logo
HARUN YAHYA

PROFETI ISA (AS), I BIRI I MERJEMES (AS), NË KUR'AN

Kjo pjesë e librit analizon hollësitë lidhur me ardhjen e dytë të Profetit Isa (as) që i gjejmë në burimet më të besueshme. I pari prej këtyre burimeve është pa dyshim Kur'ani, Fjala e pandryshuar e All-llahut, siç thuhet në Kur'an: "Fjalët e Tij askush nuk mund t'i ndryshojë." (Surja En'am: 115) dhe burimi i dytë është Sunneti i të Dërguarit të fundit të All-llahut, Profetit Muhammed (saas). Kur'ani na jep informacion të hollësishëm për shumë faza të jetës së Profetit Isa (as) duke përfshirë lindjen e tij, ngritjen e tij në Praninë e All-llahut, ardhjen e tij të dytë dhe vdekjen e tij.

Profeti Isa (as), i cili jetoi rreth dy mijë vjet më parë, është një i dërguar i bekuar i All-llahut. Siç është cekur në Kur'an, ai nderohet lartë si në këtë botë ashtu edhe në Ahiret (Jetën e përtejme). Feja e vërtetë që iu shpall atij vazhdon të jetoj ende sot, megjithëse vetëm në emër. Kjo për arsye se mësimi origjinal i komunikuar nga Profeti Isa (as) është shtrembëruar. Libri të cilin All-llahu ia shpalli Profetit Isa (as), gjithashtu, është shtrembëruar. Burimet e krishtera kanë pësuar një varg ndryshimesh dhe shtrembërimesh. Si pasojë, sot nuk është e mundshme që ne të marrim njohuri të vërtetë lidhur me Profetin Isa (as) nga burimet e krishtera.

Burimet e vetme prej të cilave mund të marrim njohuri të sakta për Profetin Isa (as) janë Kur'ani, libri të cilin All-llahu siguron se do ta mbajë të pandryshuar deri në Ditën e Gjykimit dhe Sunneti i të Dërguarit të Tij Profetit Muhammed (saas). Në Kur'an, All-llahu rrëfen për lindjen dhe jetën e Profetit Isa (as), disa ndodhi të cilat ai i përjetoi, njerëzit përreth tij dhe shumë çështje tjera në lidhje me atë. Veç kësaj, ajetet Kur'anore na informojnë edhe për jetën e Merjemes (as) para se ajo të lindte Profetin Isa (as), se si ajo mbet shtatzënë në mënyrë të mrekullueshme dhe reagimet e njerëzve përreth saj lidhur me këtë ngjarje. Për më tepër, disa ajete të Kur'anit bëjnë me dije se Profeti Isa (as) do të vjen në tokë për të dytën herë në fundin e kohës. Kjo pjesë na paraqet disa nga këto të dhëna në Kur'an.

Lindja e Merjemes dhe mënyra si u rrit ajo

Merjemja (as), e cila ishte e zgjedhur për ta sjellë në jetë Profetin Isa (as), ka lindur në një kohë të trazuar. All-llahu zgjodhi posaçërisht Merjemen (as) për këtë detyrë të bekuar dhe e edukoi në përputhje me këtë. Merjemja (as) vinte nga një familje fisnike, familja e 'Imranit. All-llahu e zgjodhi këtë familje mbi gjithë njerëzit.

Pjesëtarët e familjes së Imranit ishin të njohur si njerëz që kishin besim të madh në All-llahun. Ata i drejtoheshin Atij gjatë kryerjes së gjitha punëve të tyre dhe me përpikëri respektonin kufijtë e përcaktuar prej Tij. Kur gruaja e Imranit mësoi se ishte shtatzënë, ajo iu drejtua Krijuesit të saj dhe u lut, dhe ia kushtoi atë që ishte në mitrën e saj në shërbim të All-llahut. All-llahu rrëfen për këtë në Kur'an:

Kujto kur gruaja e Imranit tha: "Zoti im, unë Ty ta kam kushtuar atë që është në barkun tim, që të shërbejë vetëm Ty; andaj, pranoje prej meje! Se Ti, me të vërtetë, dëgjon dhe di çdo gjë." E kur ajo lindi, tha: "Zoti im! Unë linda femër, - All-llahu e di më mirë se çfarë lindi ajo, - e mashkulli nuk është si femra. Unë ia vura emrin Merjeme dhe i kam lënë atë me pasardhësit e saj nën mbrojtjen Tënde nga djalli i mallkuar". (Surja Al 'Imran: 35-36)

Kur lindi Merjemja (as), gruaja e Imranit kërkoi vetëm kënaqësinë e All-llahut. Ajo iu drejtua All-llahut dhe i la Merjemen (as) dhe fëmijët e saj nën mbrojtjen e Tij nga shejtani i mallkuar. Si shpërblim për sinqeritetin dhe lutjen e saj, All-llahu i dhuroi Merjemes (as) virtyte fisnike. Në Kur'an, All-llahu shpjegon se si Merjemja (as) u rrit nën mbrojtjen dhe kujdesin e plotë të Tij. Zoti e pranoi atë me ëndje, e bëri që të rritet mirë." (Surja Al 'Imran: 37) Zekeriaja (as) u bë kujdestar i Merjemes (as) dhe gjatë kohës që ajo kaloi me të, ai e kuptoi se ajo ishte e nderuar me cilësi të jashtëzakonshme. Veç kësaj, All-llahu i dhuroi asaj shumë të mira:

Sa herë që hynte Zekeria në dhomën (mihrabin) e saj, gjente pranë saj ushqim dhe e pyeste: "O Merjeme! Nga të vjen ky ushqim?"Ajo përgjigjej: "Ky është nga All-llahu, se All-llahu e furnizon kë të dojë pa kufi." (Surja Al 'Imran: 37)

Ashtu siç zgjodhi All-llahu familjen e Imranit, Ai zgjodhi edhe Merjemen (as), një pjesëtare të familjes së Imranit dhe e pajisi atë me një edukatë të jashtëzakonshme. All-llahu e pastroi Merjemen (as) dhe e zgjodhi atë mbi të gjitha gratë tjera. Kjo veti e saj është theksuar në Kur'an:

(Kujto) kur engjëjt thanë: "O Merjeme! All-llahu të ka zgjedhur, të ka pastruar dhe të ka parapëlqyer ty mbi të gjitha gratë e botës. O Merjeme! Bindju Zotit tënd! Bëj sexhde dhe përkulu në ruku bashkë me ata që përkulen (duke adhuruar All-llahun)!" (Surja Al 'Imran: 42-43)

Merjemja (as) u bë e njohur në bashkësinë në të cilën jetoi për besnikërinë dhe sinqeritetin që ajo tregonte ndaj All-llahut. Ajo është shquar sidomos si një femër "e cila ruajti dëlirësinë e saj." Në Suren Tahrim, gjejmë këtë përshkrim lidhur me këtë:

Edhe Merjemen, të bijën e Imranit, e cila ruajti virgjërinë e saj; Ne frymë brenda saj nga shpirti Ynë (shpirtin e Isait a.s.). Ajo u besoi fjalëve të Zotit të saj dhe librave të Tij e ishte nga të devotshmit! (Surja Tahrim: 12)

Profeti Isa (as) lindi pa baba

Njëra prej mrekullive më të mëdha që All-llahu shfaqi në Profetin Isa (as) është mënyra në të cilën Merjemja (as) mbet shtatzënë. Kur'ani jep hollësi të shumta lidhur me këtë çështje. Mënyra se si Xhibrili (Gabrieli) (as) iu shfaq asaj përshkruhet me këto fjalë në Suren Merjem:

Dhe trego (o Muhamed) në Libër për Merjemen, kur u tërhoq nga familja e saj në një vend në lindje, duke e fshehur veten nga ata. Ne i dërguam Shpirtin Tonë, i cili iu paraqit asaj si një njeri i plotë. (Surja Merjem: 16-17)

Siç njoftohemi në ajetet e mësipërme, në një nga fazat e jetës së saj, Merjemja (as) u tërhoq nga njerëzit e saj në një vend në lindje dhe kaloi një pjesë të jetës atje. Në këtë kohë, asaj iu shfaq Xhibrili (as) si një qenie e zakonshme njerëzore. Një tjetër çështje me rëndësi që theksohet në këto ajete është sjellja modeste e Merjemes (as) dhe frika e fuqishme ndaj All-llahut. Fjalët e para që ajo shqiptoi kur e pa Xhibrilin (as) ishin:

Ajo i tha: "Unë kërkoj që të më mbrojë i Gjithëmëshirshmi prej teje, nëse i frikësohesh All-llahut. (Surja Merjem: 18)

Megjithatë, Xhibrili (as) u prezantua dhe shpjegoi se ai ishte një i dërguar, i dërguar nga All-llahu për t'ia dhënë asaj lajmin e gëzuar. Ajetet na njoftojnë se përgjigja e Xhibrilit (as) ishte:

Ai tha: "Në të vërtetë, unë jam vetëm një i dërguar i Zotit tënd, që të dhuroj ty një djalë të pastër." (Surja Merjem: 19)

