Nga ajo që u tha deri më tani, është e qartë se Profeti Isa (as) nuk ka vdekur por është ngritur në praninë e All-llahut. Megjithatë, ekziston edhe një çështje që është theksuar në Kur'an: Profeti Isa (as) do të kthehet përsëri në tokë.
Kur'ani shpall në mënyrë të qartë kthimin e Profetit Isa (as) në tokë dhe ekzistojnë disa prova për ta vërtetuar këtë:
Surja Al 'Imran: 55 është një prej ajeteve që tregojnë se Profeti Isa (as) do të kthehet:
(Kujtoje, o Muhamed) kur All-llahu tha: "O Isa! Unë do të marr, do të ngre pranë Meje dhe do të shpëtoj ty nga ata që nuk besojnë, si dhe do t'i vendos ata që të ndjekin ty, përmbi ata që të mohojnë, deri në Ditën e Kiametit. Pastaj, të gjithë do të ktheheni tek Unë dhe do të gjykoj midis jush për çështjet që jeni grindur. (Surja Al 'Imran: 55)
Thënia në këtë ajet: "E ata që të besuan ty, do t'i vendos mbi ata që nuk besuan deri në Ditën e Kiametit (Ringjalljes)" është e rëndësishme. Këtu bëhet fjalë për një grup njerëzish që me përpikëri pasuan Profetin Isa (as) dhe të cilët do të jenë mbi jobesimtarët deri në Ditën e Gjykimit. Atëherë, kush janë këta pasues? A janë ata dishepujt të cilët jetuan në kohën e Profetit Isa (as) ose a janë ata të Krishterët e sotëm?
Para se ai të ngritej tek All-llahu, pasuesit e Profetit Isa (as) ishin të paktë në numër. Pas ngritjes së tij, thelbi i Krishterimit degjeneroi shpejtë. Veç kësaj, dishepujt u përballën me një shtypje të rëndë gjatë gjithë jetës së tyre. Gjatë dy shekujve pasues, duke mos pasur fuqi politike, ata të Krishterë që kishin besim në Profetin Isa (as) ishin gjithashtu të shtypur. Në këtë rast, nuk është e mundur të thuhet se të Krishterët e hershëm apo pasardhësit e tyre gjatë këtyre periudhave ishin më superior fizikisht se jobesimtarët në botë. Logjikisht mund të mendojmë se ky ajet nuk bën fjalë për ata.
Kur shikojmë të Krishterët e sotëm, nga ana tjetër, vërejmë se thelbi i Krishterimit ka ndryshuar në masë të madhe dhe ndryshon dukshëm nga ajo që Profeti Isa (as) fillimisht u solli njerëzve. Të Krishterët përqafuan besimin e shtrembëruar sipas të cilit Profeti Isa (as) është djali i Zotit dhe në mënyrë të ngjashme besuan doktrinën e trinisë (Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë). (Pa dyshim se All-llahu është i pastër nga ajo që i përshkruajnë.) Në këtë rast, është e gabueshme që të Kishterët e sotëm të pranohen si pasues të Profetit Isa (as). Në shumë ajete të Kur'anit All-llahu thotë se besimi në trini është besim i zvetënuar:
Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: "All-llahu është njëri prej Trinisë!" Nuk ka veçse një Zot të Vetëm të vërtetë! Nëse nuk heqin dorë nga ato që thonë, patjetër që jobesimtarët nga mesi i tyre do t'i godasë një dënim i dhembshëm.
Janë jobesimtarë ata që thonë se Mesihu, bir i Merjemes, është i treti i treve. S'ka në gjithësi tjetër pos një All-llahu. (Surja Ma'ide: 73)
Në këtë rast, komenti i thënies: "E ata që të besuan ty, do t'i vendos mbi ata që nuk besuan deri në Ditën e Ringjalljes" është si vijon: së pari, mendohet se këta njerëz janë Muslimanët të cilët janë të vetmit pasues të vërtetë të mësimeve të mirëfillta të Profetit Isa (as); së dyti, mendohet se këta njerëz janë të Krishterët, pa marrë parasysh se a u përmbahen besimeve idhujtare apo jo dhe kjo duket se vërtetohet me pozitën dominuese që të Kishterët për nga emri kanë sot në tokë. Megjithatë, të dyja palët do të bashkohen me ardhjen e Profetit Isa (as), ai do ta shfuqizojë xhizjen (taksën për mbrojtje që e paguajnë jomuslimanët që jetojnë nën qeverisjen Muslimane), që nënkupton se ai nuk do të pranojë që të Krishterët apo Çifutët të jetojnë me ndonjë fe tjetër përveç fesë Islame dhe kështu do t'i bashkojë të gjithë besimtarët si Muslimanë.
