Shumica e njerëzve kanë një kuptim joadekuat për vdekjen. “Vdekja është momenti kur jeta mbaron” është njëri prej këtyre. Shkoni një hap më tutje dhe njeriu do ta kuptojë se vdekja është momenti kur fillon jeta tjetër. Ky botëkuptim i shtrembëruar bën që jobesimtarët të përmbledhin gjithçka dëshirojnë ata në kohën shumë të shkurt të kësaj jete. Kjo është arsyeja pse ata të cilët nuk arrijnë të kuptojnë të vërtetën e Ahiretit duan ta shfrytëzojnë këtë jetë sa më shumë që të munden duke mos menduar shumë për të. Duke mos bërë dallim në mes të së drejtës dhe të gabuarës, ata duan t’i kënaqin të gjitha dëshirat e tyre në këtë botë. Ky qëndrim në thelb mbështetet mbi mendimin se vdekja do t’i jap fund të gjitha gëzimeve dhe kënaqësive të kësaj bote. Duke besuar se ende u mbesin shumë vite për të jetuar, ata ndjekin planet afatgjata. Ata e konsiderojnë veten si shumë të zgjuar derisa mendojnë se besimtarët, të cilët kanë besim të patundur në Allahun dhe në Ahiret dhe prandaj e përgatitin veten e tyre për këtë, nuk janë të mençur. Kjo është njëra prej metodave më klasike të përdorura nga Shejtani për të mashtruar njeriun. Allahu na tërheq vëmendjen ndaj kësaj “metode mashtruese” në ajetin në vazhdim:
Nuk ka dyshim se ata që u kthyen prapa (në mosbesim) pasi që u ishte sqaruar rruga e drejtë, djalli ua hijeshoi dhe shpresë të rrejshme u premtoi. (Sure Muhammed: 25)
Ai u premton atyre dhe i bën të shpresojnë, por djalli nuk premton tjetër vetëm se mashtrim. (Sure Nisa: 120)
Duke grumbulluar pasuri në këtë botë sikur jeta të zgjaste përgjithmonë, jobesimtarët e kuptojnë jetën si një lloj gare. Gjatë gjithë jetës së tyre, ata krenohen me pasuri dhe fëmijë. Kjo krenari u jap atyre një ndjenjë të superioritetit të rrejshëm, gjë që bën që ata të largohen plotësisht nga mendimi për Ahiretin. Mirëpo, vargjet në vazhdim zbulojnë se për atë që i pret ata për shkak të këtij gabimi të madh.
A mos mendojnë ata se me atë që jemi duke u dhënë atyre nga pasuria dhe fëmijët, nxitojmë t'u ofrojmë atyre të mirat? Jo, kurrsesi, por ata nuk po e kuptojnë. (Sure Mu’minun: 55-56)
Prandaj, mos të mahnitë pasuria e tyre e as fëmijët e tyre, Allahu do vetëm t'i dënojë me to në jetën e kësaj bote e t'ju nxjerrë shpirtrat duke qenë ashtu qafirë. (Sure Teube: 55)
Allahu i jap njeriut shumë paralajmërime dhe porosi ta bëj atë të mendoj për vdekjen dhe Ahiretin. Në një ajet, Allahu tërheq vëmendjen ndaj sprovave që përjeton njeriu si mësim për të:
A nuk e shohin ata se për çdo vit sprovohen një herë apo dy herë, e përsëri nuk pendohen e as nuk marrin mësim. (Sure Teube: 126)
Me të vërtetë, shumica e njerëzve ndeshen me sprova të ndryshme, ashtu që ata shpesh të luten për falje dhe të jenë të vëmendshëm. Ato mund të ndodhin shumë rrallë, një apo dy herë në vit, siç përmendet në këtë ajet. Përndryshe, ato mund të jenë telashe të vogla të përditshme. Njeriu është dëshmitar i aksidenteve, vdekjeve apo lëndimeve. Gazetat janë përplot me lajme për vdekje apo lajmërime të vdekjeve. Përballë ngjarjeve të tilla, njeriu duhet të përkujtojë se fatkeqësitë mund t’i ndodhin atij në çdo kohë dhe në çdo moment mund të përfundojë koha testuese e tij. Një vetëdije e tillë e bën njeriun që t’i drejtohet me sinqeritet Allahut, të kërkojnë strehim tek Ai dhe të kërkojnë falje prej Tij.
