Është vërtetuar në dritën e Kur'anit, haditheve dhe interpretimeve të dijetarëve Islamik se Profeti Isa (as) nuk kishte vdekur dhe ishte ngritur në praninë e All-llahut dhe se ai me të vërtetë do të kthehet në tokë. Megjithatë, mbetet një çështje e hapur: "Si do ta njohim ne Profetin Isa (as) kur ai të kthehet sërish në këtë botë dhe cilat prej veçorive të tij do ta bëjnë atë të njohur?"
Kur'ani, ose në ajete ose në tregime të veçanta, na jep informacion të hollësishëm në lidhje me jetët dhe moralin e lartë të profetëve. Shumë prej veçorive të përbashkëta të profetëve dhe të besimtarëve të vërtetë përmenden në Kur'an. Prandaj, besimtarët e sinqertë mund t'i njohin këto veti të larta dhe në këtë mënyrë ta njohin Profetin Isa (as).
Mirëpo, shumë pak njerëz do ta njohin Profetin Isa (as) kur ai të kthehet, siç pohohet nga Bediuzaman Said Nursi:
Kur Profeti Isa (paqja qoftë mbi të) do të vijë, nuk do të thotë se të gjithë duhet ta dinë që ai është Profeti Isa (as) i vërtetë. Të zgjedhurit e tij dhe ata afër tij do ta njohin atë nëpërmjet dritës së besimit. Nuk do të jetë e qartë vetvetiu që të gjithë ta njohin atë.23
Siç thotë Bediuzamani, gjatë viteve të para të ardhjes së tij të dytë, numri i njerëzve që do ta njohin Profetin Isa (as) do të jetë i kufizuar në një grup të vogël të njerëzve që janë të afërt me të. Veç kësaj, kjo do të jetë e mundshme vetëm përmes "dritës së besimit". "Drita e besimit" është të kuptuarit e dhuruar nga All-llahu atyre që besojnë në ekzistencën dhe njësinë e All-llahut, zbatojnë urdhrat e Kur'anit dhe jetojnë sipas Sunnetit të të Dërguarit të All-llahut, Profetit Muhammed (saas). Me një të kuptuar të tillë, besimtarët mund të vlerësojnë situatat në mënyrë të saktë dhe të kuptojnë hollësitë e ngjarjeve pa vështirësi. Siç shpallet në Kur'an, besimtarët janë ata njerëz të cilët mendojnë mbi gjithçka që i rrethon dhe kështu kurrë nuk iu ikin hollësitë apo aspektet suptile të gjërave. Me të vërtetë, All-llahu e njofton njeriun se Ai do t'ua dhurojë aftësinë e të dalluarit (për të gjykuar në mes të së drejtës dhe të gabuarës) atyre që mendojnë për të gjitha çështjet në përpjekje për ta kuptuar madhështinë dhe fuqinë e All-llahut dhe atyre që ia kanë frikën (takuan) Atij:
O besimtarë! Nëse i frikësoheni All-llahut, Ai do t'ju japë aftësinë e të gjykuarit drejt, do t'ju lirojë nga gjynahet tuaja dhe do t'ju falë. All-llahu zotëron mirësi të madhe. (Surja Enfal: 29)
Pra, ata që do ta njohin Profetin Isa (as) gjatë ardhjes së tij të dytë dhe që do t'i bashkëngjiten porosisë së tij do të jenë në të vërtetë besimtarët e drejtë të cilët besojnë në All-llahun dhe Kur'anin dhe në të Dërguarin e All-llahut (saas), dhe mendojnë thellë mbi gjërat. Bediuzaman Said Nursi, gjithashtu, tërheqë vëmendjen për këtë çështje si vijon:
Në të vërtetë, madje edhe zbritja e Profetit Isa (as) dhe se ai vet është Profeti Isa (as), mund të dihet vetëm nëpërmjet dritës së besimit; këtë nuk do ta dijë çdokush.24
Për t'iu përgjigjur kësaj pyetje, ne së pari i referohemi Kur'anit në kërkim të atyre vetive që janë të përbashkëta për të gjithë profetët për të cilët flitet në Kur'an dhe kjo vlen njëlloj edhe për Profetin Isa (as). Në fakt, ka veti të shumta të profetëve por në këtë pjesë ne do të theksojmë ato më të dukshmet të cilat bien në sy menjëherë.