(Kujto) kur engjëjt thanë: "O Merjeme! All-llahu të jep lajmin e mirë për një (djalë që do të lindë me një) Fjalë prej Tij: emrin do ta ketë Mesih - Isa i biri i Merjemes, do të jetë i nderuar në këtë botë dhe në tjetrën dhe një nga të afërmit e All-llahut. (Surja Al 'Imran: 45)

Me të marrë këtë lajm të gëzuar, Merjemja (as) ngriti çështjen se si ajo mund të kishte një djalë kur asnjë njeri nuk e kishte prekur kurrë atë:

Ajo tha: "Si mund të kem unë djalë, kur asnjë mashkull nuk më ka prekur e nuk jam as e pacipë?!" Iu përgjigj: "Kështu është! Zoti yt ka thënë: 'Kjo për Mua është e lehtë. Ne do ta bëjmë atë shenjë për njerëzit dhe mëshirë nga ana Jonë'. Dhe kjo është punë e kryer." Ajo mbeti me barrë e u tërhoq me të në një vend të largët. (Surja Merjem: 20-22)

Ajo tha: "Zoti im! Qysh do të kem unë fëmijë, kur nuk më ka prekur askush?!" – "Kështu – tha (engjëlli) - All-llahu krijon ç'të dojë Vetë. Kur vendos diçka, Ai vetëm thotë për të: "Bëhu!" - dhe ajo bëhet." (Surja Al 'Imran: 47)

Siç mund të shihet nga ajetet e mësipërme, Xhibrili (as) i dha Merjemes (as) lajmin e gëzuar se ajo ishte shtatzënë dhe i tha asaj: "All-llahu vetëm i thotë: 'Bëhu!' Ajo menjëherë bëhet." Merjemen (as) s'e kishte prekur kurrë asnjë njeri. Me fjalë të tjera, Profeti Isa (as) nuk erdh në jetë në mënyrën e zakonshme në të cilën krijohen fëmijët. Kjo është vetëm një nga mrekullitë që përjetoi Profeti Isa (as) gjatë jetës së tij dhe që do të përjetojë kur të kthehet në tokë për herë të dytë, si mirësi nga All-llahu.

Gjatë kohës kur Merjemja (as) qëndroi në këtë "vend të largët", All-llahu e ndihmoi atë si fizikisht ashtu edhe materialisht. Ajo ishte nën mbrojtjen dhe kujdesin e Tij të plotë gjatë shtatzënisë së saj. All-llahu në veçanti u përkujdes për të gjitha nevojat e saj. Ndërkohë, duke bërë që ajo të vendosej në një vend të izoluar, All-llahu ndaloi gjithë dëmin që njerëzit të cilëve u mungon aftësia e të kuptuarit të kësaj mrekullie do të mund t'i shkaktonin asaj.

Profeti Isa (as) është "Fjalë e All-llahut"

Në Kur'an All-llahu tërheq vëmendjen tonë për faktin se, që nga lindja e tij e deri në vdekje, Profeti Isa (as) dallonte shumë nga të gjithë njerëzit e tjerë në tokë, sepse Ai kështu deshi. Kur'ani vërteton lindjen e tij të pastër, një formë e krijimit e panjohur për ne. Para se të lindte Profeti Isa (as), All-llahu e njoftoi nënën e tij për shumë tipare të Profetit Isa (as) duke përfshirë faktin se ai u dërgua si Mesih për Beni Israilët. Ai gjithashtu u shpall "Fjalë" e All-llahut:

…Mesihu - Isai, i biri i Merjemes, është vetëm i Dërguar i All-llahut dhe Fjala e Tij, të cilën ia ka dërguar Merjemes, si dhe shpirt (i krijuar) nga Ai… (Surja Nisa: 171)

(Kujto) kur engjëjt thanë: "O Merjeme! All-llahu të jep lajmin e mirë për një (djalë që do të lindë me një) Fjalë prej Tij: emrin do ta ketë Mesih - Isa i biri i Merjemes, do të jetë i nderuar në këtë botë dhe në tjetrën dhe një nga të afërmit e All-llahut. (Surja Al 'Imran: 45)

All-llahu i dha atij emrin e tij para lindjes së tij, ashtu siç bëri me Jahjanë (Gjonin) (as). All-llahu i dha atij emrin Mesihu, Profeti Isa, biri i Merjemes. Ky është një nga treguesit më të qartë se Profeti Isa (as) u krijua ndryshe nga njerëzit e tjerë.

Me të vërtetë, ashtu si lindja e tij, mrekullitë që ai shfaqi gjatë jetës së tij me mirësinë e All-llahut dhe mënyra se si ai u ngrit në Praninë e All-llahut janë shenja që e dallojnë atë prej njerëzve tjerë.

Lindja e Profetit Isa (as)

Siç dihet, lindja është një proces shumë i vështirë që kërkon përkujdesje të madhe. Lindja e foshnjës pa ndihmën e një personi me përvojë dhe pa përkujdesje të duhur mjekësore është e vështirë. Mirëpo, Merjemja (as), krejtësisht e vetme, arriti ta lind foshnjën, duke iu falënderuar besnikërisë së saj ndaj All-llahut dhe mbështetjes së saj në Të.

Ndërsa ndiente dhimbje të mëdha të lindjes, All-llahu e frymëzoi Merjemen (as) dhe e udhëzoi atë në çdo hap. Në këtë mënyrë, ajo e lindi foshnjën e saj pa ndonjë mund të madh dhe si është më së miri. Kjo ishte një mirësi e madhe që All-llahu tregoi ndaj Merjemes (as):

Dhembjet e lindjes e detyruan atë që të shkonte te trungu i një hurme. Ajo tha: "Ah, sikur të kisha vdekur para kësaj (ngjarjeje) dhe të isha harruar krejt!" Një zë e thirri nga poshtë: "Mos u pikëllo, se Zoti yt të ka bërë një burim uji poshtë teje! Shkunde trungun e palmës, që të bien mbi ty hurma të freskëta! Ha, pi dhe qetësohu. Nëse vëren ndonjë njeri, i thuaj: "Unë jam betuar në të Gjithëmëshirshmin se do të agjëroj, prandaj sot nuk do të flas me askënd." (Surja Merjem: 23-26)

Profeti Isa (as) foli gjersa ishte ende në djep

(Kujtoje) atë që ruajti virgjërinë e saj! Ne frymë brenda saj nga shpirti Ynë dhe e bëmë atë dhe birin e saj mrekulli për gjithë njerëzit. (Surja Enbija: 91)

Lindja e Profetit Isa (as), e cila ishte një ngjarje e pazakontë për njerëzit, ishte një sprovë si për Merjemen (as) ashtu edhe për popullin e saj. Në të vërtetë, mënyra se si lindi Profeti Isa (as) ishte një mrekulli që All-llahu e përdori për t'i thirrur njerëzit në fenë e vërtetë dhe njëra prej dëshmive më të qarta të ekzistencës së All-llahut. Megjithatë, populli i saj dështoi ta kuptoj këtë dhe shfaqën dyshime. Siç përmendet në Kur'an:

Dhe u kthye te populli i vet, duke mbajtur fëmijën. Ata i thanë: "O Merjeme, ke bërë diçka të turpshme! O motra e Harunit! Babai yt nuk ka qenë njeri i keq, as nëna jote nuk ka qenë grua e shthurur." (Surja Merjem: 27-28)

Siç shpjegohet në ajetet e mësipërme, pas kthimit të Merjemes (as) nga ky vend i largët me Profetin Isa (as), njerëzit e saj nuk e lanë atë të shpjegohej. Ata thjeshtë shpifën për Merjemen (as) në mënyrë të shëmtuar. Megjithatë, ata që përhapën këto trillime për Merjemen (as) e njihnin atë pothuajse nga dita që ajo u lind dhe ishin të vetëdijshëm për pastërtinë dhe devotshmërinë (takuan) e saj, si anëtarët tjerë të familjes së Imranit.

Vërtet, këto akuza të rrejshme dhe shpifje ishin sprovë për Merjemen (as). Ishte e qartë se një person aq i pastër dhe i devotshëm, nuk do të kalonte kufijtë e All-llahut. Që nga lindja e Merjemes (as), All-llahu e ka ndihmuar gjithmonë atë dhe gjithçka që bënte ajo e shndërronte në mirësi. Merjemja (as), në anën tjetër, e dinte se çdo gjë që ndodhë, ndodhë me Vullnetin e All-llahut dhe vetëm All-llahu mund ta vërtetonte natyrën e pabazë të këtyre shpifjeve.

