Gjëja e parë që do të bëjë një njeri që pason ndërgjegjen e tij është që të bëj pyetje dhe të studiojë gjërat që sheh rreth vetes. Një njeri që ka zhvilluar një ndjenjë të mirë të të kuptuarit, lehtëdo ta kuptojë se ai jeton në një botë të krijuar në mënyrë të përsosur, të përfshirë në një gjithësi të përkryer.
Le të mendojmë për një moment për mjedisin dhe kushtet në të cilat jemi duke jetuar. Ne jetojmë në një botë të planifikuar dhe të projektuar në mënyrë të hollë me të gjitha detajet e mundshme. Madje edhe vetëm sistemet në trupin e njeriut shkaktojnë habi me përsosmërinë e tyre. Gjatë leximit të këtij libri, zemra juaj rrah vazhdimisht pa tjetër, lëkura juaj përtërihet, mushkëritë tuaja pastrojnë ajrin që merrni, mëlçia juaj kullon gjakun tuaj dhe miliona proteina sintetizohen në qelizat tuaja në çdo sekondë për të siguruar qëndrueshmërinë e jetës. Njeriu jeton pa qenë i vetëdijshëm për mijëra aktivitetetë tjera që ndodhin brenda tij, madje edhe pa e kuptuar se si ndodhin disa prej tyre.
Dhe mbi ne është dielli, me miliona kilometra larg planetit tonë, i cili siguron dritën, nxehtësinë dhe energjinë që na nevojitet. Largësia në mes të diellit dhe tokës është përshtatur në mënyrë aq precize sa që ky burim i energjisë as nuk e përcëllon tokën, dhe as nuk e ngrinë atë për vdekje.
Kur e shikojmë qiellin, mësojmë se përveç joshjes së tij estetike, masa e ajrit që e rrethon tokën gjithashtu e mbron njeriun dhe të gjitha qeniet nga kërcënimet e mundshme nga jashtë. Po të mos ekzistonte atmosfera, nuk do të ekzistonte as edhe një gjallesë e vetme në faqen e tokës.
Njeriu i cili mendon për secilën nga këto gjëra një nga një, herët a vonë do ta pyes veten se si u krijua ai vetë dhe gjithësia në të cilën ai jeton dhe si mbahen ato në jetë. Kur ta shqyrtojë këtë, do të paraqiten dy shpjegime alternative.
Një nga këto shpjegime thotë se e tërë gjithësia, planetet, yjet dhe të gjitha gjallesat erdhën në jetë vetvetiu si rezultat i një varg rastësish. Ajo pretendon se atomet që pluskonin lirshëm, që janë njësitë më të vogla të materies, u bashkuan rastësisht për të formuar qelizat, njerëzit, kafshët, bimët, yjet, dhe të gjitha strukturat dhe sistemet e përsosura dhe tejet komplekse që na rrethojnë dhe na mahnitin.
Alternativa e dytë na thotë se çdo gjë që ne shohim është krijuar nga një Krijues i Cili ka dituri superiore dhe pushtet mbi çdo gjë, se asgjë nuk do të mund të vinte në jetë kurrsesi përmes rastësisë dhe se të gjitha sistemet që na rrethojnë janë planifikuar dhe projektuar nga një Krijues. Ky Krijues është All-llahu.
Ne duhet t'i drejtohemi ndërgjegjes tonë për të vendosur. A ka mundësi që sistemet e tilla të përsosura dhe të detajuara të jenë formuar rastësisht e megjithatë të funksionojnë në një harmoni kaq të përsosur?
Çdonjëri që i drejtohet ndërgjegjes së tij mund ta kuptojë se çdo gjë në gjithësi ka një Krijues, dhe ky Krijues është i lartësuar për nga urtësia dhe ka pushtet mbi çdo gjë. Çdo gjë që na rrethon përmban dëshmitë e dukshme të All-llahut. Baraspesha e përkryer dhe harmonia e gjithësisë dhe e qenieve të gjalla brenda saj, është treguesi më i fuqishëm i një vetëdije të lartë. Dëshmia është e qartë, e thjeshtë dhe e padiskutueshme. Ndërgjegjja jonë nuk ka zgjidhje tjetër pos të pranojë se gjithëçka është vepër e All-llahut, Krijuesit një dhe të vetëm.