Ashtu si të gjithë profetët e tjerë që All-llahu i ka zgjedhur për t'ia shpallur porosinë e Tij njerëzimit, Profeti Isa (as) është i njohur për vlerat e tij të shkëlqyera morale. Vetia më e dallueshme e Profetit Isa (as) është personaliteti i tij shembullor, menjëherë i dallueshëm në shoqërinë në të cilën ai jeton. Ai, me të vërtetë ka një karakter shembullor, të pashembullt në natyrë dhe që i bie në sy gjithkujt në shikim të parë. Një person shumë i përkushtuar, guximtar dhe i fortë, një shprehje e besimit që ai ka në All-llahun dhe e besimit të pastër të tij në Të. Me tipare të tilla, ai ka një ndikim të thellë në të gjithë. Kjo epërsi, një veti që e ndajnë të gjithë profetët, rrëfehet në këto ajete:
Ky është argumenti Ynë, të cilin Ne ia dhamë Ibrahimit kundër popullit të tij. Ne ngremë kë të duam në shkallë të lartë. Vërtet, Zoti yt është i Urtë e i Gjithëdijshëm. 84. Ne i dhuruam atij Isakun dhe Jakubin. Që të dy këta i udhëzuam në rrugë të drejtë, ashtu siç patëm udhëzuar më parë Nuhun. Ndër pasardhësit e tij Ne udhëzuam Davudin, Sulejmanin, Ejubin, Jusufin, Musain dhe Harunin. Kështu i shpërblejmë punëmirët. Ne udhëzuam edhe Zekerijan, Jahjain, Isain, Iljazin - të gjithë këta kanë qenë nga njerëzit e mirë. Po ashtu, udhëzuam edhe Ismailin, Eljesain, Junusin dhe Lutin - secilin prej tyre e ngritëm mbi të gjithë njerëzit. Ne zgjodhëm dhe udhëzuam në rrugë të drejtë edhe disa nga paraardhësit, pasardhësit dhe vëllezërit e tyre. Ky është udhëzimi i Allahut, të cilin Ai ia jep kujt të dojë nga robërit e Vet. Por, nëse ata adhurojnë zota të tjerë, do t'u humbë çdo gjë nga ajo që kanë bërë. (Surja En'am 83-88)
Se All-llahu iu dhuroi veti të larta profetëve, kjo shprehet në mënyrë të qartë në vargjet e mësipërme. Ka shumë shembuj të tjerë të rrëfyer në Kur'an dhe ajetet e mëposhtme na informojnë për tiparet e larta të dhuruara profetëve të ndryshëm:
Vërtetë, Ibrahimi ka qenë shëmbëlltyrë e të mirave, adhurues i All-llahut, besimtar i drejtë dhe nuk ka qenë nga idhujtarët. (Surja Nahl: 120)
Përkujto robërit tanë Ibrahimin, Is-hakun, Jakubin që ishin të fortë në zbatimin e detyrave dhe largpamës në fe. (Surja Sad: 45)
S'ka dyshim se ata ishin te Ne prej të zgjedhurve më të mirë. (Surja Sad: 47)
Ne i patëm dhënë Davudit dhe Sulejmanit dituri, e ata të dy thanë: "I falënderohemi vetëm All-llahut që na dalloi (me të mira) mbi shumë robër të Tij besimtarë…" (Surja Neml: 15)
Profeti Isa (as) është gjithashtu njëri prej profetëve të zgjedhur të All-llahut. All-llahu thotë për të si vijon:
Nga këta të dërguar, disa syresh i ngritëm mbi të tjerët. Disave All-llahu u foli drejtpërdrejt, kurse të tjerë i ngriti në shkallë të larta. Ne i dhamë Isait, birit të Merjemes, prova (mrekulli) të qarta dhe e ndihmuam me Shpirtin e Shenjtërisë (Xhibrilin a.s.). (Surja Bekare: 253)
All-llahu na njofton në Kur'an se superioriteti i atyre që Ai ka zgjedhur mund të jetë në aspektin e diturisë së tyre si edhe në aspektin e fuqisë së tyre fizike:
