Në Kuran, pohohet se përveç të gjitha qenieve të krijuara, edhe gjithësia do të përballet po ashtu me vdekjen. Nuk është vetëm njeriu i vdekshëm. Të gjitha kafshët dhe bimët vdesin. Madje edhe planetët dhe yjet vdesin. Vdekja është fat i përbashkët për gjithçka që është krijuar. Në praninë e Allahut, në një ditë të paracaktuar, të gjithë njerëzit, të gjitha gjallesat, bota, dielli, hëna, yjet, shkurt, e gjithë bota materiale do të zhduket. Në Kuran, kjo ditë quhet“Dita e Ringjalljes” Kjo është “…Dita kur njerëzit ngriten (prej varreve) për të dalë para Allahut të bojërave. (Sure Mutaffifin:6)
Sikur që është tmerruese vdekja e njeriut, po ashtu është edhe vdekja e gjithësisë. Në Ditën e Ringjalljes, ata që nuk kanë besuar më parë, do të kenë, për herë të parë një ndjenjë të fuqishme për madhështinë dhe fuqinë e Allahut. Kjo është arsyeja pse Dita e Ringjalljes është një ditë pikëllimi, mundimi, pendimi, dhimbjeje dhe hutije të madhe për jobesimtarët. Një njeri që përjeton Ditën e Ringjalljes do të kaplohet nga një frikë e tmerrshme. Kjo frikë e padefinuar është me qindra herë më e fuqishme se të gjitha frikët që njeriu mund t’i përjetojë në këtë botë. Kurani jap një shpjegim të hollësishëm të secilës fazë të Ditës së Ringjalljes. Se si do të ndodhë kjo ngjarje madhështore dhe çfarë do t’ju ndodhë njerëzve atë ditë të gjitha janë të përshkruara në një mënyrë të habitshme.
Dita e Ringjalljes fillon kur t’i fryhet Surit. Kjo është shenja e shkatërrimit të përgjithshëm të botës dhe tërë gjithësisë dhe fillimi i fundit. Kjo është pika prej ku nuk ka kthim. Ky është tingulli që shpall se jeta e kësaj botë ka marr fund për të gjithë dhe se jeta e vërtetë ka filluar. Ky është tingulli fillestar që do të ngjallë një frikë, llahtar dhe huti të vazhdueshme, në zemrat e jobesimtarëve. Ky tingull lajmëron fillimin e ditëve të vështira për jobesimtarët që do të shtrihen gjer në pafundësi. Në këtë mënyrë, në Suren Mudeththir, Ditës së Ringjalljes i referohet nga këndvështrimi i jobesimtarëve:
E,kur të fryhet në Sur, Atëherë ajo është ditë e vështirë. Për jobesimtarët është jo e lehtë. (Sure Mudeththir: 8-10)
Fryrja e Surit do të krijojë padyshim një frikë dhe shqetësim të tmerrshëm midis jobesimtarëve. Një dridhje e paperceptueshme, e padefinuar pa një burim të dukshëm do të përhapet në mbarë botën dhe prandaj të gjithë njerëzit do të bëhen të vetëdijshëm se “diçka” po fillon. Ankthi që ndiejnë jobesimtarët shpejtë shndërrohet në panik dhe llahtar. Ngjarjet që pasojnë pas fryrjes së Surit do ta ngritin këtë llahtar në një nivel të paimagjinueshëm.
