Kudo në këtë libër kemi diskutuar se sa jashtëzakonisht i devotshëm ndaj Allahut ishte Profeti Jusuf (as), sa mirë ishte ai i mbrojtur prej Tij, dhe sa shpesh ai i drejtohej dhe i falënderohej Atij. Kjo mund të shihet në vargjet vijuese në të cilat Allahu e frymëzon atë me fjalët në vazhdim:
(Pasi iu plotësua dëshira Jusufi tha) Zoti im, Ti më ke dhënë mua pushtet, më mësove mua komentimin e ëndrrave; o Krijues i qiejve e i tokës, Ti je kujdestar imi në dynja e në Ahiret, më bën të vdes si Mysliman dhe më bashko me të mirët!" (Sure Jusuf: 101)
Siç kemi parë, Profeti Jusuf (as) ishte i vetëdijshëm se të gjitha vetitë që ai posedonte, si të mirat materiale ashtu edhe dijeninë dhe arsyen e tij, i ishin dhuruar atij prej Allahut. Ata që mohojnë fenë e vërtetë, në anën tjetër, besojnë se ata sigurojnë çdo gjë përmes përpjekjeve të tyre, duke lartësuar kështu veten e tyre në sytë e tyre dhe duke treguar mosmirënjohje ndaj mirësive të Allahut.
Lutja e Profetit Jusuf (as) siç është shënuar në vargjet e mësipërme është një shprehje tjetër e besimit dhe frikës së tij ndaj Allahut. Përkundër asaj se ishte një profet i zgjedhur prej Allahut, ai dëshiron të vdes si besimtar dhe t’i bashkëngjitet shoqërisë së të drejtëve (të mirëve). Asgjë nuk merret si e sigurt sa i përket pozitës së tij në jetën e përtejme. Ai ndjenë frikë të sinqertë ndaj Allahut dhe i drejtohet Atij kur ka nevojë.
Kjo është ajo formë e të kuptuarit dhe sjelljes që i ka hije një besimtari. Ata që mendojnë se e meritojnë Kopshtin (Xhenetin), që pohojnë se si robër të dashur të Allahut ata padyshim se do të jenë të shpëtuar në jetën e përtejme dhe ata të cilët nënçmojnë të tjerët me krenarinë e tyre, janë të pavëmendshëm. Besimtari i vërtetë, në anën tjetër, është gjithmonë i nënshtruar përballë Allahut, është gjithmonë i vëmendshëm që të mos rrezikoj kënaqësinë e Tij dhe vepron me përulje që kjo vetëdije sjell me vete.
Detyra e secilit Mysliman është të jetë besimtar i sinqertë, i nënshtruar, i devotshëm dhe i përulur, pikërisht sikurse Profeti Jusuf (as) dhe të lutet me përplot sinqeritet, “më bën të vdes si Mysliman dhe më bashko me të mirët (të drejtët)!”
Gjatë gjithë këtij libri ne kemi analizuar jetën e Profetit Jusuf (as) në dritën e hollësive të dhëna në Kuran. I vetmi burim i sigurt i dijenisë sonë për jetën e tij është ai që na është dhënë prej Allahut. Përtej kësaj, ne nuk kemi kurrfarë të drejte të shtojmë apo të heqim madje një fjalë të vetme. Allahu na ka treguar këtë në të vërtetë, duke zbuluar se gjithçka që është rrëfyer për Profetin Jusuf (as) në të vërtetë përbëhet prej gjërave të panjohura. Historia e Profetit Jusuf (as) përfundon me këto fjalë:
Këto janë nga ato lajme të panjohura, e Ne po t'i shpallim ty (Muhammed), se ti nuk ke qenë pranë tyre kur ata vendosën çështjen e tyre (hedhjen e Jusufit në pus etj.) dhe kur bënin dredhi. (Sure Jusuf: 102)
Me zbulimin e këtij informacioni, Allahu na mëson një urtësi të rëndësishme, të cilën mund ta përdorim në jetët tona dhe gjithashtu na ka lehtësuar që ti marrin profetët e të kaluarës si model duke na mundësuar që të njihemi me ta. Me përjashtim të ëndrrave të vërteta (të cilat siç kemi vërejtur nga dëshmitë e vet jetës së Profetit, nuk janë ndodhi të zakonshme apo të përditshme), ne nuk kemi mundësi që t’i shohim vërtet Profetin Jusuf (as), Profetin Jakub (as) apo cilindo profet tjetër derisa jemi në këtë botë. Megjithatë, leximi i kujdesshëm i Kuranit dhe vlerësimi serioz i jetëve të profetëve, pamja e mjedisit në të cilin jetuan dhe e sjelljes së tyre shembullore qartë në mendjet tona dhe përpjekja për ta kuptuar atë, mund t’na lejojë që të njihemi me profetët dhe të fusin në përdorim aftësinë e tyre superiore të perceptimit, natyrën e tyre shpirtërore dhe afërsinë e tyre me Allahun.
Kushdo që lexon këtë libër duhet pra të mendoj me kujdes për këtë. Ata duhet të vlerësojnë urtësinë e profetëve Jakub (as) dhe Jusuf (as) dhe të gjejnë mënyrën se si ta bëjnë këtë urtësi pjesë të jetës së tyre të përditshme. Nëse një njeri braktis shpresën përballë vështirësive dhe fatkeqësive që i ndodhin atij, apo nëse thotë: “Do të jetë shumë vështirë të rregullohet, nuk mund të bëjmë asgjë,” kur sheh gjendjen e vështirë të Myslimanëve, atëherë ne duhet të dimë se kjo është një pakujdesi e tmerrshme. Duhet ta kujtojmë durimin, vendosmërinë dhe besimin e paepur, të paluhatshëm në Allahun të Profetit Jusuf (as), i cili u hodh në pus, pastaj u shit si rob me çmim të ulët, u përgojua, u burgos pa bërë asnjë krim dhe u la aty me vite. Kështu duhet liruar nga defetizmi dhe dëshpërimi. Duhet të përkujtojmë se pavarësisht prej ngjarjeve fatkeqe që i ndodhën Profetit Jusuf (as) që dukeshin të jenë aq të mëdha nga pamja, ai u lirua prej tyre për një moment me zemërgjerësinë e Allahut dhe iu sigurua një mirësi e madhe.
Kurrë mos harroni se në ditët tona, pikërisht sikurse në kohën e Profetit Jusuf (as), ekziston një plan i përsosur hyjnor që vepron në çdo gjë që ndodhë dhe se Allahu krijon gjithçka që ndodhë me ndihmën dhe urtësinë e Tij. Mos harroni se Allahu ka fuqi mbi çdo gjë, dhe se Ai gjithmonë i ndihmon ata që besojnë dhe janë sinqerisht të devotshëm ndaj Tij, të cilët me devotshmëri dëshirojnë t’i shërbejnë Atij dhe të pasojnë të Dërguarin e Tij (saas). Ai u dhuron mirësi besimtarëve atëherë kur më se paku shpresojnë dhe iu ndihmon atyre në mënyra të papritura. Detyra e vetme e qenies njerëzore është të adhuroj Allahun bazuar në këto të vërteta dhe ta jetoj jetën e tij në pajtim me to.