logo
HARUN YAHYA

1. Vdekja - Vdekja E Vërtetë Dhe AJO Që
Vëzhgohet Lidhur Me Vdekjen

Vdekja e shpirtit (vdekja e vërtetë)

A keni menduar ndonjëherë për mënyrën se si do të vdisni, si duket vdekja dhe çfarë do të ndodhë në momentin e vdekjes?

Deri më tani, askush prej atyre që kanë vdekur nuk është ringjallur dhe që do të mund të ndante me ne përvojat dhe ndjenjat e tij të vërteta për vdekjen. Duke qenë puna kështu, teknikisht është e pamundshme të mblidhen informata lidhur me atë se çfarë është vdekja dhe çfarë ndjenë njeriu në momentin e vdekjes.

Allahu, Ai i Cili i dhuron jetën njeriut dhe e merr atë në kohën e caktuar, na informon në Kuran për mënyrën se si ndodhë vdekja në të vërtetë. Pra, Kurani është burimi i vetëm prej të cilit mund të mësojmë për mënyrën se si vdekja ndodhë në të vërtetë dhe çfarë përjeton dhe ndien në të vërtetë ai i cili vdes.

Vdekja, siç përmendet në Kuran, është krejtësisht e ndryshme nga “vdekja mjekësore” që njerëzit e vëzhgojnë së jashtmi.

Së pari, disa vargje na njoftojnë me ngjarje ashtu siç shihen ato nga vet personi që po vdes, të cilat kurrë nuk mund të perceptohen prej të tjerëve. Kjo rrëfehet në Suren Vakia:

Përse, pra kur arrin shpirti në fyt. E ju në atë moment shikoni (se ç’po i ngjet). E Ne jemi më afër se ju, por ju nuk shihni. (Sure Vakia: 83-85)

Për dallim nga vdekja e jobesimtarëve, vdekja e besimtarëve është e lumtur:

Të cilëve duke qenë të pastër, engjëjt ua marrin shpirtin, duke u thënë: ‘Esselamu alejkum’ - gjetët shpëtimin, hyni në xhenet, për hir të asaj që vepruat. (Sure Nahl: 32)

Këto vargje zbulojnë një fakt shumë të rëndësishëm dhe të pandryshueshëm për vdekjen: në momentin e vdekjes, ajo nëpër të cilën kalon personi që po vdes dhe ajo që ata pranë tij shohin janë përvoja të ndryshme. Për shembull, një njeri që ka kaluar tërë jetën e tij si jobesimtar i paepur mund të perceptohet se po përjeton një “vdekje të qetë” së jashtmi. Megjithatë, shpirti, tani në një dimension krejtësisht tjetër, e shijon vdekjen në një mënyrë shumë të dhimbshme. Në anën tjetër, shpirti i një besimtari, përkundër asaj se duket që po përjeton dhimbje të madhe, e lëshon trupin e tij “në një gjendje të mirë”.

Thënë shkurt, “vdekja mjekësore e trupit” dhe vdekja e shpirtit, që përmendet në Kuran, janë ngjarje krejtësisht të ndryshme.

Duke qenë të pavetëdijshëm për këtë të vërtetë me të cilën na njofton Kurani, jobesimtarët, të cilët supozojnë se vdekja është një gjumë i përjetshëm dhe i qetë, po ashtu përpiqen të gjejnë mënyra që momenti i vdekjes të jetë pa dhimbje dhe i lehtë. Pasojat e një ideje të tillë të gabuar mund të shihen qartë në shembujt e atyre që bëjnë vetëvrasje duke marrë barna, duke thithur gaz natyral apo duke iu drejtuar ndonjë forme pa dhimbje të vdekjes për t’i ikur një sëmundjeje që shkakton dhimbje.

