten kurrë nga mundimi. Lëkurat e tyre shërohen duke u djegur ata; e njëjta vuajtje vazhdon përjetësisht; forca e vuajtjes nuk pakësohet kurrë. Allahu thotë në Kuran: Hyni në të! Për juve është njësoj, bëtë durim ose nuk bëtë. Shpërbleheni me atë që me veprat tuaja e merituat. (Sure Tur: 16)
Jo më pak se dhimbja fizike, dhimbja mendore është po ashtu e rëndë në xhehenem. Njerëzit në xhehenem përjetojnë pendim të thellë, bien në gjendje të pashpresë, ndjehen të dëshpëruar dhe kalojnë kohëra të pafund dëshpërimi. Vuajtja është e përjetshme; edhe nëse do të mbaronte pas miliona apo miliarda vitesh, madje edhe një mundësi e tillë afatgjatë do të nxiste shpresa të zjarrta dhe do të mbetej një arsye e fuqishme për lumturi dhe gëzim. Mirëpo, amshueshmëria e vuajtjes do të frymëzojë njëfarë dëshpërimi që nuk mund të krahasohet me cilëndo ndjenjë të ngjashme në këtë botë.
Sipas Kuranit, xhehenemi është një vend ku përjetohet dhimbje e jashtëzakonshme. Është ngushtë, zhurmshëm, me tym dhe i zymtë, që fut ndjenjën e pasigurisë në shpirtin njerëzor. Ai është një vend që karakterizohet me erëra të neveritshme, flakë që digjen thellë në zemër, pije dhe ushqim të ndyrë, petka prej zjarri dhe katrani të shkrirë. Këto janë karakteristikat themelore të xhehenemit. Megjithatë, ekziston një jetë që jetohet në këtë mjedis të tmerrshëm. Njerëzit e xhehenemit kanë shqisa të mprehta. Ata dëgjojnë, flasin dhe grinden dhe përpiqen të ikin nga vuajtja. Ata digjen në zjarr, ndiejnë etje dhe uri dhe ndiejnë pendim. Ata vuajnë nga ndjenja e fajësisë. Ajo që është më me rëndësi, ata duan që dhimbja t’ju lehtësohet.
Njerëzit e xhehenemit jetojnë një jetë pafundësisht më të ulët se atë të kafshëve në këtë mjedis të ndotur dhe të neveritshëm. I vetmi ushqim që kanë ata janë frytet e hidhura me gjemba dhe druri i zekumit. Pija e tyre, në anën tjetër, është gjaku dhe qelbi. Ndërsa, zjarri i ngulfat ata gjithkund. Ankthi i xhehenemit përshkruhet si vijon:
Është e vërtetë se ata që mohuan argumentet Tona, do t'i hedhim në zjarr. Sa herë që u digjen lëkurat e tyre, Ne ndërrojmë lëkura të tjera që të shijojnë dënimin. Allahu është i plotfuqishëm, i drejtë. (Sure Nisa: 56)
Me lëkurë të çjerrur, mish të djegur dhe gjakun që spërkat gjithandej, ata janë të prangosur me zinxhirë dhe të fshikulluar me kamxhik. Me duart e lidhura rreth qafave të tyre, ata hidhen në bërthamën e xhehenemit. Ndërsa, engjëjt e ndëshkimit i vendosin ata që janë fajtor në shtretër zjarri, me mbulesa po ashtu prej zjarri. Arkivolet në të cilat vendosen ata janë po ashtu të mbuluara me zjarr. Jobesimtarët vazhdimisht lëshojnë klithma për të shpëtuar nga një ankth i tillë. Dhe për këtë, ata shpesh marrin/pranojnë më shumë përulje/poshtërim dhe vuajtje. Ata lihen krejtësisht të vetmuar.
Këto skena do të bëhen të gjitha realitet. Ato janë të vërteta. Ato janë më të vërteta se jeta jonë e përditshme.
