I vetmi qëllim i një personi i cili bëhet i vetëdijshëm për ekzistencën e All-llahut dhe të ahiretit, është që ta fitojë kënaqësinë e All-llahut dhe të jetojë përjetësisht në parajsë. Është e pamundur që diksuh që vepron sipas ndërgjegjes së tij ta vendos një tjetër qëllim pos këtij. Një tjetër gabim i madh i njeriut është të mendoj se feja është një besim që mbulon vetëm një pjesë të vogël të jetës së njeriut; se feja është ajo që duhet të kujtohet vetëm në ditë të caktuara dhe se asgjë nuk ka të bëjë me të përveç disa riteve të adhurimit. Përkundrazi, në Kur'an theksohet se e gjithë jeta e njeriut, bashkë me të gjitha ritet, duhet të jetohet vetëm për All-llahun:
Thuaj: "Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm All-llahut, Zotit të botëve." (Sure En'am: 162)
Kjo nënkupton se njeriu duhet të jetë i vëmendshëm në çdo fjalë, çdo vendim dhe veprim të tij për atë se a është All-llahu i kënaqur me të apo jo. Nëse mendon që diçka nuk e kënaq All-llahun, atëherë ai duhet t'i shmanget plotësisht asaj. Nuk ka tjetër zgjidhje për një njeri i cili do të thirret të jap përgjegjësi për mënyrën se si e ka kaluar jetën dhe vendbanimi i përjetshëm i të cilit do të vendoset nga ky përfundim. Për më tepër, dikush që nuk është mosmirënjohës dhe i cili mendon dhe e kupton të vërtetën, pa dyshim se nuk do të konsiderojë asgjë më të rëndësishme se kënaqësinë e Zotit të tij, i Cili e krijoi atë nga asgjëja, i dha jetë kur ishte asgjë dhe i dhuroi atij mirësinë e të jetuarit përgjithmonë në parajsë.
Ai i cili vendos ta jetojë gjithë jetën e tij për All-llahun i drejtohet përsëri ndërgjegjes së tij për të zbuluar se si ta fitoj kënaqësinë e All-llahut. Në Kur'an, All-llahu i ka bërë të qarta urdhrat e Tij dhe veprat që Ai i ndalon. Para së gjithash, njeriu i cili vepron sipas ndërgjegjes së tij i respekton me përpikmëri këto urdhëra dhe veprat e ndaluara. Ai u kushton vëmendjen më të madhe veprave që janë të lejuara dhe atyre që janë të ndaluara dhe i vë në jetë gjithë urdhërat që i lexon në Kur'an. Ai i merr shembujt e sjelljes së mirë të transmetuara në Kur'an si udhërrëfyes për veten e tij; ai vepron me sinqeritet të jashtëzakonshëm dhe përmbush çdo gjë që shkruan në Kur'an ashtu siç di dhe mundet më së miri.
Ai që e lexon Kur'anin do të kuptojë se All-llahu i urdhëron njerëzit të kryejnë disa rite të adhurimit. Njëri prej tyre është falja e rregullt e namazit:
"Pasi të kryeni namazin, përmendeni All-llahun duke qëndruar në këmbë, ulur dhe të shtrirë. Kur të jeni jashtë rrezikut, atëherë faleni namazin të plotë, sepse namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar." (Sure Nisa': 103)
Ky ajet është përkujtim se namazi i rregullt është i obligueshëm. Ndërgjegjja e çdonjërit që e lexon këtë ajet do t'iu thotë atyre që të ngriten për t'u falur. Njeriu mund të praktikojë atë që kërkon prej tij ndërgjegjja e tij dhe Kur'ani, apo mund t'i shmanget zbatimit të urdhërave të Kur'anit duke bërë justifikime të ndryshme. Mirëpo, nuk duhet harruar kurrë se çfarëdo justifikimi qoftë që njeriu mund të gjejë për moskryerjen e namazit, ky justifikim nuk do të pranohet në ahiret.
