Ndërgjegjja është e frymëzuar nga All-llahu, siç thuhet në Suren Shems:
"Për shpirtin dhe për Atë që e ka përsosur, duke ia bërë të njohur atij të keqen e të mirën! Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë." (Sure Shems: 7-10)
Në këto vargje, All-llahu shpallë se Ai e ka frymëzuar veten me shthurje (fuxhur) dhe takua (devotshmëri), domethënë, me vetëdijen se ç'është e drejtë për të. Fjala 'fuxhur' nënkupton 'të veprosh në mënyrë mëkatare, të mos jesh i bindur, të jesh i devijuar, të thuash gënjeshtra, të jesh kundër, të largohesh nga drejtësia, të shkaktosh telashe, të refuzosh sjelljen e mirë, e kundërta e devotshmërisë'. Koncepti i fjalës fuxhur përmban të gjitha aspektet negative të vetes së njeriut. Ekzistojnë dy anë të vetes sonë: fuxhur, i cili është burimi i së keqes, dhe ndërgjegjja, e cila mbron nga e keqja.
'En-nefs' është një term arab që shpesh përdoret në Kur'an. Ai nuk ka domethënie të drejtpërdrejtë në gjuhën angleze, por mund të përkthehet si 'vetja'. Në Kur'an ajo nënkupton: "thelbin e diçkaje, veten e saj, shpirtin, zemrën, epshin, pikën e fillimit dhe bazamentin e dëshirës dhe të zemërimit, ndërgjegjen, forcën komanduese tek njeriu". Këtu, ne do të përqëndrohemi në veçanti në cilësinë komanduese të vetes. Forca shpirtërore që nxitë njeriun për të kryer një vepër të caktuar apo për të marrë një vendim të caktuar, është vetja. Ky aspekt i vetes shpallet në shumë ajete të Kur'anit. Në këto vargje, vetja është përmendur si burim i shthurjes dhe i të keqes tek njerëzit.
Kur vëllezërit e Profetit Jusuf (as) deshën ta heqin qafe atë nga zilia, babai i tyre Profeti Jakub (as) tha:
"Nuk është kështu, por vetja juaj ju ka këshilluar diçka që ju e keni bërë…" (Sure Jusuf: 18)
Vetja e njeriut mund t'i mashtrojë njerëzit për të besuar se diçka që është e keqe është në të vërtetë e mirë.
Një tjetër ngjarje ku theksohet ndikimi i vetes rrëfehet në Suren Ta Ha. Samiri, një pjesëtar i popullit të Profetit Musa (as), largoi nga udha e drejtë një komb të tërë gjatë mungesës së shkurtër të Pejgamberit Musa, duke e bërë një statujë viçi prej stolive prej ari që i kishte grumbulluar prej njerëzve. Kur Profeti Musa u kthye dhe e mori në pyetje Samirin, përgjigjja e tij ishte:
Ai u përgjigj: "Unë pashë atë, që ata nuk e panë. Mora një grusht nga gjurmët e të Dërguarit dhe atë e hodha mbi viçin dhe kështu më nxiti vetja (e keqja) ime." (Sure Ta Ha: 96)
Një tjetër ngjarje që rrëfehet në Kur'an u zhvillua në mes të dy djemve të Profetit Adem (as). Njëri prej tyre vrau tjetrin nga xhelozia dhe pastaj ndjeu keqardhje. Në këtë ajet, All-llahu thotë:
"Vetja e tij e nxiti në vrasjen e vëllait të tij." (Sure Ma'ide: 30)
Marrja e vendimit për të vrarë dikë nuk përkon kurrë me natyrën e njeriut. Megjithatë, një cilësi e vetes së njeriut i bind disa njerëz dhe bën që kjo të duket tunduese për ta. E njëjta gjë vlen për veprat e tilla si, vjedhja, imoraliteti, të gënjyerit, xhelozia dhe kotësia.
