Nëse pyeten, shumica e njerëzve do ta karakterizonin veten si njerëz shumë të ndërgjegjshëm. Megjithatë, sa i përket çështjes së ndërgjegjes, ashtu si në të gjitha çështjet e tjera, kriteri i vetëm është Kur'ani. Në Kur'an, All-llahu rrëfen shumë ngjarje dhe biseda të shoqërive të kaluara. Në secilin prej këtyre ka paralajmërime dhe shembuj për njerëzit. Shembulli më i mirë për njerëzit që përdorin ndërgjegjen e tyre në mënyrë të plotë është ai i të Dërguarit të All-llahut (savs). Në ajetet e Tij, All-llahu thotë:
"Në të Dërguarin e All-llahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek All-llahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë All-llahun." (Sure Ahzab: 21)
Në ajetet e tjera, All-llahu e merr si shembull Profetin Ibrahim dhe Profetin Isa:
"Ai (Isai) ishte vetëm një rob, të cilit Ne i dhuruam (Profeci) dhe e bëmë shembull për bijtë e Izraelit." (Sure Zuhruf: 59)
"Shembull i mrekullueshëm për ju është Ibrahimi dhe ata që kanë qenë me të…" (Sure Mumtehine: 4)
Në Suren Jusuf, All-llahu thekson se tregimet e të dërguarve janë paralajmërim për njerëzit:
"Në tregimet e atyre (të dërguarve) ka këshilla për ata që janë me mend. Ky (Kuran) nuk është tregim i trilluar, por ai është vërtetues i atyre (librave) që janë shpallur para tij, është shpjegues i çdo gjëje dhe udhërrëfyes e mëshirë për njerëzit besimtarë." (Sure Jusuf: 111)
Për këtë arsye, të gjithë ata që lexojnë Kur'anin duhet të krahasojnë sjelljet dhe veprimet e tyre me ato të të dërguarve dhe të bëjnë përpjekje serioze për t'i imituar ata.
Duhet të qartësohet se thëniet dhe veprimet e të dërguarve ishin të tilla në sajë të shpalljes Hyjnore, jo të ndërgjegjes. Megjithatë, njeriu mund të bëjë një analogji në mes të shpalljes Hyjnore të të dërguarve dhe të ndërgjegjes në veten tonë. Të dyja janë të frymëzuara në mënyrë hyjnore dhe nuk mund të mos zbatohen apo të shpërfillen. Megjithatë, është thelbësore të kuptohet se ndërgjegjja jonë kurrë nuk mund të jetë në kundërshtim me shpalljen.
Në Kur'an, njerëz të tjerë përveç të dërguarve janë dhënë gjithashtu si shembuj të njerëzve të ndërgjegjshëm të cilët kanë takva. Merjemja, nëna e Profetit Isa, Asija gruaja e faraonit të Egjiptit dhe magjistarët që iu bindën Profetit Musa, përkundër tiranisë së faraonit, janë disa shembuj të njerëzve të drejtë të cilët ne duhet t'i imitojmë.
Profetët jetuan jetët e tyre duke e shpjeguar fenë e vërtetë me durim dhe këmbëngulje të madhe, pa bërë kompromis në asnjë rrethanë. Në Kur'an thuhet se Profeti Nuh (as) e thirri popullin e tij ditë dhe natë në rrugën e All-llahut, duke i paralajmëruar ata për ndëshkimin e Tij. Ai nuk u lëkund përballë talljes dhe shtypjes së tyre.
