Musai la pas vetes Faraonin, njeriun i cili e kishte rritur, sikurse edhe popullin e Faraonit dhe shkoi në Medjen (Medjeni është një rajon përtej shkretëtirës së Sinait në lindje të Egjiptit, që korrespondon me skajin jugor të Jordanit të sotëm.)
Tek ujërat e Medjenit, Musai takoi dy gra që nuk mund t’u japnin për të pirë ujë tufës së tyre të deleve duke dashur t’ju shmangeshin barinjëve të tjerë. Por siç rrëfejnë vargjet e Kur’anit, nga pamja e jashtme, Musai dukej si një njeri tejet i edukuar dhe i besueshëm. Pra, gratë nuk ngurruan t’i afrohen atij. Ato i shpjeguan se ato duhej të kullotnin tufën e deleve të babait të tyre ngase ai ishte një njeri i thyer në moshë, por s’kishin mundur ta bëjnë këtë për shkak të barinjëve. Atëherë Musai ju ndihmoi atyre duke quar tufën e tyre të deleve për t’u dhënë ujë:
Dhe kur arriti te ujërat e Medjenit, gjeti aty disa burra që po u japnin ujë bagëtive dhe aty pranë pa dy gra që po e ndalonin prapa tufën e tyre. Ai u tha: "Si është puna me ju?" Ato thanë: "Ne nuk mund t'i japim ujë tufës sonë, derisa barinjtë t'i kenë larguar tufat e tyre. Dhe babai ynë është burrë tepër i thyer në moshë." Kështu ai u dha për to ujë tufës së tyre… (Kur'an, 28:23-24)
Vargjet ofrojnë një shembull të karakterit të sjellshëm dhe mirëdashës të Musait; ai iu afrohet dy të huajave, i ndihmoi ato dhe fitoi respektin e tyre. Në anën tjetër, duhet të nënkuptohet se njerëzit, të përmendur si “barinjë,” japnin përshtypjen e një qëndrimi krejtësisht të kundërt me atë të Musait. Kjo është e qartë nga fakti se femrat me sa duket iu shmangeshin atyre ndonëse zgjodhën të bisedojnë me Musain. Këta njerëz mund të jenë dukur të dyshimtë për nga pamja e tyre (Zoti di më së miri.)
Mund të arrijmë në përfundimin se një Musliman duhet me kujdes t’i shmanget sjelljes karakteristike për njerëzit e përmendur këtu si “barinjë.” Muslimanët duhet të jenë shembull si Musai, i cili u soll me mirësi, modesti dhe çiltërsi. Siç sugjeron shembulli i Musait, një Musliman duhet të zhvillojë sjellje tejet të kultivuar dhe të jetë i besueshëm, cilësi këto që duhet të jenë menjëherë të dallueshme në të.
Gjithashtu duhet të përmendim faktin se Musai gjithnjë shfaq një temperament që shërben si shembull i nënshtrimit të sinqertë ndaj Zotit. Duke lënë gjithçka të dashur në tokën e Egjiptit ku ishte rritur, ai nuk e kishte fare idenë se çfarë i sillte e ardhmja. E vetmja gjë e sigurt ishte se asgjë në jetën e tij më s’do t’ishte si më parë. Megjithatë, edhepse ai nuk e dinte, Zoti tashmë kishte paracaktuar se çfarë do t’i ndodhte. Musai u lut kësisoji:
…dhe pastaj u ktheu shpinën dhe shkoi nën një hije dhe tha: "Zoti im! Sigurisht që unë kam nevojë për çfarëdo mirësie që Ti mund t'më dhurosh." (Kur'an, 28:24)
Sinqeriteti i njeriut në lutje është dëshmi e të kuptuarit të tij të faktit se Zoti ka fuqi të bëj çdo gjë, se të gjitha të mirat dhe fatkeqësitë vijnë vetëm prej Tij dhe se njeriu s’ka tjetër ndihmues a mbrojtës përveç Zotit. Lutja e Musait e cituar në vargjet e mësipërme është një lutje e bërë në nënshtrim të plotë ndaj Zotit, nga dikush që ka vetëdije të plotë për këtë të vërtetë. Me të vërtetë, Zoti iu përgjigj lutjes së sinqertë të Musait dhe derdhi prej mëshirës së Tij mbi të.
Mirësia që tregoi Musai ndaj dy grave rezultoi me një fillim të një jete plotësisht të re për të. Gjersa Musai ishte duke pushuar, njëra prej dy grave iu afrua dhe e njoftoi për ftesën e babait të saj në shenjë falënderimi për ndihmën e tij:
Pastaj atij iu afrua njëra nga dy gratë duke ecur e turpëruar dhe tha: "Babai im të fton që të mund të të shpërblejë për atë që u dhe ujë për ne tufës sonë." Kështu kur shkoi tek ai dhe i tregoi gjithçka i kishte ndodhur, ai tha: "Mos u frikëso. Ti ke shpëtuar prej një populli keqbërës." (Kur'an, 28:25)
Musai iu lut Zotit tonë me sinqeritet, duke iu lutur për çfarëdo mirësie që Ai do t’i dhuronte. Zoti iu përgjigj lutjes së tij dhe pas kërcënimit që iu kanos për jetë e udhëzoi atë tek njerëzit që do t’i ndihmonin dhe ofronin siguri. Musai kishte karakter të fortë dhe ishte njeri i besueshëm për shkak të sjelljeve të tij. Me të vërtetë, femrat, pavarësisht nga ajo që ishin të kujdesshme ndaj barinjëve, i besuan Musait dhe i folën atij. Për më tepër njëra nga femrat e luti babain e saj që të punësonte Musain duke e parë se ishte i fortë dhe i besueshëm:
Dhe njëra prej tyre tha: "Punëso atë, baba! Vërtetë që njeriu më i mirë për tu punësuar është dikush që është i fortë dhe mund t'i besosh." (Kur'an, 28:26)
Me këto fjalë, vajza në mënyrë të qartë i shprehi babait të saj se ajo e konsideronte Musain si një njeri të besueshëm. I bindur për besueshmërinë e tij, plaku vendosi që të martojë vajzën e tij me Musain. Mirësjellja e dallueshme e Musait ishte faktori kryesor që ndikoi në vendimin e plakut, i cili ia bëri këtë propozim atij:
Ai i tha: "Vërtetë që unë dëshiroj që ti të marrësh për grua njërën prej këtyre dy bijave të mia me kusht që ti t'më shërbesh mua për tetë vjet të plota, por nëse i mbush dhjetë vjet, do të jetë një mirësi prej teje. Por nuk kam për qëllim që të vë në vështirësi. Nëse do Allahu, ti do t'më gjesh mua prej të drejtëve." Ai (Musai) tha: "Kjo u vendos mes meje dhe teje. Cilindo prej afateve që unë i përmbush, nuk përbën padrejtësi për mua. Allahu është dëshmitar për çfarë po themi." (Kur'an, 28:27-28)
Musai pranoi propozimin e plakut, i cili siç kuptojmë nga Kur’ani duhet të ketë qenë prej besimtarëve të vërtetë dhe filloi jetën e tij në Medjen. Kështu Zoti së pari e siguroi Musain duke bërë që ujërat e Nilit ta bartin atë tek Pallati i Faraonit pa u fundosur. Mandej, gjersa kishte jetën në rrezik në Egjipt, Ai e shpëtoi atë për të dytën herë dhe e udhëhoqi në një jetë të qetë në Medjen.
Ata që bëjnë vepra të mira do të shpërblehen me mirësi më të mëdha dhe s'do të kenë pse të frikësohen në atë Ditë. (Kur'an, 27:89)