Përveç qyteteve shtete të themeluara në Mesopotami, qytetërimi Egjiptian ishte një prej qytetërimeve më të lashta në histori. Egjipti i vjetër dihet të ketë pasur rregullimin më të organizuar shoqëror dhe politik të kohës. Zbulimi i tyre i shkrimit, 3000 vite para erës së re, përdorimi i lumit Nil, shkretëtirat që rrethonin vendin dhe që shërbenin si një mbrojtje e fortë ndaj kërcënimeve të jashtme ishin faktorët kryesor për përparimin e suksesshëm të Qytetërimit Egjiptian.
Megjithatë, ky qytetërim madhështor sundohej nga Faraoni, sundimi i të cilit përshkruhet në mënyrë të qartë në Kur’an si një shembull i kokëfortësisë (kryeneqësisë). Ky popull vepronte me mendjemadhësi kundër Zotit, duke këmbëngulur në mënyrë të vazhdueshme në mohimin e së vërtetës.
Si pasojë, madje edhe qytetërimi i tyre i përparuar, rregullimi shoqëror dhe politik dhe të arriturat ushtarake, s’arritën t’i mbrojnë ata nga shkatërrimi.
Ndodhitë më të rëndësishme të historisë së Egjiptit patën lidhje me praninë e bijve të Izraelit në këtë vend.
Izrael është emri tjetër i Profetit Jakub (Jakobi) (as). Të bijtë e Jakubit formuan fisin e "të bijve të Izraelit," fisin i cili me kohë u bë i njohur si "Çifutët (Jahuditë apo Hebrenjtë)." Të bijtë e Izraelit së pari erdhën në Egjipt gjatë kohës së Profetit Jusuf, djalit më të ri të Jakubit. Në Kur'an, në Suren Jusuf, është dhënë një përshkrim i hollësishëm i jetës së Jusufit. Duke filluar që nga vitet e para të jetës së tij, Jusufi ishte përballur me vështirësi të shumta dhe i ishte nënshtruar sulmeve dhe shpifjeve të shumta. Në periudhën e mëvonshme të jetës, pas lirimit nga burgu ku e kishin futur për shkak të një akuze të rrejshme, Jusufi u emërua përgjegjës për arkën shtetërore të Egjiptit. Emërimi i tij u përcoll me dyndjen e bijve të Izraelit në Egjipt. Kjo në Kur'an përshkruhet kështu:
Pastaj kur ata hynë te Jusufi, ai i mori prindërit e tij pranë vetes dhe u tha: "Hyni në Egjipt të sigurt, nëse dëshiron Zoti." (Kur'an, 12:99)
Siç shpjegohet në Kur’an, të bijtë e Izraelit, që banuan në paqe dhe siguri në Egjipt, përfundimisht humbën pozitën e tyre në shoqëri dhe me kohë u robëruan. Nga vargjet e cekura në Kur’an mësojmë se bijtë e Izraelit ishin në atë gjendje kur Musai u paraqit në skenë. Siç përshkruhet në Kur’an, Musai shkoi te Faraoni si “pjesëtar i një fisi të robëruar.” Përgjigja arrogante që pasoi, që Faraoni dhe paria e tij ia bën Musait (as) dhe Harunit (as), na e bën të ditur këtë fakt:
Ata thanë: "A të besojmë ne në dy njerëz si vet ne dhe duke qenë populli i tyre nën robërinë tonë?") (Kur'an, 23:47
Siç përshkruhet në këto vargje, Egjiptianët i kishin robëruar të bijtë e Izraelit dhe i kishin bërë ata shërbëtorë të vet. Për të mbajtur dhe imponuar këtë sistem të robërisë, Egjiptianët përdorën metoda të shtypjes. Kjo shtypje u ushtrua gjer në shkallën e vënies nën kontroll të tërë popullatës Izraelite. Shtimi i popullatës mashkullore i konsideruar si një sfidë e mbijetesës së vet Egjiptianëve, u pengua, gjersa popullata femërore u shfrytëzua për t’u shërbyer atyre. Kjo gjendje përshkruhet në vargjet në të cilat Zoti iu drejtohet bijve të Izraelit:
Përkujtoni kur Ne ju shpëtuam nga populli i Faraonit. Ata po ju sprovonin me dënimin më të rëndë – duke ju vrarë bijtë tuaj dhe duke lënë gjallë gratë tuaja. Këtu pati një sprovë të madhe për ju nga Zoti juaj. (Kur'an, 2:49)
Përkujtoni kur Ne ju shpëtuam nga populli i Faraonit, i cili po ju sprovonte me dënimin më të rëndë, duke vrarë bijtë tuaj dhe duke lënë gjallë gratë tuaja. Këtu pati një sprovë të madhe për ju nga Zoti juaj. (Kur'an, 7:141)