Një dridhje e tmerrshme dhe një “tingull shurdhues” pason fryrjen e Surit. Në këtë moment, njerëzit kuptojnë se po përballen me një katastrofë të tmerrshme. Është e qartë se bota dhe jeta janë gati të shuhen. Për këtë arsye, vetëm për disa çaste gjithçka në tokë humb vlerën e vet. Madje edhe tingulli i Ditës së Gjykimit do të mjaftojë për të shkëputur të gjitha lidhjet tokësore midis njerëzve. Asnjë mendim s’mund të zërë vend në mendjet e njerëzve përveç ikjes dhe shpëtimit të vetvetes. Frika është e madhe, në atë ditë, dhe çdokush është i preokupuar me vetveten:
E kur të vijë ushtima (krisma e kiametit); Atë ditë njeriu ikën prej vëllait të vet, Prej nënës dhe prej babait të vet, Prej gruas dhe prej fëmijëve të vet. Atë ditë secilit njeri i mjafton çështja e vet. (Sure Abese: 33-37)
Pas një dridhjeje të fuqishme, toka nxjerrë gjithë çka mban në brendinë e saj dhe do t’i shpalos fshehtësitë e saj, të cilat nuk do të kenë kurrfarë vlere që nga ai moment:
Kur të dridhet toka me dridhjen e saj të fuqishme, dhe të nxjerrë toka atë që ka në brendinë e saj (barrën nga brenda), Dhe njeriu të thotë: "Ç'ka kjo (që bën këtë dridhje)?" Atë ditë, ajo i rrëfen tregimet e veta, Ngase Allahu yt e ka urdhëruar atë. (Sure Zilzal: 1-5)
Një zhurmë e llahtarshme e pasuar nga një dridhje e fuqishme dhe shpërthime të befasishme nëntokësore do të asgjësojnë gjithçka që njerëzit i kanë kushtuar rëndësi të madhe. Për shembull, njerëzit kanë çmuar shumë shtëpitë e tyre, zyret, veturat dhe tokat e tyre. Disa njerëz kanë pasur qëllim të jetës së tyre një shtëpi. Megjithatë, kotësia e këtyre qëllimeve shfaqet pikërisht në momentin e Ditës së Ringjalljes. Pasuria materiale, të cilës njerëzit i kushtuan gjithë jetën e tyre, do të zhduket për një çast të vetëm. Qëllimet e atij që për ambicie kryesore ka ngritjen në pozitë në kompaninë e tij bëhen të pavlefshme. Një tjetër i cili tërë jetën e tij ia kushtoi fitimit të pushtetit/fuqisë në vendin e tij përjeton të njëjtën situatë të llahtarshme. Ai bëhet dëshmitar me dhimbje në zemër i zhdukjes së atij vendi… Gjithçka humbet rëndësinë e vet përveç çdo pune që është bërë për të fituar kënaqësinë e Allahut. Siç shpall Allahu në Kuran: E kur të vijë vala e madhe (kiameti), Atë ditë njeriu përkujton se çka ka punuar. E Xhehenemi shfaqet sheshazi për atë që e sheh. (Sure Nazi’at: 34-36)
Fatkeqësitë që do të shfaqen atë ditë as nuk mund të paramendohen prej njeriut. Malet, strukturat më mahnitëse, më të palëkundshme në tokë, vihen në lëvizje, ato çrrënjosen dhe thërrmohen. Madje edhe një tërmet i vogël kall tmerrin në zemrat e njerëzve dhe frymëzon ndjenjat e pasigurisë. I bën ata që të braktisin shtëpitë e tyre dhe të kalojnë gjithë natën jashtë në rrugë. Duke qenë kështu, lloji i gjëmës aq të tmerrshme që t’i bëj malet të lëvizin dëshmon të jetë i papërballueshëm. Në Kuran, malet atë ditë përshkruhen si vijon:
E kur t’i fryhet surit një e fryme, dhe të ngrihen toka e kodrat e t'i mëshojnë njëra-tjetrës me një të goditur. Në atë kohë ndodh e vërteta (kiameti). (Sure Hakka: 13-15)
S'ka dyshim se dita e gjykimit është caktuar. Është dita që i fryhet surit, e ju vini grupe-grupe. Dhe qielli hapet e bëhet dyer-dyer. Dhe kodrat shkulen dhe bëhen pluhur (si valë rrezesh). (Sure Nebe’: 17-20)
(Secili njeri do të dijë për atë që ka punuar) ‘kur kodrat të kenë udhëtuar (e bërë pluhur në ajër), Dhe kur devetë e shtrenjta të lihen pa bari në fushë, Dhe kur egërsirat të jenë bashkuar (tubuar).’ (Sure Tekvir: 3-5)
Ajo është ditë kur njerëzit bëhen si insekte të shpërndara. Dhe kodrat bëhen si leshi i shprishur. (Sure Kari’a: 4-5)
Atë ditë, ekziston një fuqi e tmerrshme dhe e pafund, aq e fuqishme sa që të hedh në ajër bjeshkët prej guri, tokën dhe shkëmbinjtë sikur “shtëllunga leshi”. Tani njerëzit janë plotësisht të vetëdijshëm për faktin se kjo nuk është një gjë që “fuqia e natyrës” mund ta bëj. Ata bëhen dëshmitarë se “nëna natyrë”, të cilën ata dikur e adhuronin si një idhull dhe të cilës ia veshën ekzistencën e tyre, nuk mund ta ndalojë shkatërrimin e vetvetes. Tani është koha të njihen me Allahëruesin e vërtetë të kësaj fuqie. Megjithatë, kjo njohje nuk ju sjellë më atyre asnjë dobi. Tani, ata mbërthehen nga kjo fuqi, për të cilën asnjëherë më parë nuk e lodhën kokën fare. Ata shpejtë do t’i kuptojnë faktet, të cilat nuk arritën t’i kuptojnë gjithë jetën e tyre si çështje urtësie e vetëdije.