Me të vërtetë, All-llahu i dhuroi qetësi Merjemes (as) dhe e frymëzoi atë të mbetej e qetë. All-llahu e udhëzoi atë që të mos fliste me njerëzit e saj por të tregonte me gisht nga Profeti Isa (as), nëse ata do t'i afroheshin asaj ndonjëherë dhe do të përpiqeshin ta akuzonin atë. Në këtë mënyrë, Merjemja (as) iu shmang çdo vështirësie që do të mund të krijonte një diskutim i tillë. Ai që do t'iu jepte përgjigjet më të sakta njerëzve ishte Profeti Isa (as). Kur All-llahu përgëzoi Merjemen (as) për lindjen e Profetit Isa (as), Ai gjithashtu e informoi atë se ai do të fliste qartë ndërsa ende ishte në djepin e tij:

Ai do t'u flasë njerëzve qysh i vogël në djep edhe si njeri i rritur dhe do të jetë nga më të mirët". (Surja Al 'Imran: 46)

Kështu, All-llahu ia lehtësoi punët Merjemes (as) dhe iu dha njerëzve shpjegimin e vërtetë nëpërmjet fjalëve të Profetit Isa (as). Me një mrekulli të tillë, mosbesimi i njerëzve që e rrethonin Merjemen (as) thjeshtë dështoi. Në Kur'an informohemi si vijon:

Ajo bëri me shenjë nga i biri. Ata thanë: "Si t'i flasim ne fëmijës që është në djep?" Ai (Isai në djep) tha: "Unë jam rob i All-llahut. Ai më ka dhënë Librin (Ungjillin), më ka bërë profet dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap zeqat sa të jem gjallë dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm. Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur, në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!" (Surja Merjem: 29-33)

Nuk ka dyshim, një foshnje që flet rrjedhshëm në djep është një mrekulli e madhe. Populli i Merjemes (as) ishin të habitur kur dëgjonin këto fjalë urtësie nga një foshnje dhe kjo rrethanë ua dëshmoi atyre se ishin dëshmitar të një mrekullie nga ana e All-llahut. Të gjitha këto ndodhi të mrekullueshme treguan se foshnja në djep ishte një i dërguar i All-llahut.

Kjo ishte mëshira e All-llahu ndaj Merjemes (as) për shkak të besimit që ajo pat në Të. Me anë të një mrekullie kaq mahnitëse, ajo iu përgjigj shpifjeve të bëra ndaj saj pa pasur nevojë të thotë asnjë fjalë. Megjithatë, All-llahu na informon se një fatkeqësi e rëndë i priste ata që nuk larguan nga mendja e tyre mendimet e këqija për Merjemen (as) përkundër kësaj mrekullie:

(I mallkuam ata) për shkak të mosbesimit të tyre (ndaj Isait a.s.), për shkak të shpifjeve të mëdha që thanë kundër Merjemes. (Surja Nisa: 156)

Mrekullitë e Profetit Isa (as)

Profeti Isa (as) bëri shumë mrekulli tjera, me lejen e All-llahut, përveç lindjes së tij të virgjër dhe shpalljes së pejgamberisë së tij si një foshnje e porsalindur në djep. Në të vërtetë, këto dy mrekulli janë dëshmi se All-llahu e kishte zgjedhur atë. Në fund të fundit, vetëm një mrekulli do të mund ta bënte një foshnje të porsalindur të flas në mënyrë të arsyeshme dhe me besim:

All-llahu (atë ditë) i thotë: "O Isa, bir i Merjemes, kujtoj të mirat e Mia ndaj teje dhe nënës sate, kur të forcova me shpirtin e shenjtë (Xhibrilin), e ti u fole njerëzve në djep dhe (kur ishe) i pjekur (burrë), kur ta mësova ty Librin dhe Urtësinë… (Surja Ma'ide: 110)

Në Kur'an, mrekullitë e Profetit Isa (as) të përmbushura me lejen e All-llahut rrëfehen në këtë mënyrë:

...Dhe do ta caktojë atë të Dërguar te bijtë e Izraelit (të cilëve do t'u thotë): "Ju kam sjellë prova nga Zoti juaj (që vërtetojnë Profecinë time): bëj për ju diçka prej balte në formë shpendi, fryj në të e me urdhrin e All-llahut ajo bëhet shpend i gjallë; shëroj të verbrit e lindur dhe të lebrosurit dhe i ngjall të vdekurit me lejen e All-llahut; ju tregoj çfarë hani dhe çfarë ruani në shtëpitë tuaja. Sigurisht që te të gjitha këto ka prova për ju, nëse jeni besimtarë të vërtetë. (Surja Al 'Imran: 49)

Pavarësisht nga gjithë këto mrekulli të rrëfyera deri më tani, disa njerëz refuzuan në mënyrë arrogante mrekullitë e Profetit Isa (as) dhe thanë se të gjitha ato ishin magji.

Profeti Isa (as) përcolli porosinë dhe disa prej vështirësive me të cilat u ballafaqua

Në kohën kur u dërgua Profeti Isa (as), populli i Izraelit ishte në një rrëmujë të plotë, si në aspektin politik ashtu edhe në atë ekonomik. Nga njëra anë, ishin kushtet e vështira që iu imponuan njerëzve dhe nga ana tjetër, besimet kundërthënëse dhe sektet e bënin të vështirë jetën e tyre. Në rrethana të tilla, njerëzit kishin nevojë të gjenin një rrugëdalje nga kjo gjendje e pashpresë.

I dërguari që do ta çlironte këtë shoqëri prej vështirësive të saj ishte Profeti Isa (as). Me vullnetin e All-llahut, Profeti Isa (as) foli që në djep dhe kështu i bëri me dije njerëzit që Mesihu që ata pritnin kishte arritur. Disa prej tyre kuptuan se Profeti Isa (as) ishte një i dërguar që u ishte dërguar atyre dhe besuan në të.

Megjithatë, kishte edhe prej atyre që nuk deshën ta pranonin Profetin Isa (as). Përkrahësit e sistemit të mosbesimit të kohës së tij, në veçanti, e konsideruan atë thjeshtë si një kërcënim ndaj sistemit të tyre të pafe. Për këtë arsye ata bënë plane për ta penguar atë posa dëgjuan për të. Mirëpo, për habinë e tyre, planet e tyre ishin të gjykuara të dështonin që nga fillimi. Prapëseprapë, kjo nuk i ndaloi ata të përpiqen për ta realizuar qëllimin e tyre.

Mirëpo, ata që ishin kundër tij nuk ishin vetëm prej jobesimtarëve. Gjatë kësaj periudhe, për arsye të ndryshme, disa nga rabinët u kthyen kundër Profetit Isa (as) duke pohuar se ai po e shfuqizonte fenë e tyre dhe natyrisht me këtë ata u bënë jobesimtarë për shkak të kundërshtimit të një të Dërguari të All-llahut nga ana e tyre. Ajo që Profeti Isa (as) bëri, në realitet, ishte vetëm se u bëri thirrje njerëzve për në rrugën burimore dhe përjashtoi rregullat e rrejshme të futura në Judaizëm nga disa rabinë vet. Disa njerëz nga populli i Izraelit shtrembëruan fenë e tyre duke ndaluar atë që ishte e lejueshme me shpalljen burimore dhe duke lejuar atë që ishte e ndaluar në të. Në këtë mënyrë, ata ndryshuan rrugën e vërtetë të shpallur nga All-llahu. Pas kësaj, All-llahu dërgoi Profetin Isa (as) që ta pastronte fenë e vërtetë prej të gjitha risive të futura në të në një fazë të mëvonshme. Profeti Isa (as) i bëri thirrje popullit të vet për në Inxhil, i cili vërtetonte Teuratin burimor që iu shpall Profetit Musa (as), ashtu siç është cekur në Kur'an:

Dhe (kam ardhur te ju) për t'ju vërtetuar Teuratin, që është para meje dhe që t'ju lejoj disa gjëra që i keni pasur të ndaluara. Ju kam sjellë një provë nga Zoti juaj, prandaj kijeni frikë All-llahun dhe bindmuni! (Surja Al 'Imran: 50)

Në një ajet tjetër All-llahu na njofton se Inxhili që iu shpall Profetit Isa (as) ishte udhëzues në rrugën e drejtë për besimtarët dhe për t'i ndihmuar ata që ta dallojnë të mirën prej të keqes. Ai ishte po ashtu një libër që vërtetonte Teurati:

Pas atyre profetëve, Ne dërguam Isain, të birin e Merjemes, si vërtetues të Teuratit që kishte ardhur para tij. Dhe i dhamë atij Ungjillin, në të cilin ka udhëzim dhe dritë, si përmbushje të asaj që ishte shpallur para tij në Teurat dhe si udhërrëfyes e këshillë për ata që i frikësohen All-llahut. (Surja Ma'ide: 46)

Disa nga bijtë e Izraelit dyshuan në atë që kishte sjellë Profeti Isa (as), por Profeti Isa (as) u bëri thirrje njerëzve për devotshmëri ndaj All-llahut, heqje dorë nga lukset e kësaj bote, sinqeritet, vëllazëri dhe ndershmëri. Ai u tha atyre që t'iu shmangen besimeve dhe praktikave të rrejshme. Në Kur'an, All-llahu shpjegon për mënyrën se si Profeti Isa (as) ua komunikoi urdhrat e All-llahut:

E, kur Isai solli prova të qarta, tha: "Ju kam sjellë urtësinë (Profecinë) dhe do t'ju shpjegoj disa gjëra, për të cilat nuk po pajtoheni. Andaj, frikësojuni All-llahut dhe bindmuni mua! Pa dyshim, All-llahu është Zoti im dhe Zoti juaj, andaj adhuroni vetëm Atë! Kjo është rruga e drejtë!" E megjithatë, sektet e ndryshme patën kundërshti midis tyre. Mjerë ata që kanë bërë padrejtësi – për dënimin e Ditës së dhembshme! (Surja Zuhruf: 63-65)

Sinqeriteti dhe komunikimi i urtë i Profetit Isa (as) tërhoqi vëmendjen e njerëzve. Numri i pasuesve të tij u rrit vazhdimisht.