Mësimet që besimtarët i nxjerrin nga fatkeqësia që u ndodhë atyre janë të qëndrueshme. Mirëpo, të njëjtat ndodhi kanë ndikim krejtësisht tjetër në jobesimtarët. Duke qenë të tmerruar nga mendimi për vdekjen, jobesimtarët ia kthejnë shpinën realitetit të vdekjes apo thjeshtë përpiqen ta harrojnë atë. Duke bërë kështu, ata kërkojnë ngushëllim. Megjithatë, kjo metodë mashtruese vetëm u shkakton dëm atyre. Kjo për arsye se Allahu“ua shtyn atyre afatin deri në një kohë të caktuar” (Sure Nahl: 61) dhe kjo kohë, përkundër asaj që ata mendojnë, punon kundër tyre. Një tjetër ajet Kuranor thotë:
Të mos mendojnë ata që nuk besuan se afatin që u dhamë Ne atyre të jetojnë, është në dobi të tyre. Ne i lamë të jetojnë vetëm që të shtojnë edhe më shumë mëkate, se ata i pret dënim nënçmues. (Sure Ali Imran: 178)
Një person i pavëmendshëm, i cili nuk nxjerr mësim madje edhe atëherë kur vdekja i ndodhë dikujt shumë të afërt me të, bëhet shumë i sinqertë ndaj Krijuesit të tij, kur ai vet të përballet me vdekjen. Kjo psikologji rrëfehet në Kuran si vijon:
Ai (Allahu) ua bëri të mundshëm udhëtimin në tokë e në det, deri kur jeni në anije që lundrojnë me ta (me udhëtarët) me anë të një ere të lehtë dhe janë të lumtur me të (me erën e lehtë), ia beh një erë e fortë dhe nga të gjitha anët rrethohen nga valët dhe binden se janë shkatërruar, e lusin Allahun pa farë përzierje të idhujve (duke thënë): Nëse na shpëton nga kjo (katastrofë), ne do të jemi gjithnjë falënderues!" (Sure Junus: 22)
Mirëpo pas shpëtimit, këta njerëz i kthehen gjendjes së tyre fillestare të pavëmendshme. Duke harruar premtimin e tyre, ata shfaqin një qëndrim të ultë dhe të rrejshëm dhe, duke vepruar kështu, kurrë nuk ndiejnë as brejtjen më të vogël të ndërgjegjes. Megjithatë, kjo pabesi do të jetë dëshmitare kundër tyre në Ditën e Gjykimit:
E kur Ai (Allahu) i shpëtoi ata, ja, ata veprojnë mbrapshtë në tokë, pa arsye. O ju njerëz, kryeneçësia juaj është vetëm kundër vetes suaj, është përjetim i jetës së kësaj bote, pastaj kthimi juaj është te Ne, e Ne ju shpërblejmë për veprimet tuaja. (Sure Junus: 23)
Në dëshpërim, njeriu përpiqet përsëri ta bëj të njëjtën gjë në momentin e vdekjes. Mirëpo, koha e caktuar për të tashmë ka mbaruar:
E, sikur të shihje mëkatarët se si ulin kokat e veta pranë Allahut të tyre: "Allahu ynë, tash pamë dhe dëgjuam, na kthe pra edhe një herë e të bëjmë vepra të mira, se tash jemi të bindur". Sikur të kishim dëshiruar Ne, secilit do t'i jepnim udhëzimin, por fjala (vendimi) Ime ka marrë fund (definitiv) se do ta mbushë Xhehenemin së bashku me xhinë e njerëz. Prandaj shijoni këtë (dënim) për shkak se ju e patët harruar takimin tuaj në këtë ditë, e edhe Ne tash u harruam juve, ndaj, për shkak të asaj që keni vepruar, shijoni dënimin e përjetshëm. (Sure Sexhde: 12-14)
Të njëjtat përpjekje të paepura do të vazhdojnë po ashtu në xhehenem (ferr):
Dhe ata do të klithin aty: "O Allahu ynë, nxirrna e të bëjmë vepra të mira, e jo si ato që i bënim!" Po a nuk u dhamë juve jetë aq sa që ai ka dashur të mendojë, ka mundur të mendojë gjatë asaj kohe, madje juve u ka ardhur edhe pejgamberi, pra shijoni, se për zullumqarët nuk ka ndonjë ndihmëtar. (Sure Fatir: 37)
