Bashkë me Faraonin, Karuni përmendet si njëri prej atyre që u shkatërruan në kohën e Musait.
Kur’ani na njofton se Karuni ishte pronari i një pasurie të madhe në Egjipt, përkundër faktit se ishte pasardhës i fisit Izraelit.
Vargu vijues tregon se Karuni iu kundërvu Musait së bashku me Faraonin:
Dhe padyshim që Ne e dërguam Musain me Shenjat Tona dhe me autoritet të qartë te Faraoni, Hamani dhe Karuni, por ata e quajtën dhe i thanë: "Magjistar gënjeshtar!" (Kur'an, 40:23-24)
Vlen të përmendet se Karuni, i cili ishte me Faraonin, ishte gjithashtu përgjegjës i një thesari të madh:
Vërtetë që Karuni ishte prej popullit të Musait por ai u soll me kryeneçësi ndaj tyre. Dhe Ne i dhamë atij gjithë thesaret e begatitë, aq sa çelësat ishin një peshë e madhe për t'u mbajtur për një grup të madh burrash të fortë… (Kur'an, 28:76)
Pasuria e madhe dhe pozita që Karuni kishte në Egjipt, për shkak të afërsisë së tij me Faraonin, e bëri atë arrogant dhe të përbuzës ndaj popullit të tij. Ai refuzoi të pranoj porosinë e Musait dhe mburrej me pasurinë e tij për t’i bërë të bijtë e Izraelit të ndjejnë dashuri ndaj jetës së kësaj bote. Në të vërtetë, pasuria e tij e madhe dhe pozita e tij shkaktoi zili tek disa prej njerëzve të fisit të Musait. Zoti na përshkruan arrogancën e Karunit dhe zilinë që ndjenin ndaj tij ata njerëz me besim të dobët që i takonin fisit Izraelit:
Kështu ai (Karuni) doli para popullit të tij me kryelartësinë e tij. Ata që ishin të dëshiruar për jetën e kësaj bote thanë: "Ah, sikur edhe ne të kishim ashtu siç i është dhënë Karunit! Vërtetë që ai ka në dorë një fat të madh." (Kur'an, 28:79)
Besimtarët e vërtetë nga mesi i fisit Izraelit kurrë nuk anuan nga Karuni. Përkundrazi, ata kuptuan pozitën e mjerueshme në të cilën ai ndodhej dhe e paralajmëruan atë:
Kur populli i tij i tha atij: "Mos u ngazëlle (me mosmirënjohje ndaj Mirësisë së Allahut). Vërtetë që Allahu nuk i do ata që ngazëllehen." Por kërko me atë pasuri që Allahu ta ka dhuruar Banesën e pastajme dhe mos e harro edhe pjesën e lejuar të kënaqësisë së kësaj bote dhe bën mirësi ashtu siç ka qenë Allahu i mirë me ty dhe mos kërko rast për të bërë padrejtësi e djallëzi në tokë. Vërtetë që Allahu nuk i do çrregulluesit. (Kur'an, 28:76-77)
Këta besimtarë të njëjtë ju dhanë këshilla pjesëtarëve të vet fisit të tyre që mbanin anën e Karunit dhe i paralajmëruan të ruajnë fisnikërinë e një besimtari në sjelljen e tyre dhe kurrë të mos parapëlqejnë kënaqësitë e përkohshme të kësaj bote mbi mëshirën e Zotit:
…Thanë ata që ishin të dëshiruar për jetën e kësaj bote: "Ah, sikur edhe ne të kishim ashtu sisikur edhe ne të kishim ashtu siç i është dhënë Karunit! Vërtetë që ai ka në dorë një fat të madh." Por ata të cilëve u ishte dhuruar dija (e fesë) thanë: "Të mjerët ju! Shpërblimi i Allahut (në Jetën e Përtejme) është tejet më i mirë për ata të cilët besojnë dhe punojnë mirësi e drejtësi dhe këtë askush nuk do ta arrijë përveç atyre që janë të duruar." (Kur'an, 28:79-80)
Arsyeja kryesore pse Karuni humbi rrugën ishte besimi i tij se ishte i pushtuar nga “dijenia.” Me fjalë të tjera, ai kishte një qëndrim prej mburracaku se ishte më superior se të tjerët.
