Ç’keni ju që nuk luftoni në udhë të All-llahut dhe për shpëtimin e të shtypurve: për meshkujt e pafuqishëm, gratë dhe fëmijët, të cilët thërrasin: “O Zoti ynë! Nxirrna nga ky qytet, banorët e të cilit janë keqbërës! Na cakto një mbrojtës dhe na dërgo nga ana Jote dikë që të na ndihmojë!” (Surja Nisa:75)
Nga Kur’ani mësojmë se shpeshherë para ardhjes së një të dërguari në një shoqëri korrupsioni shoqëror dhe moral ishte i përhapur në atë vend. Me ardhjen e një të dërguari në atë shoqëri, ata që e pasuan atë arritën një jetë të lumtur, të qetë dhe të begatshme bile edhe në mes të luftës së tyre të ndershme për të fituar kënaqësinë e All-llahut. Megjithatë, pas kësaj periudhe të bekuar, disa prej atyre që gëzuan të mirat e kësaj periudhe devijuan nga vlerat e tyre shpirtërore, ngritën krye dhe në fund gati sa nuk u kthyen në mosbesim. Në disa raste, ata adhuruan zota tjerë pos All-llahut dhe kështu i bënë padrejtësi vetvetes.
Në Kur’an, All-llahu rrëfen për besnikërinë, sinqeritetin dhe frikën që të dërguarit ndjenë ndaj All-llahut dhe pastaj na njofton për mënyrën se si gjeneratat që erdhën pas tyre humbën plotësisht besimin e tyre. Ata devijuan për shkak të tekave dhe dëshirave të tyre dhe u privuan prej të gjitha vlerave të tij. Kur’ani na flet për këta njerëz me këto fjalë:
Këta (të përmendur) ishin që All-llahu i gradoi nga pejgamberët pasardhës të Ademit, prej pasardhësve të atyre që i patëm bartur (në anije) bashkë me Nuhun, prej pasardhësve të Ibrahimit dhe të Jakubit (Israilët), dhe prej atyre që i udhëzuam dhe i bëmë të zgjedhur. Kur u lexoheshin atyre ajetet (shenjat) e të Gjithëmëshirshmit, binin në sexhde dhe qanin. E pas tyre (të mirëve) erdhën pasardhës të këqij, që e lanë namazin e u dhanë pas kënaqësive (trupore), e më vonë do të hidhen në çdo të keqe (ose në Gaja). (Surja Merjem: 58-59)
Ata njerëz që shpërfillën përgjegjësitë e tyre hyjnore vuajtën zemërimin e All-llahut që u shfaq nëpërmjet fatkeqësive të ndryshme. All-llahu tërhoqi dhuntinë e Tij prej këtyre njerëzve. Në përputhje me ajetin “E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë…” (Surja Ta Ha: 124), ata vuajtën të këqija të ndryshme si skamja dhe problemet shoqërore dhe ekonomike që buronin nga degjenerimi i tyre moral dhe paqëndrueshmëria politike.
Nën sistemet e pafe, ata njerëz të cilët ishin përbuzës ndaj shpalljes hyjnore iu nënshtruan trysnive dhe padrejtësive të ndryshme. Periudha e Faraonit (Firaunit) është një shembull tipik i rrëfyer në Kur’an. I ngazëllyer me begatinë që kishte, Faraoni çoi një jetë të shfrenuar dhe populli i tij vuante nën tiraninë e tij. Kjo gjendje shpjegohet në Kur’an si vijon:
Me të vërtetë që Faraoni madhështohej në Tokë dhe banorët e saj i kishte përçarë në grupe; disa prej tyre i përndiqte, ua vriste fëmijët meshkuj, ndërsa femrat ua linte gjallë. Ai ka qenë vërtet keqbërës. (Surja Kasas: 4)
Në rrethana të tilla në të cilat njerëzit përjetojnë probleme shoqërore dhe ekonomike nën tiraninë e udhëheqësve të padrejtë, nevoja për një shpëtimtar ndjehet thellësisht. Ky person është ai i cili largon aspektet jo të favorshme të sistemit të shkaktuara nga mosbesimi (kufri) i sunduesit dhe popullit të tij dhe sjell paqen, drejtësinë dhe sigurinë që shkojnë krah për krah me bindjen ndaj All-llahut dhe të Dërguarit të Tij.