Këto përpjekje të dëshpëruara në Ahiret dhe mbarimi i dhimbshëm janë padyshim rezultatet e njohjes së pamjaftueshme të njeriut për qëllimin e vërtetë të ekzistencës së tij në tokë dhe të vlerës së tij. Ai që nuk beson nuk nxjerr mësime prej atyre që ndodhin rreth tij, nuk ua vënë veshin paralajmërimeve të zbritura prej Allahut, nuk do ta dëgjojë zërin e ndërgjegjes së tij apo nuk e përfill atë dhe vdekjen e merr si një ndodhi që vështirë se do t’i ndodhë atij. Ai i bindet dëshirave të anës së ligë të shpirtit të tij në vend se të kërkojë të fitojë kënaqësinë e Allahut. Të gjitha këto e përgatitin udhën që vdekja ta mbërthej atë në befasi dhe të bëj që ai atë të bie në një situatë të dëshpëruar të përshkruar në vargjet e mësipërme. Kështu, para se vdekja ta mbërthej njeriun, njeriu duhet të zgjohet nga gjumi i thellë i pakujdesisë, pasi që momenti i vdekjes është moment tejet i vonshëm për një rimarrje të tillë të vetvetes:
Dhe jepni nga ajo që Ne u kemi dhënë juve, para se ndonjërit prej jush t'i vijë vdekja, e atëherë të thotë: "O Allahu im, përse nuk më shtyve edhe pak afatin (e vdekjes), që të jepja lëmoshë e të bëhesha prej të mirëve!" Po, Allahu kurrsesi askënd nuk e shtyn për më vonë, kur atij t'i vijë afati i vet. Allahu hollësisht është i njohur me atë që ju punoni. (Sure Munafikun: 10-11)
Një person i mençur duhet vazhdimisht të mendojë për vdekjen në vend se të vazhdojë t’i shmanget mendimit për të. Vetëm në këtë mënyrë ai mund të veprojë në pajtim me vullnetin e Allahut dhe ta pengojë anën e ligë të shpirtit të tij dhe Shejtanin ta mashtrojnë atë me këtë jetë të shkurt. Me të vërtetë, marrja e jetës së kësaj bote për qëllimin e vetëm të njeriut është rreziku më i madh për njerëzit. Profeti ynë (saas) i paralajmëroi po ashtu besimtarët për këtë me lutjen e tij “mos lejo që punët e dynjasë të jenë gajlja jonë më e madhe për të cilën dijmë.”(Rrëfyer nga Abdullah ibn Umar, Tirmidhiu: 783)
Kjo botë është një vend ku njeriu përgatitet. Allahu e ka ngarkuar njeriun me shumë përgjegjësi në këtë botë dhe e ka bërë me dije për kufijtë që Ai ka përcaktuar për të. Nëse njeriu i respekton këto kufizime, iu bindet urdhrave të Tij dhe iu shmanget veprave të ndaluara, ai do të arrijë pjekuri personale dhe një gjendje më të mirë të urtësisë dhe vetëdijes. Me atribute të tilla, besimtari tregon durim të pashtershëm pa marr parasysh se çka i ndodhë atij; i drejtohet vetëm Allahut dhe kërkon ndihmë vetëm prej Tij. Kjo është rruga për të nderuar Allahun dhe për të ndier një nënshtrim të brendshëm dhe një besim të pakufishëm në Të. Duke e kuptuar vlerën e vërtetë të mirësive të dhuruara nga Allahu, ai shpreh një mirënjohje më të thellë ndaj Allahut dhe ndihet më i afërt me Të. Si rezultat, ai bëhet një besimtar ideal i pajisur me tipare superiore të urtësisë dhe moralit. Veç kësaj, ai bëhet person i tillë që meriton të arrijë parajsën, një vend të përsosmërisë. Por nëse njeriu nuk mëson asgjë për të vërtetat e kësaj bote, ai nuk arrin të shfaq përsosmëri të sjelljes dhe, madje edhe kur është në pozitën më të mirë në aspektin material, mbetet i prirur ndaj të gjitha formave të dështimit.