Ata “nga njerëzit që adhurojnë Allahun me mëdyshje” (Sure Haxhxh: 11) ; ata që thonë: “Neve nuk do të na djegë zjarri vetëm për pak ditë të numëruara” (Sure Ali Imran: 24); ata që i bëjnë paratë, pozitën, karrierat dhe të tilla gjëra tjera materiale synimet kryesore të jetës së tyre dhe prandaj shpërfillin kënaqësinë e Allahut; ata që ndryshojnë urdhrat e Allahut në pajtim me dëshirat dhe qejfet e tyre; ata të cilët e interpretojnë Kuranin në pajtim me interesat e tyre personale; ata të cilët devijojnë nga rruga e drejtë – thënë shkurt – të gjithë jobesimtarët dhe hipokritët do të banojnë në xhehenem, përveç atyre të cilëve Allahu u dhuron mëshirën dhe faljen e Tij. Kjo është fjala përfundimtare e Allahut dhe padyshim se do të realizohet:
Sikur të kishim dëshiruar Ne, secilit do t'i jepnim udhëzimin, por fjala (vendimi) Ime ka marrë fund (definitiv) se do ta mbushë Xhehenemin së bashku me xhinë e njerëz. (Sure Sexhde: 13)
Këta njerëz tashmë janë paracaktuar për xhehenem:
Ne krijuam shumë nga xhinët e njerëzit për xhehenem. Ata kanë zemra që me to nuk kuptojnë, ata kanë sy që me ta nuk shohin dhe ata kanë veshë që me ta nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, bile edhe më të humbur, të tillët janë ata të marrët. (Sure A’raf: 179)
Në këtë jetë të xhehenemit, mundimi më i madh dhe më kryesor është padyshim të qenit i ekspozuar zjarrit. Ndryshe nga format tjera të mundimit, zjarri, si një karakteristikë dalluese e xhehenemit, lë gjurmë të pandreqshme në trupin e njeriut. Ky mundim është mundim që përshkon trupin e njeriut deri në “qelizat” e tij. Njerëzit e xhehenemit hidhen në këtë“Zjarr të furishëm”(Sure Me’arixh: 15). Ata digjen ne“një Zjarr përcëllues”(Sure Furkan: 11) që është “një zjarr i ndezur fort” (Sure Lejl: 14). Në një ajet Kur’anor, thuhet:
Ndërsa, atij që ka peshojën e lehtë të veprave të tij, Vendi i tij do të jetë në Havije. E ç'është ajo që të njoftoi se ç'është ai (Havije)? Është zjarri me nxehtësi shumë të lartë. (Sure Kari’a: 8-11)
Nga këto ajete, kuptojmë se zjarri shfryen gjithandej xhehenemit. Në këtë humnerë, nuk ekziston as edhe një vend i vetëm që mbetet i mbrojtur nga zjarri. Zjarri arrin çdo kënd të xhehenemit. Përderisa i nënshtrohet formave tjera të mundimit fizik dhe shpirtëror, jobesimtari është vazhdimisht në kontakt me zjarrin. Zjarri i xhehenemit është pamasë i madh. Në Kuran, nxjerren ngjashmëri midis shkëndive të zjarrit dhe “shkëndive të mëdha me madhësi të kështjellave” dhe “një turmë të deveve të verdha” për të përshkruar fuqinë dhe madhësinë e zjarrit.
Shkoni te ajo hije (mjegull) që ka tri degëzime. Që nuk bën as hije, as nuk mbron prej flakës. Ai (Xhehenemi) hedh gaca të mëdha si ndonjë kështjellë. E që janë si të ishin deve të verdha (shumë të shpejta). (Sure Murselat: 28-33)
Jobesimtarët ia kushtojnë tërë energjinë e tyre ikjes prej flakëve, por kjo nuk është e lejueshme. Ai është një zjarr“që e thërret (tërheq prej vetes) atë që është zmbrapsur e larguar (prej besimit).” (Sure Me’arixh: 17) Një tjetër ajet flet për fatin e mohuesve:
E ata që nuk respektuan Allahun, strehim i tyre është zjarri. Sa herë që të tentojnë të dalin nga ai, kthehen në të dhe atyre u thuhet: "Shijoni dënimin e zjarrit që ju e konsideronit rrenë. (Sure Sexhde: 20)
Klithmat dhe rënkimet e atyre që i nënshtrohen këtij mundimi mund të dëgjohen gjithandej. Vet këto klithma dhe rënkime të llahtarshme janë një burim i posaçëm mundimi për jobesimtarët:
Aty ata do të kenë rënkim dhe aty ata nuk dëgjojnë. (Sure Enbija: 100)
E sa u përket atyre fatkëqijve, ata janë në zjarr, aty ata kanë dihatje kërhamë të vështirë (në frymëmarrje). (Sure Hud: 106)
Zjarri shkakton dhimbje të padurueshme. Qeniet njerëzore nuk janë të afta të durojnë madje as edhe dhimbjen që shkakton zjarri i një fije qibriti. Megjithatë, cilado dhimbje që ne përjetojmë në këtë botë nuk mund të krahasohet aspak me atë që shkakton zjarri i xhehenemit. Askush nuk mund t’i ekspozohet zjarrit në këtë dynja për një periudhë të gjatë kohore. Ai ose vdes për 5-10 sekonda ose ndien një dhimbje për një periudhë të kufizuar kohore. Mirëpo, zjarri i xhehenemit është i tmerrshëm; ai nuk mbyt por vetëm shkakton dhimbje. Njerëzit në xhehenem do t’i nënshtrohen një zjarri i cili do të mbetet përjetësisht. Dija se ky mundim nuk do të mbarojë kurrë i bën bashkëvuajtësit e xhehenemit të bien në një gjendje të dëshpërimit të plotë. Ata ndjehen të dëshpëruar dhe përjetojnë një ndjenjë të rrënimit të plotë.