Siç kemi përmendur më herët, vdekja “e shijuar” prej jobesimtarëve është një burim i madh i vuajtjes për ta, ndërsa për besimtarët rezulton të jetë lumturi. Kurani jap një shpjegim të hollësishëm të vështirësisë nëpër të cilën kalojnë jobesimtarët derisa të merren shpirtrat e tyre, për shkak të mënyrës me të cilën sillen engjëjt me shpirtin e një jobesimtari në momentin e vdekjes:

E si do të jetë atëherë puna e tyre kur engjëjt t'ua marrin shpirtin duke i rrahur fytyrave dhe shpinave të tyre? E atë (dënim) për shkak se ata ndoqën rrugë të cilën Allahu e urren, kurse e urryen atë që Ai e pëlqen, prandaj ua asgjësoi veprat e tyre. (Sure Muhammed: 27-28)

Në Kuran po ashtu përmendet “agonia e vdekjes,” e cila është në të vërtetë rezultati i dhënies së lajmit prej engjëjve për vuajtjen e amshueshme në momentin e vdekjes:

…E, sikur t'i shihje mizorët kur janë në agoni të vdekjes, e engjëjt kanë shtrirë duart e veta (me ndëshkim) e (u thonë): "Shpëtoni pra vetveten (nëse mundeni)". "Tash përjetoni dënimin e turpshëm për shkak se e thoshit të pavërtetën për Allahun, dhe ndaj argumenteve të Tij ishit kryeneç. (Sure En’am: 93)

Sikur t'i kishe parë engjëjt kur ua marrin shpirtin atyre që mohuan (do të shihje tmerr), u binin fytyrave dhe shpinave të tyre: "Shijoni dënimin e djegies!" Këtë (dënim e morët) për shkakun e asaj që fituat. Allahu nuk është i padrejtë për robërit e Tij. (Sure Enfal: 50-51)

Siç bëjnë të qartë këto vargje, vetëm vdekja e një jobesimtari është një periudhë e tërë e agonisë në vetvete. Derisa njerëzit që e rrethojnë atë shohin një vdekje në dukje të qetë në shtratin e tij, një vuajtje e madhe shpirtërore dhe fizike fillon për të. Engjëjt e vdekjes marrin shpirtin e tij, duke i sjellë atij dhimbje dhe poshtërim. Në Kuran, engjëjt që marrin shpirtrat e jobesimtarëve përshkruhen si: “ata (engjëj) që marrin shpirtrat me rrëmbim!” (Sure Nazi’at: 1)

Faza e fundit e mënyrës se si merret shpirti shpjegohet si vijon:

Jo dhe jo! Po kur të arrijë (shpirti) në gurmaz dhe thuhet (nga familja e të afërmit): "Kush do ta shërojë?" Dhe ai bindet se ai po ndahet. (Sure Kijame: 26-28)

Në këtë moment, jobesimtari ndeshet me të vërtetën që ai e ka mohuar gjatë gjithë jetës së tij. Me vdekje, ai do të fillojë të vuaj pasojat e fajit të tij të madh, mohimit të tij. Engjëjt “që iu bien shpinave të tyre” dhe “që marrin shpirtrat me rrëmbim” janë vetëm fillimi dhe një tregues më i vogël i pikëllimit që e pret atë.

Përkundrazi, vdekja për besimtarin është fillimi i fatmirësisë dhe lumturisë së përjetshme. Për dallim nga shpirti i jobesimtarit i cili vuan dënim të hidhur, shpirti i besimtarit merret me lehtësi” (Sure Nazi‘at: 2) duke u thënë engjëjt:“Esselamu alejkum - gjetët shpëtimin, hyni në xhenet, për hir të asaj që vepruat.” (Sure Nahl: 32)Kjo është e ngjashme me gjendjen e gjumit. Në gjumë, shpirti kalon lehtë në një dimension tjetër, siç dëshmohet në vargun në vazhdim:

Allahu i merr shpirtrat kur është momenti i vdekjes së tyre (i vdekjes së trupave të tyre), e edhe atë që është në gjumë e nuk ka vdekur, e atij që i është caktuar vdekja e mban (nuk e kthen), e atë tjetrin (që nuk i është caktuar vdekja, por është në gjumë), e lëshon (të kthehet) deri në afatin e caktuar… (Sure Zumer: 42)