Në një ajet tjetër, All-llahu kërkon prej njeriut të veprojë me drejtësi pa marr parasysh se çfarë mund të jenë kushtet dhe rrethanat:
"O besimtarë! Bëhuni zbatues të palëkundur të drejtësisë, duke dëshmuar në emër të All-llahut, qoftë edhe kundër jush ose kundër prindërve dhe të afërmve tuaj. Qoftë i pasur ose i varfër ai (për të cilin dëshmoni), All-llahu është për ata vlerësuesi më i drejtë. Dhe mos shkoni pas epsheve tuaja e të shtrembëroni drejtësinë! Nëse ju ngatërroni dëshminë ose i shmangeni asaj, vërtet që All-llahu e di se çfarë bëni ju." (Sure Nisa': 135)
Zbatimi i urdhërave të All-llahut me përpikmëri qoftë edhe nëse ato janë në kundërshtim me interesat e njeriut është i mundshëm vetëm përmes të dëgjuarit e zërit të ndërgjegjes së njeriut. Le të mendojmë për disa situata me të cilat mund të përballet njeriu vëmendjes së të cilit i bëhet thirrje në ajetin e mësipërm. Mund të ndodhë që të qenit dëshmitar në sistemin e drejtësisë të jetë shkak që një kushëri i tij të dënohet për ndonjë krim. E megjithatë, qoftë edhe në një situatë të tillë, një njeri i cili e di se do të jap përgjegjësi pas vdekjes së tij, e dëgjon ndërgjegjen e tij dhe vepron në pajtim me urdhërin e Kur'anit, sepse asnjë përfitim i kësaj bote nuk mund të ketë peshë më të madhe se sa dobia e tij në ahiret.
Në një ajet tjetër, All-llahu thekson lidhur me të vepruarit me drejtësi si vijon:
"O besimtarë! Bëhuni të qëndrueshëm në urdhrat e All-llahut dhe bëhuni dëshmues me drejtësi! Le të mos ju nxisë urrejtja ndaj njerëzve për të bërë padrejtësi. Bëhuni të drejtë, se kjo është më afër devotshmërisë dhe frikësojuni All-llahut! Pa dyshim, All-llahu është i Dijshëm për çdo gjë që punoni ju." (Sure Ma'ide: 8)
Që dikush të veprojë ashtu siç duhet sipas këtij ajeti, ai duhet ta kontrollojë zemërimin e tij madje edhe kur është më se i zemëruar dhe të sjell vendim të drejtë. Personi me të cilin bisedon mund të jetë dikush të cilin ai nuk e pëlqen për shkak të sjelljes dhe mënyrës së të folurit të tij dhe madje edhe dikush ndaj të cilit ai ndjen mëri. Pavarësisht se kush mund të jetë ai person, është urdhër i All-llahut me qenë i drejt ndaj çdo njeriu.
Një shembull tjetër është urdhëri i All-llahut drejtuar njerëzve për të shmangur dyshimin dhe përgojimin:
"O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë All-llahun! Me të vërtetë, All-llahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë." (Sure Huxhurat: 12)
Në ajetin e mësipërm, All-llahu e mbron njeriun prej disa tipareve të këqija të karakterit. Në të vërtetë, të tri mënyrat e sjelljes të përmendura në këtë ajet ndërlidhen me njëra tjetrën. Dikush që përgojon ka dyshime të kqija për personin të cilin e përgojon. Ngjashëm, dikush që spiunon dikë tjetër e bën këtë duke u bazuar në dyshime të caktuara. Sjelljet e tilla janë shumë të zakonshme dhe në njëfarë mënyre të pranuara nga shoqëria, edhe pse ato janë përfundimisht në kundërshtim me ndërgjegjen.