Pas Profetit Musa (as), Bijtë e Izraelit u përballën gjithashtu me vështirësi të njëjta nën sundimin e tiranëve. Ata u dëbuan prej shtëpive dhe tokave të tyre dhe vuajtën shumë. Duke kuptuar se as idhujt që ata adhuronin, as pasuria e tyre dhe as paraardhësit e tyre nuk do t’i shpëtonin nga rrethana të tilla të padëshirueshme, ata e lutën All-llahut për një mbret; një shpëtimtar që do t’i shpëtonte ata nga ky sistem mizor.
Nga tregimet e rrëfyera në Kur’an, kuptojmë se qytetërimet e kaluara që ngritën krye kundër të dërguarve të tyre pësuan fat pothuajse të njëjtë. Rrethanat nën të cilat jetuan njerëzit, dërgimi i të dërguarve për t’i paralajmëruar ata dhe shkatërrimi i disa prej tyre, të gjitha ndjekin një rrjedhë të njëjtë të ngjarjeve.
Shoqëritë moderne i janë nënshtruar gjithashtu një korrupsioni dhe degjenerimi të shpejtë. Varfëria, mjerimi dhe kaosi shndërrojnë jetët e njerëzve në rrëmujë të plotë dhe bëjnë që ata të dëshirojnë një jetë të qetë në të cilën mbizotëron mirësia. Është e qartë se drejtësia mund të mbizotëroj vetëm nëse vlerat e Kur’anit mbizotërojnë në mesin e njerëzve. Vetëm njerëzit që posedojnë vlera të vërteta mund të sjellin zgjidhje për të gjitha hallet që përjetojnë njerëzit sot. Me të vërtetë, All-llahu dërgoi profetët dhe të dërguarit tek brezat e mëparshëm, të cilat përjetuan rënie të ngjashme shoqërore dhe Ai herë pas here u dhuroi mirësi të mahnitshme atyre që pasuan të dërguarit. Kjo rrëfehet në ajetin vijues:
Sikur banorët e këtyre vendbanimeve të kishin besuar dhe të ishin ruajtur, Ne do t’ju hapnim begati nga qielli e toka, por ata mohuan të vërtetën, andaj Ne i dënuam me shkatërrim për atë që merituan. (Surja A’raf: 96)
Ky ajet, si edhe shumë ajete tjera që e vërtetojnë këtë, zbulon se rruga e vetme për të arritur lumturinë dhe paqen është aderimi në Islam. Ky parim do të vlejë për brezat e ardhshëm ashtu siç vlejti për brezat e mëparshëm. Në vendet e privuara nga Islami, mbizotërojnë padrejtësia, pasiguria dhe paqëndrueshmëria. Ky është ligji i All-llahut. Se nuk ekziston asnjë ndryshim në ligjin e All-llahut është cekur në Kur’an:
…Por, kur u erdhi paralajmëruesi, kjo vetëm ua shtoi largimin prej rrugës së drejtë. Ata u sollën me mendjemadhësi në Tokë dhe me dredhi të shëmtuara, të cilat godasin vetëm atë që i bën. Vallë, a presin ata diçka tjetër veç asaj që ka goditur të mëparshmit? Vërtet, Ti nuk mund të gjesh ndryshim ose shndërrim në ligjet e All-llahut. (Surja Fatir: 42-43)
Siç u përmend në pjesën e mëparshme, Kur’ani na informon se All-llahu u dërgon profetët dhe të dërguarit shoqërive për t’i çliruar ato nga mosbesimi dhe padrejtësia. Ky profet apo i dërguar e udhëzon popullin e tij që të besojë (të ketë iman) në All-llahun duke mos i përshkruar Atij shokë dhe që t’ia kenë frikën Atij. Nëse ajo shoqëri këmbëngul në mohim, ai i paralajmëron ata për zemërimin e All-llahut. All-llahu thotë në Kur’an se Ai nuk shkatërron asnjë fis para se t’i dërgohet ky paralajmërim:
Asnjëherë, Ne nuk kemi shkatërruar ndonjë vendbanim, pa i çuar më parë paralajmërues, si këshillë për ata. Ne nuk jemi asnjëherë të padrejtë. (Surja Shu’ara 208-209)