Një fytyrë e djegur është aspekti më i padëshirueshëm i mundimit. Kjo për arsye se fytyra është pjesë e rëndësishme e trupit, e cila i jap njeriut ndjenjën e krenarisë. Ajo i jap një personi një identitet dhe është shprehja më domethënëse e asaj që ne quajmë “Unë”. Shpesh, tiparet e të qenit i shëmtuar apo i bukur i vishen fytyrës. Me pamjen e fotografive të një personi me ndonjë gjurmë të madhe djegieje në fytyrën e tij, njerëzit ngushtohen dhe menjëherë i drejtohen Allahut duke kërkuar mbrojtje për veten e tyre ndaj një fatkeqësie të tillë. Askush nuk dëshiron të goditet nga një fatkeqësi e tillë. Megjithatë, jobesimtarët janë të pavëmendshëm ndaj një të vërtete të rëndësishme; ata gradualisht i afrohen një fundi të ngjashëm dhe një fundi tmerrësisht të rëndë. Dhimbja e zjarrit të xhehenemit depërton në tërë trupin e njeriut. Megjithatë, kur fytyra i ekspozohet zjarrit, mundimi bëhet i padurueshëm. Sytë, veshët, hunda, gjuha dhe lëkura, shkurt, të gjitha organet shqisore janë të vendosura në këtë pjesë të rëndësishme të trupit. Çfarëdo kërcënimi ndaj fytyrës, sado i vogël të jetë, ngjallë një reagim të fuqishëm refleksiv. Megjithatë, në xhehenem fytyra digjet. Në këtë mënyrë, pjesa më e ndjeshme e trupit lëndohet në mënyrën më të rëndë. Ky mundim përshkruhet në ajetet në vazhdim:
Ditën kur fytyrat e tyre do të përmbysen në zjarr e thonë: "Të mjerët ne, ta kishim adhuruar Allahun e respektuar të dërguarin!" (Sure Ahzab: 66)
Petkat e tyre janë nga katrani, kurse fytyrat e tyre do t'i mbulojë zjarri. (Sure Ibrahim: 50)
Zjarri do t'ua djegë atyre fytyrat dhe do të duken shumë të shëmtuar brenda tij. (Sure Mu’minun: 104)
Në përshkrimet Kur’anore lidhur me mënyrën se si jobesimtarët digjen në xhehenem, ndeshemi me një shprehje mahnitëse: jobesimtarëve u referohet si “lëndë djegëse për Zjarrin e xhehenemit”. Djegia e tyre dallon prej djegies se çfarëdo gjëje tjetër në zjarr. Vet jobesimtarët përbëjnë lëndën djegëse të zjarrit:
Ndërsa, ata që lëshuan rrugën, ata u bënë lëndë e Xhehenemit! (Sure Xhinn: 15)
Druri lënda e zjarrit, digjet më gjatë se çfarëdo materiali tjetër dhe me intensitet më të madh. Gjithashtu, jobesimtarët bëhen lëndë djegëse e këtij zjarri të cilin ata dikur e kishin mohuar. Ky fakt zbulohet në vargjet në vazhdim:
O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt të rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruara. (Sure Tahrim: 6)
Është e vërtetë se atyre që nuk besuan nuk do t'u vlejë asgjë para Allahut, as pasuria e as fëmijët e tyre. Ata vetë janë lëndë e zjarrit. (Sure Ali Imran: 10)
Ju, dhe ajo që adhuruat ju pos Allahut, do të jeni lëndë e Xhehenemit, dhe keni për të hyrë në të. (Sure Enbija: 98)
Sikurse njeriu që shërben si lëndë djegëse, ekziston po ashtu edhe lënda e vërtetë djegëse për të ndezur zjarrin. Sidoqoftë, kush ishte shumë i afërt në këtë dynja, - burri dhe gruaja, për shembull – bartin dru për zjarrin e njëri tjetrit. Ebu Lehebi dhe gruaja e tij janë shembull për këtë:
Qoftë i shkatërruar Ebu Lehebi, e ai më është shkatërruar! Atij nuk i bëri dobi pasuria e vet, as ajo çka fitoi! Ai do të hyjë në një zjarr të ndezur flakë. E edhe gruaja e tij, ajo që barti dru (ferra), E në qafën e saj ajo ka një litar të përdredhur. (Sure Mesed: 1-5)
Kjo është shkëputja e të gjitha lidhjeve në këtë botë. Jobesimtarët, të cilët thoshin se e donin shumë dhe ngritën krye kundër Allahut bashkë, ia mbarojnë zjarrin njëri tjetrit në xhehenem. Bashkëshortja e njeriut, kushërinjtë e afërm dhe të gjithë miqtë e ngushtë të njeriut do të bëhen armiq. Tradhtia nuk do të njeh kufij.