Një kriter i mirë për të bërë krahasim do të ishte ta mendosh veten tënde në një situatë të tillë. Askush nuk do të dëshironte kurrë që të spiunohej dhe të tjerët t'i fusnin hundët dhe të zbulonin të fshehtat e tij. Ai nuk do të dëshironte të përgojohej apo që njerëzit të kenë dyshime të këqija dhe të pasakta për të. Dikush që do të zbulonte se po flitet për të në këtë mënyrë do të shqetësohej tej mase dhe do të kishte ndjenjën se po trajtohej në mënyrë të padrejtë. Ta nënshtrosh dikë një dhimbje të tillë dhe ta bësh të jetojë në rrethana të tilla është një gjë e ligë dhe e pafalshme. Është tregues i ndërgjegjes së një njeriu që kurrë nuk e nënshtron dikë tjetër ndaj ndonjë gjëje të cilës ai vet nuk do të dëshironte t'i nënshtrohej. Për këtë arsye, All-llahu e krahason këtë sjellje me 'ngrënien e mishit të vëllait të vdekur.' Kjo është po aq e neveritshme sa edhe përgojimi, dyshimi dhe zbulimi i të metave. Veç kësaj, All-llahu u kërcënohet atyre që përfshihen në vepra të tilla me xhehennem:
"Mjerë për çdo përqeshës – shpifës… Jo, aspak! Në të vërtetë, ai do të hidhet në Torturën shkatërruese. E kush mund të ta shpjegojë ty se çfarë është tortura shkatërruese? Ajo është zjarri i All-llahut i ndezur fort, i cili depërton deri në zemrën e njeriut. Ai do t'i rrethojë ata nga çdo anë, në shtylla të gjata flakëruese." (Sure Humeze: 1-9)
Përgojimi, futja e hundëve në të fshehtat e të tjerëve dhe akuzimi i njerëzve duke u bazuar vetëm në dyshime, janë shpesh produkte të xhelozisë, zilisë dhe mërisë dhe bien në kundërshtim të drejtpërdrejt me parimet morale Kur'anore. Sjellja e tillë është pa dyshim në shpërputhje me ndërgjegjen edhe pse nuk refuzohet aq shumë nga shoqëria. Kur njeriu të marr parasysh se si do t'i shpërblejë All-llahu këto veprime, sjellja më e përshtatshme në pajtim me normat morale Kur'anore është që ato të mos veprohen as edhe për një moment të vetëm dhe që fuqishëm të dekurajohen të tjerët nga veprimi i tyre.
Sjellja dhe mendimet e dikujt që e ka kuptuar esencën e Kur'anit, do të bazohet në parimet e mira morale të këshilluara nga Islami në përgjithësi. Me fjalë të tjera, ai që e jeton këtë karakter të mirë do të mendojë dhe veprojë gjithmonë në mënyrë të ndërgjegjshme. Ai s'do ta harrojë kurrë vdekjen dhe ahiretin dhe kjo do të bëjë që veprimet e tij të jenë të drejtuara nga ahireti. Një njeri i tillë i shquar do të mendojë për ahiretin jo vetëm për veten e tij, por edhe për ata që i do dhe për gjithë bashkësinë e tij. Të gjitha përpjekjet e tij do të jenë të ingranuara drejt përgatitjes për këtë banesë të përjetshme. Madje edhe në lidhje me ngjarjet në dukje të rëndomta, njeriu i ndërgjegjshëm i komenton jo duke iu referuar botës, por ahiretit. Për shembull, nëse ai ka një shok shumë të pasur, ai aty për aty mendon se edhe shoku i tij do të vdes një ditë dhe do të jap llogari në ahiret. Ai në veçanti u shmanget fjalimeve që do të mund të ndikonin që shoku i tij t'i kushtohet kësaj bote. Ai e inkurajon atë të jetë zemërgjerë dhe ia përkujton parajsën dhe ferrin. Ai lutet për të mirën dhe qetësinë e tij si në këtë botë ashtu edhe në ahiret, dhe që All-llahu ta bëjë emër që të takohen në një jetë të lumtur të përtejme. Një njeri i ndërgjegjshëm shfaq dashurinë e tij ndaj shokut të tij duke u përpjekur për ahiretin e tij dhe duke ia ndaluar atij të keqen dhe duke e urdhëruar të drejtën.