… Ai u përgjigj: "All-llahu e ka zgjedhur atë për mbretin tuaj dhe e ka pajisur me dijeni të gjerë dhe me fuqi trupore. All-llahu ia jep pushtetin e Vet kujt të dojë; All-llahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm." (Surja Bekare: 247)
I pajisur me urtësi, fuqi fizike, dituri dhe përsosmëri të karakterit, Profeti Isa (as) do të ketë një pamje të veçantë që mund të vërehet vetëm tek profetët. Frika e tij e fuqishme ndaj All-llahut dhe drita e besimit të tij të palëkundur do të jenë plotësisht të dukshme në fytyrën e tij. Kjo shprehje në fytyrën e tij në të njëjtën kohë do ta dalloj atë prej të tjerëve dhe njerëzit që do ta shohin atë menjëherë do të hetojnë se po takojnë dikë mjaft superior. Megjithatë, jo të gjithë do të jenë në gjendje për ta parë këtë të vërtetë të dukshme. Nga zemërimi dhe krenaria, është e mundshme që disa njerëz nuk do ta përfillin këtë superioritet dhe pavarësisht nga ajo që do të ndjejnë thellë në veten e tyre, ata mund të shtiren si të paditur. Vetëm ata që kanë besim të sinqertë do të kuptojnë këtë superioritet dhe do ta vlerësojnë atë.
All-llahu na informon se Profeti Isa (as) është "I famshëm në dynja (në këtë botë) dhe në ahiret (në jetën e përjetshme) dhe njëri prej të afërmve të All-llahut…" (Surja Ali Imran: 45) Pra, Profeti Isa (as) do të jetë i njohur për ata njerëz që e rrethojnë atë për nderin dhe përsosmërinë që mund të vërehet vetëm tek ata që janë të zgjedhur nga All-llahu.
Këta janë ata që u kemi dhënë Librin, Urtësinë dhe Profecinë… (Surja En'am: 89)
Gjatë gjithë historisë, All-llahu ka komunikuar porositë dhe shpalljet e Tij përmes të dërguarve të Tij. Ai gjithashtu iu dhuroi urtësi këtyre të dërguarve: një mënyrë bindëse dhe tejet të qëlluar të të folurit, sjellje shembullore në urdhërimin e veprave të drejta dhe në ndalimin nga e keqja, janë të gjitha veti të përbashkëta të profetëve. Në Kur'an, All-llahu gjithashtu tërheq vëmendjen ndaj urtësisë që i është dhuruar secilit profet. Për shembull, për profetin Davud (as), All-llahu thotë: "…Ne i dhamë mençuri e dijeni për të gjykuar." (Surja Sad: 20) Në mënyrë të ngjashme për profetin Jahja (as): "O Jahja, … Dhe Ne, kur ende ishte fëmijë, i dhamë mençuri." (Surja Merjem: 12) Për Musain (as), All-llahu na njofton: Dhe kur ai (Musai) arriti moshën madhore dhe pjekurinë e duhur, Ne i dhamë atij urtësi e dituri. (Surja Kasas: 14) Një varg tjetër në lidhje me këtë pason: "Ne i dhamë Lukmanit urtësinë (duke i thënë): "Falënderoje All-llahun!" (Surja Lukman: 12). Ngjashëm me këtë, All-llahu rrëfen: "Ne u dhamë pasardhësve të Ibrahimit Librin e urtësinë…" (Surja Nisa: 54)
Kështu një veti tjetër e profetëve është atyre u është dhuruar urtësi e jashtëzakonshme dhe kjo gjithashtu vlen edhe për Profetin Isa (as) siç mësojmë nga Kur'ani:
All-llahu do të thotë: "O Isa, i biri Merjemes, kujtoje mirësinë Time ndaj teje dhe nënës sate: se si të forcova ty me Shpirtin e Shenjtë (Xhibrilin), kështu që ti u predikoje njerëzve, kur ishe foshnjë në djep dhe i rritur (burrë); se si të mësova Librin dhe Urtësinë, Teuratin dhe Ungjillin. (Surja Ma'ide 110)