Ai tha: "O Zoti im, unë e thirra vërtet popullin tim natë e ditë, por thirrja ime edhe më tepër i largoi (nga e vërteta). Sa herë, që i thirrja për t'i falur Ti, ata shtinin gishtërinjtë në veshë dhe mbuloheshin me petkat e tyre, duke këmbëngulur me mendjemadhësi (në mosbesim). Pastaj i thirra me zë të lartë. Më pas ua shpalla edhe botërisht, edhe fshehurazi e u thashë: "Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh." (Sure Nuh: 5-10)
Profeti Nuh bëri gjithçka që All-llahu dhe ndërgjegjja e tij e urdhëruan për të bërë. Thirrja që ai u bëri njerëzve ditë dhe natë në Islam, fshehurazi dhe haptas tregon angazhimin e tij serioz dhe të sinqertë. Përgjigjja që dha populli i tij është theksuar në Kur'an:
"Para tyre (i) ka përgënjeshtëruar (shenjat Tona) populli i Nuhut. Ata e quanin gënjeshtar robin Tonë (Nuhun), i thoshin "i çmendur", e pengonin dhe e kërcënonin." (Sure Kamer: 9)
Si përgjigje ndaj tejkalimit të kufijve nga populli i tij, All-llahu i shpalli Nuhut:
"Nga populli yt askush nuk do të besojë, përveç atyre që tashmë kanë besuar, andaj mos u pikëllo për atë që bëjnë ata! Ndërto anijen nën Sytë (mbikqyrjen) dhe udhëzimin Tonë dhe mos m'u drejto më për ata që janë keqbërës! Ata, me siguri, do të fundosen." (Sure Hud: 36-37)
Profeti Nuh ia komunikoi mesazhin popullit të tij derisa nuk arriti ndihma e All-llahut. Ai kurrë nuk hoqi dorë nga shpjegimi i fesë përkundër të gjitha vështirësive me të cilat u përball. Kjo pa dyshim kërkoi durim të madh. Të gjithë profetët e përmendur në Kur'an i ftuan popujt e tyre në Islam me të njëjtën vendosmëri dhe durim. All-llahu u dhuroi këtyre robërve të drejtë të Tij urtësi dhe të folur bindës dhe dituri. Ndërsa komunikimi i mesazhit nga secili prej tyre ka qenë mjet për udhëzimin e besimtarëve, ai ka shërbyer edhe për të zbuluar gënjeshtrat e jobesimtarëve. Nëpërmjet të dërguarve të Tij, All-llahu e ka goditur të pavërtetën me të vërtetën dhe ka bërë që ajo të shkatërrohet e të zhduket. Në një ajet, shpjegohet ky rregull hyjnor:
"Por Ne e godasim të pavërtetën, me të vërtetën, e cila e shkatërron atë dhe ajo zhduket. Dhe, mjerë për ju, për atë që i vishni (All-llahut!)" (Sure Enbija': 18)
"Me të vërtetë, Ibrahimi ka qenë prijës shembullor (me të gjitha virtytet e mira), i përulur para All-llahut, me besim monoteist dhe nuk ka qenë nga idhujtarët, (por ka qenë) mirënjohës ndaj dhuntive të Tij. Ai e zgjodhi atë dhe e udhëzoi në rrugë të drejtë. Ne i kemi dhënë atij të mira në këtë botë, ndërsa në botën tjetër, sigurisht që ai do të jetë nga të mirët." (Sure Nahl: 120-123)
Profeti Ibrahim (as) ishte i vetëm ndërsa i luftonte jobesimtarët. Nuk e kishte askënd pranë vetes për ta ndihmuar dhe mbështetur atë fizikisht apo shpirtërisht. Megjithatë, ai këmbënguli deri në atë shkallë sa që mëkatarët e lig deshtën ta djegin atë për së gjalli, vetëm për shkak të predikimit të së vërtetës atyre. All-llahu me fuqinë e Tij të pafund e shpëtoi Profetin Ibrahim nga një vdekje e tillë e mundimshme dhe e mbrojti atë prej armiqve të tij.
Ata thirrën: "Digjeni atë dhe ndihmoni zotat tuaj, nëse doni të bëni ndonjë vepër!" Ne thamë: "O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!" Ata deshën ta lëndonin, por Ne i bëmë të dështonin. (Sure Enbija': 68-70)
Profeti Ibrahim është një shembull i devotshmërisë së profetëve ndaj All-llahut dhe i vendosmërisë së tyre në rrugën e All-llahut. All-llahu e përshkruan atë përmes ajetit 'Ibrahimi ishte njeri i dhembshur dhe i butë' (Sure Teube: 114). Ai ishte njeri shumë i vëmendshëm, person i ndërgjegjshëm dhe All-llahu do të ndihmojë patjetër robërit e Tij që shfaqin cilësi të tilla.