Në shikim të parë, mund të duket se dikush që vepron në pajtim me ndërgjegjen e tij dhe gjithmonë kërkon kënaqësinë e All-llahut nuk dallon prej të tjerëve. Ai gjithashtu shkon në punë ose shkollë, shkon për të blerë dhe kënaqet. Ai, megjithatë, e kërkon kënaqësinë e All-llahut në gjithçka që bën. Në një ajet All-llahu thekson:
"…Ka njerëz, të cilët shitblerja nuk i pengon për të përmendur All-llahut dhe të cilët falin namazin dhe japin zeqatin dhe të cilët kanë frikë nga Dita (e Kiametit), kur zemrat dhe shikimet do të jenë të shqetësuara." (Sure Nur: 37)
Njeriu mund ta pyes veten se si është e mundur të kërkohet kënaqësia e All-llahut në punët e rëndomta, të përditshme që bën njeriu dhe se si është e mundur që All-llahu të përkujtohet në çdo moment. Së pari, duhet thënë se për dikë që e pason ndërgjegjen e tij, ritet e adhurimit dhe urdhërat e All-llahut janë mbi çdo gjë tjetër. Ai nuk harron kurrë se All-llahu është gjithnjë duke e vështruar atë. Në tregtinë në të cilën përfshihet, ai nuk është i brengosur për përfitimet e kësaj bote, por për përfitimet e tij në ahiret. Ai nuk pëson kurrë rënie sa i përket sinqeritetit dhe kurrë nuk vepron çfarëdo vepre për të cilën nuk do të jetë në gjendje të jap llogari apo për të cilën do të turpërohet në ahiret. Edhe nëse e di se do të humbet të ardhura, ai nuk joshet të mashtrojë në masë, peshë apo kalkulim. Ai është më i sigurt dhe më i besueshëm për çfarëdo çështje. Ai nuk e vonon pagesën e borxhit të tij kur ka mjete ose nëse dikush që i ka borxh atij është në vështirësi, ai mund të heq dorë nga borxhi. Në Kur'an këshillohemi në këtë mënyrë:
"Nëse e dini se borxhliu është ngushtë, shtyjani afatin (e shlyerjes së borxhit) derisa ta përmirësojë gjendjen. Por është më mirë për ju që t'ia falni borxhin, veç sikur ta dinit." (Sure Bekare: 280)
Një besimtar nuk harron kurrë se e vetmja forcë që do t'i dhurojë të mira dhe përparim është me All-llahun. Ai nuk bën mëkat duke u prishur me atë që ka, por përkundrazi i falënderohet All-llahut për çdo të mirë që Ai i dhuron.
Ka shumë ndodhi të tjera me të cilat ballafaqohet njeriu në jetën e tij të përditshme përmes të cilave ai mund ta përkujtojë All-llahun dhe të kërkojë kënaqësinë e Tij duke u mbështetur në të vërtetën dhe urtësinë e Fjalës së Tij që iu komunikua të Dërguarit të Tij në Kur'an. Çdonjëri që dëshiron të jetojë sipas dinit duhet ta lexojë Kur'anin duke përdorur ndërgjegjen e tij dhe të praktikojë atë që lexon përsëri duke përdorur ndërgjegjen e tij.
Ndërgjegja e njeriut merr përsipër shumë dhimbje në të punuarit për të fituar kënaqësinë e All-llahut. Ajo gjithmonë mendon: 'Si mund ta kënaq All-llahun më së shumti?' Ajo kurrë nuk kërkon kënaqësinë e të tjerëve apo nuk brengoset për pozitën e saj në sytë e të tjerëve. Ajo i drejtohet vetëm All-llahut me pendim.
Disa njerëz e jetojnë Islamin jo duke përdorur ndërgjegjen e tyre, por në një mënyrë tradicionale dhe të bërë zakon ashtu siç i kanë parë paraardhësit e tyre. Ata i kryejnë disa rite të adhurimit që i kanë mbajtur në mend dhe janë të kënaqur me këtë. Ata kanë zgjedhur një mënyrë jetese që nuk ka respekt të sinqertë për Islamin. Arsyeja pse e bëjnë këtë mund të jetë për të shmangur konfliktin me bashkëpunëtorët e tyre apo thjeshtë vetëm për arsye se janë edukuar në atë mënyrë. Në vend se të mendojnë se çfarë të bëjnë për ta kënaqur All-llahun më së shumti, ata mendojnë: 'Cili është minimumi që do të duhej të bëja për t'i bërë njerëzit të besojnë se unë jam fetar?'
