A keni menduar ndonjëherë se njeriut i duhet t’i kushtojë aq shumë kohë dhe mund mbajtjes së trupit të tij të pastër? Pse një trup i papastër, një gojë që mban erë, lëkura apo flokë të yndyrshme duken aq të pahijshme? Pse njeriu djerset dhe pse era që e shoqëron djersën është aq e padurueshme?
Për dallim prej njeriut, bimët kanë erëra jashtëzakonisht të këndshme. Një trëndafili apo karafili kurrë nuk i vjen erë e keqe, përkundër faktit se rritet në tokë dhe qëndron në një mjedis në të cilin ka pluhur dhe papastërti. Megjithatë, njeriu vështirë se mund të arrijë një aromë aq të qëndrueshme, pa marr parasysh se sa kujdeset për trupin e tij.
A keni menduar ndonjëherë pse njeriu është krijuar me kaq shumë dobësi? Pse Allahu i krijoi lulet me aroma aq të bukura por trupin e njeriut e bëri të prirur të lëshojë një aromë të pakëndshme?
Dobësitë e njeriut nuk kufizohen me erërat e trupit: ai lodhet dhe bëhet i uritur, ndihet i dobët, lëndohet, neveritet, sëmuret…
Të gjitha këto mund të duken gjëra të zakonshme për njeriun, mirëpo kjo ka një aspekt mashtrues. Fare lehtë mund të ndodhë që kjo erë e keqe të mos ketë buruar kurrë prej trupit. Gjithashtu, njeriu mund t’mos ketë kurrë dhimbje koke apo mund t’mos sëmuret kurrë. Të gjitha këto sëmundje të njeriut nuk ndodhin “rastësisht” por janë të krijuara nga Allahu me qëllim. Allahu ia caktoj njeriut një qëllim të veçantë dhe e bëri atë të dobët qëllimisht.
Një strategji e tillë arrin dy qëllime: së pari, ta bëj njeriun të kuptoj se ai është një qenie e dobët, një “rob” i Allahut. Të qenit i përkryer është një veti e Allahut. Robërit e Tij, në anën tjetër, janë pafundësisht të brishtë dhe prandaj natyrshëm kanë nevojë për Krijuesin e tyre. Kjo gjë është shpjeguar në Kuran si në vazhdim:
O ju njerëz, ju keni nevojë për Allahun e Allahu nuk ka nevojë për ju; Ai është i falënderuari. Po të dojë Ai, juve ju zhduk e sjell krijesë të re. E për Allahun ajo nuk është e vështirë. (Sure Fatir: 15-17)
Dobësitë e trupit të njeriut vazhdimisht ia përkujtojnë njeriut dobësitë e tij. Njeriu mund ta konsiderojë veten e tij si një qenie superiore dhe e përkryer. Megjithatë, fakti se ai ka nevojë të shkojë në tualet përditë dhe ajo që ai përjeton atje e bën atë ta njoh veten e tij të vërtetë.
Qëllimi i dytë të cilit i shërbejnë këto dobësi është që t’ia përkujtoj njeriut natyrën e përkohshme të kësaj jete. Kjo për arsye se këto dobësi janë karakteristike për trupin në këtë botë. Në Ahiret, Banorët e Kopshtit do të pajisen me një trup të përsosur. Trupi i mangët, jo i përkryer dhe i dobët në këtë botë nuk është trupi i vërtetë i besimtarit por një kallëp i përkohshëm në të cilin ai qëndron për një kohë të caktuar.
Kjo është arsyeja pse në këtë botë kurrë nuk është e arritshme bukuria e përkryer. Personi që është fizikisht më tërheqësi, që është më i përkryeri dhe më i bukuri po ashtu shkon në tualet, djersitet, i vjen erë e keqe e gojës në mëngjes dhe kohë pas kohe i paraqiten puçrrat në fytyrë. Njeriut i nevojitet t’ju nënshtrohet rutinave të pafund për ta mbajtur veten të pastër dhe të freskët. Disa njerëz kanë fytyra të bukura por nuk kanë trupa me formë të hijshme. Ka po ashtu raste ku vlen pikërisht e kundërta e kësaj. Disa prej tyre kanë sy të bukur por hundë të madhe. Ekzistojnë shembuj të tillë të panumërt. Një person me pamje të përkryer të jashtme mund të vuaj prej ndonjë sëmundje të rëndë.
