Shumica e njerëzve kanë besimin e gabuar se praktikimi i urdhërave fetare, sakrifikimi, të qenit i sinqertë dhe pasimi i ndërgjegjes së tyre do të bëjë që ata të humbasin përfitime të caktuara. Ky është një mendim shumë i gabuar, sepse All-llahu ka premtuar një jetë të pafund në parajsë për ata që i respektojnë urdhërat e Tij dhe që jetojnë sipas tyre. Ky është përfitimi më i madh i të gjitha përfitimeve. Përveç kësaj jete të mrekullueshme që do të zgjas përgjithmonë, All-llahu thotë se besimtarët do të jetojnë një jetë të mirë edhe në dynja:
"Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë." (Sure Nahl: 97)
"Ndërsa atyre që e kanë frikë All-llahun, do t'u thuhet: "Çfarë ju ka shpallur Zoti juaj?" - Ata do të thonë: "Mirësi!" Ata që bëjnë vepra të mira në këtë botë, do të kenë mirësi; në botën tjetër do të kenë edhe më të mira. Sa e mrekullueshme do të jetë shtëpia e atyre që i frikësohen All-llahut!" Sure Nahl: 30)
Në këtë botë, All-llahu u jep besimtarëve si begati materiale ashtu edhe begati shpirtërore. Ekziston një ide e gabuar e përhapur që besimtarët gjithmonë jetojnë në varfëri në dynja. Megjithatë, shumë vargje të Kur'anit përmendin prosperitetin dhe fuqinë që All-llahu ua ka dhënë besimtarëve gjatë gjithë historisë. Për shembull, Ai u dha mbretëri të mëdha në këtë botë Profetit Sulejman, Profetit Davud, Profetit Jusuf, Profetit Dhulkarnejn dhe Profetit Ibrahim, paqja dhe mëshira qofshin mbi të gjithë ata.
Sa për të dërguarin e fundit të All-llahut për njerëzimin, Profetin Muhammed (savs), All-llahu thotë:
"A nuk ishe nevojtar e të bëri të mos ia kesh nevojën askujt?" (Sure Duha: 8)
Megjithatë, pasurimi nuk është domosdoshmërisht material. Profeti Muhammed (savs) ishte qenia më e mirë njerëzore sa i përket devotshmërisë së tij ndaj All-llahut dhe përkushtimit ndaj Islamit, dhe si i tillë përparimi i tij ishte më i madh se çdo pasuri materiale, sepse ajo ishte një pasuri shpirtërore që e bëri atë mirënjohës për mirësitë e All-llahut, shpresues për parajsën dhe që ai të kishte frikën e dënimit, gjer në përjashtimin e të gjitha mendimeve dhe faktorëve të tjerë. Me fjalë të tjera, zemra e tij ishte aq e pastër sa që ai kurrë nuk e ndjeu humbjen e të mirave të dynjasë apo t'i dëshironte ato.
Mirëqenia, madhështia dhe bukuria janë karakteristikat e parajsës. Për t'ua përkujtuar atyre parajsën dhe për ta forcuar dëshirën e tyre për të, All-llahu u jep njerëzve një sasi të caktuar të mirëqenies dhe bukurisë në dynja. Është po ashtu e vërtetë që All-llahu mund t'i vë në sprovë të tjerët duke ua ndalur mirëqenien. Besimtarët e vërtetë e dinë se All-llahu i jep aq sa Ai dëshiron atij që Ai dëshiron, dhe ata janë të kënaqur me atë që kanë. Duke qenë se ata mendojnë për botën tjetër, asgjë nuk i shqetëson ata në jetën e shkurtër të kësaj bote. Në të gjitha rrethanat, ata e falënderojnë All-llahun dhe janë të dhënë pas ahiretit. All-llahu thotë në Kur'an:
"All-llahu ia shton furnizimin kujt të dojë dhe ia pakëson kujt të dojë. Jobesimtarët i gëzohen jetës së kësaj bote, por jeta e kësaj bote në krahasim me botën tjetër është vetëm kënaqësi kalimtare." (Sure Ra'd: 26)
Mirësia më e madhe që All-llahu u dhuron besimtarëve të Tij të vërtetë është mirëqënia shpirtërore. Si shpërblim për përdorimin e ndërgjegjes së tyre dhe përpjekjen për të fituar kënaqësinë e All-llahut, këta njerëz nuk ndiejnë shqetësim në zemrat e tyre. Ata i ndjejnë aspektet e qeta dhe të sigurta të ndershmërisë dhe sinqeritetit. Duke qenë se ia kanë frikën dhe e respektojnë vetëm All-llahun, ata nuk përjetojnë ndjenja të tilla si ankthi, shqetësimi dhe frika. Duke qenë se ata nuk kanë ambicie të kësaj bote, xhelozi dhe ndjenja egoiste, kjo bën që ata të jenë të lumtur, të qetë dhe të gëzuar.