Zjarri i ushqyer nga druri “i gjallë” dhe i pajetë po ashtu vlon ujin që “përvëlon” jobesimtarët. Lëkura, njëri prej organeve më vitale që shtrihet në tërë trupin e njeriut, dhe që mezi arrin një trashësi prej disa milimetrave, e bën njeriun të ndiej botën e jashtme me anë të shqisës së të prekurit. Të gjitha pjesët vitale të trupit si fytyra, duart, krahët, këmbët, duke përfshirë organet gjenitale, – organet të cilave njeriu u jap rëndësinë më të madhe – janë të mbuluara me lëkurë. Ashtu siç është organi me anën e të cilit njeriu pranon kënaqësinë, duke iu falënderuar ndjeshmërisë së saj, lëkura e njeriut mund të bëhet edhe burim kryesor i dhimbjes. Ajo është posaçërisht e ndjeshme ndaj zjarrit dhe lëngjeve përvëluese. Zjarri e përcëllon lëkurën, uji që zien e përvëlon atë. Uji që zien e shkatërron lëkurën plotësisht; vështirë se ndonjë copë e lëkurës mbetet pa u dëmtuar. Lëkura e hollë së pari ënjet dhe pastaj pezmatohet, duke sjellë dhimbje të madhe. As joshja fizike, as pasuria materiale, as fuqia, as fama, shkurt, asgjë nuk e bën një njeri rezistent ndaj lëndimit të shkaktuar nga uji që zien. Sipas Kuranit:“Të tillët janë ata që ranë viktimë e asaj që punuan. Ata, për shkak se mohuan, për pije kanë ujë të vluar e dënim të hidhët. (Sure En’am: 70) Në një ajet tjetër, thuhet:
E në qoftë se është prej gënjeshtarëve të humbur, Mirëseardhja e tyre është pritje me ujë të valë. Dhe djegie nga zjarri i Xhehenemit. E s’ka dyshim se kjo është ajo e vërteta e sigurt. (Sure Vakia: 92-95)
Njëri prej ajeteve përshkruan këtë formë të mundimit si vijon:
(U thuhet engjëjve për mëkatarin) Rrëmbejeni e graheni në mes të Xhehenemit. Dhe hidhni mbi kokën e tij ujin e valë e shtoja mundimin. (I thuhet): Shijoje! se ti je ai i forti, i autoritetshmi. E ky është ai (dënimi) për të cilin dyshonit. (Sure Duhan: 47-50)
Përveç këtyre, ekzistojnë forma të tjera të dhimbjes të shkaktuara prej zjarrit. Shënjimi është njëra prej tyre; njerëzit e xhehenemit shënjohen me metale të skuqura. Mirëpo, këto metale janë në të vërtetë gjëra që jobesimtarët ia përshkruan shok Allahut në këtë botë:
Ata të cilët e ruajnë arin e argjendin e nuk e japin për rrugën e Allahut, lajmëroji për një dënim të dhimbshëm. Atë ditë kur ajo (pasuri e deponuar) fërgohet në prushin e xhehenemit, e me të lyhen ballët, anët dhe shpinat e tyre (do t'u thuhet): "Kjo është ajo që grumbulluat për veten tuaj, pra shijoni atë që grumbullonit!" (Sure Teube: 34-35)
Në kundërshtim me urtësinë përgjithësisht të pranuar, xhehenemi nuk është thjeshtë një “furrë gjigante.” Njerëzit e xhehenemit do t’i ekspozohen zjarrit. Kjo është e vërtetë. Mirëpo, vuajtja në xhehenem nuk kufizohet vetëm me djegie. Banorët e xhehenemit i rrethojnë po ashtu mundimet tjera fizike dhe psikike.
Për ta torturuar dikën në këtë botë, përdoren metoda dhe mjete të ndryshme. Shpeshherë torturimi gjymton viktimat e tij. Nganjëherë ata vdesin prej dhimbjeve. Ata të cilët mbijetojnë sëmuren mentalisht. Megjithatë, është fakt se teknikat për torturim që përdoren në këtë botë janë pakrahasueshëm më të thjeshta se ato të xhehenemit. Banorët e xhehenemit do t’ju nënshtrohen torturave shumë të ndryshme dhe të rënda. Në rastin e një personi i cili ekzekutohet me rrymë, rryma si edhe ndjeshmëria e njeriut ndaj elektricitetit janë të dyja të krijuara prej Allahut. Shumë burime tjera të panjohura të dhimbjes dhe dobësitë e njeriut të gjitha formojnë një pjesë të dijenisë së përkryer të Allahut. Pra, Allahu do të shkaktojë mundimin më të rëndë prej të gjitha mundimeve. Ky është ligji i Allahut, el Kaharit (Nënshtruesit).