Profeti dhe i Dërguari i fundit i All-llahut (saas), ka dhënë po ashtu lajmin e gëzuar për kthimin e Profetit Isa (as). Dijetarët e haditheve thonë se hadithet mbi këtë temë, në të cilat i Dërguari i All-llahut (saas) ka thënë se Profeti Isa (as) do të zbres në mesin e njerëzve si udhëheqës para Ditës së Gjykimit kanë arritur shkallën mutavatir. Kjo do të thotë se ato janë transmetuar nga aq shumë njerëz nga çdo brez, nga një numër aq i madh i Shokëve (Sahabeve) sa që nuk mund të ketë asnjë dyshim për vërtetësinë e tyre. Për shembull:
Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i All-llahut (saas), ka thënë: "Pasha Atë në duart e të Cilit është shpirti im, pa dyshim se djali i Merjemes së shpejti do të zbres në mesin tuaj si gjykatës i drejtë dhe do ta thyej kryqin [do ta shfuqizojë adhurimin e kryqit], do ta vras derrin [do të njoftojë se ngrënia e mishit të derrit është e ndaluar] dhe do ta shfuqizojë xhizjen dhe pasuria do të jetë aq e bollshme sa që askush s'do ta pranojë atë, ndërsa një sexhde e vetme do të ketë më shumë vlerë se bota dhe gjithçka ka në të." (Sahih Buhariu)
Xhabir ibn 'Abdullah ka thënë: "E kam dëgjuar Profetin (saas) duke thënë: 'Një pjesë e ummetit (popullit) tim kurrë s'do të ndalojë së luftuari për të vërtetën në mënyrë ngadhënjimtare deri në Ditën e Ringjalljes. 'Ai tha: 'Pastaj Profeti Isa ibn Merjem, paqja qoftë mbi të, do të zbres dhe emiri i tyre do të thotë: "Eja dhe na udhëheq në faljen e namazit," por ai do të thotë: "Jo! Disa prej jush janë emirë mbi të tjerët," si nderim që All-llahu i bën këtij ummeti.'" (Sahih Muslimi)
Ebu Hurerja transmeton se: "Profeti (saas) ka thënë: 'Nuk ka asnjë profet mes meje dhe atij, do të thotë Profetit Isa, paqja qoftë mbi të. Ai do të zbres (në tokë). Kur ta shihni atë, njiheni: një burrë me gjatësi mesatare, me lëkurë të bardhë në të kuqe, i veshur me veshje të lehtë dy pjesëshe ngjyrë të verdhë, që duket sikur pika uji po bien nga koka e tij edhe pse nuk do të jetë i lagur. Ai do t'i luftojë njerëzit për çështjen e Islamit. Ai do ta thyej kryqin [do ta shfuqizojë adhurimin e kryqit], do ta vras derrin [do të njoftojë se ngrënia e mishit të derrit është e ndaluar] dhe do ta shfuqizojë xhizjen. All-llahu do të bëj që të gjitha fetë të zhduken përveç Islamit. Ai do ta shkatërrojë dexhxhalin [do ta bëj atë të pafuqishëm] dhe do të jetojë në tokë për dyzet vjet dhe pastaj do të vdes. Muslimanët do t'ia falin atij namazin.' " (Ebu Davudi)
Më parë në këtë pjesë të librit, kemi analizuar ajetet 157-158 të Sures Nisa. Menjëherë pas këtyre ajeteve All-llahu pohon këtë në Suren Nisa 159:
Të gjithë ithtarët e Librit do t'i besojnë Isait para se ai të vdesë dhe, në Ditën e Kiametit, ai do të jetë dëshmitar kundër tyre. (Surja Nisa': 159)
Deklarata e mësipërme "që do të besojnë në të (Profetin Isa) para vdekjes së tij" është i rëndësishëm. Teksti arab i kësaj fjalie lexon: Ue-in min ehli'l-kitebi ille le juminenne bihi keble meutihi.
Disa dijetarë deklaruan se "në të" në këtë ajet është përdorur për Kur'an dhe si pasojë bënë interpretimin në vijim: Nuk do të mbetet asnjë nga Ithtarët e Librit që nuk do të besoj në Kur'an para se ai (një person prej Ithtarëve të Librit) të vdes.