Ajeti i mësipërm tregon se si ndërhyn indoktrinimi negativ i vetes. I biri i Profetit Adem, vëllezërit e Profetit Jusuf dhe Samiri kryen krime të ndryshme. Pika e përbashkët në të gjitha këto veprime është se ato u shkaktuan nga vetja e autorëve të këtyre krimeve. Vetja e tyre i bindi ata për t'i kryer këto krime duke i shfaqur ato si të mira, ndërsa në fakt vetja e tyre i mashtroi ata dhe i shtyri ata drejt së keqes.
Cili është burimi i fuqisë së vetes? Përgjigjja është e qartë në Suren esh-Shems, ku thuhet se fuxhuri (çdo gjë e keqe), frymëzohet prej vetes. Në këtë pikë, në mendje mund të na vijë një pyetje: në qoftë se vetja e njerëzve është e frymëzuar me të keqen, a nuk nënkupton kjo atëherë se duhet të presim sjellje të degjeneruar dhe të pamoralshme nga të gjithë?
Këtu duhet të kujtojmë një tjetër cilësi të vetes: frymëzimi negativ nuk është fuqia e vetme e vetes. Një lexim i dytë i vargjeve 7-10 të Sures esh-Shems do ta bëjë të qartë se vetja është e frymëzuar po ashtu që të ruhet nga e keqja. Kjo nënkupton se fuqitë pozitive, si edhe fuqitë negative, janë të pranishme tek vetja. Vetja e çdo qenie njerëzore posedon dy fuqi, si atë që urdhëron në të keqen dhe e paraqet atë si të mirë, ashtu edhe një fuqi pozitive që urdhëron për ruajtjen nga e keqja dhe zgjedhjen e asaj që është e mirë dhe e bukur. Kjo fuqi pozitive është ndërgjegjja. Ajo që i dallon njerëzit nga njëri-tjetri është të jetuarit e jetës së tyre ose duke e pasuar ndërgjegjen e tyre ose anët negative të vetes së tyre.
Për shumë njerëz, shejtani është një nocion mitik. Ata nuk e kuptojnë efektin që ai ka në njerëz dhe rolin që ai luan në jetën e përditshme. Në këtë libër, nuk ka kohë të mjaftueshme për të bërë më shumë se sa të prekim disa cilësi të shejtanit dhe fuqinë negative që ai ushtron ndaj ndërgjegjes. Megjithatë, kjo duhet të mjaftojë për të ndihmuar që njeriu të kuptojë se shejtani nuk është një qenie imagjinare, por një fuqi negative që e vëzhgon njeriun në hollësi dhe përpiqet ta zhys atë në gjynah.
Shejtani nuk iu bind All-llahut dhe nuk i rra në sexhde Profetit Adem. Për shkak të xhelozisë dhe arrogancës së tij, ai vendosi t'i largojë qeniet njerëzore, të cilat i konsideronte më inferiore se ai, nga rruga e All-llahut. Në Kur'an, përmendet se shejtani u jep dëshira të rreme zemrave, përpiqet t'i bëjë njerëzit të dyshojnë në ekzistencën e All-llahut dhe në botën tjetër, dhe bën që jeta e kësaj bote t'iu duket tërheqëse atyre. Në fakt, shejtani është përfaqësimi i fuqive negative që janë të pranishme tek vetja. Ndërsa ndërgjegjja e njeriut e drejton atë gjithmonë nga e drejta, shejtani e drejton gjithmonë atë nga e gabuara.