Sipas fjalëve të Kuranit, në xhehenem, mjerimi është prezent kudo. Nuk ka mundësi që njeriu t’i shmanget vuajtjes, ajo rrethon banorët e xhehenemit nga të gjitha anët. Ata nuk munden as t’i rezistojnë dhe as t’i shmangen asaj:
Po, si e kërkojnë ata ngutjen e ndëshkimit? E në të vërtetë Xhehenemi është që i ka rrethuar në të gjitha anët jobesimtarët. (Sure Ankebut: 54-55)
Veç kësaj, ekzistojnë edhe burime tjera të vuajtjes në xhehenem. Ato numërohen në Kuran si vijon:
Xhehenemin që do të hidhen në të, e sa djep i shëmtuar është ai. Ky është ujë i valë dhe i ndyrë; le ta shijojnë atë! I presin edhe dënime të tjera të llojllojta sikurse ai. (Sure Sad: 56-58)
Nga ky ajet dhe nga ajete tjera, kuptojmë se mund të ketë lloje të ndryshme të vuajtjes në xhehenem. Në Kuran përmenden ato që janë më të dukshme, siç është zjarri dhe poshtërimi. Megjithatë, banorët e xhehenemit assesi nuk janë imun ndaj formave tjera të vuajtjes. Për shembull, përveç zjarrit dhe ujit të vluar, të qenit i sulmuar nga shtazët e egra, të qenit i hedhur në një gropë të thellë me insekte, akrep dhe gjarpinj, kafshimi prej minjve, vuajtja nga plagë të krimbura dhe shumë e shumë të tjera që tejkalojnë imagjinatën ka mundësi t’i bëjnë të vuajnë keqbërësit njëkohësisht.
Për secilin individ në botë të qenit në vende të ngushta, të nxehta dhe të ndyta është gjëja më e mundimshme. Lagështia dhe nxehtësia shkaktojnë ndjenjën e zënies së frymës; frymëmarrja, një funksion thelbësor i trupit, vështirësohet në nivele të larta të lagështisë. Pamundësia për të marrë frymë shkakton lodhje të madhe; kraharori ngushtohet. Madje edhe hija nuk siguron kurrfarë lehtësimi në mot shumë të nxehtë dhe lagështi. Sidoqoftë një shtresë rrethuese e paparë e trashë ajri bëhet mbytëse. Madje edhe nivelet e temperaturës dhe lagështisë në një saunë janë vështirë të përballueshme. Në pamundësi që të duroj avullin e madh për vetëm dhjetë minuta, një personi të mbyllur në një saunë i bie të fikët për një kohë të shkurt. Një qëndrim më i gjatë nënkupton vdekjen.
Kjo atmosferë mbytëse mbiAllahëron xhehenemin. Njeriu, i cili ndërmerr masa paraprake të menduara mirë për të mos u nxehë së tepërmi në këtë botë, ndihen të dëshpëruar në xhehenem. Xhehenemi është më i nxehtë se çdo shkretëtirë dhe më i ndytë dhe më shtypës se cilido vend i imagjinueshëm. Nxehtësia depërton në trupin e njeriut, ajo ndjehet thellë brenda në qeliza. Për jobesimtarët, nuk ekziston mundësia e lehtësimit apo e freskimit atje. Në Kuran, gjendja e banorëve të xhehenemit përshkruhet si vijon:
E të majtit, ç’është puna e të majtëve? Janë në vapë të zjarrit dhe në ujë të valë. Dhe në errësirë tymi. As e freskët e as e këndshme. (Sure Vakia: 43-44)
Atë ditë është mjerim për ata që përgënjeshtruan. (u thuhet) Shkoni te ai (Xhehenemi) që ju e konsideruat rrenë. Shkoni te ajo hije (mjegull) që ka tri degëzime. Që nuk bën as hije, as nuk mbron prej flakës. (Sure Murselat: 28-31)
Në një ambient të tillë të dendur, të qenit i mbyllur brenda një vendi të ngushtë dëshmon të jetë një formë tjetër e vuajtjes. Ky ndëshkim përshkruhet si vijon:
E kur të hidhen duarlidhur në një vend të ngushtë në të, aty do të kërkojnë shkatërrimin (vetëzhdukjen). Tash mos kërkoni vetëm njëherë shkatërrimin, por atë kërkojeni shumë herë. (Sure Furkan: 13-14)
Të qenit i mbyllur në një vend të ngushtë shkakton vuajtje që çmend në këtë botë. Mbyllja në vetmi është njëri prej ndëshkimeve më të rënda për të burgosur. Të qenit i ngujuar në veturë me orë të tëra pas një aksidenti apo mbetja i mbyllur brenda rrënojave të një qyteti të rrënuar nga tërmeti konsiderohet të jetë njëra prej fatkeqësive më të rënda. Megjithatë, shembujt e tillë janë të parëndësishëm pranë homologëve të tyre në xhehenem. Në fund të fundit, dikush i ngujuar ose e humb vetëdijen ose vdes apo nxjerret i gjallë pas një kohe. Në të dyja rastet, dhimbja zgjat për një periudhë të caktuar kohe.