Disa prej Çifutëve pohojnë ta kenë vrarë Profetin Isa (as)

Supozohet se romakët e kryqëzuan Profetin Isa (as). Sipas këtij supozimi, romakët dhe disa rabinë hebrenj e arrestuan Profetin Isa (as) dhe e kryqëzuan atë. Në të vërtetë, e gjithë bota e krishterë përqafon besimin se Profeti Isa (as) ka vdekur, por pastaj është ringjallur dhe është ngritur në qiell. Mirëpo, Kur'ani na tregon se kjo nuk është e vërtetë dhe se Profeti Isa (as) as nuk vdiq dhe as nuk u vra:

Dhe për fjalët e tyre: "Ne e vramë Mesihun – Isain, të birin e Merjemes, të dërguarin e All-llahut". Por, ata as e vranë (ue me kateluhu), as e kryqëzuan (ue me selebuhu), por ashtu u është dukur (shubbiha). Ata që nuk u pajtuan për çështjen e tij, me siguri që gjenden në dyshim për të. Ata nuk kanë ditur kurrgjë për të, por vetëm kanë hamendësuar. Ata, në të vërtetë, nuk e kanë vrarë (ue me kateluhu), (Surja Nisa: 157)

Kur'ani vazhdon duke shpallur se Profeti Isa (as) u ngrit tek All-llahu:

Por, All-llahu e ka ngritur pranë Vetes. All-llahu është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm. (Surja Nisa: 158)

Kur'ani konstaton faktet në mënyrë shumë të qartë: përpjekjet e romakëve, të nxitura nga disa prej hebrenjve për ta vrarë Profetin Isa (as), u dëshmuan të pasuksesshme. Shprehja e cituar nga ajeti i mësipërm "…po kështu iu duk (u përngjau) atyre" shpjegon natyrën e vërtetë të kësaj ngjarje. Profeti Isa (as) nuk u vra, por u ngrit në praninë e All-llahut. Për më tepër, All-llahu zbulon se ata që e pohojnë këtë nuk dinë asgjë për të vërtetën.

All-llahu zmbrapsi komplotin e jobesimtarëve

Plani për ta vrarë Profetin Isa (as) nuk është një ngjarje e izoluar, sepse gjatë historisë jobesimtarët kanë bërë plane të ngjashme kundër profetëve që iu dërguan atyre. Në Kur'an, All-llahu tregon se sa herë që një profet erdhi tek populli i tij mosbesues dhe filloi t'iu bënte thirrje atyre që të jetojnë sipas vlerave morale të fesë së vërtetë, ata që nuk besuan filluan në mënyrë të pashmangshme të përgatitnin kurthe për ta dhe bile u përpoqën që t'i vrisnin ata:

Ne i dhamë Musait Librin dhe pas tij çuam të dërguarit njërin pas tjetrit. Ne i dhamë Isait, të birit të Merjemes, mrekulli të qarta dhe e mbështetëm atë me Shpirtin e Shenjtërisë (Xhibrilin a.s.). Sa herë që ndonjë i dërguar ju sillte atë që nuk ju pëlqente, ju kapardiseshit, prandaj disa i quajtët gënjeshtarë e disa i vratë. (Surja Bekare: 87)

Ata të cilët e hodhën Profetin Ibrahim (as) në zjarr, që e ndoqën me ushtritë e tyre Profetin Musa (as), që u përpoqën ta vrisnin Profetin tonë të dashur Muhammedin (saas) natën dhe e lanë Profetin Jusuf (as) në fund të një pusi vetëm sepse gjithë këta profetë thanë: "All-llahu është Zoti ynë" kanë mendësi saktësisht të njëjtë, edhe pse jetuan në kohë të ndryshme. Ata të gjithë u përpoqën të ngrinin krye kundër All-llahut dhe të dërguarve të Tij, iu kundërvunë vlerave morale të urdhëruara nga All-llahu dhe e shpërfillën faktin se në botën tjetër ata do të duhet të japin përgjegjësi për veprat e tyre. Zemërimi i tyre u shfaq për shkak se profetët ua përkujtuan atyre disa fakte: se ata ishin robër të All-llahut dhe andaj duhej të ishin besnik ndaj Tij, të jepnin lëmoshë dhe të bënin vepra të mira për të fituar kënaqësinë e Tij, se duhej të ishin të drejtë dhe modest dhe se profetët ishin të dërguar të zgjedhur dhe të pastër në praninë e Tij. Si rezultat i kësaj, këta njerëz ngritën kurthe për profetët. Kjo mendësi është përshkruar si vijon:

Ne u çuam të dërguar. Por, sa herë që u vinte ndonjë i dërguar me porosi që s'ua donte shpirti, ose e mohonin, ose e vrisnin. (Surja Ma'ide:70)

Një plan i ngjashëm u kurdis nga krerët politeist të Mekës, të cilët shpresuan se mund ta dëbonin Profetin (saas) apo mbase edhe ta vrisnin atë. Zoti ynë e paralajmëroi atë për këtë plan. Por siç zbuluan shpejt jobesimtarët, All-llahu është planifikuesi më i mirë:

Kujto kur mohuesit komplotonin kundër teje: për të burgosur, vrarë ose dëbuar. Ata bënin kurthe, por edhe All-llahu ngrinte kurthe (kundër tyre). All-llahu është planifikuesi më i mirë. (Surja Enfal: 30)

Siç e kemi parë, jobesimtarët u përpoqën ta vrisnin Profetin Isa (as). Ata e kurdisën një plan të gjerë dhe menduan se do të kishin sukses po ta kapnin atë. Sipas burimeve historike dhe Islame, disa çifutë politeist përhapën gënjeshtra dhe trillime të shumta për Profetin Isa (as) në mënyrë që t'i nxitnin romakët kundër tij, sepse ata donin që Roma të ndërmerrte masa kundër tij. Plani i tyre është shpallur në Kur'an si vijon:

Kur Isai vuri re mosbesimin e tyre, tha: "Kush janë ndihmuesit e mi në rrugën e All-llahut?" nxënësit (e tij) u përgjigjën: "Ne jemi ndihmuesit e (fesë së) All-llahut. Ne e besojmë All-llahun e ti (Isa) dëshmo se ne (i) jemi nënshtruar (Atij). Zoti ynë! Ne besojmë atë që na ke shpallur dhe pasojmë të Dërguarin (Isain). Na shkruaj pra, bashkë me dëshmitarët!" Dhe ata i përgatitën një kurth, por edhe All-llahu u përgatiti kurth (dënim), se All-llahu është strategu më i mirë. (Surja Al 'Imran: 52-54)

All-llahu ndaloi komplotin e tyre në një mënyrë krejtësisht të papritur. Atyre iu dëftua dhe vranë dikë që i përngjante atij në vend të tij. Zoti ynë e mbrojti robin e Vet të zgjedhur nga jobesimtarët:

Profeti Isa (as) nuk ka vdekur, por është i gjallë në praninë e All-llahut. Fakti që All-llahu ka shpallur se Ai i pengoi kurthet e përgatitura për të është njëra prej dëshmive me peshë se Profeti Isa (as) është ende gjallë. Sikur të kishte vdekur vërtetë Profeti Isa (as), siç pohojnë disa (gabimisht), atëherë jobesimtarët do t'ia kishin arritur qëllimit të tyre për ta vrarë atë. Megjithatë, "... All-llahu nuk do t'iu jap kurrë rast mohuesve që t'i shkatërrojnë besimtarët." (Surja Nisa': 141) All-llahu bëri të ditur se Ai nuk do t'i lejonte jobesimtarët ta vrisnin Profetin Isa (as). Për më tepër, shumë ajete zbulojnë se jobesimtarët kurrë s'do t'ia arrijnë qëllimit të tyre dhe se dështimi i tyre është kërkesë e planit hyjnor të All-llahut. Disa nga këto ajete janë dhënë më poshtë:

Ata kurdisin dredhitë e tyre, por All-llahu i di dredhitë e tyre. Edhe sikur prej dredhive të tyre të shembeshin malet, ata nuk do t'ia dalin mbanë. (Surja Ibrahim: 46)

Kështu ka ndodhur; dhe dijeni se All-llahu i dobëson dredhitë e mohuesve. (Surja Enfal, 18)

Vetëm All-llahut i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës dhe tek Ai kthehet çdo gjë. (Surja Tur: 42)

All-llahu, në të vërtetë, i mbron besimtarët. Ai nuk i do tradhtarët mohues. (Surja Haxhxh: 38)

Në të vërtetë, ata ngrenë kurthe, por dhe Unë ua pres me kurth. Prandaj, jepu pak afat jobesimtarëve, lëri të qetë edhe për pak. (Surja Tarik: 15-17)

Edhe popujt që ishin para tyre (paganëve të Mekës), kanë kurdisur dredhi. Por All-llahu ua rrënoi godinën që nga themelet, kështu që kulmi i saj ra mbi ta dhe dënimi u erdhi andej nga nuk e prisnin. (Surja Nahl: 26)

Si rrëfehen vdekjet e profetëve në Kur'an?