Megjithatë, dikush që nuk i drejtohet ndërgjegjes së tij nuk mund të ketë vetëdije të njëjtë. Kjo vetëdije arrihet nëpërmjet urtësisë, dhe urtësia është një cilësi shpirtërore që ndodhë vetëm kur njeriu e pason ndërgjegjen e tij. Çfarëdo qëndrimi i shfaqur në përputhje me ndërgjegjen ndihmon në ngritjen dhe zhvillimin e urtësisë. Këtu, megjithatë, vëmendje e veçantë duhet t'i kushtohet përkufizimit të urtësisë. Në kundërshtim me përdorimin e saj të përhapur, urtësia është një koncept i ndryshëm me atë të zgjuarsisë. Pa marrë parasysh se sa i zgjuar dhe i ditur është një njeri, do të jetë akoma i paurtë nëse nuk i drejtohet ndërgjegjes së tij, dhe nëse nuk është në gjendje t'i shoh apo kuptojë faktet me të cilat ndeshet.
Një shembull mund ta sqarojë dallimin në mes të zgjuarsisë dhe urtësisë së arritur përmes ndërgjegjes. Një shkencëtar mund të bëjë studime shumë të detajuara për qelizën me vite të tëra. Ai edhe mund të jetë më i miri në atë lëmi. Mirëpo, nëse atij i mungon urtësia dhe ndërgjegjja, ai do të ruajë vetëm copëza të dijes. Ai nuk do të jetë në gjendje që t'i përshtat këto copëza së bashku për të formuar një tërësi. Me fjalë të tjera, ai nuk do të jetë në gjendje të nxjerrë përfundime të sakta nga ajo sasi e informacionit.
Një njeri me urtësi dhe ndërgjegje, megjithatë, i kupton aspektet e mrekullueshme dhe elementet e përsosura të një qelize, dhe pranon dorën e një Krijuesi, një Projektuesi me urtësi superiore. Në qoftë se një njeri mendon me ndërgjegjen e tij do të arrijë në këtë përfundim: fuqia që e krijon një qelizë me përsosmëri të tillë duhet të jetë gjithashtu Krijuesi i të gjithë qenieve të gjalla dhe jo të gjalla.
Në Kur'an jepet shembulli i Profetit Ibrahim (as), i cili gjeti All-llahun duke e dëgjuar ndërgjegjen e tij:
Kur ra nata, ai pa një yll dhe tha: "Ky është Zoti im!" Por, kur perëndoi ylli, ai tha: "Nuk i dua ata që perëndojnë". Kur pa Hënën duke lindur, tha: "Ky është Zoti im!" Por, pasi ajo perëndoi, ai tha: "Nëse Zoti im nuk më udhëzon në rrugën e mbarë, me siguri do të bëhem njëri nga të humburit". Kur vërejti Diellin duke lindur, ai thërriti: "Ky është Zoti im, ky është më i madhi!" Por, pasi dielli perëndoi, ai tha: "O populli im, unë jam larg nga idhujt që ju ia shoqëroni All-llahut në adhurim! Unë e kthej fytyrën time nga Ai që i ka krijuar qiejt dhe Tokën, duke qenë besimtar i vërtetë, dhe nuk jam nga idhujtarët"! (Sure En'am: 76-79)
Mënyra se si Profeti Ibrahim gjeti All-llahun përmes urtësisë mund të shihet në ajetet e mësipërme. Me anë të ndërgjegjes së tij, ai e kuptoi se të gjitha gjërat që ai pa rreth vetes së tij mund të ishin vetëm qenie që janë krijuar, dhe se Krijuesi është shumë më superior se sa qeniet e krijuara. Kushdo që i drejtohet ndërgjegjes së tij do ta kuptojë këtë fakt qoftë edhe nëse nuk ka askush për t'i treguar për këtë. Gjithkush që mendon në mënyrë të sinqertë, pa përfshirë ndjenjat e tij, dhe vetëm duke përdorur ndërgjegjen e tij, mund të kuptojë ekzistencën dhe madhështinë e All-llahut. Nëse dikush refuzon të shoh faktet që shfaqen qartë para syve të tij, dhe vepron sikur ato të mos ekzistonin, atëherë ky njeri do të degradohet, përkundër zgjuarsisë së tij. Arsyeja pse një person që e di të vërtetën në ndërgjegjen e tij dhe nuk dëshiron ta pranojë atë është për shkak se ky fakt është në kundërshtim me interesat e tij personale. Pranimi i ekzistencës së All-llahut nga një njeri do të thotë pranimi nga ana e tij i një qenie shumë më superiore se ai të cilës ai duhet t'i nënshtrohet, për të cilën ai ka nevojë tej mase, dhe ndaj të cilës ai mban përgjegjësi.