Tmerri i krijuar nga një fuqi e pakufishme nuk mund të paramendohet dhe definohet kurrë derisa njeriu të mos e përjetoj atë vet. Ai mbërthen të gjitha qeniet, të gjalla dhe të vdekura. Ky llahtar mban gjithçka nën kontroll. Qeniet njerëzore, kafshët dhe natyra njëlloj të gjitha shkatërrohen nga kjo frikë e përgjithshme. Malet më nuk janë madhështore, oqeanet nuk janë të pafund dhe qiejt nuk janë aq të paarritshëm si në të kaluarën. Dielli, yjet dhe e tërë gjithësia janë të mbërthyera nga frika e Ditës së Ringjalljes. Ato të gjitha i nënshtrohen Krijuesit të tyre. Pasi që malet rrënohen sikurse kështjellat prej rërës, njeriu, papërshkrueshëm i pafuqishëm krahasuar me malet, yjet dhe oqeanet, kalon nëpër një fazë të shkatërrimit të madh.
Me aftësitë e tij të tanishme, nuk ka mundësi që mendja e njeriut të mund të përfytyroj tmerrin e Ditës së Ringjalljes “kur detet të vlojnë si zjarr i flakëruar, dhe kur shpirtrat të jenë bashkuar.” (Sure Tekvir: 6-7) dhe“kur të përzihen detërat.”(Sure Infitar: 3) Mirëpo, idenë e përmasave të tij e fitojmë duke e ditur se shkatërrimi do të jetë në proporcion me fuqinë e Allahut.
Në Ditën e Ringjalljes, jo vetëm toka por edhe hapësira dhe e tërë gjithësia do të shkatërrohen. Koha e paracaktuar e shuarjes do t’i vjen po ashtu edhe qiellit, hënës, diellit dhe planetëve si edhe tokës, çdo gjëje që ndodhet nën tokë, maleve dhe oqeaneve. Kurani thotë se atë ditë“ajo që ju është premtuar ka për të ndodhur pa tjetër. Kur yjet të shuhen, kur qielli të hapet dhe kur kodrat të copëtohen…” (Sure Murselat: 7-10)
Në Ditën e Ringjalljes, të gjitha qeniet dhe sistemet të cilave njerëzit u veshin përjetësinë do të rrënohen dhe përfundimisht do të asgjësohen. Kjo po ashtu vlen për qiellin. Që nga momenti që njeriu vjen në jetë, atmosfera rezulton të jetë një kulm mbrojtës. Megjithatë, në Ditën e Ringjalljes, ky kulm do të rrënohet dhe do të bëhet copë-copë. Ajri dhe atmosfera, që e rrethojnë njeriun dhe e mbajnë në jetë do të bëhet:“si kallaji i shkrirë.” (Sure Me’arixh: 8) dhe do të digjet me forcë. Ajri do t’i mbush mushkëritë e njeriut jo për t’i dhënë jetë por për ta shuar atë.
Një krahasim i nxjerrë midis frikës së krijuar nga fatkeqësitë e kësaj dynjaje dhe llahtari i ngjarjeve të Ditës së Ringjalljes mund të na ndihmojë të kemi idenë e kësaj dite. Tërmetet dhe shpërthimet vullkanike janë fatkeqësitë që më shumti e frikësojnë njeriun. Çarja e kores së tokës nga një tërmet apo erupsion vullkanik davaritë monotoninë e përditshmërisë në një çast të vetëm. Kjo bën që njeriu të çmoj bazën solide mbi të cilën shkelë i sigurt.