Kjo është e vërteta përfundimtare për vdekjen. Së jashtmi, njerëzit përjetojnë vetëm vdekjen mjekësore: një trup që gradualisht humb funksionet e veta trupore. Ata të cilët shikojnë prej së jashtmi një person në buzë të vdekjes nuk shohin as fytyrën e tij as shpinën e tij që rrahet, dhe as shpirtin e tij që arrin në gurmaz. Vetëm shpirti i personit në fjalë përjeton këto ndjenja dhe i sheh këto pamje. Mirëpo, vdekja e vërtetë “shijohet” në të gjitha aspektet e saj nga personi që vdes në një dimension të panjohur për ata që përjetojnë vdekjen së jashtmi. Me fjalë të tjera, ajo që përjetohet gjatë rrjedhës së vdekjes është një “ndryshim në dimension.”

Ne mund t’i nënvizojmë faktet e zbuluara në vargjet që kemi analizuar gjer më tani si vijon: qoftë besimtar apo jobesimtar, vdekja e një personi as nuk vonohet as nuk shpejtohet madje as edhe për një çast. Kudo që të jenë qeniet njerëzore, vdekja i arrin ata, nëse ka ardhur koha e caktuar për ta. Gjatë përjetimit të vdekjes, ata individualisht pranojnë trajtime krejtësisht të ndryshme, edhe pse kjo nuk është e dukshme prej së jashtmi.

Vdekja e besimtarit

— Duke qenë i vetëdijshëm se vdekja është e pashmangshme, besimtari përgatitet për vdekjen gjatë gjithë jetës së tij dhe në fund ndërron jetë.
— Engjëjt e vdekjes e përshëndesin atë dhe ia komunikojnë lajmin e mirë të xhenetit.
— Engjëjt e marrin shpirtin e një besimtari me butësi.
— Besimtari ndien nevojën t’u jap lajmin e gëzueshëm besimtarëve tjerë në botë se premtimi i Allahut është i garantuar dhe se nuk do të ketë as frikë dhe as pikëllim për besimtarët. Sidoqoftë, kjo nuk është e lejuar.

Vdekja e jobesimtarit

— Ai takon vdekjen të cilës i është shmangur gjithmonë gjatë gjithë jetës së tij.
— Ai vuan nga goditje të fuqishme të dridhjes gjatë vdekjes.

Engjëjt zgjasin duart e tyre ndaj tij dhe i japin atij lajmin për ndëshkimin poshtërues të Djegies në zjarr.

— Engjëjt e çojnë atë në vdekje, duke e rrahur atë në fytyrë dhe shpinë.
— Shpirti merret me një dhimbje të brendshme të madhe.

Shpirti merret me të arritur gurmazin dhe në atë moment nuk mbetet askush aty që ta shpëtojë atë.

Shpirti merret me zor ndërsa ai zhytet në mohim.

Në momentin e vdekjes, nuk lejohet asnjë shprehje e besimit të tij apo e pendimit të tij.

Nga “vdekja mjekësore” që njerëzit e përjetojnë prej së jashtmi mund të nxirren po ashtu mësime. Mënyra se si vdekja mjekësore e shndërron trupin e njeriut në asgjë e bën njeriun të shoh disa fakte shumë të rëndësishme. Prandaj, “vdekja mjekësore” dhe varri, që presin secilin prej nesh, po ashtu meritojnë të përmenden dhe të mendohet për to.

Vdekja e trupit (ashtu siç përjetohet prej së jashtmi)

Në momentin e vdekjes, me të lëshuar shpirti dimensionin në të cilin jetojnë qeniet njerëzore, lë prapa trupin e pajetë. Sikurse në rastin kur gjallesat ndërrojnë lëkurën e tyre, ai lë prapa veshjen e jashtme dhe lëvizë drejt jetës së vërtetë të tij.

