Po të pyetej njeriu për gjënë më të rëndësishme në jetën e tij, cila do të ishte përgjigjja e tij? A do të ishte shtëpia e tij, familja e tij, puna e tij apo ndoshta idealet e tij? Cila do qoftë përgjigjja, ai nuk duhet të harrojë se ekziston një çështje shumë më e rëndësishme të cilën ai mund ta ketë harruar.
Çështja më e rëndësishme në jetën e njeriut është që ai ta njoh All-llahun I Cili e ka krijuar atë dhe i ka dhënë atij gjithçka që posedon dhe për të bërë përpjekje për t'u afruar afër Tij. Shumica e njerëzve e jetojnë jetën e tyre duke e shpërfillur këtë fakt. Bëja këtë pyetje personit të parë që takoni, ose pyeteni çdonjërin që takoni për çështjet më të rëndësishme dhe më urgjente në jetën e tyre. Përgjigjet që do t'i merrni do të jenë të lidhura me jetën e kësaj bote.
Mirëpo, ai i cili e përdor ndërgjegjen e tij, menjëherë e kupton rëndësinë e afërsisë me All-llahun dhe kërkon mënyrat për t'iu afruar Atij më shumë. Sepse në Kur'an urdhërohet:
"O besimtarë! Kini frikë All-llahun, përpiquni që t'i afroheni Atij me vepra të mira dhe luftoni në rrugën e Tij për të shpëtuar!" (Sure Ma'ide: 35)
Çdo gjë rreth jush është krijuar në pajtim me nevojat e njerëzimit. Trupi juaj punon në mënyrë të përsosur pa asnjë kujdes nga ana juaj. Zemra nuk harron të rrah, as nervat nuk dështojnë t'i bartin porositë e nevojshme në trurin tuaj. Të gjitha llojet e ushqimit të domosdoshme për të ushqyerit dhe mbijetesën tuaj janë natyrshëm të pranishme në botë dhe sasia e duhur e oksigjenit që ju nevojitet është e pranishme në atmosferë. Ju keni një strukturë muskulore dhe skeletore që ju ndihmon të lëvizni lehtësisht madje pa menduar fare për këtë. Ju mund t'i kapni dhe t'i mbani shumë gjëra dhe të ecni apo të vraponi distanca të mëdha. Përveç funksioneve minimale për mbijetesën tuaj, ju gjithashtu mund të ndjeni ndjesi që dallojnë shumë prej njëra tjetrës për të cilat u është dhuruar vetëdije e nevojshme. Shija e ushqimeve të ndryshme, prekja e materialit të butë, bukuria e një pamje që shihni apo biseda e një shoku të gjitha mund të ju sjellin kënaqësi. Dhe ju keni një Krijues me fuqi superiore I Cili i ka krijuar të gjitha këto për ju. Ai ju krijoi ju nga asgjëja, kur ju ishit asgjë. Po të mos dëshironte Ai, ju do të mbeteshit asgjë. Mirëpo, All-llahu dëshiroi dhe ju krijoi në formën e një qenie njerëzore.
Këtu mund të përmenden vetëm disa prej mirësive që All-llahu u dhuron njerëzve. Do të ishte e pamundur të numërohen të gjitha mirësitë e All-llahut, siç theksohet në ajetin vijues:
"Nëse do t'i numëronit mirësitë e All-llahut, nuk do të mund t'i llogarisnit ato…" (Sure Nahl: 18)
Veç këtyre mirësive, All-llahu u ka premtuar atyre që e ndjekin rrugën e Tij në jetën e kësaj bote shpërblimin më të bukur: parajsën përgjithmonë dhe çdo dëshirë të plotësuar.