Sidoqoftë, përkundër gjithë dhimbjes që shkaktojnë, tërmetet dhe erupsionet vullkanike, ato përjetohen vetëm njëherë. Një tërmet apo një shpërthim zgjatë për një kohë të caktuar. Plagët shërohen, dhimbjet harrohen dhe me kohë bëhen kujtime të zbehta. Por Dita e Ringjalljes nuk është as si një tërmet dhe as si ndonjë katastrofë tjetër. Aktet e pabesueshme të shkatërrimit që ndodhin njëra pas tjetrës tregojnë se gjithçka ka arritur në një pikë pa kthim. Për shembull, do të ndodhë një gjë që tejkalon imagjinatën: do të çahet qielli dhe të ndahet përgjysmë. Ky është rrënimi i të gjitha “ligjeve të njohura të fizikës” dhe koncepteve të cilave njeriu u ka besuar deri atëherë. Qielli dhe toka që kanë ekzistuar për mijëra mijëra vite shkatërrohen prej Atij, i Cili i ka ndërtuar ato. Dita e Ringjalljes, siç shpjegohet në Kuran do të shënohet me çarjen e qiellit, shkapërderdhjen e yjeve dhe përzierjen e ketrave. Kur të pëlcet qielli do t'i “bindet urdhrit të Zotit të vet, ashtu si i takoi!” (Sure Inshikak: 1-2)
Çdo gjë që njerëzit i kushtojnë rëndësi në këtë botë do të shuhet. Trupat qiellor do të shuhen njëra pas tjetrës: Kur dielli të jetë mbështjellur (dhe errësohet), Dhe kur yjet të kenë rënë (e shkapërderdhur), (Sure Tekvir: 1-2)
Kur dielli, burimi i dritës për tokën për miliona vite, të jetë mbështjellur, njerëzit do të kuptojnë se ai ka një pronar të vërtetë dhe se deri atëherë ka lëvizur nën kontrollin e Tij. Deri në atë moment, njerëzit vazhdimisht kanë menduar për yjet si për krijesa të paarritshme, madhështore dhe të mistershme. Mirëpo, atë ditë, ato do të shuhen gadi sikur të ishin lodra të praruara. Malet gjigante dhe të patundura do të lëvizin, oqeanet e pafund do të fillojnë të vlojnë. Këto skena, do ta bëjnë të qartë se kush është Pronari i vërtetë i të gjitha qenieve, Poseduesi një dhe i vetëm i pushtetit i Cili është mbi çdo gjë që ekziston. Kohës së paracaktuar do t’i vjen fundi dhe njerëzit do të zgjohen në mënyrë të hidhur nga pakujdesia në të cilën ishin zhytur. Arsyeja e kësaj pakujdesie është dështimi i njeriut që ta vlerësojë fuqinë e Krijuesit të tij derisa ishte ende në dynja. Megjithatë, atë ditë, identiteti i Sunduesit të vërtetë të gjithësisë dhe jetës do të bëhet i qartë:
Ata nuk e çmuan Allahun me madhështinë që i takon, ndërsa, në ditën e kiametit e tërë toka është në grushtin e Tij, e qiejt të mbështjellë në të djathtën e Tij. Ai është i pastër nga të metat dhe Ai është i lartë nga çka ata i shoqërojnë! (Sure Zumer: 67)
E gjithë kjo frikë, tmerr dhe huti e Ditës së Ringjalljes do të shkaktohet nga pakujdesia e jobesimtarëve. Sa më i pavëmendshëm që të jetë njeriu, tmerri do të jetë më i madh atë ditë. Ndjenja e frikës dhe tmerrit që fillon me vdekje nuk mbaron kurrë për tërë përjetësinë. Secila ngjarje bëhet burim i frikës për të. Çdo ngjarje e shëmtuar me të cilën përballet do të ushqejë po ashtu frikët e së ardhmes së tij. Kjo frikë do të jetë aq e fuqishme sa që do të bëj që flokët e fëmijëve të zbardhen.