Mirëpo, është e pamundur që Islami të jetohet pa e futur në përdorim ndërgjegjen plotësisht. Një person vërtetë i ndërgjegjshëm mendon për atë se si do të mund të praktikonte çdo veprim në mënyrën më të mirë. Ai përpiqet të sigurohet që veprat e tij dhe të folurit i tij nuk do të paraqesin rrezik për Ditën e Llogarisë. Ai e di se do të jetë i shpërblyer në ahiret për atë që ka bërë. All-llahu i paralajmëron njerëzit lidhur me këtë:
"Faleni namazin dhe jepeni zeqatin! Çfarëdo të mire që të bëni për shpirtin tuaj, do ta gjeni tek All-llahu. Në të vërtetë, Ai sheh mirë gjithçka që bëni." (Sure Bekare: 110)
Një shembull nga Kur'ani për dikë që kërkon të bëj më të mirën brenda mundësive të tij dhe në mënyrën më të bukur është urdhëri i dhënë besimtarëve që 'të flasin atë që është më e mira'.
"Ata (hipokritët) betohen për All-llahun me deklarata solemne, se po t'i urdhërosh ata (o Muhamed), që të shkojnë në luftë - ata me siguri do të shkojnë. Thuaj: "Mos u betoni! Ju kërkohet bindja e jo betimi. Vërtet, All-llahu e di me hollësi gjithçka që ju bëni." Thuaju, robërve të Mi, që të flasin atë që është më e mira. Në të vërtetë, djalli mbjell ngatërresa ndërmjet tyre. Vërtet, djalli është armik i hapët i njeriut." (Sure Isra': 53)
Ai që e di këtë urdhër të All-llahut do të gjejë fjalët më të mira duke iu drejtuar ndërgjegjes së tij. Ai nuk do të thotë vetëm çkado që t'i vijë në mendje. Përkundrazi, ai i flet fjalët më të bukura dhe më mbresëlënëse dhe është shumë i kujdesshëm për të mos i lënduar apo hidhëruar njerëzit me të cilët bisedon. Ai i zgjedh fjalët të cilat do ta kënaqin All-llahun më së shumti dhe ndërsa flet ai përdor ndërgjegjen e tij si referencë kyçe.
Në një ajet tjetër, All-llahu e kategorizon njerëzimin në tri grupe sa i përket lidhjes së tyre me Islamin:
"Pastaj, Ne ua dhamë Librin robërve Tanë të zgjedhur (nga ndjekësit e Muhamedit a.s.). Disa prej tyre i bëjnë dëm vetes (duke bërë vepra të ndaluara), disa janë në rrugë të mesme (duke kryer detyrimet dhe duke shmangur të ndaluarat), ndërsa disa, me lejen e All-llahut, shkojnë përpara me të mira (përtej detyrimeve); kjo është dhuntia e madhe." (Sure Fatir: 32)
Siç theksohet në këtë ajet, disa njerëz nuk jetojnë fare sipas Islamit. Të tjerët vetëm pasojnë një pjesë që i urdhëron ndërgjegjja dhe shpenzojnë vetëm një pjesë të kohës dhe të mjeteve të tyre për Islamin, ndonëse jo kur kjo bie në kundërshtim me interesat e tyre. Ata nuk bëjnë përpjekje serioze për Islamin dhe që sjellja e mirë të përhapet në mesin e njerëzve. Duke menduar se ata tashmë i kushtojnë vëmendje asaj që është e ndaluar dhe e lejuar, ata e marrin si punë të kryer se veprimet e adhurimit që praktikojnë i bëjnë ata moralisht kompetent.