Megjithatë, në ajetet 157 dhe 158, që janë dy ajetet që i paraprijnë këtij ajeti, e njëjta fjalë "atë" është përdorur padyshim për Profetin Isa (as).
Këto ajete thonë:
Dhe për fjalët e tyre: "Ne e vramë Mesihun – Isain, të birin e Merjemes, të dërguarin e All-llahut". Por, ata as e vranë, as e kryqëzuan, por ashtu u është dukur. Ata që nuk u pajtuan për çështjen e tij, me siguri që gjenden në dyshim për të. Ata nuk kanë ditur kurrgjë për të, por vetëm kanë hamendësuar. Ata, në të vërtetë, nuk e kanë vrarë, (Surja Nisa': 157)
Por, All-llahu e ka ngritur pranë Vetes. All-llahu është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm. (Surja Nisa': 158)
Menjëherë pas këtyre vargjeve në Suren Nisa' 159, nuk ekziston asnjë provë që do të dëshmonte se "në të" është përdorur për të nënkuptuar dikë apo diçka tjetër e jo Profetin Isa (as).
Të gjithë ithtarët e Librit do t'i besojnë Isait para se ai të vdesë dhe, në Ditën e Kiametit, ai do të jetë dëshmitar kundër tyre. (Surja Nisa': 159)
Në Kur'an, All-llahu na njofton se në Ditën e Gjykimit, "do të dëshmojnë kundër tyre gjuhët, duart dhe këmbët e tyre për çfarë kanë bërë" (Surja Nur: 24 dhe Surja Ja'sin: 65). Nga Surja Fussilet: 20-23, mësojmë se "të dëgjuarit, të parit dhe lëkura do të dëshmojnë kundër nesh." Megjithatë në asnjërën prej këtyre ajeteve nuk përmendet Kur'ani si dëshmitar. Në qoftë se ne pranojmë se "atij" apo "në të" në fjalinë e parë i referohet Kur'anit – edhe pse gramatikisht dhe logjikisht nuk kemi kurrfarë dëshmie – atëherë duhet të pranojmë po ashtu se "ai" në fjalinë e dytë i referohet Kur'anit. Mirëpo, për ta pranuar këtë, duhet të ketë një ajet të qartë që do ta vërtetonte këtë pikëpamje.
Përveç kësaj, fjalët "… All-llahu e ka ngritur atë pranë Vetes" në ajetin e mësipërm tregon edhe një herë se nuk është Kur'ani ai për të cilin bëhet fjalë në këtë ajet. Kur'ani ka qenë udhërrëfyes për besimtarët për 1400 vitet e fundit dhe nuk është ngritur tek All-llahu. Është Profeti Isa (as) ai i cili është ngritur tek Ai. Kjo është edhe një dëshmi tjetër se të dëshmuarit që përmendet në këtë ajet është ai i Profetit Isa (as) për Ithtarët e Librit, dhe se përemri "ai" në këtë ajet nuk i referohet Kur'anit. (All-llahu e di të vërtetën.)
Në ajetet tjera, shohim se kur i njëjti përemër vetor përdoret për Kur'anin, përgjithësisht përmendet para ose pas atij ajeti specifik si në rastet e Sures Neml: 77 dhe Sures Shua'ra: 192-196. Ky ajet e përcakton qartë se Ithtarët e Librit do të besojnë në Profetin Isa (as) dhe se ai (Profeti Isa [as]) do të jetë dëshmitar kundër tyre.
Pika e dytë ka të bëj me interpretimin e shprehjes "para se ai të vdes." Disa mendojnë se kjo nënkupton të besuarit në Profetin Isa (as) para vdekjes së tyre. Sipas këtij interpretimi secili nga Ithtarët e Librit patjetër do të besojnë në Profetin Isa (as) para se ata të përballen me vdekjen e tyre. Megjithatë, gjuhëtarët arab tregojnë se ky pohim i tyre nuk është i drejtë. Prapashtesa e shumësit hum është përdorur në të gjitha ato ajete të Kur'anit që u referohen Ithtarëve të Librit (si në Suren Bejjine 1 dhe 6, Suren Hadid 29 dhe Suren Hashr 2). Mirëpo, në këtë ajet është përdorur prapashtesa hu e njëjësit. Kjo do të thotë se ky ajet njofton se Ithtarët e Librit do të besojnë në Profetin Isa (as) para vdekjes së tij – me fjalë të tjera, para vdekjes biologjike të tij me rastin e ardhjes së dytë. (All-llahu e di të vërtetën.) Përveç kësaj, në kohën e Profetit Isa (as), hebrenjtë që quhen Ithtarë të Librit jo vetëm që nuk besuan në Profetin Isa (as) por ata u përpoqën edhe ta vrisnin atë. Nga ana tjetër, do të ishte e paarsyeshme të thuhet se Çifutët dhe të Krishterët që jetuan dhe vdiqën pas kohës së Profetit Isa (as) kishin besim – mënyrën e të besuarit që përshkruhet në Kur'an – në të.