Në kohën në të cilën jetojmë, njeriu mund të vërejë një degjenerim, si fizik ashtu edhe shpirtëror në tërë shoqërinë, të shoqëruar me një paqëndrueshmëri ekonomike dhe politike. Ekzistojnë dallime të mëdha në mes të pasurve dhe të varfërve dhe korrupsioni shoqëror vazhdon të rritet pandërprerë. Të gjitha këto tregojnë për zhvillimet e rëndësishme që do të ndodhin në të ardhmen e afërt. Pas këtyre periudhave të errëta, me kthimin e Profetit Isa (as) dhe me paraqitjen e Hazreti Mehdiut (as), feja e All-llahut pa dyshim se do të triumfojë në mbarë botën dhe besimi i vërtetë do t’i zëvendësojë të gjitha fetë pagane. Besimtarëve të Tij të vërtetë (muminun), All-llahu u jep këtë lajm të mirë:
Ata dëshirojnë ta fikin dritën (fenë) e All-llahut me gojën e tyre, por All-llahu ka vendosur vetëm që ta përsosë dritën e Vet, edhe sikur mohuesit ta urrejnë këtë gjë. (All-llahu) Është Ai që e ka dërguar të Dërguarin e Tij me udhërrëfyesin (Kuranin) dhe fenë e së vërtetës, për ta lartësuar atë mbi të gjitha fetë, edhe sikur idhujtarët ta urrejnë këtë gjë. (Surja Teube: 32-33)
Në Suren Nur, All-llahu njofton besimtarët e Tij të vërtetë që bëjnë “vepra të mira” pa i shoqëruar Atij shokë dhe që kërkojnë vetëm kënaqësinë e Tij, se ata do të fitojnë pushtet ashtu siç ndodhi gjithmonë me besimtarët që u paraprinë atyre:
All-llahu u ka premtuar atyre prej jush, që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira, se do t’i bëjë mëkëmbës në Tokë, ashtu si i ka bërë ata para tyre dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur dhe që frikën do t’ua shndërrojë në siguri. Le të më adhurojnë Mua e të mos Më shoqërojnë asgjë (në adhurim). Sa për ata që, pas kësaj, mohojnë (besimin), pikërisht ata janë të mbrapshtët. (Surja Nur: 55)
Në ajetet e mësipërme, ne mësojmë se kriter për përhapjen e Islamit është ekzistenca e besimtarëve që janë thjeshtë robër të All-llahut që nuk i shoqërojnë shokë Atij dhe që bëjnë vepra të mira në rrugën e Tij.
Ne kemi parë se në secilën epokë, All-llahu i është përgjigjur thirrjes së robërve të Tij të cilët kishin shumë nevojë për ndihmën e Tij. Kjo gjithashtu vlen për kohën tonë dhe për të ardhmen. Ashtu siç ndodhi edhe në kohërat e mëparshme, All-llahu do t’i shpëtojë gjithashtu njerëzit nga padrejtësia e sistemit të mosbesimit në kohën tonë dhe do t’i njoh ata me bukurinë e Islamit.
Në veçanti, shpëtimi i botës Islamike nga telashet që po e shqetësojnë atë, siç shpallet në këtë hadith, është fare pranë. Pa dyshim, si në çdo kohë, sot njerëzit shpresojnë se një shpëtimtar do të shfaqet. Ky shpëtimtar që do ta nxjerr njerëzimin nga “errësira në dritë,” është feja Islame. Profeti Isa (as) dhe Hazreti Mehdiu (as), të cilët do të jenë mjet nëpërmjet të cilit njerëzit do të jetojnë sipas këtyre vlerave të larta, do t’i mposhtin në aspektin intelektual të gjitha sistemet që e mohojnë All-llahun dhe do t’i zhvlerësojnë ideologjitë e shtrembëruara.
All-llahu u premton ndihmën e Tij robërve të Tij të cilët me sinqeritet i drejtohen atij dhe ndiejnë frikë të madhe ndaj Tij:
Ata, që janë dëbuar nga vatrat e tyre padrejtësisht, vetëm sepse thanë: “Zoti ynë është All-llahu.” Sikur All-llahu të mos u kishte dhënë njerëzve mundësinë për t’u mbrojtur nga njëri-tjetri, do të shkatërroheshin manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë, në të cilat përmendet shumë emri i All-llahut. Vërtet, All-llahu e ndihmon këdo që e ndihmon Atë. All-llahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm. (All-llahu i ndihmon edhe) ata, të cilëve, nëse u japim pushtet në tokë, kryejnë faljet, japin zeqatin, urdhërojnë kryerjen e veprave të mira dhe pengojnë atë që është e mbrapshtë. Tek All-llahu është fundi i të gjitha çështjeve. (Surja Haxhxh: 40-41)