"…Mos vallë, keni menduar që Ne ju kemi krijuar kot dhe që nuk do të ktheheshit te Ne?!" (Sure Mu'minun:115)
Dikush që mendon me ndërgjegjen e tij do të mendoj për qëllimin e jetës së tij dhe gjatë kërkimit të tij për këtë përgjigje, do t'i drejtohet në mënyrë të natyrshme Kur'anit, shpalljes së All-llahut. Kur dikush ka për qëllim të lexojë Kur'anin, ajo që më së shumti ka rëndësi është që ndërgjegja e tij të mbetet e hapur, dhe që ai të lexojë çdo varg me sinqeritet të madh, me qëllim që t'i praktikojë dhe të jetojë sipas tyre.
Ai që e lexon Kur'anin do ta gjejë përgjigjen për qëllimin e krijimit të tij. Në Kur'an, ky qëllim shpallet si vijon:
"Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre risk, as nuk dëshiroj që të Më ushqejnë. Vërtet, All-llahu është Furnizuesi i vetëm, i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi." (Sure Dharijat: 56-58)
Qëllimi i jetës së njeriut në këtë botë është që ai të sprovohet:
"Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t'ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë; Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i madh." (Sure Mulk: 2)
"Çdo gjë që gjendet në Tokë, Ne e kemi bërë stoli për të, për të provuar se kush prej tyre punon më mirë." (Sure al-Kehf: 7)
"Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun nga një pikë farë e përzier, për ta sprovuar dhe e bëmë që të dëgjojë dhe të shohë. Natyrisht që Ne i treguam atij rrugën e drejtë, që ai të jetë ose mirënjohës, ose mosmirënjohës." (Sure Insan: 2-3)
Ai që i lexon ajetet e mësipërme do ta kuptojë se All-llahu e krijoi jetën për të sprovuar njeriun. Ai menjëherë do të mendoj për jetën e tij, si dhe jetët e të tjerëve. Shumica e njerëzve rreth tij janë vazhdimisht duke nxituar dhe duke luftuar për jetën e kësaj bote. Ata kanë plane shumë të detajuara, të gjitha në lidhje me gjërat e kësaj bote: shkollën në të cilën do të shkojnë, punën që do ta gjejnë, martesën e tyre, fëmijët e tyre, shtëpinë ku do të jetojnë, makinën që do të blejnë, sa e madhe është rroga e tyre, ku do ta kalojnë vitin e ri, çfarë dhuratash do të marrin për ditëlindjen e tyre, pensionimin e tyre, ku do të shkojnë për pushime, etj. Gjithkush ka plane dhe synime të tilla në mendje, edhe pse çuditërisht, askush nuk gjen kohë për të menduar për qëllimin e vërtetë të pranisë së tyre në këtë botë. Njeriu i ndërgjegjshëm është dëshmitar i kësaj sjellje dhe e kupton për atë që është: pakujdesi dhe marrëzi.
All-llahu e krijoi njeriun, i dha atij jetë dhe e lejon atë të vazhdojë të jetojë. All-llahu e bëri shumë të qartë qëllimin e krijimit: 'Për të qenë rob i Tij.' E vetmja gjë që do ta bëjë njeriun të lumtur është që t'i nështrohet me bindje All-llahut, në përputhje me qëllimin e krijimit të tij, dhe t'ia kushtojë Atij gjithçka që posedon në mënyrë që të fitojë kënaqësinë e Tij. Megjithatë shumica e njerëzve, sikur mos ta dinin fare këtë fakt dhe sikur të kishin ardhur në këtë botë vetëm për t'u kënaqur, jetojnë në pakujdesi dhe lakmi. Nga ana tjetër, njeriu që mendon me ndërgjegjen e tij e vëren se shumica e njerëzve janë duke rënë në një gjendje të rrezikshme pakujdesie. Kështu që fillon të kuptojë që njerëzit e tjerë nuk mund të jenë pikë referimi për të, dhe se nëse ai i pason të tjerët, duke thënë: 'Shumica e tyre veprojnë kështu,' kjo do ta ndalojë atë nga të pasuarit e librit të All-llahut dhe nga marrja e Kur'anit si udhërrëfyesin e tij të vetëm.