Si përfundim, kur bëjmë një vlerësim të kujdesshëm të këtij ajeti, vijmë në përfundimin vijues: Para vdekjes së Profetit Isa (as), të gjithë Ithtarët e Librit do të besojnë në të.15 Me fjalë të tjera, me rastin e ardhjes së dytë të Profetit Isa (as), të gjithë Ithtarët e Librit do të bëhen Muslimanë si pasues të tij dhe morali Islamik do të mbizotërojë në Tokë.
Përveç kësaj, ky ajet flet për të ardhmen, sepse përmendet vdekja e Profetit Isa (as). Megjithatë, Profeti Isa (as) nuk ka vdekur por është ngritur në praninë e All-llahut. Profeti Isa (as) do të vijë përsëri në tokë, ai do të jetojë për një kohë të caktuar dhe pastaj do të vdes. Gjithashtu, të gjithë Ithtarët e Librit do të besojnë në të. Kjo është një ngjarje e cila nuk ka ndodhur ende, por që pa dyshim do të ndodhë në të ardhmen.
Rrjedhimisht, shprehja "para se ai të vdes", i referohet Profetit Isa (as). Ithtarët e Librit do ta shohin atë, do ta njohin atë dhe do t'i binden atij sa është gjallë. Ndërkaq, Profeti Isa (as) do të dëshmojë kundër tyre në Ditën e Fundit e All-llahu e di të vërtetën.
Se Profeti Isa (as) do të kthehet përsëri në tokë kah fundi i kohës rrëfehet në një ajet tjetër të Kur'anit
Kur u soll si shembull i biri i Merjemes (Profeti Isa a.s.), populli yt (o Muhamed) menjëherë nisi të qeshë duke thënë: "A janë më të mirë idhujt tanë apo ai?" Ata ta paraqesin këtë shembull vetëm për shkak se duan të hahen, sepse janë popull grindavec. Isai ishte vetëm një rob, të cilit Ne i dhuruam (Profeci) dhe e bëmë shembull për bijtë e Izraelit. Sikur të duam, Ne (do t'ju shkatërronim dhe) në vendin tuaj do të bënim engjëj, që do t'ju trashëgonin në Tokë. (Surja Zuhruf: 57-60)
Menjëherë pas këtyre ajeteve, All-llahu deklaron se Profeti Isa (as) është shenjë e Ditës së Gjykimit.
Në të vërtetë, Isai është shenjë e Orës (së Kiametit), në ardhjen e të cilës mos dyshoni kurrsesi. Pra, ndiqmëni mua, kjo është rruga e drejtë! (Surja Zuhruf: 61)
Ky ajet na njofton se Profeti Isa (as) do të kthehet në tokë në fundin e kohës. Kjo për arsye se Profeti Isa (as) jetoi përafërsisht gjashtë shekuj para shpalljes së Kur'anit. Rrjedhimisht, nuk mund ta interpretojmë ardhjen e tij të parë si shenjë të Ditës së Gjykimit. Ajo që ky ajet tregon në të vërtetë është se Profeti Isa (as) do të kthehet përsëri në tokë kah fundi i kohës dhe kjo do të jetë shenjë për Ditën e Gjykimit.
Ajeti "Ai është parashenjë e orës (momentit, kiametit)" në arabisht është Innehu le 'ilmun li's-sa'ati… Disa e interpretojnë përemrin hu në këtë ajet si Kur'ani. Mirëpo, ajetet që e paraprijnë tregojnë qartë se Profeti Isa (as) përmendet në këtë ajet: "Ai (Isai) ishte vetëm një rob, të cilit Ne i dhuruam (Profeci) dhe e bëmë shembull për bijtë e Izraelit."16
Ata që e përmendin këtë përemër sikur ai t'i referohej Kur'anit vazhdojnë të citojnë pjesën tjetër të ajetit "Mos dyshoni kurrsesi në të. Pra, ndiqmëni mua" si të ashtuquajtur dëshmi. Megjithatë, ajetet që i paraprijnë këtij ajeti i referohen në tërësi Profetit Isa (as). Për këtë arsye, duket se përemri hu është i lidhur me këto ajete paraprake dhe gjithashtu i referohet Profetit Isa (as). Në të vërtetë, dijetarët e mëdhenj Islamik pohojnë se bëhet fjalë për këtë, duke u mbështetur në përdorimin e përemrit si në Kur'an ashtu edhe në hadithe.