E, kur Isai solli prova të qarta, tha: "Ju kam sjellë urtësinë (Profecinë) dhe do t'ju shpjegoj disa gjëra, për të cilat nuk po pajtoheni. Andaj, frikësojuni All-llahut dhe bindmuni mua! (Surja Zuhruf: 63)
Këto ajete tregojnë se Profeti Isa (as) do të jetë i njohur nga mënyra e tij bindëse, tejet e qëlluar dhe e mahnitëse e të folurit. Si në të gjitha çështjet tjera, një mënyrë bindëse e të folurit është një veti e përbashkët për profetët. Besimtarët që i përmbahen Kur'anit si udhëzues në të vërtetën kuptojnë se të folurit e Profetit Isa (as) ka urtësinë e cila është e veçantë për të dërguarit e zgjedhur prej All-llahut. Mençuria që ai shfaqë, parashikimet e përsosura që ai bën, zgjedhjet e mençura që ai sjellë do të jenë shenja të qarta të një dhuntie të veçantë që All-llahu i ka dhuruar atij. Kështu, superioriteti i tij do të jetë edhe më i qartë.
Çdo i dërguar e prezantoi veten tek komuniteti tek i cili u dërgua duke thënë: "Unë jam një i dërguar i besuar për ju" (Surja Shu'ara: 107) Kjo besnikëri e të dërguarve është rezultat i përmbajtjes së tyre të rreptë ndaj Librit dhe fesë së All-llahut dhe detyrimeve të përcaktuara nga Ai. Ata me përpikëri respektojnë kufijtë e All-llahut dhe kurrë nuk devijojnë nga rruga e Tij e drejtë. Duke pasur për qëllim vetëm të arrijnë kënaqësinë e All-llahut, ata nuk i nënshtrohen dëshirave të askujt. Në Kur'an informohemi se të gjithë profetët pa dallim u identifikuan nga popujt e tyre përmes kësaj karakteristike të tyre. Për shembull, në Kur'an, Musai (as) e prezantoi veten tek komuniteti në mesin e të cilit ka jetuar, si vijon:
Përpara tyre Ne vumë në sprovë popullin e Faraonit, kur u pat ardhur i Dërguari fisnik, (i cili u tha): "Më sillni robërit e All-llahut, sepse Unë jam për ju një i dërguar i besuar! (Surja Duhan: 17-18)
Nuk ka dyshim, bashkësitë në përgjithësi dështuan në vlerësimin e kësaj vetie të rëndësishme të të dërguarve. Për më tepër, duke refuzuar të largohen nga mënyra injorante e jetesës në të cilën u zhytën ata dhe duke refuzuar të jetojnë sipas fesë së vërtetë në të cilën të dërguarit i thirrën, ata zakonisht u treguan jotolerant ndaj tyre. Vetëm pas një kohe të caktuar ata e kuptonin se të dërguarit ishin njerëz të besueshëm. Profeti Jusuf (as) është një shembull i mirë. Ai u sprovua me vështirësi për një periudhë të gjatë; së pari ai u shit si skllav dhe më pas u burgos për një numër vitesh. Megjithatë, me vullnetin e All-llahut, kur arriti koha e duhur, ai u njoh si një person i besueshëm nga njerëzit dhe mbreti e vendosi në krye të thesarit të shtetit:
Mbreti tha: "Ma sillni atë, do ta marr pranë vetes." Pasi bisedoi me të, i tha: "Qysh sot, ti ke pozitë të lartë dhe je i besuar." (Surja Jusuf: 54)
Këto veti të profetëve të përmendura në Kur'an gjithashtu do të jenë të dallueshme tek Profeti Isa (as). Në ardhjen e tij të dytë në tokë, si një ligj i pandryshueshëm i All-llahut, ai do të njihet për besueshmërinë e tij. All-llahu do ta ndihmoj atë, ashtu si i ndihmoi të gjithë profetët tjerë dhe besueshmëria e tij do të jetë e qartë në kohën e duhur.