Me të vërtetë, Profeti Adem u dërgua në tokë të marr mësimin e duhur dhe u vu në sprovën e sajuar me qëllim prej Allahut për ta përgatitur atë për jetën e tij të përjetshme. Në fund, ai u bë një person i dalluar me moral dhe karakter të lartë dhe tejet i lavdëruar në Kuran.
Njeriu vazhdon të sprovohet me anë të ngjarjeve të panumërta që i ndodhin atij; suksesi i tij në përballje me to i siguron atij shpërblime në jetën e tij të përjetshme, ndërsa dështimet e tij i sigurojnë ndëshkimin e tij. Askush nuk e di se kur do të mbarojë koha e tij e sprovimit. Sipas Kuranit: “Ai është shënim i afatit të caktuar.” (Sure Ali Imran: 145). Kjo kohë ndonjëherë mund të jetë e gjatë, por po ashtu ndonjëherë mund të jetë e shkurt. Mirëpo, e vërteta është se madje edhe koha që ne e konsiderojmë si të gjatë rrallëherë tejkalon 7 apo 8 dekada.
Kjo është arsyeja pse, në vend se të përfshihet në bërjen e planeve afat-gjata, njeriu duhet të udhëzohet prej Kuranit dhe të jetojë sipas parimeve të tij, duke e ditur se do të jap përgjegjësi për të gjitha veprat e tij në Ahiret. Përndryshe, dështimi për t’u përgatitur për jetën e përjetshme, duke e lëshuar mundësinë e vetme të dhënë për këtë qëllim, dhe fitimi i xhehenemit përjetësisht do të jetë një gjendje vërtetë e dhimbshme. Nuk duhet harruar kurrë se destinacioni i vetëm i atij që është i privuar nga parajsa përgjithmonë nuk është askund tjetër pos në ferr. Për këtë arsye, çdo moment i kaluar kot në këtë botë është një humbje e madhe dhe një hap gjigant i ndërmarr drejt një fundi mizor.
Pasi që puna qëndron kështu, ky fakt duhet të ketë përparësi ndaj çdo gjëje tjetër në këtë botë. Sikurse që përgatitemi për situatat e mundshme me të cilat do të përballemi gjatë jetës sonë, duhet të bëjmë përpjekje të ngjashme madje edhe më të mëdha, për t’u përgatitur për ahiret. Kjo për arsye se ai i cili do të vdes do të jemi ne. Do të përjetojmë gjithçka ndodhë pas vdekjes krejtësisht të vetmuar. Prandaj, kjo çështje ka të bëj drejtpërdrejt me “ne”, me fjalë të tjera, “veten tonë”. Për ata që kërkojnë shpëtimin e amshueshëm, Allahu urdhëron si vijon:
O ju që besuat, keni parasysh frikën ndaj Allahut dhe le të shikojë njeriu se çka ka bërë për nesër, dhe keni frikë Allahun, e s'ka dyshim se Allahu është që e di në detaje atë që punoni! E mos u bëni si ata që e harruan Allahun, e Allahu bëri që ata ta harrojnë vetveten! Të tillët janë ata të prishurit. (Sure Hashr: 18-19)