Si shpërblim për mirësitë e All-llahut, përgjegjësia më e madhe nga ana juaj është pa dyshim që t'i falënderoheni All-llahut për gjithçka që Ai ju ka dhuruar. Në një ajet thuhet:
"All-llahu ju ka nxjerrë nga barku i nënave tuaja e ju nuk dinit asgjë dhe ju dha të dëgjuarit, të parët dhe zemrat, që të jeni falënderues." (Sure Nahl: 78)
Të gjitha mirësitë që u janë dhuruar gjatë gjithë jetës suaj janë vetëm prej All-llahut:
"Begatitë, që All-llahu ua jep njerëzve nga mëshira e Tij, nuk mund t'i pengojë askush, ndërsa atë, që Ai e pengon, askush nuk mund ta japë veç Tij; Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti. O njerëz! Kujtoni dhuntinë e All-llahut për ju! A ka ndonjë krijues, veç All-llahut, i cili ju furnizon nga qielli dhe Toka? S'ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij. Atëherë, si po largoheni ju?" (Sure Fatir: 2-3)
Ekzistenca e vazhdueshme e njeriut është e mundur vetëm me Dëshirën e All-llahut, kështu që është e qartë se qenia më e rëndësishme do të jetë All-llahu dhe çështja më e rëndësishme do të jetë që të afrohemi sa më afër Tij. Megjithatë, shpeshherë, njerëzit janë të hutuar me hollësitë e jetës së përditshme dhe rrallëherë shpenzojnë një çast për të menduar lidhur me këtë. Ata i kushtojnë shumë rëndësi asaj që mendojnë të tjerët për ta, dhe përpiqen shumë për të fituar admirimin dhe respektin e tyre, në vend se të mendojnë për mënyrat se si të kënaqin Zotin e tyre dhe të fitojnë dashurinë e Tij. Pa dyshim, kjo është mosmirënjohja më e madhe. Njeriu duhet ta dijë se të fitosh kënaqësinë e All-llahut nuk është vetëm një detyrë, por edhe mënyra e vetme për t'i siguruar vetes lumturi dhe paqe. Ata që e harrojnë All-llahun duke e kërkuar kënaqësinë e njerëzve të tjerë apo duke u hutuar nga qëllime të tjera të kota, nuk mund të gjejnë kurrë kënaqësi dhe të jenë të lumtur. Kënaqësia e All-llahut është gëzimi dhe lumturia më e madhe në të cilën zemra e njeriut do të gjejë qetësinë. Siç thuhet në Kur'an, zemrat gjejnë qetësi vetëm me përkujtimin e All-llahut:
"All-llahu… udhëzon në rrugë të drejtë të gjithë ata që kthehen tek Ai: ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet All-llahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e All-llahut!" (Sure Ra'd: 28)
Njerëzit në përgjithësi janë të pavetëdijshëm për All-llahun dhe botën tjetër, dhe kur të jenë të shtyrë do të pranojnë se janë të vetëdijshëm që kjo është e vërtetë. Megjithatë, arsyeja pse ata jetojnë larg All-llahut është se ata janë harrestar dhe duhet ta përkujtojnë vazhdimisht veten e tyre me anë të dhikrit (përkujtimit) dhe meditimit. Ai i cili me të vërtetë e kujton gjatë gjithë kohës ekzistencën e All-llahut dhe dënimin e zjarrit të xhehennemit nuk do të bëhet kurrë përtac apo i pavëmendshëm. A ka ndokush që mund të qëndrojë për të dhënë llogari në Ditën e Gjykimit në prag të zjarrit dhe të mendoj për ndonjë qenie tjetër, pos All-llahut? Në një moment të tillë, a mund të merret parasysh kënaqësia e dikujt tjetër përveç All-llahut? Dashurinë dhe miqësinë e kujt do të dëshironte ta fitonte më së shumti dikush në atë gjendje? A do të ketë farë peshe mendimi i një miku apo të afërmi, apo a do të sjellë çfarëdo përfitimi qoftë?