Nëse ju mohoni, si do të mbroheni në një ditë që fëmijët do t'i bëjë pleq? Atë ditë qielli do të çahet dhe premtimi i Tij do të realizohet. (Sure Muzemil: 17-18)
Ata të cilët pandehën që Allahu është i padijshëm për veprat e tyre në atë moment e kuptojnë se Allahu e ka shtyrë gjykimin e tyre deri në Ditën e Ringjalljes. Kjo shpjegohet si vijon:
E ti kurrsesi mos e mendo Allahun si të pakujdesshëm ndaj asaj që veprojnë zullumqarët; Ai vetëm është duke i lënë ata përderisa një ditë në të cilën sytë shtangen (mbesin të hapur). (Sure Ibrahim: 42)
Në një ajet tjetër, frika që ndiejnë jobesimtarët përshkruhet si vijon:
Krisma e kiametit. Çka është krisma? Dhe ç'të mësoi ty se ç'është krisma? Ajo është ditë kur njerëzit bëhen si insekte të shpërndara dhe kodrat bëhen si leshi i shprishur. (Sure Kari’a: 1-5)
Lidhja më e fortë në këtë botë është dashuria dhe ndjenja e mbrojtjes që një nënë ndien për fëmijën e saj. Mirëpo, forca e Ditës së Ringjalljes do të thyej madje edhe këtë lidhje të fortë. Tmerri do të mbajë çdo gjë nën kontrollin e tij. Kjo tronditje e madhe do të bëjë që njerëzit të humbin vetëdijen e tyre. Të hutuar dhe në panik do të duken si të dehur. Ajo që i shtynë ata të humbin vetëdijen e tyre është forca e zemërimit të Allahut:
O ju njerëz, ruajuni dënimit nga Allahu juaj, sepse dridhja pranë katastrofës së kiametit është një llahtari e madhe. Atë ditë, kur ta përjetoni atë, secila gjidhënëse braktis atë që ka për gjini dhe secila shtatzënë e hedh para kohe barrën e vet, ndërsa njerëzit duken të dehur, po ata nuk janë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër. (Sure Haxhxh: 1-2)
Përveç frikës dhe tmerrit, një tjetër ndjenjë trishtuese që do ta përjetojnë njerëzit do të jetë ndjenja e dëshpërimit. Njerëzimi ndërmerr masat e nevojshme paraprake ndaj të gjitha fatkeqësive të mundshme; ndaj fatkeqësive më vdekjeprurëse, tërmeteve, vërshimeve, stuhive më të fuqishme apo ndaj luftës më të tmerrshme nukleare. Njeriu gjen mënyra për ta mbrojtur veten dhe ndërton strehimore. Mirëpo, atë ditë, nuk do të mbetet as edhe një vend i vetëm i sigurt ku njeriu do të mund të gjejë strehim. Ai nuk do të ketë ndihmë prej Allahut. Po ashtu, nuk do të ketë njeri apo autoritet i cili do të mund të jap ndihmë. Në të kaluarën, njeriu kërkonte ndihmë dhe udhëzim nga shkenca dhe teknologjia. Por tani, të gjitha ligjet e shkencës do të jenë rrënuar. Madje edhe nëse teknologjia më e avancuar do ta bënte të mundur që njeriu të ikte në vendin më të largët të gjithësisë, zemërimi i Allahut do ta gjente atje. Kjo për arsye se Dita e Ringjalljes do ta pushtojë tërë gjithësinë. Jo vetëm toka në të cilën ai jetoi në siguri por gjithashtu edhe yjet më të largëta do t’i nënshtrohen vullnetit të Allahut, me diellin“e mbështjellur dhe errësuar,” dhe yjet “të kenë rënë dhe të jenë shkapërderdhur.” (Sure Tekvir: 1-2)
Dëshpërimi në të cilin do të bien qeniet njerëzore atë ditë përshkruhet si vijon:
…E të zëhet hëna (errësohet), Dhe të bashkohet dielli e hëna. Atë ditë njeriu do të thotë: "Nga të iket!" Jo, nuk ka strehim! Atë ditë vetëm te Allahu yt është caku! (Sure Kijame: 8-12)