Në mesin e dijetarëve bashkëkohor Islamik, Sejid Kutbi tërhoqi vëmendjen ndaj provave të rëndësishme në lidhje me ardhjen e dytë të Profetit Isa (as), në komentin e tij:
Shumë hadithe kanë të bëjnë me zbritjen e Profetit Isa (as) në tokë para Ditës së Gjykimit. Në të vërtetë, ajeti "Ai është Parashenjë e Orës" e dëshmon këtë po ashtu. Me fjalë të tjera, Profeti Isa (as) do të zbres në tokë në një kohë të afërt me Ditën e Gjykimit. Në një stil tjetër të leximit, ky ajet thotë "ue innehu le 'ilmun li el-saa'ati." Me fjalë të tjera, zbritja e tij është një shenjë, shenjë e Ditës së Gjykimit. Të dyja mënyrat e leximit shprehin kuptimin e njëjtë. Zbritja e tij prej qiejve është një lajm nga Bota e Padukshme, i thënë nga Profeti që ka folur të vërtetën dhe i besueshëm (saas) dhe që është treguar në Kur'anin Famëlartë. Përveç informacionit nga këto dy burime, të cilat do të mbeten të pandryshuara deri në Ditën e Gjykimit, askush nuk mund të thotë asgjë tjetër lidhur me këtë temë.17
El-Keutheri deklaroi se madje edhe në tekstet më të vjetra të doktrinës, ky ajet ishte përdorur si dëshmi për kthimin e Profetit Isa (as).18 Omer Nasuhi Bilmen e interpretoi këtë ajet me këto fjalë:
Ai sjell lajmin, në mënyrë të padyshimt, se Profeti Isa (as) është shenjë e afrimit të Ditës së Gjykimit dhe se Dita e Gjykimit do të vijë pa dyshim… Paraqitja e tij në tokë konsiderohet si ligj i Ditës së Fundit… 19
Në fakt, ky titull është unik për Profetin Isa (as), sepse edhe pse Kur'ani përshkruan jetët e Profetit Muhammed (saas), Ibrahim (as), Nuh (as), Musa (as), Sulejman (as), Jusuf (as), Davud (as), Jakub (as) dhe të një numri të madh të profetëve të tjerë, ky titull nuk është përdorur për asnjërin prej tyre. Ky fakt është edhe një tregues tjetër se Profeti Isa (as) posedon një karakteristikë të veçantë që profetët e tjerë nuk e posedojnë: Ai do të kthehet në Tokë pasi që u ngrit në praninë e All-llahut e All-llahu e di të vërtetën.
Ajetet tjera që tregojnë për ardhjen e dytë të Profetit Isa (as) janë si vijon:
(Kujto) kur engjëjt thanë: "O Merjeme! All-llahu të jep lajmin e mirë për një (djalë që do të lindë me një) Fjalë prej Tij: emrin do ta ketë Mesih - Isa i biri i Merjemes, do të jetë i nderuar në këtë botë dhe në tjetrën dhe një nga të afërmit e All-llahut. Ai do t'u flasë njerëzve qysh i vogël në djep edhe si njeri i rritur dhe do të jetë nga më të mirët". Ajo tha: "Zoti im! Qysh do të kem unë fëmijë, kur nuk më ka prekur askush?!" – "Kështu – tha (engjëlli) All-llahu krijon ç'të dojë Vetë. Kur vendos diçka, Ai vetëm thotë për të: "Bëhu!" dhe ajo bëhet." (All-llahu) do t'ia mësojë atij Librin, diturinë, Teuratin dhe Ungjillin (Surja Al 'Imran: 45-48)
Në këtë ajet, kumtohet se All-llahu do t'ia mësojë Profetit Isa (as) Inxhilin, Teuratin dhe "Librin." Të njëjtën shprehje e gjejmë edhe në Suren Ma'ide:110:
All-llahu do të thotë: "O Isa, i biri Merjemes, kujtoje mirësinë Time ndaj teje dhe nënës sate: se si të forcova ty me Shpirtin e Shenjtë (Xhibrilin), kështu që ti u predikoje njerëzve, kur ishe foshnjë në djep dhe i rritur; se si të mësova Librin dhe Urtësinë, Teuratin dhe Ungjillin; se si me vullnetin Tim krijove një figurë shpendi prej balte…" (Surja Ma'ide 110)
Kur analizojmë "Librin" në të dyja ajetet, shohim se mund të bëhet fjalë për Kur'anin. Në këto ajete shpallet se Kur'ani është libri i fundit hyjnor i dërguar përveç Teuratit, Zeburit dhe Inxhilit. Përveç kësaj, në një ajet tjetër në Kur'an, pranë Teuratit dhe Inxhilit, fjala "Libër" është përdorur për të treguar Kur'anin.