Se pasuria dhe shoqëria e ngushtë nuk kanë rëndësi për ata që kanë parë zjarrin e Xhehennemit është shpallur në ajetet më poshtë:
"(Në atë Ditë) shoku s'do të pyesë për të shokun, edhe pse do të vihen të shohin njëri-tjetrin. Për të liruar veten nga dënimi i asaj dite, fajtori do të sakrifikonte me gjithë qejf fëmijët e vet, edhe gruan, edhe vëllanë e vet, edhe farefisin, që i gjendej pranë (ne jetën e Tokës), si dhe të gjithë ata që gjenden në faqe të Tokës, nëse kjo do të mund ta shpëtonte. Por jo, (fajtori do të hidhet në zjarr)! Ai është zjarr flakërues." (Sure Me'arixh: 10-15)
Siç mësojmë nga Kur'ani dhe kuptojmë me ndërgjegjen tonë, një njeri duhet të jetojë gjithë jetën e tij për All-llahun. Nëse dëshironi ta jetoni gjithë jetën tuaj në një mënyrë që është e kënaqshme për All-llahun, mjafton që t'i zbatoni urdhërat e Kur'anit, të ndjekni shembullin e Pejgamberit (savs), dhe ta dëgjoni ndërgjegjen tuaj kur të përballeni me ato që u ndodhin në jetë. Të pasuarit e zërit të ndërgjegjes nga ana juaj në çdo rrethanë me të cilën përballeni, e madhe apo e vogël qoftë ajo, nënkupton të pasuarit e kënaqësisë së All-llahut nga ana juaj. Prandaj, duke dëgjuar zërin e mirësisë brenda jush, ju që All-llahu të jetë i kënaqur me çdo veprim që bëni.
A është ndërgjegjja e çdokujt e njëjtë?
Njerëzit të cilët nuk bëjnë përpjekje për të fituar kënaqësinë e All-llahut mund të bëjnë vepra që atyre mund t'iu duken të mira. Ata mund të jenë prej natyre njerëz të kujdesshëm, të mirë. Megjithatë, nëse veprat e mira që ata bëjnë nuk i bëjnë për të fituar kënaqësinë e All-llahut, ata mund të mos gjejnë miratim dhe nderim për këtë tek All-llahu. Këta njerëz bëjnë mirësi jo sepse ata vërtetë e pasojnë ndërgjegjen e tyre, por për hir të interesave personale, të tilla si ndjenja e kënaqësisë që rezulton nga reputacioni i të qenit person 'dashamirës', apo thjesht për një kënaqësi sentimentale.
Me fjalë të tjera, qëllimi për t'iu nështruar ndërgjegjes është më i rëndësishëm se sa veprimi vetë. Nëse një njeri dëshiron që e tërë jeta e tij të jetë për All-llahun, ai duhet të veprojë në përputhje me këtë qëllim. Për shembull, në qoftë se ai bën një vepër të mirë ai duhet të kërkojë kënaqësinë e All-llahut në vend të miratimit dhe vlerësimit të njerëzve, apo të një ndjenje personale të kënaqësisë. Kjo do ta ndihmojë atë për të menduar vazhdimisht për All-llahun dhe për t'iu drejtuar Atij për të gjitha nevojat e tij. Në Kur'an, All-llahu i lavdëron njerëzit e tillë:
"Ti duroje atë që thonë ata dhe kujtoje robin Tonë të fuqishëm, Daudin, që përherë i drejtohej Zotit." (Sure Sad: 17)
All-llahu shpall në Kur'an disa mënyra që do të shërbejnë si mjet për t'u afruar afër Tij:
"Dhe ata që kanë prirë (në besim) e që do të prijnë (edhe në Xhenet). Ata janë të afërtit (tek All-llahu)." (Sure Uaki'a: 10-11)
"Po ka nga beduinët të atillë që besojnë All-llahun dhe Ditën e Kiametit dhe shpenzimin (në rrugë të All-llahut) e quajnë si mjet për t'iu afruar All-llahut dhe për të merituar bekimin e të Dërguarit. Dhe vërtet që kjo do t'u sjellë afrimin: All-llahu do t'i pranojë ata në mëshirën e Vet. Njëmend, All-llahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë." (Sure Teube: 99)
Çdo akt i ndërgjegjshëm i kryer për All-llahun është një mjet për t'u afruar afër All-llahut. Nuk duhet harruar se All-llahu u jep lajmin e gëzuar të parajsës atyre që janë të afërt me Të:
"Por e vërteta është se nëse ai (në agoni) është nga ata që janë të afërt (me All-llahun), do të ketë prehje, kënaqësi dhe dhunti të Xhenetit. E, nëse është nga njerëzit e së djathtës, (ai do të përshëndetet) "Paqe për ty" nga njerëzit e së djathtës." (Sure Uaki'a: 88-91)