Shumë kohë më parë Ne u premtuam robërve Tanë të dërguar se ata do të ndihmohen (prej Nesh) dhe se ushtritë tona do të jenë me siguri fitimtare! (Surja Saffat: 171-173)
All-llahu iu dhuroi mbrojtje të dërguarve të Tij mbi njerëzit e tjerë. Ai iu dha atyre fuqinë për të mposhtur armiqtë e tyre dhe i mbrojti ata kundër të gjitha komploteve të tyre. Qoftë në fazën e marrjes së një vendimi apo të realizimit të një plani, All-llahu gjithmonë i mbështeti ata.
Një tjetër shenjë për besimtarët që janë duke e pritur ardhjen e Profetit Isa (as), të Dërguarit të All-llahut, është dhuntia e tij që gjithçka që bën të ketë sukses. Vlerësimet e tij, p.sh., apo metodat që ai përdorë, të gjitha sjellin rezultate të mrekullueshme për të si edhe për njerëzit rreth tij. Me të vërtetë, disa ngjarje që duken të jenë kundër të mirës së njerëzve shpejti do të dëshmohet të jenë e kundërta e saj. Ndodhi të tilla do të dëshmojnë se vlerësimet e tij do të jenë të qëlluara. Kjo për arsye se All-llahu i siguroi të Dërguarit e Tij se ata gjithmonë do të triumfojnë. Pra, kjo ardhje e dytë e Profetit Isa (as) do të jetë shumë më e ndryshme nga ajo e para, duke qenë se kjo e dyta do të jetë nën flamurin ngadhënjimtar të Islamit. Ky premtim siguron suksesin e plotë që Profeti Isa (as) do të arrijë në misionin e tij.
Me të vërtetë, kjo do të jetë aq e qartë sa që në mënyrë të pashmangshme do të tërheqë vëmendjen e besimtarëve që do ta pasojnë atë. Ndërkohë, armiqtë e tij do të vënë re gjithashtu natyrën e jashtëzakonshme të kësaj situate. Megjithatë, ata do të dështojnë të pranojnë se ky është udhëzim i qartë i All-llahut. Kjo është thjeshtë për shkak se qëllimi i tyre kryesor në jetë është të mposhtin këtë person të shquar të cilin ata e shohin si "një qenie të zakonshme njerëzore si ata vet." Megjithatë, si theksohet në ajetin: "Pastaj, Ne do t'i shpëtojmë të dërguarit Tanë dhe ata që kanë besuar. Kështu, është detyra Jonë që t'i shpëtojmë besimtarët." (Surja Junus: 103) All-llahu do t'i bëjë të padobishme të gjitha përpjekjet e tyre dhe do ta ndihmojë të dërguarit e Tij. Komplotet apo luftërat e bëra kundër tij kurrë nuk do të kenë sukses.