Shqyrtimi i tregimeve në Kur'an që përmendin mënyrën se si kanë vdekur profetët, si dhe ajetet që përshkruajnë ngritjen në qiell të Profetit Isa (as) zbulojnë një fakt të rëndësishëm. Në këtë pjesë të librit ne do të shqyrtojmë kuptimin e fjalëve arabe të përdorura në lidhje me historinë e Profetit Isa (as) si edhe të atyre të përdorura për të përshkruar vdekjet e profetëve tjerë dhe do të shohim se në çfarë mënyre janë përdorur ato në ajete.

Ndërsa ne do të shohim në hollësi më vonë, një numër i fjalëve janë përdorur në Kur'an për të përshkruar vdekjet e profetëve, sikurse fjala "kateluhu" (vras), "meata" (vdes), "haleke" (shkatërroj) dhe "selebuhu" (e kryqëzuan atë). Megjithatë, në Kur'an pohohet në mënyrë të qartë se "Ata as nuk e vranë atë (ue me kateluhu) dhe as nuk e kryqëzuan atë (ue me selebuhu)," duke nënkuptuar se Profeti Isa (as) nuk ishte vrarë në asnjë mënyrë. Theksohet se, në të vërtetë, dikush që i ngjante Profetit Isa (as) ishte paraqitur për ta parë jobesimtarët dhe se Profeti Isa (as) ishte ngritur në praninë e All-llahut.

Në Suren Al 'Imran informohemi se All-llahu mori Profetin Isa (as) dhe e ngriti atë pranë Vetes.

(Kujtoje, o Muhamed) kur All-llahu tha: "O Isa! Unë do të marr (muteueffike), do të ngre pranë Meje (ue rafi'uke) dhe do të shpëtoj ty nga ata që nuk besojnë, si dhe do t'i vendos ata që të ndjekin ty, përmbi ata që të mohojnë, deri në Ditën e Kiametit… (Surja Al 'Imran: 55)

Në vazhdim paraqesim mënyrat në të cilat janë përdorur fjalët që i referohen vdekjes në Kur'an.

1. TEUEFFE: SHKAKTOJ VDEKJEN, MARR NË GJUMË APO MARR

Fjala "teueffe" ashtu siç është përdorur në këtë ajet ka kuptime tjera përveç kuptimit të thjeshtë të "vdekjes" në anglisht. Një studim i fjalëve të barasvlershme arabe në këto ajete zbulon faktin se Profeti Isa (as) nuk ka vdekur në kuptimin e pranuar. Ja se si është përshkruar kthimi i tij tek All-llahu në Suren Ma'ide:

Unë nuk u kam thënë asgjë tjetër, përveç asaj që më ke urdhëruar Ti: "Adhuroni All-llahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj!" Kam qenë dëshmitar, për sa kohë që kam jetuar midis tyre dhe, qëkurse më more mua (teueffe), vetëm Ti ishe mbikëqyrës i tyre. Ti je Dëshmitar për çdo gjë. (Surja Ma'ide: 117)

Surja Al 'Imran thotë:

(Kujtoje, o Muhamed) kur All-llahu tha: "O Isa! Unë do të marr (muteueffike), do të ngre pranë Meje (ue rafi'uke) dhe do të shpëtoj ty nga ata që nuk besojnë, si dhe do t'i vendos ata që të ndjekin ty, përmbi ata që të mohojnë, deri në Ditën e Kiametit… (Surja Al 'Imran: 55)

Ky ajet informon besimtarët se All-llahu do ta "marr" Profetin Isa (as), do ta mbrojë atë nga jobesimtarët dhe do ta ngritë atë në praninë e Tij. Shumë dijetarë dhe komentues Islamik e kanë interpretuar këtë ajet të nënkuptoj se Profeti Isa (as) nuk ka vdekur.

Në arabisht fjala e cila është përkthyer në disa përkthime të këtyre vargjeve si "Ke bërë që unë të vdes" është "teueffe" dhe rrjedh nga rrënja uefe – për të plotësuar. Në fakt, në komentet arabe kjo nuk është përdorur në kuptimin e vdekjes. Komenti i Imam Kurtubiut është një shembull i kësaj; ai përdori shprehjen "marrja e shpirtrave" për fjalën në fjalë. Nga Kur'ani, përsëri kuptojmë se "marrja e shpirtit" nuk do të thotë domosdo vdekje. Për shembull në një ajet në të cilin është përdorur fjala "teueffe", nuk nënkupton vdekjen e një qenieje njerëzore por "marrjen e shpirtit të tij në gjumë":

Ai jua merr shpirtrat (ju vë në gjumë) (jeteueffekum) natën, duke e ditur ç'keni bërë ditën, pastaj ju zgjon (ngjallë) që të plotësoni kohën tuaj të caktuar...(Surja En'am: 60)

Fjala e përdorur "merr" në këtë ajet është e njëjtë më atë të përdorur në Suren Al 'Imran: 55. Me fjalë të tjera, në ajetin e mësipërm, fjala teueffe është përdorur dhe është e qartë se njeriu nuk vdes në gjumë. Prandaj, çfarë është menduar këtu është, përsëri, "marrja e shpirtit."

Fjala e njëjtë është përdorur edhe në ajetin e mëposhtëm:

All-llahu ua merr shpirtrat atyre (teueffe) që u ka ardhur çasti i vdekjes (meutihe) dhe atyre që nuk kanë vdekur, por që janë në gjumë (lem temut). Pastaj Ai ndal shpirtin e atij që i është caktuar vdekja (meut), ndërsa të tjerëve ua lë deri në një kohë të caktuar. Me të vërtetë, këto janë shenja për njerëzit që mendojnë.(Surja Zumer: 42)

Siç sugjerojnë këto ajete, All-llahu merr shpirtin e atij që është në gjumë, por Ai ua kthen përsëri shpirtrat atyre vdekja e të cilëve nuk është caktuar ende. Në këtë kontekst, njeriu nuk vdes gjatë kohës që është në gjumë, në kuptimin në të cilin ne e perceptojmë vdekjen. Shpirti lëshon trupin vetëm përkohësisht dhe qëndron në një dimension tjetër. Kur zgjohemi, shpirti kthehet në trup.

Një tjetër shembull kur gjumi konsiderohet si lloj i vdekjes, por i cili nuk i referohet vdekjes biologjike, është lutja në vazhdim, të cilën Profeti Muhammed (saas) shpeshherë e përsëriste kur zgjohej nga gjumi: "All-llahut i takon gjithë falënderimi, i Cili na ngjalli pasi na bëri të vdesim (të flemë). (El-hamdu li All-llah illedhi ahjana ba'da me ametene; ue ilejhi el-nushu)" (Transmetuar nga Ebu Hudhejfe, Sahih Buhariu).3 Nuk ka dyshim, ai i përdorte këto fjalë të urta jo për t'iu referuar vdekjes biologjike kur njeriu është në gjumë, por "marrjes" së shpirtit të njeriut kur është në gjumë. Ibn Kethiri, dijetari dhe komentuesi i famshëm Islamik, përdorte këtë hadith, së bashku me shumë dëshmi tjera në komentin e tij mbi Suren Al 'Imran, për të shpjeguar se teueffe i referohet gjumit. Përveç kësaj, ai tregoi kuptimin e kësaj fjalë në ajetet e tjera ku ajo paraqitet. Pastaj ai dha mendimin e tij duke e përdorur një hadith të transmetuar nga Ibn Ebi Hatimi:

Ibn Ebi Hatimi thotë se: "Babai im na ka thënë… nga Hasani se kuptimi i vargut 'Unë do të marr…' është ky: Këtu kjo nënkupton 'Unë do të bëj që ti të vdesësh me vdekjen e gjumit; me fjalë të tjera, Unë do të bëj që ti të flesh.' Pra All-llahu e ngriti Profetin Isa (as) në qiej ndërsa ai ishte në gjumë… Si një e vërtetë e pakundërshtueshme, All-llahu bëri që Profeti Isa (as) ta përjetojë vdekjen e gjumit dhe pastaj e ngriti atë në qiell, duke e shpëtuar prej hebrenjve, të cilët po i shkaktonin vuajtje atij atëbotë."4

Imam Muhammed Zahid el-Keutheri, një tjetër dijetar Islamik i cili shqyrtoi kuptimin e fjalës teueffe, deklaroi se ajo nuk do të thotë vdekje dhe tërhoqi vëmendjen për përdorimin e fjalës meut në një ajet të Kur'anit:

Sikur të kishte vdekur Profeti Isa (as)[gjë që nuk ka ndodhur], atëherë fjala meut e shpallur në ajetin: "All-llahu ua merr shpirtrat atyre që u ka ardhur çasti i vdekjes" (39:42) , nuk do të ishte shpallur… Kjo për shkak se, siç është pohuar, në qoftë se All-llahu do t'i ishte referuar vdekjes normale [në kuptimin biologjik], atëherë kjo do të ishte deklaruar në mënyrë të qartë. Pasi që All-llahu i referohet faktit se hebrenjtë nuk e kishin vrarë Profetin Isa (as), por se Ai e kishte marr dhe e kishte ngritur atë në qiell, atëherë njeriu duhet të mendoj për një kuptim përtej atij të vdekjes së zakonshme.5

Ebu Mensur Muhammed el-Maturidi, që konsiderohet si njëri prej komentuesve të parë të Kur'anit, deklaroi gjithashtu se ky ajet nuk i referohet vdekjes së Profetit Isa (as) në kuptimin e njohur biologjik:

Ajo të cilës i referohet ky ajet nuk është kalim në kuptimin e vdekjes, por në kuptimin e marrjes së trupit nga kjo botë.6

Komentuesi dhe dijetari i famshëm, Tabariu, deklaroi se kjo folje është përdorur në kuptimin e "largimit nga toka" dhe e interpretoi ajetin me këto fjalë:

Sipas mendimit tim, gjëja më e bazuar është që kjo fjalë të merret në kuptimin e "marrjes në pronësi," "e largimit nga toka." Në këtë rast, kuptimi i këtij ajeti është: "Do të marr nga toka dhe do të ngris në qiej." Pjesa tjetër e ajetit thekson fitoren [e besimtarëve] mbi jobesimtarët në Fundin e Kohës, e cila e vërteton idenë e mësipërme."7

Në komentin e tij, Hamdi Jazir Elmali ka deklaruar se ajeti në fjalë do të thotë:

Sipas mendimit tim, një përmbledhje e këtij interpretimi dhe besimi është si vijon: Shpirti i Profetit Isa (as), i përshkruar si "fjalë nga All-llahu" dhe i përforcuar me "Shpirtin më të pastër," ende nuk është marr. Shpirtit të tij nuk i ka ardhur ende çasti i vdekjes. "Fjala" nuk është kthyer ende tek All-llahu. Ai ka ende punë për të bërë në këtë dynja.8

Nga këto burime gjithëpërfshirëse mund të vijmë në përfundim se Profeti Isa (as) është vënë në një gjendje të ngjashme me gjumin dhe pastaj është ngritur në praninë e All-llahut. Profeti Isa (as) nuk ka vdekur, por ai thjeshtë është larguar nga ky dimension me vullnetin e Tij (All-llahu e di të vërtetën).

2. KATELE: VRAS

Fjala që përdoret përgjithësisht në kuptimin "për të vrarë" kur flitet për vdekjen në Kur'an është fjala arabe katele. Si për shembull në Suren Gafir:

Faraoni tha: "Më lini ta vras Musain e ai le ta thërrasë në ndihmë Zotin e vet. Unë vërtet druhem mos ai do t'jua ndryshojë fenë tuaj ose do të shkaktojë trazira në Tokë".(Surja Gafir: 26)

Shprehja "më lini ta vras Musain" në këtë ajet paraqitet në formën arabe aktulu Musa. Kjo fjalë rrjedh nga folja katele. Në një ajet tjetër, e njëjta fjalë është përdorur në këtë mënyrë:

Kjo ndodhi sepse ata… i vrisnin (jektulune) të dërguarit pa asnjë të drejtë…(Surja Bekare: 61)

Fjalët "ata i vrisnin" në këtë ajet paraqitet si jektulune në origjinal në arabisht, e cila përsëri buron nga folja katele. Dhe siç bëhet e qartë nga përkthimi, do të thotë "për të vrarë."

Është e qartë se si është përdorur folja katele në vargjet në vijim që përshkruajnë vdekjen e profetëve. Të gjitha fjalët, kuptimi i të cilave paraqitet në kllapa rrjedhin nga folja katele.

…Ne do ta shënojmë atë që thanë, si dhe vrasjen (ue ketlehum) e profetëve nga ana e tyre pa kurrfarë të drejte… (Surja Al 'Imran: 181)

…A nuk u bëtë kryelartë dhe disa prej tyre i quajtët gënjeshtarë e të tjerët i vratë (tektulune)? (Surja Bekare: 87)

…Thuaju atyre: "Nëse ishit besimtarë, përse i vratë (tektulune) profetët e All-llahut atëherë kur ju erdhën?" (Surja Bekare: 91)

Lajmëroi ata që mohojnë shpalljet e All-llahut, vrasin (jektulune) profetët padrejtësisht dhe vrasin (jektulune) edhe ata që urdhërojnë të veprohet me drejtësi… (Surja Al 'Imran: 21)

…Pse i vratë ata (kateltumuhum) nëse thoni të vërtetën?" (Surja Al 'Imran: 183)

…Ai (që nuk iu pranua) tha: "Unë do të vras (le aktulenneke)." … (Surja Ma'ide: 27)

Nëse ti ngre dorë të më vrasësh mua (li tektuleni), unë nuk do ta ngre dorën që të të vras (li aktuleke)… (Surja Ma'ide: 28)

Vriteni (uktulu) Jusufin ose braktiseni në ndonjë vend të largët… (Surja Jusuf: 9)

Gruaja e Faraonit i tha atij: "Ky (djalë) është gëzim për mua dhe ty, prandaj mos e vrisni (le tektuluhu) atë…" (Surja Kasas: 9)

"O Musa, paria është mbledhur e po bisedon për të të vrarë (li jektuluke)…"(Surja Kasas: 20)

Populli i tij nuk kishte tjetër përgjigje, përveçse tha: "Vriteni (uktuluhu) atë ose digjeni!"(Surja Ankebut: 24)

3) HALEKE: VDES

Folja haleke është përdorur në Kur'an në kuptimin "për të vdekur". Kjo folje është përdorur në vargje në kuptimin "mbaroj, shkatërrohem, vdes". Një shembull i paraqitjes së saj mund të gjendet në Suren Gafir: 34:

…kur ai (Jusufi) vdiq (haleke), ju thatë: "All-llahu kurrë s'do të dërgoj të dërguar tjetër pas tij..."(Surja Gafir: 34)

Në këtë varg, shprehja e përkthyer në anglisht si "kur ai vdiq" është "idhe haleke" në Arabisht, e përdorur në kuptimin "për të vdekur".

4) MEATA: VDEKJA

Një fjalë tjetër e përdorur në Kur'an në lidhje me vdekjet e profetëve është meata. Fjala meata – ai vdiq – dhe fjalët tjera që rrjedhin nga rrënja e njëjtë janë përdorur në disa ajete. Njëra prej tyre ka të bëj me vdekjen e Profetit Sulejman (Solomon) (as) në Suren Sebe':

Kur Ne ia caktuam atij vdekjen (meut), atyre nuk u dha shenjë askush për vdekjen e tij (meutihi), pos krimbit që brejti shkopin e tij…(Surja Sebe': 14)

Një fjalë tjetër që buron nga rrënja e njëjtë është përdorur në lidhje me Profetin Jahja (Gjon) (as):

Paqja qoftë mbi atë ditën kur ka lindur, ditën kur të vdesë dhe në ditën kur do të ringjallet.(Surja Merjem: 15)

Fjala e përkthyer këtu si "kur të vdes" është fjala Arabe jemutu. E njëjta fjalë paraqitet në vargjet lidhur me vdekjen e Profetit Ja'kub (as). Për shembull, ajo shfaqet në Suren Bekare:

A ishit ju (Ithtarë të Librit) të pranishëm kur Jakubit iu afrua vdekja (meut)?… (Surja Bekare: 133)

Fjala meut në këtë ajet vjen nga rrënja e njëjtë dhe do të thotë vdekje. Në një ajet për Profetin Muhammed (saas) foljet kutile dhe meata janë përdorur në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë:

Muhamedi është vetëm i Dërguar, para të cilit ka pasur edhe të dërguar të tjerë. Nëse ai vdes (meata) ose vritet (kutile), a mos do të ktheheni ju prapa?... (Surja Al 'Imran: 144)

Fjala meut që vjen nga rrënja e njëjtë si fjala meata (vdes) shfaqet në vargjet e tjera që kanë të bëjnë me vdekjet e profetëve:

...Ajo tha: "Ah, sikur të kisha vdekur para kësaj (ngjarjeje) dhe të isha harruar krejt!" (Surja Merjem: 23)

Para teje, Ne nuk e kemi bërë asnjë të pavdekshëm (kuld). Nëse ti vdes (mitta), a do të mbesin ata të përjetshëm?!(Surja Enbija: 34)

"Ai më bën të vdes (jumituni), e mandej më ngjallë"(Surja Shu'ara: 81)

5) HALID: I PAVDEKSHËM

Një fjalë tjetër që shfaqet në disa ajete e që nuk e ka kuptimin e drejtpërdrejt të "vdes" apo "vras" por që do të thotë "pavdekshmëri" është fjala halid. Kuptimi i fjalës halid sugjeron diçka të ngjashme me të qenit i përhershëm, për shembull, në Suren Enbija:

Dhe ne nuk i kemi bërë ata (të dërguarit) trupa që nuk hanë ushqim, as nuk kanë qenë të pavdekshëm (halidine). (Surja Enbija: 8)

6) SELEBE: KRYQËZOJ

Njëra prej fjalëve të përdorura në Kur'an kur flitet për vdekjen e profetëve dhe të tjerëve është folja selebe (kryqëzoj). Kjo folje mbart në vete kuptime të tilla si "kryqëzoj, var dhe ekzekutoj." Kjo folje është përdorur në ajetet e mëposhtme:

… Po ata as nuk e mbytën as nuk egozhduan (kryqëzuan) (ue me selebuhu) atë… (Nisa: 157)

… (Jusufi tha:) Njëri prej ju dyve do t'i japë të pijë verë zotërisë të vet, e tjetri do të varet (juslebu)… (Jusuf: 41)

… vetëm se të vriten ose gozhdohen (kryqëzohen) (jusellebu)… (Surja Ma'ide: 33)

… (Faraoni tha:) "Do t'jua këpus duart dhe këmbët këmbyerazi e pastaj do t'ju kryqëzoj të gjithëve (le usellibennekum)." (el-A'raf: 124)

… (Faraoni tha:) "Unë do t'ua pres duart e këmbët tërthorazi e do t'u varë (ue le usellibennekum)…" (Ta Ha: 71)

… (Faraoni tha:) "Unë do t'ua shkurtoj (do t'ua pres) duart dhe këmbët tuaja të anës së kundërt dhe që të gjithëve do t'u gozhdoj (ue le usellibennekum)." (esh-Shu'ara: 49)

Siç mund të shihet nga gjithë këta shembuj, shumë fjalë të ndryshme janë përdorur në ajetet që kanë të bëjnë me vdekjen e profetëve tjerë. All-llahu ka shpallur në Kur'an se Profeti Isa (as) nuk ishte vrarë, se dikush që i përngjante atij ishte paraqitur në vend të tij dhe se atë e kishin marrë (me fjalë të tjera se shpirti i tij ishte marrë). Ndërsa fjala teueffe që ka kuptimin e "marrjes së shpirtit" është përdorur në kontekst me Profetin Isa (as), shprehje të tilla si kateluhu dhe mata, shprehje të vdekjes së zakonshme, janë përdorur për t'iu referuar vdekjes së profetëve tjerë. Këto fakte tregojnë edhe një herë se pozita e Profetit Isa (as) është e jashtëzakonshme.

All-llahu e ngriti Profetin Isa (as) në Praninë e Tij me trup dhe me shpirt

Dëshmia më e pamohueshme se Profeti Isa (as) nuk vdiq dhe as nuk u vra është fakti se All-llahu ka shpallur se Ai e ngriti Profetin Isa (as) pranë Vetes:

"… Unë do të marr (rafi'uke), do të ngre pranë Meje dhe do të shpëtoj ty nga ata që nuk besojnë, si dhe do t'i vendos ata që të ndjekin ty, përmbi ata që të mohojnë, deri në Ditën e Kiametit…" (Surja Al 'Imran: 55)

Përkundrazi [bal], All-llahu e ka ngritur pranë Vetes. All-llahu është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm. (Surja Nisa': 158)

All-llahu e mbrojti dhe e shpëtoi Profetin Isa (as) duke e ngritur atë pranë Vetes. Fjalët rafiu'ke dhe rafe'ehu që paraqiten në këto ajete vijnë nga rrënja e fjalës arabe rafe'e, e cila do të thotë "ngritem".

Ekziston një konsensus midis dijetarëve Islamik, bazuar në këto ajete, se Profeti Isa (as) nuk kishte vdekur por ishte ngritur në praninë e All-llahut dhe se kjo ngritje ndodhi me trup dhe me shpirt.

Dijetari Islamik, Ebu Musa el-Ash'ari, komentoi Suren Al 'Imran 55 së bashku me Suren Nisa'158 dhe shkroi se: "Ekziston një konsensus në mesin e bashkësisë së besimtarëve [ixhme'ummet] se Profeti Isa (as) u ngrit në qiej i gjallë."9(Ixhme'ummet i referohet pajtimit mbi këtë çështje nga ata studiues Islamik të cilët e interpretuan Ligjin Islamik dhe jetuan gjatë shekullit të njëjtë.)

Në komentimin e tij, Hasan Basri Kantaj komentoi rafiu'ke në kuptimin e "ngritjes dhe lartësimit të tij pranë Vetes," dhe shkroi se "All-llahu e ngriti dhe e lartësoi Profetin Isa (as) me trup dhe me shpirt."10

Imam Ibn Tejmije ishte i mendimit se: Ajeti "Ai e ngriti atë në praninë e Tij"… shpjegon se Profeti Isa (as) u ngrit me trup dhe me shpirt.11

Zahid el-Keutheri deklaroi se ngritja është aq e qartë dhe e sigurt sa që nuk lë hapësirë për ndonjë kundërshtim. El-Keutheri përmendi Suren Al 'Imran 55 dhe Suren Nisa'157-158 si dëshmi dhe tha se kjo ngjarje është jashtë çdo dyshimi. Ai përdor fjalën nass, që do të thotë siguri ose moskundërshtim që buron nga një ajet Kur'anor apo një hadith. Ai vazhdoi duke thënë:

Kjo është për shkak se kuptimi bazë i fjalës (rafe'e në këto ajete) është bartje nga poshtë lartë. Nuk ekziston asnjë element këtu që do të mund të përdorej për t'i interpretuar këto ajete në mënyrë metaforike. Prandaj, nuk ekziston asnjë fakt për të bërë përpjekje për të sajuar një kuptim në kuptim të ngritjes në shenjë nderimi dhe grade.12

Siç shihet qartë nga ajetet dhe komentet e dijetarëve Islamik, Profeti Isa (as) u ngrit i gjallë, me trupin e tij, në praninë e All-llahut. Kjo është një mrekulli e All-llahut dhe një mrekulli që do të frymëzojë entuziazëm dhe ngazëllim të madh në mesin e të gjithë besimtarëve. Pohimet se vetëm shpirti i tij u ngrit në praninë e Tij apo se ngritja e tij ishte vetëm shpirtërore (në gradë), nuk i pasqyrojnë faktet. Pavlefshmëria e pohimeve të tilla është provuar nga shumë dijetarë Islamik siç u paraqit më lartë.

Një tjetër provë e rëndësishme e kësaj ngjarje është fjala arabe bal, e cila paraqitet në Kur'an: 4:158 dhe përkthimi tekstual i saj është "përkundrazi". Tiparet e kuptimit dhe përdorimit të saj në gjuhësinë arabe tregojnë një fakt shumë të rëndësishëm: në përputhje me rregullat e gjuhësisë Arabe, fjalia që vjen pas saj duhet të ketë një kuptim që është krejtësisht e kundërta e formulimit paraprak. Duke qenë kështu, ka mundësi që ajetet që i referohen Profetit Isa (as) "… Ata nuk e vranë atë," (Surja Nisa'157) "përkundrazi [bal] All-llahu e ngriti atë pranë Vetes..." (Surja Nisa': 158) i referohen gjendjes së qenies gjallë, e jo gjendjes së qenies i vdekur. Sheik al-Islam Mustafa Sabri paraqiti interpretimin në vijim:

Nëse fjala bal, e cila paraqitet në Suren Nisa'158 dhe që unë e kam përkthyer "përkundrazi," vjen pas një fjalie që shpreh një mohim, atëherë, sipas rregullave të gjuhësisë arabe, fjalia që e pason atë duhet të nënkuptoj të kundërtën e fjalisë që i paraprinë asaj. E kundërta e vdekjes është jeta. Kjo është një kërkesë e rregullave të gjuhësisë. Po të themi se "ngritja këtu është një ngritje shpirtërore" dhe se "Profeti Isa (as) ka vdekur në kuptimin e zakonshëm të vdekjes," atëherë ne po e shkelim atë rregull. Në këtë rast, ngritja që pason shprehjen "përkundrazi" nuk do të përfaqësonte të kundërtën e foljeve "vras" dhe "kryqëzoj" në fjalinë mohore që i paraprinë asaj. Kjo është për shkak se ka mundësi që një person të vritet dhe që shpirti i tij apo i saj të ngritet në qiej. Përndryshe, ky term do të ishte i pakuptim e në Kur'an nuk ekzistojnë terma të pakuptim… Sipas atyre që e mbështesin tezën se kjo ngritje është vetëm një ngritje shpirtërore, kuptimi i këtij ajeti është ky: "Ata as nuk e vranë dhe as nuk e kryqëzuan atë… përkundrazi, All-llahu e ngriti atë në një gradë më të lartë." Nuk ekziston ndonjë oratori e veçantë këtu, e lëre më koncizitet… Asnjë njeri i arsyeshëm nuk do t'i merrte fjalët "ashensori në banesën time më ngjit mua në katin e katërt çdo ditë," në kuptimin unë ngjitem vetëm me shpirt në katin e katërt. Prandaj, as Profeti Isa (as) nuk është ngritur vetëm me shpirt.13