Megjithatë, shejtani nuk e bën këtë në mënyrë të vetëkuptueshme. Ai ka metoda të ndryshme që përdor në mënyrë të fshehtë. Për shembull, ai mund t'i pëshpëris dikujt: "Ti je një njeri i mirë; ti thua se je musliman; nëse parajsa ekziston, ti do të shkosh atje". Ndoshta ky person as nuk e fal namazin rregullisht, dhe as nuk i zbaton urdhërat e tjera të All-llahut, por shejtani e bën atë të ndjehet i sigurt dhe të thotë: 'Unë jam musliman' 'kjo është e mjaftueshme'. Ai nuk e shtynë atë ta mohojë plotësisht ekzistencën e botës tjetër, por bën që ai ta jetojë një jetë afër mosbesimit nën emrin e Islamit. Ajo që është më e rëndësishme është se personi, i pavetëdijshëm se ky është një plan i qëllimshëm i sajuar nga shejtani për ta tërhequr atë në ferr, i merr pëshpëritjet e shejtanit si mendimet e tij. Këtu nuk duhet harruar se ndërgjegjja gjithmonë i flet njeriut që ta jetojë Islamin e vërtetë, por shumica e njerëzve i pasojnë pëshpëritjet e shejtanit në vend të ndërgjegjes së tyre, sepse kjo i përshtatet qëllimeve të vetes së tyre.
Këtu ne kuptojmë rëndësinë e ndërgjegjes sa i përket sprovës së vazhdueshme në këtë botë. Si ndërgjegjja ashtu edhe shejtani - burimi i të gjitha interesave personale, pasioneve, dhe të keqes – shfaqen në çdo rast. Të dyja e thërrasin njeriun për në rrugën e vet. Ata që mund të bëjnë dallimin në mes këtyre dy zërave dhe që pasojnë ndërgjegjen e tyre e fitojnë kënaqësinë e All-llahut.
Një tjetër pikë e rëndësishme për ta kuptuar është se shejtani nuk do të largohet nga njeriu deri në vdekje, ose madje edhe përtej vdekjes deri në pikën kur shpirti të dërgohet në ferr. Kjo nuk duhet harruar. Ngjashëm me këtë, ndërgjegjja e njeriut nuk do ta lërë atë derisa të vdesë dhe do të lutet që ai të kryej çdo vepër për të hyrë në parajsë në botën tjetër.
Dikush që, pavarësisht nga ndërgjegjja e tij e vërtetë, zgjedh ta pasojë veten e tij, është bërë mik i shejtanit, sepse ka zgjedhur rrugën e shejtanit dhe jo atë të All-llahut. Në lidhje me të tillët, All-llahu urdhëron:
"Atij që shmanget nga Këshilla e të Gjithëmëshirshmit (Kurani), Ne do t'ia caktojmë një djall, që do t'i bëhet shok i pandashëm."(Sure Zuhruf: 36)
Mënyra se si iu qaset shejtani atyre që e ndjekin atë, dhe fundi i shejtanit dhe i shokëve të tij është shpallur në Kur'an:
Ai tha: "Për shkak se Ti më flake tej, unë do t'u zë pritë njerëzve në rrugën Tënde të drejtë e do t'u qasem atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta, e kështu Ti do të vëresh se shumica prej tyre nuk të janë mirënjohës!" All-llahu i tha: "Dil prej andej i përbuzur dhe i përjashtuar! Pa dyshim, Xhehenemin do ta mbush me ty dhe me të gjithë ata që shkojnë pas teje!" (Sure A'raf: 16-18)
Nga kjo që thamë më sipër, njeriu mund ta ketë fituar përshtypjen se shejtani është një fuqi e rëndësishme që duhet shmangur. Megjithatë, duhet të dijmë se fuqia e shejtanit është tejet e dobët. Në një ajet, All-llahu thotë:
"Ata që besojnë, luftojnë në rrugën e All-llahut, kurse ata që nuk besojnë, luftojnë në rrugën e djallit. Luftoni kundër ithtarëve të djallit, sepse vërtet, dinakëria e djallit është e dobët!" (Sure Nisa': 76)