Të gjithë profetët e përmendur në Kur'an shërbyen në rrugën e All-llahut duke mos kërkuar ndonjë shpërblim për këtë. I vetmi përfitim që ata kërkuan ishte kënaqësia e All-llahut. Kurrfarë përfitimi të dynjasë, kurrfarë përfitimi nuk kërkuan ata prej askujt. Një prej ajeteve që e lartëson këtë virtyt të të dërguarve është si vijon:
O populli im! Unë nuk kërkoj nga ju shpërblim për këtë. Mua më shpërblen vetëm Ai që më ka krijuar! A nuk kuptoni?! (Surja Hud: 51)
Ky virtyt i përbashkët për të gjithë të dërguarit do të jetë i dukshëm edhe tek Profeti Isa (as). Në ardhjen e tij të dytë, ai do t'i thërras njerëzit nga mbarë bota në fenë e vërtetë të All-llahut. Megjithatë, ai nuk do të synojë përfitime të dynjasë për këtë. Ashtu si të gjithë të dërguarit e tjerë të përmendur në Kur'an, ai do të ndjekë kënaqësinë e All-llahut duke dëshiruar që të shpërblehet nga Ai. Kjo veçori e tij do të bëj që ai të fitoj emër në shoqëri. Megjithatë, duhet gjithashtu të kemi parasysh se, si në të gjitha aspektet tjera, vetëm besimtarët do ta njohin dhe çmojnë këtë tipar të tij. Për më tepër, edhe pse armiqtë e tij do ta njohin atë, është plotësisht e mundshme që ata të mund të përhapin shpifje për të, ashtu si ato që përjetuan profetët tjerë në të kaluarën. Megjithatë, All-llahu do të provojë natyrën e pabazë të këtyre shpifjeve dhe do t'i ndihmojë atij, po në të njëjtën mënyrë në të cilën Ai e udhëzon atë në gjitha veprat e tij.
Një veti tjetër e veçantë për të dërguarit është natyra e tyre "e mëshirshme dhe e butë" ndaj besimtarëve. Duke qenë i butë dhe i mëshirshëm për besimtarët që i pasojnë ata, të gjithë të dërguarit u përpoqën ta përmirësojnë karakterin e besimtarëve për mirëqenien e tyre si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër. Vetia më e dallueshme e Profetit Isa (as) do të jetë mëshira e tij ndaj besimtarëve. All-llahu na rrëfen për këtë virtyt me shembullin e të Dërguarit të Fundit Muhammedit (saas), por i cili është e përbashkët për të gjithë besimtarët, si vijon:
Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët. (Surja Teube: 128)
Profeti Isa (as) do të jetë gjithashtu "thellësisht i brengosur" për besimtarët që e rrethojnë atë. Ky sinqeritet i jashtëzakonshëm i rrënjosur në qenien e tij do të jetë një prej dëshmive konkrete se ai është Profeti Isa (as) i vërtetë.
Besimtarët e vërtetë do ta njohin Profetin Isa (as) nga shenjat. Çdo veprim i tij do të jetë i mençur dhe i paimitueshëm; këto shenja do ta veçojnë atë prej njerëzve të tjerë dhe ai do të njihet menjëherë pa pasur nevojë për ndonjë dëshmi. Pikërisht përpjekjet e mesihëve të rrejshëm që të dëshmojnë se ata janë Profeti Isa (as) është treguesi më i mirë se ata janë, në të vërtetë, mashtrues. Veprimet e Profetit Isa (as) do të përbëjnë dëshminë e identitetit të tij. Ai do t'u shkaktojë një humbje të tmerrshme lëvizjeve dhe sistemeve ateiste që përpiqen të përhapin mohimin e All-llahut dhe të përhapin imoralitetin. Do të jetë lehtë për të që të ndalojë komplotet e mohuesve me frymëzimin e All-llahut, të përhap fenë e All-llahut midis njerëzve dhe të mohojë përpjekjet e të pafeve. Me anë të mrekullive të tij ai do të dëshmojë se feja e All-llahut është rruga e drejtë dhe se besimtarët do të fitojnë pushtet në mënyrë të pashmangshme. Në Kur'an All-llahu iu jep lajmin e gëzuar besimtarëve:
Ata dëshirojnë ta shuajnë dritën e All-llahut me gojën e tyre, por All-llahu e përsos dritën e Vet, edhe nëse (këtë gjë) e urrejnë jobesimtarët. All-llahu është Ai që e ka çuar të Dërguarin e Vet me udhërrëfimin dhe fenë e së Vërtetës, për ta ngritur atë më lart se të gjitha fetë, edhe nëse nuk e pëlqejnë idhujtarët. (Surja Saff: 8-9)
Profeti Isa (as) do të mund të njihet për nga vetitë e përmendura në Kur'an. Megjithatë, do të ketë edhe faktorë të tjerë që do ta zbulojnë identitetin e tij. Njëri prej tyre do të jetë fakti se ai nuk do të ketë të afërm, familje apo të njohur në tokë. Nuk do të ekzistojë asnjë njeri që i di tiparet e tij fizike, fytyrën e tij apo tonin e zërit të tij. Me të vërtetë, askush nuk do ta njoh atë kur ai vjen në tokë për herë të dytë, thjeshtë sepse njerëzit që e njihnin atë jetuan dhe vdiqën dy mijë vjet më parë. Nëna e tij Merjemja (as), Profeti Zekerija (as), dishepujt që kaluan vite të tëra pranë tij, hebrenjtë e shquar të asaj kohe dhe madje edhe ata të cilët dëgjuan për shpalljet e Profetit Isa (as) janë të gjithë të vdekur për kohë të gjatë. Kështu, me ardhjen e tij të dytë në tokë askush s'do të ketë qenë dëshmitar i lindjes së tij, fëmijërisë, rinisë apo moshës së rritur. Askush nuk do të dijë asgjë për të. Siç u shpjegua në pjesët e mëparshme të librit, Profeti Isa (as) erdh në jetë me urdhrin e All-llahut, urdhrin "Bëhu!" Pas dy mijëvjeçarëve, është shumë e natyrshme që ai të mos ketë të afërm në tokë. All-llahu tërheqë një analogji në mes të gjendjes së tij dhe të Ademit (as) kur thotë:
Rasti i Isait për All-llahun është si rasti i Ademit që e krijoi prej baltës e pastaj i tha: "Bëhu!" - dhe ai u bë. (Surja Al 'Imran: 59)
Siç përmendet në këtë ajet, All-llahu i dha urdhër "Bëhu!" Ademit (as) dhe kështu ai u krijua. Mënyra se si Profeti Isa (as) u krijua për herë të parë ndodhi gjithashtu në të njëjtën mënyrë edhe pse ai kishte një nënë. Ademi (as) nuk kishte prindër dhe as Profeti Isa (as) nuk do të ketë me ardhjen e tij të dytë. Qindra vjet më vonë, ai do të jetë në tokë pa asnjë të afërm të njohur.
Një prej tipareve/veçorive më të rëndësishme që e dallojnë Profetin Isa (as) prej mesihëve të rrejshëm është se ai nuk do të ketë as nënë, as baba, as të afërm, as shokë apo të njohur në tokë. Kjo eliminon rrezikun e 'Mesihut të rrejshëm' që shfaqet kohë pas kohe. Kur Profeti Isa (as) të kthehet në tokë nuk do të ketë kurrfarë dyshimi në lidhje me identitetin e tij të vërtetë. Askush s'do të ketë ndonjë arsye të thotë: "Ky person nuk mund të jetë Profeti Isa (as)." Kjo për arsye se Profeti Isa (as) do të jetë menjëherë i njohshëm me këtë veti të vetme, që mund ta bëj atë të dalloj nga çdo njeri në tokë, madje edhe nëse në të vërtetë asnjë njeri nuk do ta njoh besimin e tij. Gënjeshtrat e atyre që pretendojnë rrejshëm të jenë mesihu do të kuptohen me lehtësi. Është krejtësisht e palogjikshme për dikë që ka kaluar tërë fëmijërinë midis njerëzve, për fëmijërinë e të cilëve shumëçka është ende e gjallë dhe për të cilët një numër i madh i njerëzve kanë ditur të pretendojnë të jenë Profeti Isa (as) prej se kanë qenë të ri fare.