Religjioni mbizotërues në tokën Egjiptiane ishte trashëgimia e zakoneve të adhurimit të idhujve të paraardhësve të Faraonit. Ky religjion i padrejtë besonte në ekzistencën e zotërave të shumtë. Faraoni në anën tjetër besohej të ishte një zot i gjallë. Ishte pikërisht ky besim që iu dha faraonëve një fuqi të tillë mbi njerëzit që ishin nën sundimin e tyre. Faraoni dhe paria sunduese e tij e panë Musain si një kërcënim për mënyrën e jetës së tyre të diktuar nga religjioni i paraardhësve të tyre, pasiqë sipas këtij religjioni, ishte Faraoni ai që zotëronte gjithë fuqinë dhe madhështinë. Arroganca e Faraonit, përpjekja e tij për të ruajtur kontrollin dhe konsiderimi i Musait dhe Harunit si rival të tij dëshmohen me këto fjalë të Faraonit dhe parisë së tij, me të cilat ata i drejtohen Musait dhe Harunit:
Ata i thanë: "A ke ardhur te ne që t'na largosh nga ai besim të cilin i gjetëm baballarët tonë ta ndjekin dhe që ju të dy të mund të fitoni madhështi në tokë? Ne nuk do t'ju besojmë ju të dyve." (Kur'an, 10:78)
Në pajtim me religjionin e paraardhësve të tij, Faraoni pohonte se ishte zot. Ai shkoi aq larg sa të pohonte se ishte zoti i tyre më i lartësuar:
(Faraoni) duke thënë: "Unë jam zoti juaj më i lartë!" (Kur'an, 79:24)
Për shkak të bestytnisë së tyre, Faraoni dhe paria e tij e konsideronin veten si qenie hyjnore. Arroganca e tyre buronte nga fakti se ata ishin shumë larg dashurisë, përkujdesjes dhe mëshirës, që janë norma të urdhëruara nga religjioni i ri. Si rrjedhojë e arrogancës së tyre, ata besonin se kishin të drejtë t’i japen mizorisë. Zoti i referohet mendësisë së tyre në vargun vijues:
…tek Faraoni dhe krerët e tij. Por ata u sollën me paturpësi dhe qenë popull arrogant e mburravec. (Kur'an, 23:46)
Faraoni kishte ndikim aq të madh tek njerëzit e Egjiptit sa që të gjithë i nënshtroheshin plotësisht atij. Ata besonin se Faraoni ishte i vetmi zotërues i tërë tokës së Egjiptit dhe lumit Nil:
Faraoni iu drejtua njerëzve të tij duke thënë: "O populli im! A nuk më takon mua sundimi i Egjiptit dhe i këtyre lumenjëve që rrjedhin poshtë meje? A nuk shihni pra?" (Kur'an, 43:51)
Me të drejtë thuhet se Nili don të thot jetë për Egjiptin. I tërë Egjipti mvarej nga Nili për bujqësi. Nili ujiste të lashtat, furnizonte me ujë të pijshëm si kafshët ashtu edhe njerëzit. Sipas Faraonit dhe parisë së tij, i vetmi pronar i ujërave të Nilit dhe i vet tokës ishte Faraoni. Secili në Egjipt pranonte në heshtje fuqinë e tij dhe i bindej sundimit të tij.
Për të siguruar pushtetin e tij dhe për t’i nënshtruar njerëzit e tij, Faraoni i kishte përçarë ata në grupe të veçuara dhe me ndihmën e këshilltarëve të besuar të tij nga mesi i tyre, i sundonte këto grupe të dobësuara. Në një varg, Zoti na tërheq vëmendjen për këtë gjendje:
Faraoni ngriti veten shumë lart në tokë dhe i ndau njerëzit në të në sekte, duke dobësuar (shtypur) një grup prej tyre duke vrarë bijtë e tyre dhe duke lënë gjallë gratë. Vërtetë që ai qe prej shtypësve (tiran). (Kur'an, 28:4)
Para lindjes së Musait, Egjipti ishte një vend i mëkatshmërisë dhe çoroditjes. Duke u bazuar krejtësisht në dallime racore njerëzit robëroheshin dhe torturoheshin. Pa ndonjë arsyetim të qartë, Faraoni urdhëroi të vriteshin që të gjithë fëmijët e gjinisë mashkullore të Izraelitëve që ishin nën sundimin e tij. Për më tepër, i zhytur në mendjemadhësi dhe mizori, ai e konsideronte veten zot në tokë. Me anë të vendosjes së një sistemi të sundimit, Faraoni mbante çdo gjë nën kontrollin e tij dhe i bënte njerëzit t’i nënshtroheshin atij.
Në këto rrethana Musai u dërgua atje si i dërguar i Zotit për t’i dhënë fund shtypjes dhe mizorisë, për t’ju përkujtuar njerëzve se Zoti ynë është Allahu, për t’ju mësuar atyre fenë e re dhe për t’i shpëtuar të bijtë e Izraelit nga robëria.