Shejtani nuk është një qenie që ka fuqi të veten për ta përdorur atë kundër Vullnetit të All-llahut. Shejtani është një fuqi negative që All-llahu e ka lejuar të ekzistojë në mënyrë që ta sprovojë njeriun. All-llahu e krijoi shejtanin dhe epshin njerëzor, për t'i dalluar ata që besojnë nga ata që kanë dyshime. Shejtani e di vetë se ai është shumë i dobët dhe i pafuqishëm ndaj njerëzve të sinqertë dhe të ndërgjegjshëm. Ai kurrë nuk mund t'i vë ata nën kontroll dhe të gjitha intrigat e tij kundër tyre dështojnë. Kjo situatë është përmendur në shumë ajete të Kur'anit:
"Në të vërtetë, djalli nuk ka kurrfarë pushteti mbi ata që besojnë dhe mbështeten tek Zoti i tyre. Pushteti i djallit është vetëm mbi ata, që i binden atij dhe adhurojnë zota të tjerë veç All-llahut." (Sure Nahl: 99-100)
(All-llahu) tha: "Ik! Kushdo prej tyre që të pason ty, do të ketë Xhehenemin si shpërblim – një shpërblim i plotë. Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata! Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde! Bëj pjesë në pasurinë e fëmijët e tyre dhe jepu premtime! -Premtimet e djallit janë vetëm mashtrime.- Por në të vërtetë, ti nuk ke kurrfarë pushteti ndaj robërve të Mi! Zoti yt mjafton si mbrojtës (i tyre)!" (Sure Isra': 63-65)
Zgjedhja në mes të ndërgjegjes dhe vetes nuk është në asnjë mënyrë e vështirë për njeriun. Kjo për shkak se All-llahu e krijoi njeriun me natyrë të tillë që ai të ndiejë kënaqësi në pasimin e zërit të ndërgjegjes së tij. Për këtë arsye, të pasuarit e fesë dhe të jetuarit në përputhje me të është në pajtim me natyrën e njeriut. Në ajetin vijues, All-llahu thotë:
"Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën All-llahu i ka krijuar njerëzit. S'ka ndryshim të krijimit të All-llahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë." (Sure Rum: 30)
All-llahu i frymëzon të gjitha ndërgjegjet me mendime të kësaj natyre, kështu që ndërgjegjja e çdo njeriu dëshiron ta kënaqë All-llahun. Është e vështirë dhe e dhimbshme për njeriun të bëjë vepra që janë në kundërshtim me ndërgjegjen e tij. Gjërat që janë bërë pa e marr parasysh ndërgjegjen bëjnë që zemra të pikëllohet. Zemra gjen qetësi vetëm me përkujtimin e All-llahut dhe në kërkimin e kënaqësisë së Tij.
Lehtësia e pasimit të ndërgjegjes është theksuar në shumë ajete të Kur'anit. Gjithashtu theksohet se All-llahu do t'ua lehtësojë rrugën atyre që e kërkojnë kënaqësinë e Tij.
"…All-llahu dëshiron që t'jua lehtësojë dhe jo që t'jua vështirësojë…" (Sure Bekare: 185)
"…Atij që i frikësohet All-llahut, Ai do t'ia lehtësojë çështjen… "(Sure Talak: 4)
"Sa për atë që beson dhe bën vepra të mira, atij i takon shpërblimi më i mirë dhe do t'i premtojmë atij lehtësira." (Sure Kehf: 88)
"Do të ta lehtësojmë ty rrugën e drejtë." (Sure A'la: 8)
All-llahu i bën me dije robërit e Tij të sinqertë se ngjarjet në dukje të vështira do të pasohen me lehtësi:
"…All-llahu nuk e ngarkon askënd mbi sa i ka dhënë. Pas vështirësisë, Ai sjell lehtësimin." (Sure at-Talak: 7)
"Me të vërtetë, pas vështirësisë - vjen lehtësimi! Me të vërtetë, pas vështirësisë - vjen lehtësimi!" (Sure Inshirah: 5-6)