Said Ramadan el-Buti e ka interpretuar këtë çështje në të njëjtën mënyrë:

Pajtueshmëria e ndërsjellë mes pjesëve paraprijëse dhe pasuese të ajetit detyrimisht zbulojnë një fakt. Për shembull, në qoftë se një arab thotë: "Nuk jam i uritur; përkundrazi, jam shtrirë në krah," kjo nuk është një fjali e drejtë. Në të njëjtën mënyrë, ekziston një mospërputhje në mes të pjesëve përbërëse të kësaj fjalie: "Halidi nuk ka vdekur; përkundrazi, ai është njeri i mirë." Ajo që do të ishte e drejtë të thuhej është: "Halidi nuk ka vdekur; përkundrazi, ai është i gjallë." Të thuhet: "Kryetari nuk u vra; ai është një njeri me gradë të lartë në praninë e All-llahut" na çon gjithashtu drejtë një shkëputje të kuptimit në fjali, sepse që ai të ketë një gradë të lartë në Sytë e All-llahut nuk përbën pengesë që ai të jetë vrarë. Termi bal shpreh një kontradiktë midis fjalëve paraprijëse dhe atyre pasuese. Me fjalë të tjera, bal e anulon një thënie të mëparshme.14

Natyrisht, All-llahu i Gjithëfuqishëm i hutoi jobesimtarët duke e ngritur Profetin Isa (as) të gjallë në praninë e Tij. Gjithë këto dëshmi tregojnë se Profeti Isa (as) është ende gjallë dhe do të kthehet në Tokë kur dëshiron All-llahu, e All-llahu e di të vërtetën.

Pastrimi (shpëtimi) nga All-llahu i Profetit Isa (as) prej jobesimtarëve

Një pjesë e informacionit të dhënë në lidhje me ngritjen e Profetit Isa (as) është se All-llahu do ta pastrojë (shpëtojë) atë prej jobesimtarëve. Kjo shpallet në Kur'an:

... do të ngre [ue raafi'uke] pranë Meje dhe do të pastroj (shpëtoj) [mutehhiruke] ty nga ata që nuk besojnë, si dhe do t'i vendos ata që të ndjekin ty, përmbi ata që të mohojnë, deri në Ditën e Kiametit... (Surja Al 'Imran: 55)

Rrënja e fjalës mutehhiruke është tahara që do të thotë "të jesh i pastër." Dijetarët Islamik e konsiderojnë këtë fjalë si një provë se Profeti Isa (as) është ngritur i gjallë tek All-llahu. Sipas tyre, interpretimi i këtij ajeti është: "Do të marr, do të ngre tek Vetja Ime dhe do të largoj nga ky mjedis i ndotur nga jobesimtarët dhe gjynahqarët." (Zeki Saritoprak, Islam Inanci Acisindan Nuzul-i Profeti Isa Meselesi [Çështja e ardhjes së dytë të Mesihut nga perspektiva e besimit Islamik], Izmir: Caglayan Publishings, 1997, f. 63.) Pra, All-llahu e pastroi Profetin Isa (as) nga jobesimtarët, komploti i jobesimtarëve për ta vrarë atë u ndalua dhe ata nuk ia arritën qëllimit të tyre (All-llahu e di të vërtetën).

Veç kësaj, ky ajet tregon po ashtu se Profeti Isa (as) u pastrua përmes ndarjes fizike të tij nga një mjedis me jobesimtarë (All-llahu e di të vërtetën). Kështu, pohimi se Profeti Isa (as) vdiq dhe vetëm shpirti i tij u ngrit tek All-llahu dëshmohet të jetë i rrejshëm. Ngritja vetëm e shpirtit do të nënkuptonte se ai nuk u pastrua.

Që Profeti Isa (as) të pastrohej në mënyrën që shpallet në këtë ajet, ai duhej të largohej nga mjedisi që e rrethonte me trup dhe me shpirt. Për më tepër, një pastrim vetëm shpirtëror nuk mund të vlej për një profet me vlera të larta morale, profet i cili është i nderuar në praninë e All-llahut dhe i cili posedon besim të thellë, siç është Profeti Isa (as). Një ajet tjetër flet për vlerat e larta morale të tij: "Paqja qoftë mbi mua ditën që u linda, ditën që vdes dhe ditën që do të ringjallem përsëri" (Surja Merjem: 33). Si një besimtar i devotshëm dhe i dërguar i All-llahut, shpirti i Profetit Isa (as) është i papërlyer. Megjithatë, mjedisi ku ai jetonte nuk ishte i papërlyer, për shkak të sjelljes së pafe të jobesimtarëve dhe parimeve të degjeneruara morale. Vërtet, Zoti ynë shpall se ata ishin të papastër për shkak të degjenerimit moral të tyre:

O besimtarë! Në të vërtetë, idhujtarët janë të papastër (për shkak të besimit të kotë), prandaj të mos i afrohen më Xhamisë së Shenjtë [Mesxhid el-Haram] pas këtij viti... (Surja Teube: 28)

Prandaj, pastrimi i Profetit Isa (as) nënkupton largimin fizik të tij prej tyre. Pra, All-llahu e pastroi dhe e mbrojti duke e ngritur Profetin Isa (as) tek Ai (All-llahu e di të vërtetën).

Dijetari Egjiptian Halil Heras jep shpjegimin vijues lidhur me urtësinë e fjalës "pastrim":

Pastrimi i Profetit Isa (as) nga jobesimtarët bëhet realitet me shpëtimin e tij nga kurthet e liga të tyre. Kjo nuk mund të bëhet me vdekjen dhe varrimin e Profetit Isa (as), por vetëm me ngritjen e tij duke qenë i gjallë në qiej, sepse armiqtë e tij do të mund ta mundonin atë, siç bënë me personin që besuan të jetë ai… (Muhammed Khalil Herras, Fasl el-Mekel fi Raf`i `Profeti Isa Hajjan ue Nuzulihi ue Ketlihi ed-Dexhxhal, f. 66)

Siç shprehet Hamdi Jazir Elmali në komentin e tij, shpëtimi i Profetit Isa (as) nga jobesimtarët është manifestuar me ngritjen e tij:

… dhe me këtë ngritje Unë do të pastroj ty nga mohuesit dhe jobesimtarët dhe ti s'do të kesh të bësh më asgjë me ta… (Hamdi Jazir Elmali, Hak Din Kuran Dili [Feja e Vërtetë, Gjuha e Kur'anit], 2:1112-13)

SHËNIMET

3. Transmetuar nga Ebu Hudhejfe; Sahih Buhari; Being the Tradition of Saying and Doings of the Prophet Muhammad as Narrated by His Companions, New Delhi, Islamic Book Service, 2002, hadith nr. 6324, 239; Tefsir Ibn Kethir, përmbledhur nga Sheikh Muhammad Nasib ar-Rafa’i, London, Al-Firdous Ltd., 1999, 176

4. Ibn Kethiri, Tefsir el-Kur’an el-’Azim, 1:573-576, Kairo, 1996

5. Imam Muhammed Zahid el-Keutheri, Nazra ‘Abira fi Maza’im Man Yankur Nuzul ‘Profeti Isa ‘alyhi al-Salam aabla al-Akhira (Një vështrim i shpejtë i pretendimeve të atyre të cilët mohojnë zbritjen e Isait para Jetës së ardhshme), Egjipt, 1980, f. 34-37

6. Ebu Mensur Muhammed el-Maturidi, Kitab Tawilat al-Qur’an, Bejrut, f. 67

7. Ibn Xherir el-Tabari, Tafsir al-Tabari, 3:290-291, Bejrut, 1997

8. Hamdi Jazir i Elmalit, Hak Din Kuran Dili (Feja e vërtetë, Gjuha e Kur’anit), 2:1112-1113, Eser Publishing, Stamboll, 1971

9. El-Ash’ari, Al-Ash’ari’s al-Ibana ‘an Usul al-Diyana, Kairo, 1986, 2:115

10. Hasan Basri Kantaj, Kuran-i Hakim ve Meal-i Kerim (Tafsir of the Qur’an), Risale Publishing, Stamboll, 1980, 1:92

11. Imam Ibn Tejmijje, Majmu’ Fatawa, trans. by Abdurrahman ibn Muhammad ibn Qasim al-Asimi an-Najdi, 4:323

12. El-Keutheri, Nazra ‘Abira fi Maza’im, f. 93

13. Sheikh al-Islam Mustafa Sabri, Mawqif al-’Aql (Pozita e Arsyes), Bejrut, 1992, f. 233

14. Said Ramadan al-Buti, Islam Akaidi (Katekizmi Islamik), Stamboll, Mavde Publishings, 1996, f. 338

SHPERNDAJE
logo
logo
logo
logo
logo
Shkarkimet
  • Hyrje
  • Feja e All-llahut është İslami
  • Njerëzit në hall luten për shpëtimtar
  • Profeti İsa (as), i biri i Merjemes (as), në Kur'an
  • Kthimi i Profetit Isa (as) në tokë
  • Ardhja e dytë në tokë e Profetit İsa (as) në Risale en-Nur
  • Si mund ta njohim Profetin İsa (as)?
  • Përfundim