Mirëpo, tregimi për “veshjen e jashtme” e cila mbetet këtu në këtë botë është i rëndësishëm, posaçërisht për ata të cilët i kushtojnë më shumë rëndësi trupit në këtë jetë se që ai vërtet e meriton…

A keni menduar ndonjëherë në hollësi se çka do t’i ndodhë kësaj “veshje të jashtme” kur vdes njeriu?

Një ditë ju do të vdisni. Ndoshta në një mënyrë që kurrë nuk e keni pritur. Derisa shkoni në një dyqan ushqimor për të blerë bukë, një veturë do t’ju godas. Apo, një sëmundje fatale do t’i jap fund jetës suaj. Apo, thjeshtë, zemra juaj do të pushojë së rrahuri pa asnjë arsye.

Kështu, ju do të filloni të shijoni vdekjen

Që nga ai moment, ju nuk do të keni kurrfarë lidhje me trupin tuaj. Ai trup, që ju pandehet të jetë “vetja juaj” gjithë jetën tuaj, do të shndërrohet në një sasi të zakonshme mishi. Me vdekjen tuaj, trupin juaj do ta bartin të tjerët. Përreth do të ketë njerëz që do të qajnë dhe mbajnë zi. Pastaj ai trup do të bartet në morg, ku do të qëndrojë për një natë. Ditën e ardhshme, do të fillojnë punët e varrimit. Trupi i pajetë, tani krejtësisht i ngurtë, do të lahet i tëri me ujë të ftohtë. Ndërkohë, gjurmët e vdekjes do të fillojnë të shfaqen dhe disa pjesë të trupit do të fillojnë të marrin ngjyrë të purpurt.

Pastaj, trupi do të mbështjellët me një qefin dhe do të vendoset në një tabut prej druri. Duke shkuar drejt varrezave, jeta do të jetë si gjithmonë në rrugë. Duke e parë se një makinë varrimi po kalon andejpari, disa njerëz do të shfaqin respekt, por shumica do të vazhdojë punët e tyre të përditshme. Në varreza, tabuti do të bartet prej atyre që ju duan ose prej atyre që duket se ju duan. Me siguri, përsëri do të ketë njerëz përreth që qajnë dhe mbajnë zi. Pastaj, njerëzit do të mbërrijnë në destinacionin e pashmangshëm: varrin. Në gurin e mermertë, do të skalitet emri juaj… Trupi juaj do të nxjerrët prej tabutit dhe do të vendoset në gropën e varrit. Do të këndohen lutje për ju. Më në fund, njerëzit do të fillojnë ngadalë t’ua mbulojnë trupin me dhe. Dheu do të hidhet po ashtu edhe në qefin. Do t’ua mbush gojën, fytin, sytë dhe hundën. Pastaj dheu do ta mbulojë gradualisht qefinin tuaj. Së shpejti, ceremonia e varrimit do të përfundojë dhe njerëzit do të largohen nga varrezat. Pastaj, varrezat do të kthehen në qetësinë e tyre të thellë. Ata që do të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit do të vazhdojnë me jetët e tyre të përditshme dhe për trupin tuaj të varrosur, jeta më s’do të ketë kuptim. Një shtëpi e bukur, një person i bukur, një peizazh marramendës nuk do të ketë më asnjë domethënie. Trupi juaj s’do të takojë më kurrë ndonjë mik. Prej atij momenti, gjëja e vetme e sigurt për trupin do të jetë dheu dhe krimbat dhe bakteret që jetojnë aty.

A keni menduar ndonjëherë për atë se si do të duket trupi juaj pas vdekjes?

Me varrim, trupi juaj do t’i nënshtrohet një procesi të shpejtë të kalbjes, të shkaktuar nga faktorë të jashtëm dhe të brendshëm.