Mbi gjitha këto, madje edhe personi me pamjen më të përkryer në fund plaket dhe vdes. Në një aksident të papritur trafiku, trupi i tij mund të lëndohet në mënyrë të pandreqshme. Nuk është vetëm trupi i njeriut që është jo i përkryer, me të meta dhe i përkohshëm në këtë botë. Të gjitha lulet vyshken, ushqimi më i shijshëm prishet dhe kalbet. Të gjitha këto janë karakteristike për këtë botë. Jeta e shkurt në këtë botë që na është dhuruar si edhe ky trup janë mirësi të përkohshme të dhuruara prej Allahut. Një jetë e përjetshme dhe një krijim i përkryer janë të mundshme vetëm në Ahiret. Siç thuhet në Kuran:
Çka u është dhënë nga ndonjë send, ajo është kënaqësi në këtë botë, e ajo që është te Allahu është shumë më e mirë dhe e përjetshme, por për ata që besuan dhe që vetëm Allahut të tyre i mbështeten. (Sure Shura: 36)
Në një ajet tjetër thelbi i vërtetë i kësaj bote shpjegohet si vijon:
Ju njerëz dijeni se jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se lojë, kalim kohe në argëtim, stoli, krenari mes jush dhe përpjekje në shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve, e që është si shembull i një shiu prej të cilit bima i habit bujqit, e pastaj ajo thahet dhe e sheh atë të verdhë, mandej bëhet e thyer e llomitur, e në botën tjetër është dënimi i rëndë, por edhe falje mëkatesh dhe dhurim i kënaqësisë nga Allahu; pra jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se përjetim mashtrues. (Sure Hadid: 20)
Thënë shkurt, në këtë botë, Allahu, si dëshmi të fuqisë dhe dijenisë së Tij të pafund, krijon shumë gjallesa të bukura dhe mahnitëse si edhe shumë gjallesa me të meta. Përhershmëria dhe përsosmëria janë kundër ligjeve të kësaj bote. Asgjë që mendja njerëzore mund të përfytyroj, duke përfshirë teknologjinë e avancuar, kurrë s’do të mund ta ndryshojë këtë ligj të Allahut. Kjo është kështu në mënyrë që njerëzit të mund të bëjnë përpjekje të arrijnë Ahiretin dhe t’ia shprehin Allahut respektin dhe mirënjohjen që i takon. Gjithashtu, kjo është kështu në mënyrë që njerëzit të mund të kuptojnë se banesa e vërtetë e këtyre të mirave nuk është kjo botë e përkohshme, por banesa e përjetshme e përgatitur për besimtarët. Në Kuran, në këtë aludohet si vijon:
Por ju i jepni përparësi jetës së kësaj bote, E dihet se jeta e botës tjetër është më e dobishme dhe e përjetshme. (Sure A’la: 16-17)
Një ajet tjetër thotë: Kjo jetë e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se dëfrim e lojë, e jetë e vërtetë, padyshim është ajo e botës së ardhme (Ahiretit), sikur ta dinin. (Sure Ankebut: 64) Ekziston një ndarje shumë e hollë në mes të kësaj bote, e cila është banesë e përkohshme dhe “jetës sonë të vërtetë”, Ahiretit. Vdekja është instrumenti i cili e ngrit këtë perde. Me vdekjen, njeriu do t’i shkëpus të gjitha lidhjet e tij me trupin e tij dhe këtë botë; ai do të fillojë jetën e tij të amshueshme me trupi e tij të rikrijuar.
Pasi që jeta e vërtetë është ajo që fillon me vdekjen, “ligjet e vërteta të natyrës” janë ato që i përkasin Ahiretit. Mungesat, të metat dhe përkohshmëria janë ligjet e kësaj bote, e prapëseprapë ato nuk janë ligje të vërteta dhe të pandryshueshme. Ligjet e vërteta janë të formuluara në parimet e pafundësisë, përsosmërisë dhe pavdekshmërisë. Me fjalë të tjera, ajo që është normale është një lule që nuk vyshket, një njeri që nuk plaket kurrë, një fryt që kurrë nuk kalbet. Ligjet e vërteta përmbajnë realizimin e menjëhershëm të secilës dëshirë të njeriut apo largimin e dhimbjes dhe sëmundjeve, apo madje djersitjen ose ndjenjën e të ftohtit. Megjithatë, ligjet e përkohshme vlejnë në këtë jetë të përkohshme, derisa ligjet e vërteta vlejnë për jetën e ardhshme. Të gjitha të metat dhe mungesat me të cilat ndeshemi në këtë botë ekzistojnë përmes shtrembërimit të qëllimshëm të ligjeve të vërteta.
Banesa e ligjeve të vërteta, domethënë Ahireti, nuk është larg, siç mendohet. Allahu mund t’i jap fund jetës së njeriut në secilin moment që Ai dëshiron dhe të bëj që ai të kalojë në Ahiret. Ky kalim do të ndodhë në një periudhë shumë të shkurt; sa çelë e mbyllë sytë. Kjo i ngjason zgjimit nga një ëndërr. Një ajet Kuranor përshkruan kohëzgjatjen e shkurt të kësaj bote si vijon:
Ai thotë: "E sa vjet keni kaluar në tokë?" Ata thonë: "Kemi qëndruar një ditë ose një pjesë të ditës, pyeti ata që dinë numërimin!" Ai thotë: "Mirë e keni, sikur ta dinit njëmend pak keni qëndruar!" A menduat se Ne u krijuam kot dhe se nuk do ktheheni ju te Ne? (Sure Mu’minun: 112-115)
Kur të vjen vdekja, ëndrrat përfundojnë dhe njeriu fillon jetën e tij të vërtetë. Njeriu, i cili qëndroi në tokë për një periudhë po aq të shkurt sa “rrahja e qerpikëve” vjen në praninë e Allahut për të dhënë përgjegjësi për veprat e tij në këtë botë. Po qe se nuk e ka harruar vdekjen gjatë gjithë jetës së tij dhe ka jetuar për të fituar kënaqësinë e Allahut, do të shpëtojë. Në Kuran, fjalët “kujt t’i jepet libri i vet nga e djathta e tij” janë përmendur si vijon:
Kujt t'i jepet libri i vet nga e djathta e tij, ai do të thotë: "O ju, ja, lexoni librin tim!" Unë kam qenë i bindur se do të jap llogarinë time. (Sure Hakka: 19-20)