Në shumë nga ajetet e Tij, All-llahu u referohet atyre që janë të shpëtuar:
"…Kushdo që ruhet nga lakmia e vetvetes, me siguri që do të jetë fitues." (Sure Hashr: 9)
"I shpëtuar është ai që pastrohet, që e përmend emrin e Zotit të vet dhe që fal namaz!" (Sure A'la: 14-15)
"Dhe, kur të përfundojë namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë, kërkoni nga mirësitë e All-llahut dhe përmendeni shumë All-llahun, në mënyrë që të shpëtoni." (Sure Xhumu'a: 10)
Njerëzit e ndërgjegjshëm mund të ndihen të lirë vetëm në shoqërinë e atyre me qëndrime të ngjashme. Në mënyrë që një njeri të jetë mik me dikë, atij duhet t'i pëlqejë sjellja dhe karakteri i tij. Ndërgjegjja ndien kënaqësi vetëm në aktet e ndërgjegjshme. Vendimet, sjelljet dhe bisedat e atyre që pasojnë dëshirat dhe pasionet e nefsit të tyre janë gjithmonë të largëta nga All-llahu. Dikush që përpiqet t'i afrohet më shumë All-llahut shmang një ambient të tillë dhe dëshiron të ndodhet në mjedise të tilla me të cilat All-llahu do të jetë i kënaqur. Ky është urdhër i All-llahut:
"Dhe qëndro me durim me ata që i luten Zotit të vet në mëngjes dhe mbrëmje, duke dëshiruar Fytyrën (kënaqësinë) e Tij dhe mos i shmang sytë nga ata (tek të tjerët), duke dëshiruar stolitë e shkëlqimin e kësaj jete. Mos dëgjo atë zemrën e të cilit ia kemi lënë mospërfillëse ndaj përmendjes Sonë e, që shkon pas dëshirave të veta, duke shkelur çdo kufi në veprimet e veta." (Sure Kehf: 28)
Duke qenë se personi i ndërgjegjshëm ndien një aspiratë të madhe për parajsë, ai përpiqet të krijojë një mjedis të ngjashëm me atë të parajsës në dynja. Ai flet me besimtarët ashtu siç do të bisedonte me ta në parajsë, ai i shikon ata sikur të ishte duke i shikuar mirësitë në parajsë, ai nuk thotë diçka që nuk do ta thoshte në parajsë e as që i vijnë në mendje mendimet e këqija. Dhe në të njëjtën mënyrë që parajsa ka një pastërti të përsosur si në aspektin material ashtu edhe shpirtëror, ai mban shkallën më të lartë të pastërtisë të mundshme në këtë botë. Ai përpiqet t'i eliminojë të gjithë faktorët që nuk do të ekzistojnë në parajsë - faktorët që janë të veçantë për ferrin.
Njeriu duhet të përgatitet për jetën e tij në parajsë dhe të edukohet që të jetë i denjë për parajsën duke pasuar ndërgjegjen e tij. Në një ajet, All-llahu thotë se ata që bëjnë vepra të mira përgatisin vendin e tyre në parajsë:
"Ata që nuk kanë besuar, do të mbajnë pasojat e mohimit, kurse ata që kanë bërë vepra të mira, i kanë përgatitur vetes (të mira)." (Sure Rum: 44)
All-llahu u jep atyre njerëzve të ndërgjegjshëm të cilët Ai i ka pajisur me bukuri fizike dhe shpirtërore në këtë botë, lajmin e mirë të parajsës, të banesës së tyre të vërtetë pas vdekjes së tyre. Parajsa është një vend ku ata njerëz me nivelin më të lartë të ndërgjegjes, të cilët kanë ndjekur gjithmonë zërin që i udhëzoi ata në të drejtën gjatë gjithë historisë, bashkohen. Në parajsë, nuk do të ketë vend as për të folurit, të shikuarit apo sjelljes në kundërshtim me ndërgjegjen. Në parajsë do të mbisundojë gëzimi dhe lumturia e atyre të cilët janë shpërblyer sipas më të mirës që kanë vepruar dhe kjo atmosferë do të zgjasë përgjithmonë. Bukuria e parajsës shpaloset në Suren Ja Sin:
"Atë ditë askujt nuk do t'i bëhet ndonjë padrejtësi dhe ju do të shpërbleheni vetëm sipas asaj që keni bërë. Sigurisht që atë ditë banorët e Xhenetit nuk do të mendojnë për gjë tjetër, veç lumturisë së tyre. Ata dhe gratë e tyre do të jenë në hije, të mbështetur në ndenjëse të lartuara. Për ata do të ketë aty fruta dhe çdo gjë që dëshirojnë. "Paqe!" do të jetë fjala prej një Zoti Mëshirëplotë." (Sure Ja Sin: 54-58)