Kurani iu zbrit njerëzimit nga Allahu që t’i shërbej si udhërrëfyes, ai përmban të dhënat më të sakta, që i sjellin lajme të gëzuara njerëzimit, që e paralajmërojnë atë dhe e rrënjosin frikën në të. Është një mëshirë e madhe dhe i vetmi Libër Hyjnor. Për atë arsye, njerëzit duhet ta lexojnë dhe mësojnë Kuranin mbi çdo gjë tjetër.
Sikur që përmban urdhërat e Allahut, Kurani gjithashtu u jap njerëzve të dhënat më të sakta për një varg çështjesh.
Allahu na mëson urtësi të rëndësishme në ato pjesë ku përshkruhen jetët e profetëve të së kaluarës. Tregimi jetësor i secilit profet na pajisë si me mësime të fesë ashtu edhe me shembuj se si duhet të sillemi në kohën dhe shoqërinë në të cilën jetojmë. Mësimi i këtyre tregimeve jetësore në hollësi, përpjekja për të kuptuar urtësinë që ato përmbajnë dhe të luturit Allahut që të mund ta bëjmë këtë, është detyrë e secilit Mysliman.
Në këtë libër do të analizojmë jetën dhe përpjekjet e njërit prej këtyre profetëve të së kaluarës, Jusufit (as), dhe do të marrim parasysh dijeninë që Allahu na dhuron në lidhje me të.
Profeti Jusuf (as), i njohur në Bibël si Jozefi, është njëri prej atyre profetëve për jetën e të cilit Kurani ka shumë për të thënë. Gati e tërë Surja Jusuf, njëra prej më të gjatave në Kuran, i kushtohet jetës së tij dhe të familjes së tij. Herët në këtë sure, Allahu zbulon se tregimi i tij jetësor përmban informata të rëndësishme, dëshmi dhe urtësi:
Njëmend, për ata që pyesin (interesohen), në ndodhinë e Jusufit dhe të vëllezërve të tij pati fakte (mbi fuqinë e Zotit). (Sure Jusuf: 7)
Pasi që Allahu u kushton shumë hapësirë hollësive të jetës së Profetit Jusuf (as), mund të jemi të sigurt se besimtarët mund të mësojnë shumë prej saj. Në të vërtetë, vargjet e fundit të sures theksojnë se tregimet jetësore të profetëve përmbajnë mësime të rëndësishme për ata që posedojnë mençuri dhe arsye dhe që janë në gjendje të kuptojnë kuptimet thelbësore të pranishme në krijim:
Në tregimet e tyre (të dërguarve dhe të Jusufit me vëllezër) pati mësime e përvojë për të zotët e mendjes. Ai (Kurani) nuk është bisedë e trilluar, por vërtetues i asaj që ishte më parë (librave të shenjta) dhe sqarues i çdo sendi, e edhe udhërrëfyes e mëshirë për një popull që beson. (Sure Jusuf: 111)
Njëri prej shembujve më madhështor të urtësisë në tregimet jetësore të profetëve është mënyra se si vargjet jo vetëm që përshkruajnë ngjarjet në të kaluarën, por gjithashtu ofrojnë mësime për gjeneratat e ardhshme duke vënë theksin në ndodhitë që akoma duhet të ndodhin. Në këtë kuptim, jeta e Jusufit (as) ka disa domethënie. Kur i hedhim një vështrim jetës së tij shohim se Myslimanët janë përballur me vështirësi të ngjashme në të gjitha kohërat, se ata u janë nënshtruar akuzave të pabaza prej njerëzve që nuk janë të fesë së tyre dhe se ata kanë përjetuar situata të shumta në të cilat është dashur të tregojnë durim dhe bindje përballë vullnetit të Allahut. Na është thënë se në një moshë të re Profeti Jusuf (as) ishte hedhur në një pus nga vëllezërit e tij dhe ishte lënë të vdes, se ai më vonë ishte shitur si rob dhe kishte kaluar shumë vite në burg si pasojë e akuzave të rrejshme dhe se ishte sprovuar me një varg vështirësish. Pra kur besimtarët i hedhin një vështrim jetës së tij gjejnë një numër të madh ngjashmërish me vet jetët e tyre. Është ligji i pandryshueshëm i Allahut ai që besimtarët gjatë gjithë kohës janë përballur me situata të ngjashme. Allahu e bën të qartë këtë në një numër të vargjeve:
Ky është ligji i Tij edhe me të dërguarit që i dërgoi para teje. E në ligjin Tonë ti nuk gjen ndryshim. (Sure Isra: 77)
(ky është) Ligji i Allahut e është i kahershëm edhe ndër të parët, në ligjin e Allahut nuk do të gjesh ndryshime. (Sure Fet’h: 23)
Veç kësaj, pas gjithë kurtheve që iu kurdisën atij; mënyra se si ai u hodh në pus, si u përgojua, si u burgos padrejtësisht dhe u la aty me vite, Allahu më në fund e bëri Jusufin (as) drejtues të Thesarit të Shtetit. Ai i dha atij pushtet, pozitë dhe pasuri. Ligji i pandryshueshëm i Allahut vlen këtu, sikur që vlen në çdo sferë tjetër. Allahu premton në disa vargje se besimtarët do të jenë të shpëtuar pas gjithë fatkeqësive të tyre:
Atyre nga mesi juaj të cilët besuan dhe bënë vepra të mira Allahu u premtoi se do t'i bëjë zotërues në atë tokë ashtu si pat bërë zotërues ata që ishin para tyre dhe fenë të cilën Ai e pëlqeu për ta, do ta forcojë, e në vend të frikës Ai do t'u dhurojë siguri. Ata më adhurojnë Mua e nuk më shoqërojnë asgjë. E kush edhe pas kësaj mohon, të tillë janë ata më të prishurit. (Sure Nur: 55)
Pikërisht si edhe me profetët tjerë, besimtarët që lexojnë tregimin jetësor të Profetit Jusuf (as) do të ndeshen me shumë lajme të gëzuara dhe do të mësojmë një numër të madh mësimesh. Duke qenë kështu, secili besimtar duhet t’i lexojë këto histori dhe të përpiqet ta kuptojë urtësinë që ato përmbajnë. Të kuptuarit e plotë të jetës së Profetit Jusuf (as) do t’i pajisë besimtarët me atë lloj diturie që do t’iu sjellë dobi atyre në jetën e tyre të përditshme dhe gjatë gjithë jetës së tyre.