Mirëpo, kjo nuk vlen për xhehenemin. Në xhehenem dhimbja nuk ka fund dhe kështu nuk ekziston as shpresa. Në një ambient të ndotur, pa ajër, të errët me tym që mbush ajrin, jobesimtari, me duart e lidhura rreth qafës dhe i lënë në një dhomë të vogël, ku i nënshtrohet vuajtjes. Ai lufton, bën përpjekje të shpëtoj, por pa dobi. Ai nuk mund as të lëvizë. Në fund, ai përgjërohet të lejohet të zhduket, siç thuhet në këtë ajet, dhe e vetmja gjë që dëshiron është të ishte i vdekur. Kjo kërkesë thjeshtë refuzohet. Në atë gropë të ngushtë në të cilën është i ngujuar ai, mbetet me muaj, vite dhe ndoshta edhe për qindra vite me radhë. Një shqetësim në rritje mbush zemrën e tij, ndërsa përgjërohet me mijëra herë për zhdukjen e vet. Njëherë “i shpëtuar”, ai nuk do ta shijojë shpëtimin, por do të përballet me një tjetër fytyrë të xhehenemit.
Kjo botë ka një shumëllojshmëri të pafund të ushqimit të shijshëm dhe të ushqyeshëm. Secili prej tyre është një bekim prej Allahut. Llojet e ndryshme të mishit, fryteve dhe perimeve me ngjyra, shije dhe aroma të panumërta, prodhimet e qumështit, mjalta dhe shumë materie tjera ushqyese të prodhuara nga kafshët dhe gjallesat, të gjitha u krijuan posaçërisht nga Allahu dhe me bujari u dhanë në shërbim të njeriut gjatë kohës kur kjo botë u krijua. Veç kësaj, shqisat e njeriut u krijuan në atë mënyrë për t’i perceptuar të gjitha këto shije të këndshme. Me frymëzimin e Allahut, njeriu ka oreks për ushqim të zgjedhur, ndërsa neveritet nga ushqimi i prishur dhe i lig, qelbi dhe kështu me radhë. Ky është një tjetër frymëzim nga Allahu.
Mirësitë, shumë më të mëdha se ato të kësaj bote, janë të përgatitura në xhenet dhe prej tyre besimtarët do të nxjerrin dobi përjetësisht. Kjo është dhuratë e Allahut, Atij që dhuron begati dhe mirëqenie. Banorët e xhehenemit, në anën tjetër, si ndëshkim për veprat e liga që i kanë bërë në këtë botë, mbahen larg të mirave të Allahut, er-Rezak-ut (Furnizuesit), ashtu që vuajtja është gjithçka me çka ata ndeshen:
E në ditën kur ata që nuk besuan paraqiten pranë zjarrit (e u thonë): Ju i shfrytëzuat të mirat në jetën e dynjasë dhe i përjetuat ato, e sot, për shkak se keni bërë mendjemadhësi në tokë pa të drejtë dhe për shkak se nuk respektuat urdhrat e Allahut, do të shpërbleheni me dënim nënçmues. (Sure Ahkaf: 20)
Nuk do të ketë mirësi tjera për ta. Madje edhe plotësimi i nevojave më thelbësore rezulton të jetë vuajtje. Ushqimi është krijuar posaçërisht nga Allahu si burim i vuajtjes. Gjërat e vetme që mund të hahen janë frytet e hidhura me gjemba dhe druri i zekumit, të cilat as nuk ushqejnë dhe as nuk ngopin. Ato vetëm sjellin dhimbje, duke e shqyer gojën, fytin dhe barkun dhe japin shije dhe aromë të neveritshme. Në Kuran, gjejmë përshkrimet si të bukurive madhështore dhe të ushqimit të shijshëm karakteristike për xhenet ashtu edhe të ushqimit të padurueshëm të banorëve të xhehenemit:
A kjo pritje (me shpërblim të Allahut) është më e mirë, apo pema e "Zakum-it"? Ne atë e kemi bërë sprovë për zullumqarët. Ajo është një pemë që mbin në fund të Xhehenemit. Pema (fryti) e saj është sikurse koka dreqërish. E ata do të hanë nga ajo dhe do të mbushin barqet prej saj. (Sure Saffat: 62-66)
Ata nuk kanë ushqim tjetër pos një barishte me ferra helmuese. Që as nuk jep fuqi, as nuk largon uri. (Sure Gashije: 6-7)
Banorët e xhehenemit, duke qenë kryengritës dhe mosmirënjohës ndaj Allahut, e meritojnë një shpërblim të tillë. Si ndëshkim, ata ndeshen me “mikpritjen” e merituar. Në Suren Vakia, kjo rrëfehet si vijon:
Ata përpara kësaj kanë qenë të dhënë pas komoditetit (qejfeve). Dhe ata ishin vazhdimisht në mëkatin e madh. Dhe ishin që thoshin: “A pasi të vdesim, të bëhemi dhe e eshtra të kalbur, njëmend do të ringjallemi? A edhe prindërit tanë të hershëm? Thuaj: “Edhe të parët edhe të fundit!” Kemi për t’u tubuar në një ditë të caktuar! Pastaj ju, o të humbur e gënjeshtarë! Keni për të ngrënë prej pemës Zekum! Prej saj keni për t’i mbushur barqet! E menjëherë pas do të pini pre ujit t vluar! Do të pini si deveja e etshme!” Kjo është mirëseardhja e tyre ditën e gjykimit. (Sure Vakia: 45-56)
Në dynja, njeriu herë pas here vuan prej ndonjë infektimi të rëndë të fytit apo nga dhimbja e barkut. Mirëpo, në xhehenem, mezi kalon ndonjë minutë pa përjetuar dhimbje prej më të rëndave. Ushqimi të cilin jobesimtarët kanë të drejtë ta hanë ua zë frymën. Nëse ata arrijnë ndonjëherë ta kapërdijnë atë, ai vlon në barqet e tyre sikurse tunxh i shkrirë:“Do të jetë ushqim i mëkatarëve. (Sure Duhan: 44). Kurrë nuk ngop. Duke qenë kështu, banorët e xhehenemit përjetojnë një uri të përhershme dhe të tmerrshme.
Kjo vuajtje nuk kufizohet me një rast të vetëm; ajo përsëritet pa pushim/pandërprerë përjetësisht. Banorët e xhehenemit ndiejnë uri aq fuqishëm sa, përkundër asaj që mundohen pandërprerë, nuk mund të bëjnë ballë ngrënies së fryteve të hidhura me gjemba, të cilat i bëjnë ata të përpëliten prej dhimbjes. Pastaj ia mësyjnë ujit që vlon. Mirëpo, ky ujë kurrë nuk mund të tretet. Siç thuhet në ajetin e mësipërm, ata thithin ujin sikur devetë e çmendura nga etja. Për ta bërë këtë vuajtje edhe më të rëndë, jobesimtarët grahen në xhehenem të etshëm. (Sure Merjem: 86)
Përveç ujit të vluar, një tjetër pije e neveritshme e banorëve të xhehenemit është qelbi. Ky lëng, produkt i pezmatimit, njëra prej sekreteve të trupit të njeriut me erën më të pakëndshme, është zgjidhja e dytë e jobesimtarëve. Qelbi u shërbehet jobesimtarëve bashkë me gjak. Në një ajet tjetër, përmendet qelbi i shërbyer me ujë të vluar, në mënyrë që besimtari ta shijoj shijen e pahijshme të qelbit dhe ta marr me mend vuajtjen e ujit të vluar me të gjitha shqisat e tij.