Menjëherë pasi t’ju kenë vendosur në varr, do te fillojnë të veprojnë bakteret dhe insektet që shumohen në kufomë për shkak të mungesës së oksigjenit. Gazrat e liruara prej këtyre organizmave do të fryjnë trupin, duke filluar nga barku, duke e ndryshuar formën dhe pamjen e tij. Shkuma e përzier me gjak do të dal nga goja dhe hunda për shkak të presionit të gazrave në diafragmë. Me vazhdimin e prishjes, qimet e trupit, thonjtë, shputat dhe pëllëmbët do të bien. Organet e brendshme si mushkëritë, zemra dhe mëlçia do të kalben po ashtu, duke e shoqëruar këtë ndryshim të jashtëm të trupit. Në ndërkohë, skena më e llahtarshme ndodhë në bark, ku lëkura më s’mund t’i bëj ballë gazrave dhe befas shpërthen, duke përhapur një erë tmerrësisht të neveritshme. Duke filluar prej kafkës, muskujt do të ndahen prej vendeve të tyre. Indet e lëkura dhe indet e buta do të shpërbëhen plotësisht. Truri do të kalbet dhe do të fillojë të duket si argjilë. Ky proces do të vazhdojë derisa i tërë trupi të bëhet skelet.

Trupi juaj, që e mendoni të jetë vetja juaj, do të zhduket kështu në një mënyrë të tmerrshme dhe të neveritshme. Ndërsa ata që ju leni pas vetes kryejnë ritualet e zakonshme, krimbat, insektet dhe bakteret që ndodhen në dhe do ta hanë trupin.

Nëse vdisni aksidentalisht dhe nuk varroseni, atëherë pasojat do të jenë edhe më tragjike. Trupin tuaj do ta hanë krimbat, si një copë mishi e lënë në temperaturën e dhomës për një kohë të gjatë. Kur krimbat të kenë ngrënë copëzën e fundit të mishit, trupi juaj do të shndërrohet në skelet.

Kjo është mënyra si, jeta e një qenie njerëzore, e krijuar në “formën më të bukur”, përfundon në mënyrën më të tmerrshme të mundshme.

Përse?

Padyshim se me Vullnetin e Allahut trupi pushon së ekzistuari në një mënyrë aq drastike. Arsyeja që ndodhë kjo me të vërtetë bart një porosi shpirtërore shumë të rëndësishme në vetvete. Fundi i tmerrshëm që pret njeriun duhet të ndikojë që ai të pranojë se nuk është vetëm një trup, por një shpirt “i mbyllur” brenda trupit. Me fjalë tjera, njeriu duhet të pranojë se posedon një ekzistencë përtej trupit të tij. Një fund aq i habitshëm, që përmban në vete aq shumë mësime, është përgatitur për njeriun ashtu që të mund të kuptojë se ai nuk përbëhet thjeshtë prej “eshtrave dhe mishit”.

Njeriu duhet ta konsideroj këtë trup të cilit i kushton rëndësi, sikurse do të qëndronte në këtë botë të përkohshme përgjithmonë dhe do të duhej të mendonte për fundin e tij – vdekjen e tij. Sepse ai do të kalbet nën dhe, do ta hanë krimbat dhe në fund do të shndërrohet në një skelet.

SHPERNDAJE
logo
logo
logo
logo
logo
Shkarkimet
  • 1. Vdekja - Hyrje
  • 1. Vdekja - Paragjykimet dhe faktet
  • 1. Vdekja - Perdja e pakujdesisë
  • 1. Vdekja - Vdekja e vërtetë dhe ajo që vëzhgohet lidhur me vdekjen
  • 1. Vdekja - jeta e përkohshme e kësaj bote
  • 1. Vdekja - Gjendja e atyre që nuk nxjerrin mësime nga vdekja në këtë botë dhe në ahiret
  • 2. Ringjallja - Parathënie
  • 2. Ringjallja - Vdekja e gjithësisë
  • 2. Ringjallja - Fryrja e dytë e surit dhe ringjallja e të VDekurve
  • 3. Xhehenemi - Parathënie
  • 3. Xhehenemi - Vuajtja e xhehenemit dërgimi në xhehenem
  • 3. Xhehenemi - Vuajtja shpirtërore në xhehenem