Të gjithë të dërguarit e All-llahut kanë shfaqur cilësitë më të shkëlqyera dhe më sublime. Për Profetin Jahja (as), All-llahu thotë në Kur'an:
"[Ne i dhamë atij] …butësi prej Nesh dhe dëlirësi. Ai ishte besimtar i përkushtuar dhe i sjellshëm ndaj prindërve të vet, nuk ishte i ashpër dhe i padëgjueshëm." (Sure Merjem: 13-14)
Këto atribute nënkuptojnë një ndërgjegje të lartë të Profetit Jahja që nuk është e prirur për ndonjë rebelim ndaj All-llahut.
Merjemja (ra), e cila e lindi Profetin Isa pa baba me urdhërin: 'Bëhu' të All-llahut, është një besimtare e drejtë e dhënë si shembull në Kur'an për të gjitha gratë e botës. Merjemja u edukua me kujdes dhe vëmendje të madhe dhe All-llahu bëri që 'ajo të rritet mirë' (Sure Al 'Imran: 37). Ajo kishte një epërsi në sjellje dhe karakter që rrallëherë shihet në ditët tona. Në Kur'an, thuhet se All-llahu e zgjodhi Merjemen mbi të gjitha gratë e tjera:
(Kujto) kur engjëjt thanë: "O Merjeme! All-llahu të ka zgjedhur, të ka pastruar dhe të ka parapëlqyer ty mbi të gjitha gratë e botës. O Merjeme! Bindju Zotit tënd! Bëj sexhde dhe përkulu në ruku bashkë me ata që përkulen (duke adhuruar All-llahun)!" (Sure Al 'Imran: 42-43)
Një nga aspektet më të shquara të Merjemes në Kur'an është shqetësimi i saj për nderin e saj. Kjo nuk ishte për shkak të traditës, zakoneve apo rregullave të shoqërisë, por për shkak të përkushtimit të saj ndaj All-llahut dhe përpikmërisë së saj në lidhje me urdhrat e Tij.
Shtatzënia e Merjemes me Profetin Isa (as) dhe lindja e tij nga ajo rrëfehen në hollësi në Kur'an. Engjëlli Xhibril erdhi tek Merjemja me lajmin e gëzuar për një djalë në të cilin All-llahu kishte frymëzuar frymën e Tij. Kjo ishte një dhuratë e madhe për të nga All-llahu, sepse ky djalë do të ishte profet.
Duke lindur e vetme me ndihmën dhe mbrojtjen e All-llahut, Merjemja u bë shembull për botën kur u kthye tek bashkësia e saj, duke shfaqur karakter të fortë. Ajo dhe familja e saj ishin të njohur si njerëz të devotshëm, të pastër dhe besimtarë në vendin ku jetonin. Kur Merjemja, pas një kohe të gjatë, u kthye në vendin e saj me një foshnje, mësoi se të gjithë bashkatdhetarët e saj ishin kundër saj. Kishte disa prej tyre që nuk kishin besuar se Profeti Isa ishte një lajm i gëzuar për të prej All-llahut, dhe shpifën për të dhe u përpoqën t'i bëjnë dëm asaj.
Pasi që Merjemja veproi në përputhje me kënaqësinë e All-llahut, dhe jo për të fituar miratimin e njerëzve, ajo nuk u prek nga mendimi i tyre. Në shoqëritë e injorancës, megjithatë, ka shumë njerëz të cilët, vetëm për shkak të reagimit të mundshëm që mund të nxitet nga njerëzit e tjerë, largohen nga ndërgjegjja e tyre, nuk e kryejnë namazin dhe veprat e tjera të adhurimit rregullisht, dhe shpërfillin atë që është e ndaluar dhe e lejuar.
All-llahu urdhëroi Merjemen të mos flas me askënd në mënyrë që ajo të mos u ekspozohej akuzave të bashkësisë së saj dhe të deklarojë se ishte betuar për agjërim. Menjëherë pas kësaj, Ai krijoi një mrekulli që do të bëjë që të gjitha shpifjet të ndërpriten. Profeti Isa, i cili ishte vetëm një foshnje në djep, filloi të flasë dhe të jap shpjegime në emër të nënës së tij.