Le të marrim një shembull të mirënjohur se si një ndërgjegje e mbuluar mund ta mashtrojë një njeri, përkundër zgjuarësisë dhe diturisë së tij. Francis Crick është një nga dy shkencëtarët të cilët e zbuluan strukturën e ADN-së gjatë viteve të 1950-ta. Ky ishte padyshim një ndër zbulimet më të mëdha në historinë e shkencës për të cilin nevojitej një punë shumë e përpiktë, njohuri e konsiderueshme e grumbulluar dhe, pa dyshim, zgjuarësi. Si rezultat i gjithë punës që bëri, ky "shkencëtar" u nderua me Çmimin Nobël.
Gjatë hulumtimit të tij, Francis Crick u mahnit aq shumë me strukturën e qelizës dhe projektimin e saj të fshehtë sa që pavarësisht se ishte një evolucionist i flaktë, tha si në vazhdim në librin e tij:
Një njeri i sinqertë, i armatosur me të gjitha njohuritë në dispozicion për ne tani, vetëm do të mund të konstatonte se në njëfarë mënyre, origjina e jetës shfaqet në çast gati si të ishte një mrekulli, aq të shumta janë kushtet që është dashur të plotësoheshin që ajo të fillonte. (Francis, Crick Jeta Vetë: Origjina dhe Natyra e saj, Nju Jork: Simon & Schuster, 1981, f. 88)
Kur Crick, i cili besonte në evolucion dhe në idenë se jeta ndodhi si rezultat i rastësive, pa detajet në qelizë, ai shkroi rreshtat e mësipërm dhe deklaroi se një qelizë nuk ka mundur të formohej rastësisht, por mund të ishte vetëm një mrekulli. Evolucionistët, megjithatë, nuk besojnë në asnjë shpjegim tjetër pos rastësisë, sepse do të nevojitej që ata të pranonin ekzistencën e All-llahut. Crick ishte aq i impresionuar me përsosjen dhe pacenueshmërinë e qelizës sa që përkundër faktit që mbronte një ideologji tjetër, atij iu desht të pranonte habinë e tij. Megjithatë, Crick nuk mundi ta pasojë ndërgjegjen e tij për kohë të gjatë dhe tha se ai nuk mund të pranonte ekzistencën e All-llahut, kështu që i tërë ky projektim, i cili kërkon një urtësi superiore dhe në asnjë mënyrë nuk mund të shpjegohet me anë të rastësive, nuk ishte krijuar nga All-llahu, por nga 'alienët'. Me fjalë të tjera, ishin 'alienët' ata që e krijuan jetën e jo All-llahu. 'Alienët' kishin sjellë mostrën e parë të ADN-së në botë dhe në këtë mënyrë kishte filluar jeta! Ky është një shembull tipik për atë se çfarë ndodh kur një njeri, pa marrë parasysh se sa inteligjent dhe i ditur mund të jetë, burgos dhe shtypë ndërgjegjen e tij. Ky 'shkencëtar' i shpërblyer me çmimin Nobël e kishte mbuluar mendjen e tij në atë masë sa që nuk u ndal as për të menduar se si një alien, i cili gjoja se kishte formuar një strukturë të tillë superiore, ishte krijuar vetë.
Një profesor i njohur amerikan i biokimisë, Michael J. Behe, shpjegon pa përdorur vetë fjalën ndërgjegje, gjendjen e atyre shkencëtarëve që mbulojnë ndërgjegjen e tyre:
Gjatë katër dekadave të fundit biokimia moderne ka zbuluar sekretet e qelizës. Përparimi është arritur me vështirësi. Ishte e nevojshme që dhjetra mijëra njerëz t'ia kushtojnë pjesën më të mirë të jetës së tyre punës së lodhshme në laborator...Rezultati i këtyre përpjekjeve të përbashkëta për të studiuar qelizën - për ta hulumtuar jetën në nivelin molekular - është një zë i lartë, i qartë, depërtues i "projektimit!" Rezultati është aq i qartë dhe aq i rëndësishëm sa që duhet të renditet si një ndër arritjet më të mëdha në historinë e shkencës ... Ky triumf i shkencës duhet të shkaktojë britmat "Eureka!" nga dhjetra mijëra gërmaze, duhet të jetë shkas për shumë duartrokitje dhe përgëzime, dhe madje të jetë edhe justifikim për të marrë një ditë pushimi.
Por asnjë shishe nuk është hapur, nuk është duartrokitur. Në vend të kësaj, një heshtje kureshtare e turpshme rrethon kompleksitetin e plotë të qelizës. Kur bëhet fjalë për këtë temë në publik, këmbët fillojnë të dridhen, dhe frymëmarrja vështirësohet një çikë. Privatisht njerëzit janë pak më të relaksuar; shumica e pranojnë sinqerisht atë që është e qartë, por pastaj ngulin shikimin në tokë, tundin kokat e tyre, dhe e lënë me kaq.