Në të vërtetë, ajo që më së shumti i shkon për shtati ndërgjegjes është të zgjedh dhe të praktikojë prej atyre veprave më të drejta moralisht dhe atyre më të bukurave që janë të lejueshme dhe të pranueshme. Në lidhje me këtë, në Kur'an, All-llahu u drejtohet me respektin më të lartë atyre të cilët ndjekin atë që është më e mira prej fjalëve që u thuhen:
"Të cilët, pasi i dëgjojnë fjalët (që u thuhen), ndjekin atë që është më e mira prej tyre. Këta janë ata që All-llahu i ka udhëzuar në rrugë të drejtë; këta janë mendarët." (Sure Zumer: 18)
Grupi i tretë, të cilët ia kalojnë njëri tjetrit në mirësi, janë ata që veprojnë në pajtim të plotë me ndërgjegjen e tyre. Ata ia kalojnë njëri tjetrit në vepra për të fituar shpërblimin më të lartë nga Zoti i tyre dhe prijnë me dëshirë në çdo shërbim dhe vepër të mirë, pa pritur që dikush tjetër ta bëjë atë. Kur ka gjëra më të mira që ata mund t'i bëjnë, ndërgjegjja e tyre nuk i lejon ata të vazhdojnë me më të voglën, pa bërë përpjekje për më shumë.
Siç shihet, ndërgjegjja kërkon jo vetëm njohjen e All-llahut dhe pranimin e ekzistencës së Tij, por edhe kryerjen e veprave që do ta kënaqin Atë dhe që kësaj t'i kushtohet vëmendje e madhe. Shumica e njerëzve pandehin se vetëm të besuarit në ekzistencën e All-llahut është i mjaftueshëm. Në disa ajete të Kur'anit, këtyre njerëzve u thuhet kështu:
Thuaj: "Kush ju ushqen nga qielli dhe Toka? Kush mundëson të dëgjuarit dhe të parit? Kush mund të nxjerrë të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla? Kush i drejton gjërat?" Ata do të thonë "All-llahu". E ti (o Muhamed) thuaj: "Atëherë, përse nuk e keni frikë Atë?" Ky është All-llahu, Zoti juaj i vërtetë. E çfarë ka pas së vërtetës, përveç humbjes? Atëherë, përse largoheni? (Sure Junus: 31-32)
Siç shihet në ajetet e mësipërme, të tillët besojnë në ekzistencën e All-llahut dhe madje pranojnë se All-llahu i furnizon ata, se Ai dhuron jetën dhe vdekjen dhe se Ai është Krijuesi dhe Zotëruesi i çdo gjëje. Ata e përdorin ndërgjegjen e tyre vetëm aq sa për të pasur një vetëdije të tillë dhe këtë e shohin si të mjaftueshme për besimin e tyre. Megjithatë, ai që e përdor në mënyrë të plotë ndërgjegjen e tij, ndjen një frikë-respekt të plotë ndaj All-llahut pasi që mund ta kuptojë madhështinë e All-llahut. Kjo frikë dallon prej frikave tjera që përjetohen; kjo është frika e humbjes së pëlqimit të All-llahut. E tërë jeta e një personi i cili e ndjen këtë frikë kalon vetëm duke u përpjekur për të fituar kënaqësinë e Zotit të tij. Ai nuk i vendos vetes ndonjë kufi në afrimin me All-llahun. Në Kur'an, All-llahu e merr Ibrahimin si shembull dhe thotë:
"Kush është besimtar më i mirë se ai që i dorëzohet sinqerisht All-llahut, duke qenë bamirës dhe zbatues i fesë së pastër të Ibrahimit, të cilin All-llahu e ka marrë për mik të ngushtë?! (Sure Nisa': 125)
Dikush që vepron njëqind përqind sipas ndërgjegjes së tij, do të përpiqet të arrijë nivelin më të lartë të mundur të të kuptuarit për mendjen njerëzore; ai do të punojë ditë dhe natë për ta kuptuar fuqinë dhe madhështinë e All-llahut dhe për t'iu afruar Atij dhe për t'u bërë mik i ngusht i Tij. Pasi që nuk mund të jetë i sigurt asnjëherë se ka vendosur shkallën më të lartë të miqësisë dhe afërsisë, përpjekja dhe gatishmëria e tij nuk do të prajnë derisa të vdes.
Njeriu mund ta pyes veten se si është e mundur me qenë i afërt me All-llahun. Çelësi i kësaj është përsëri ndërgjegjja jonë, siç shpjegohet në fletët në vazhdim.