Ajo bëri me shenjë nga i biri. Ata thanë: "Si t'i flasim ne fëmijës që është në djep?" Ai (Isai në djep) tha: "Unë jam rob i All-llahut. Ai më ka dhënë Librin (Ungjillin), më ka bërë profet dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap zeqat sa të jem gjallë dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm. Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur, në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!" (Sure Merjem: 29-33)
Kështu, Merjemja u mbështet në mënyrën më të mirë kundër bashkësisë së saj me një mrekulli nga All-llahu. Historia e saj tregon karakterin e fortë dhe të guximshëm të dikujt që është i përkushtuar me gjithë zemër ndaj All-llahut.
Asija (ra) ishte gruaja e faraonit që kishte nën sundimin e tij bijtë e Izraelit në Egjipt gjatë kohës së Profetit Musa. Kjo grua e drejtë e cila ishte e martuar me një njeri, i cili kishte hyrë në histori si një nga njerëzit më tiran në botë, ka nderin e të qenit e kujtuar si njëra prej muslimaneve në pozitën më të lartë në histori. Karakteri i saj është dhënë si shembull për besimtarët në Kuran:
"All-llahu ka dhënë si shembull për besimtarët gruan e Faraonit…" (Sure Tahrim:11)
Si gruaja e faraonit ajo do të kishte gëzuar statusin më të lartë dhe do të kishte qasje në një pasuri dhe mirëqenie të pakufizuar, ndërsa ata që e kundërshtuan atë jetuan në mjerim dhe frikë nga ndëshkimi i rëndë apo vdekja. Megjithatë, Asija as nuk ishte joshur nga rehatia e pasurisë as nuk kishte frikë nga zemërimi i burrit të saj. Kur'ani na tregon:
"Por Musait nuk i besoi askush, përveç një pakice nga populli i tij, nga frika se do t'i keqtrajtonte Faraoni dhe paria e tij. Faraoni ishte vërtet një tiran në tokë dhe në të keqe kalonte çdo kufi." (Sure Junus: 83)
Asija ndante të njëjtën shtëpi me këtë person mizor dhe rrethin e tij të ngushtë. Ajo gjithashtu ishte e vetëdijshme për mënyrën se si ai i shtypte ata që thanë se besojnë në All-llahun. Në një mjedis të tillë, kur besimtarët i ekspozoheshin kështu shtypjes, ajo iu nënshtrua fesë së drejtë të komunikuar nga Profeti Musa. Ndërgjegjja e saj pohoi ekzistencën e All-llahut dhe se të gjitha besimet mbizotëruese në të gjithë Egjiptin ishin të rreme. Nuk duhet harruar se ajo zotëronte pasuri dhe prona të pakufizuara. Megjithatë, ajo iu shmang gjërave të tilla që tërheqin vëmendjen dhe iu nënshtrua fesë së All-llahut. Shumë shpesh ne i shohim ata që kanë vetëm një pjesë të pasurisë dhe të pronave të saj që bëhen arrogant dhe bëjnë mëkate. Sjellja e tyre ofron një krahasim të mirë për të na ndihmuar që të kuptojmë vlerën e kësaj gruaje të drejtë.
Lutja e gruas së faraonit e shpallur në Kur'an nga All-llahu është shprehje e sinqeritetit të saj. Ajo e luti All-llahun për xhennetin e Tij duke hedhur poshtë plotësisht mirëqenien që posedonte:
All-llahu ka dhënë si shembull për besimtarët gruan e Faraonit, kur ajo tha: "O Zoti im! Ndërtomë një banesë tek Ti, në Xhenet; më shpëto nga Faraoni dhe veprat e tij dhe më shpëto nga populli keqbërës!" (Sure Tahrim: 11)
Është e rëndësishme të kemi parasysh se në Kur'an, nuk ka asnjë diskriminim midis burrave dhe grave. Të gjithë të dërguarit dhe të gjithë njerëzit e devotshëm që janë cituar si shembuj nga All-llahu kanë cilësi të njëjta të larta. Karakteristikë e përbashkët e këtyre njerëzve është bindja e tyre e çiltër ndaj All-llahut. Si rezultat, shfaqen sjellja dhe karakteri i mirë të cilat janë dhënë si shembull për botën.