Pse nuk e përqafon komuniteti shkencor me babëzi zbulimin e vet befasues? Pse trajtohet vëzhgimi i projektimit me dorëza intelektuale? Dilema është se ndërsa njëra anë e elefantit emërtohet projektim inteligjent, ana tjetër mund të etiketohet si Zot. (Michael J. Behe, Kutia e Zezë e Darvinit, Nju Jork: Free Press 1996, f. 232-233)
Shenjat e ekzistencës së All-llahut janë shumë të qarta dhe të dukshme për t'u parë nga të gjithë. Është një e vërtetë evidente se Krijuesi i projektimit që mbizotëron në tërë gjithësinë është All-llahu. Disa nga ata që e mohojnë ekzistencën e All-llahut e bëjnë këtë jo për shkak se vërtetë nuk besojnë në Të, por për shkak se duan të shmangin kodin moral që ata do të duhej ta respektonin si besimtarë. Gjithkush e njeh fuqinë dhe ekzistencën e përjetshme të All-llahut në ndërgjegjen e tij. Megjithatë, dikush që e pranon ekzistencën e All-llahut dhe e percepton fuqinë e Tij, gjithashtu e di se do të jetë përgjegjës ndaj Tij, dhe se duhet t'iu bindet rregullave të Tij dhe të jetojë për Të. Ai që insiston në kundërshtim përkundër vetëdijes së tij për këto fakte, e bën këtë për shkak se të pranuarit e këtij fakti madhështor nuk është në përputhje me interesat e tij dhe ndjenjën e superioritetit brenda vetes së tij. Në Kur'an, këta njerëz janë përshkruar në suren Neml:
"Kështu, ata i mohuan ato padrejtësisht dhe me mendjemadhësi, edhe pse shpirti i tyre i besonte për të vërteta. Pa shiko, cili ka qenë fundi i shkatërrimtarëve!" (Sure Neml: 14)
Ngjarjet që kanë ndodhur në mes të Profetit Ibrahim (as) dhe popullit të tij të rrëfyera në Kur'an, ofrojnë një shembull shumë të mirë. Populli i Profetit Ibrahim adhuronte idhujt. Është e rëndësishme të theksohet këtu se në Kur'an, termi 'idhujt' nënkupton të gjitha fuqitë në të cilat besojnë njerëzit pos All-llahut. Do të ishte e gabuar të mendohet për idhujtarët vetëm si për ata që adhurojnë statujat. Si në shembullin e evolucionistëve, t'i konsiderosh atomet, kohën dhe rastësinë si shkaqe të jetës do të nënkuptonte thjesht t'i konsiderosh atomet, kohën dhe rastësinë si zota. Mirëpo, as koha dhe as rastësia nuk mund të kenë assesi fuqi të mjaftueshme për të krijuar jetën. Vetëm All-llahu mund të ketë fuqi të tillë. Sipas ngjarjes të përmendur më lart, Profeti Ibrahim shkatërroi idhujt për t'i dëshmuar popullit të tij se idhujt që ata adhuronin ishin vetëm objekte që nuk kishin fuqi mbi asgjë. Kjo ngjarje përshkruhet në këtë mënyrë në Kur'an nga All-llahu:
Ai tha: "Jo, por Zoti juaj është Zoti i qiejve dhe i Tokës. Është Ai që i ka krijuar ato, ndërsa unë jam njëri prej atyre që e dëshmojnë këtë. (Betohem) për All-llahun, se do t'i flak idhujt tuaj, posa të largoheni ju!" Dhe i bëri ata copa-copa, përveç idhullit të tyre më të madh, kështu që ata t'i drejtoheshin atij. Disa thanë: "Kush i bëri kështu zotat tanë? Me të vërtetë, ai është keqbërës!" Të tjerët u përgjigjën: "Dëgjuam një djalosh që i përgojonte, quhej Ibrahim." "Atëherë silleni atë para syve të botës, që ata të dëshmojnë" – thanë ata. Ata e pyetën: "Ti i bëre kështu zotat tanë, o Ibrahim?" Ai tha: "Jo! Këtë e ka bërë ky i madhi i tyre. Pyesni ata, nëse flasin!" (Sure Enbija': 56-63)
Kështu jobesimtarët panë se idhujt që ata kishin adhuruar nuk mund t'iu përgjigjeshin thirrjeve të tyre. Ata ishin shëmbëlltyra të pafuqishme që iu mungonte fuqia për të mbrojtur madje edhe veten e tyre, e lëre më të krijojnë çfarëdo qoftë, kështu që iu kthyen ndërgjegjes së tyre:
Atëherë ata i thirrën mendjes dhe i thanë njëri-tjetrit: "Me të vërtetë, ju vetë jeni keqbërësit."(Sure Enbija': 64)
Megjithatë, nuk kaloi shumë kohë dhe ata iu rikthyen gjendjes së tyre të vjetër. Ata me mendjemadhësi dhe në mënyrë arrogante mohuan atë që kishin zbuluar në ndërgjegjen e tyre:
Pastaj ulën kokat dhe i thanë: "Sigurisht që ti e di, se këta nuk flasin!" Ai u tha: "Mos vallë, ju adhuroni në vend të All-llahut gjëra që nuk mund t'ju sjellin kurrfarë dobie e as dëmi?! Mjerë ju dhe mjerë ata që ju i adhuroni në vend të All-llahut! A nuk arsyetoni?!" (Sure Enbija': 65-67)
Jobesimtarët tmerrohen nga ekspozimi i ndërgjegjes së tyre dhe me forcë i rezistojnë asaj që ndërgjegjja e tyre ka pranuar. Për të mos e pranuar të vërtetën, ata ndjejnë urrejtje të fuqishme ndaj atyre që ua qartësojnë atyre të vërtetën, dhe madje rrezikojnë duke u përpjekur t'i vrasin të dërguarit për t'i mbrojtur besimet e tyre të rreme:
Ata thirrën: "Digjeni atë dhe ndihmoni zotat tuaj, nëse doni të bëni ndonjë vepër!" (Sure Enbija': 68)
Situata e mësipërme vlen jo vetëm për një pjesë të caktuar të shoqërisë, por përgjithësisht për shumë njerëz. Një njeri mund të jetë një shkencëtar i shquar, me shumë zbulime në emrin e tij. Ai mund të jetë një biznesmen i suksesshëm apo një artist, ai mund të jetë edhe i pasur, i kulturuar dhe inteligjent. Megjithatë, në vend se të përdorë ndërgjegjen e tij për të menduar për All-llahun, për të madhëruar fuqinë dhe mjeshtërinë e Tij, dhe për ta falënderuar Atë që ia ka dhënë mundësinë për t'i parë dhe kuptuar këto gjëra, ai vetëm bëhet kryelartë dhe mendjemadh për zgjuarsinë dhe zbulimet e tij dhe për paratë që ka fituar. Ai nuk mendon kurrë se asnjëra nga këto nuk do t'i bëjnë kurrfarë dobie atij pasi të vdes.
Edhe emrat e shumë njerëzve të cilët ishin të njohur në kohën e tyre për zbulimet e tyre, pasuritë e tyre apo shtetet e mëdha që i drejtuan, kaherë janë harruar. Edhe nëse ato mbahen mend, kjo nuk i sjellë asnjë përfitim një personi që është i vdekur. Ata njerëz nuk u kushtuan vëmendje urdhërave të All-llahut, e as nuk e pranuan fuqinë e Tij dhe nuk i vlerësuan mirësitë që Ai u kishte dhuruar. Këta njerëz humbën rrugën për shkak se zemrat e tyre ishin të vulosura dhe ndërgjegjja e tyre ishte e mbuluar. Në Kur'an, All-llahu i përshkruan ata që bëjnë mëkate duke pasuar interesat dhe pasionet e tyre personale:
Mendo pak! Kush, përveç All-llahut, mund ta udhëzojë atë njeri, që dëshirat e veta i ka bërë zot; atë njeri, të cilin All-llahu, duke e njohur për të tillë, e ka shpënë në humbje, duke ia vulosur dëgjimin dhe zemrën e duke i vënë perde para syve të tij?! A nuk po merrni vesh? Ata thonë: "Nuk ka tjetër veç jetës së kësaj bote, vdesim e jetojmë dhe vetëm koha na shkatërron". Ata nuk kanë kurrfarë dijenie për këtë, ata vetëm hamendësojnë ashtu. (Sure Xhathije: 23-24)
Siç mund të shihet në ajetet e mësipërme, ata që kanë vënë mënjanë ndërgjegjen e tyre duke e pasuar veten e tyre dhe bëjnë mëkate për shkak të cilësive që posedojnë janë përshkruar si 'të shurdhër dhe të verbër'. Fakti që zemrat e tyre janë të vulosura na tregon se ata nuk posedojnë të kuptuar, domethënë, ata as nuk mund të përdorin urtësinë e tyre dhe as të bëjnë dallimin në mes të së drejtës dhe të gabuarës. Arsyeja e vetme që ata arrijnë në një gjendje të tillë është se ata nuk fusin në përdorim ndërgjegjen e tyre.