Përveç se janë të neveritshme dhe të padurueshme, fakti se jobesimtarët i pinë ato prapëseprapë për t’i plotësuar nevojat e tyre shpreh dëshirën e tyre për pije. Posa shijojnë këtë vuajtje, ngarendin pas tjetrës. Për shkak të etjes kurrë të pashuar, banorët e xhehenemit përpëliten nga vuajtja:
Aty nuk do të shijojnë as freskim, as ndonjë pije. Përveç ujë të valë e kalbësirë. Si ndëshkim i merituar. (Sure Nebe’: 24-26)
Ai sot nuk ka këtu ndonjë mik. As ushqim tjetër përveç të shpëlarave. Që atë nuk e ha kush, pos mëkatarëve. (Sure Hakka: 35-37)
Jobesimtarët bëjnë përpjekje të mundimshme për të gëlltitur këtë përzierje, por pa dobi. Gjaku dhe qelbi ua zënë frymën atyre, por ata s’arrijnë të vdesin kurrë:
E pas tij (kryelartit) është xhehenemi, në të cilin i jepet ujë të ndyrë (që rrjedh prej lëkurave të djegura), Përpiqet ta përpijë, po nuk mund ta gëlltis atë, atij i vjen vdekja nga të gjitha anët (sipas shenjave shkatërruese), po ai nuk vdes (e të shpëtojë prej vuajtjeve), atë e pret dënim shumë i rëndë. (Sure Ibrahim: 16-17)
Në këtë gjendje të pashpresë, përmes një bashkëbisedimi të posaçëm, banorët e xhehenemit shohin banorët e xhenetit. Ata bëhen dëshmitar të mirësive të mrekullueshme që gëzojnë banorët e xhenetit. Kjo shton pamasë vuajtjen e tyre. Ndërkohë, banorët e xhehenemit luten për një pjesë të furnizimeve të tyre. Por kjo është një lutje e kotë:
Banuesit e zjarrit i thërrasin (dhe i lusin) ata në Xhenet (duke ju thënë): "Na qitni diç nga uji apo nga ajo që u ka furnizuar Allahu (se mbaruam nga etja)!" Ata (në Xhenet) thonë: "Allahu i ka ndaluar që të dyja këto për jobesimtarët!" (Sure A’raf: 50)
Përveç furnizimeve, veshja e banorëve të xhehenemit është po ashtu e përgatitur posaçërisht për ta. Lëkura e njeriut është një ind i ndjeshëm; madje edhe prekja e stufës së nxehtë apo të një hekuri për hekurosje për një sekondë shkakton një dhimbje të padurueshme. Në rast të tillë, personi që pëson ndien dhimbje me ditë të tëra, plagët e tij pezmatohen dhe ënjten. Mirëpo, xhehenemi gëlon me veshje më të nxehta se hekuri i shkrirë që shndërrohen në zjarr që mbulon lëkurën dhe digjet dhunshëm:
… e atyre që nuk besuan, u qepen rroba prej zjarri… (Sure Haxhxh: 19)
Petkat e tyre janë nga katrani, kurse fytyrat e tyre do t'i mbulojë zjarri. (Sure Ibrahim: 50)
Për ata është përgatitur shtrat nga zjarri dhe mbulojë (nga zjarri). E kështu pra i shpërblejmë zullumqarët. (Sure A’raf: 41)
Përveç gjithë vuajtjes nëpër të cilën kalojnë ata, nuk do të ketë njeri që do t’u ndihmojë banorëve të xhehenemit. Asnjeri nuk do të jetë në gjendje t’i shpëtoj prej tij. Të qenit të braktisur do t’u jap atyre ndjenjën e hidhur të vetmisë. Allahu për keqbërësin thotë në Kuran:“Prandaj, ai sot nuk ka këtu ndonjë mik” (Sure Haka: 35). Midis tyre, do të jenë vetëm “engjëjt e ndëshkimit”, të cilët do t’ju shkaktojnë mundim dhe vuajtje të përjetshme. Këta janë roje jashtëzakonisht të ashpër, të pamëshirshëm dhe të tmerrshëm, që përgjegjësi të vetme kanë t’u shkaktojnë vuajtje të rëndë banorëve të xhehenemit. Përgjegjësia e vetme e tyre është të hakmerren në ata të cilët u ngritën kundër Allahut, dhe ata përgjegjësinë e tyre e kryejnë me plot kujdes dhe vëmendje:
O ju që besuat, ruani veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt të rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruara. (Sure Tahrim: 6)
Jo, Jo! Nëse nuk tërhiqet, vërtet do ta kapim për flokësh mbi ballin. Floku rrenacak, mëkatarë. E ai le t'i thërret ata të vetët. Ne do t'i thërrasim zebanitë. Jo, Jo! Ti mos iu bind atij, vazhdo me sexhde dhe afroju Allahut me të. (Sure Alek: 15-19)
Këta engjëj të ndëshkimit bëjnë që jobesimtarët të ndiejnë tërbimin dhe zemërimin e Allahut mbi ta. Ata i nënshtrojnë banorët e xhehenemit torturave më të rënda, më të tmerrshme dhe më poshtëruese.
Një gjë meriton vëmendje të veçantë këtu: engjëjt e ndëshkimit, në të vërtetë, i shmangen edhe padrejtësisë dhe mizorisë më të vogël. Ata kryekëput e japin ndëshkimin ashtu si e meritojnë jobesimtarët. Këta engjëj, manifestimi kryesor i drejtësisë së Allahut, janë qenie të shenjta të cilat e kryejnë këtë detyrë me kënaqësi të madhe dhe me bindje të plotë ndaj Allahut.