Ai (Karuni) tha: "Kjo më është dhënë mua vetëm për shkak të zgjuarsisë që kam unë." A nuk e dinte ai se Allahu ka shkatërruar para tij breza të tërë më të fuqishëm se ai dhe me pasuri të mbledhur akoma më të madhe? Por keqbërësit as që do të pyeten për mëkatet e tyre (sepse Allahu i njeh mirë ata dhe do të ndëshkohen pa llogari). (Kur'an, 28:78)
Sidoqoftë, në fund, arroganca e Karunit nuk i solli atij asgjë tjetër pos dëm. Ai i solli vetes vuajtje të mëdha duke mos qenë mirënjohës ndaj Zotit, duke besuar me arrogancë se gjithë pasuria e tij ishte fituar duke iu falënderuar meritave të tij. Karuni më në fund kuptoi se ai ishte një shërbëtor i pafuqishëm dhe i paaftë i Zotit, kur Zoti shkatërroi plotësisht pasurinë e tij, që e kishte bërë atë të mburrej aq shumë me të:
Kësisoj Ne bëmë që atë ta përpijë toka bashkë me vendbanimin e tij. Pastaj ai nuk pati as një grusht njerëzish ta ndihmonin atë përkundër Allahut, as nuk ishte prej atyre që mund të shpëtonin vetveten. (Kur'an, 28:81)
Ajo që i ndodhi Karunit ishte një paralajmërim dhe një ndodhi nga e cila ata përreth tij, sikurse edhe gjeneratat e ardhshme, do të nxjerrnin mësime. Ata të cilët ndjenë keqardhje për të menjëherë kuptuan se ajo që ata kishin dëshiruar aq shumë ishte në të vërtetë e përkohshme dhe përfundimisht e pavlerë. Ata kuptuan se ata që mburren për pronat dhe pasurinë e tyre kurrë s’mund të arrijnë shpëtimin dhe se në fund duhet të japin llogari për veprat e tyre:
Dhe ata që kishin dëshiruar një pozitë të atillë si e atij një ditë më parë, filluan të thonë: "A nuk e dini se është Allahu ai që e shton Rizkun (furnizimin dhe mirësitë) ose e pakëson atë për kë ai do për robërit e tij? Po të mos kishte qenë Allahu i Mëshirshëm ndaj nesh Ai do ta kishte bërë tokën t'na gëlltiste ne të gjithëve! A nuk e dini ju se mosbesimtarët nuk do të jenë kurrë të fituar?!" (Kur'an, 28:82)
Përfundimisht, fundi i parapërgatitur për Faraonin dhe Hamanin, ishte fundi i njëjtë me të cilin u ndesh Karuni:
Edhe Karunin, edhe Faronin, edhe Hamanin (gjithashtu i shkatërruam Ne). Dhe Musai padyshim që iu shkoi atyre me Shenja të Qarta, por ata ishin kryelartë në tokë, e prapseprap ata nuk mund të na shmangeshin Neve (Ndëshkimit Tonë). (Kur'an, 29:39)
Tregimi për Karunin qartë na mëson se Zoti nuk derdh nga mëshira e Tij mbi ata që janë arrogant për shkak të pasurisë dhe pronave të tyre dhe që e konsiderojnë veten si më të mençur dhe më të dijshëm se të tjerët. Në Kur’an, Zoti na jap gjithashtu shembuj për popujt e tjerë të së kaluarës. Shumë qytetërime të së kaluarës kishin arritur zhvillim të madh dhe pasuri të mëdha materiale. Prapseprap, të gjitha këto qytetërime u fshinë nga faqja e dheut. Zoti ktheu prapa shpirtërat e këtyre njerëzve që kishin besuar të ishin sundimtarët e tokës dhe i shndërroi pallatet e tyre në rrënoja:
Dhe shumë prej vendbanimeve vërtetë i shkatërruam Ne, ku ata ishin të dhënë pas së keqes duke mbetur nën gërmadha (deri më sot) si dhe shumë puse uji të braktisur dhe pallatë madhështore! (Kur'an, 22:45)
Në tregimin për Karunin mësojmë edhe një tjetër mësim: që të mos mashtrohemi nga joshja e pasurisë së përkohshme të kësaj bote dhe të atyre që i posedojnë ato. Ata nga të cilët duhet të anoj një besimtar janë njerëzit që përballojnë vështirësi në rrugën e Zotit, ata që shpenzojnë pasuritë e tyre dhe jetojnë për hir të Zotit dhe ata njerëz të përkushtuar dhe të urtë, zemrat e të cilëve janë përplot dashuri për Zotin. Siç ka thënë Profeti Muhamed (saas): “Zoti nuk shikon pamjen tuaj dhe pasuritë tuaja, por Ai shikon në zemrat tuaja dhe në veprat tuaja.” (Muslim) Ata që të lënë përshtypjen se qojnë një jetë luksoze dhe të përparuar, në të vërtetë jetojnë një jetë pa vlera shpirtërore. Çdo ditë i shpie këta njerëz drejt vuajtjeve të përjetshme të ferrit. Zoti shpjegon këtë në këtë mënyrë:
Pra, mos t'i marrin mendët as pasuria e tyre, as fëmijët e tyre. Në të vërtetë Allahu do që t'i ndëshkojë ata me këto në jetën e kësaj bote dhe që t'u ndahet shpirti që këtej duke qenë mosbesimtarë. (Kur'an, 9:55)
Pasuritë nuk duhet kërkuar vetëm për kënaqësi dhe për salltanet. Duhet të kemi parasysh se Zoti e vën në sprovë njeriun edhe me pasurinë e tij. Këto pasuri iu sjellin njerëzve kënaqësi nëse përdoren për të fituar kënaqësinë e Zotit. Karuni p.sh., përfundoi në mjerim, përkundër pasurisë së tij të pallogaritshme. Rasti i Karunit është me të vërtetë një paralajmërim për të gjitha gjeneratat, si të shkuara ashtu edhe të tashme.