All-llahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje. Ai të ka shpallur ty Librin, me të vërtetën e saktë, duke vërtetuar shpalljet e mëparshme. Ai i ka zbritur Teuratin dhe Ungjillin... (Surja Al 'Imran: 2-3)
Ajetet tjera në të cilat "Libri" i referohet Kur'anit shpallin:
Dhe, kur një Libër që vërtetonte Shkrimet e tyre, u erdhi atyre nga All-llahu, ndonëse përpara luteshin për ndihmë kundër jobesimtarëve, pra, kur u erdhi ajo që e dinin se është e vërtetë, ata e mohuan atë! Prandaj mallkimi i All-llahut qoftë mbi mohuesit! (Surja Bekare: 89)
Po kështu, (për të plotësuar mirësinë Time ndaj jush) ju kam sjellë një të Dërguar, nga mesi juaj, i cili ju lexon shpalljet Tona, ju pastron (nga gjynahet), ju mëson Librin (Kuranin) e Urtësinë (rregullat e fesë) dhe ju mëson ato gjëra që nuk i keni ditur. (Surja Bekare: 151)
Në këtë rast, është e qartë se libri i tretë që do t'i mësohet Profetit Isa (as) do të jetë Kur'ani dhe se kjo do të jetë e mundur vetëm nëse ai vjen në tokë në fundin e kohës. Profeti Isa (as) ka jetuar përafërsisht 600 vjet para shpalljes së Kur'anit. Përveç kësaj, edhe hadithet e Profetit tonë (saas) janë një dëshmi tjetër që na informon se kur Profeti Isa (as) do të vijë për herë të dytë, ai do të komandojë me Kur'an, jo me Inxhil.
Ai do të ju udhëheq sipas Librit të Zotit tuaj dhe Sunnetit të Pejgamberit tuaj. (Sahih Muslimi)
Siç tregon qartë kjo shprehje, kur Profeti Isa (as) të kthehet në tokë, ai do të sundojë me urdhrat e Kur'anit dhe do ta mbajë Sunnetin e Profetit Muhammed (saas), një hadith i cili është në përputhshmëri me ajetet Kur'anore. (Pa dyshim All-llahu e di të vërtetën.)
Një tjetër pjesë e rëndësishme e informacionit është se fjala e shpallur për Profetin Isa (as) nuk u shpall për asnjë profet tjetër. Për shembull, Kur'ani zbulon se Teurati iu dha Profetit Musa (as), Suhufet (Fletushkat) iu dhanë Profetit Ibrahim (as) dhe Libri i Psalmeve iu dha Profetit Davud (as). Po të kishte libra të shpallur para kohës së profetëve, Kur'ani deklaron se ata i dinin ato. Megjithatë, vetëm në rastin e Profetit Isa (as) Kur'ani shpall se një profet do të mësojë një libër që u shpall pas kohës së tij. Ky është një prej treguesve se ai do të kthehet në tokë dhe se kur të kthehet, ai do të sundojë me librin e shpallur pas kohës së tij: Kur'anin. (All-llahu e di të vërtetën.)
Përveç asaj që u tha më lart, ajeti "Shembulli i Isait për All-llahun është si shembulli i Ademit." (Surja Al 'Imran: 59) gjithashtu mund t'i referohet kthimit të Profetit Isa (as).
Dijetarët Muslimanë të cilët kanë shkruar komentet Kur'anore theksojnë se ky ajet tregon faktin se të dy profetët nuk kishin baba, sepse All-llahu i krijoi ata të dy me urdhrin "Bëhu!" Mirëpo, ky ajet mund të ketë edhe një kuptim tjetër: Ashtu siç u zbrit në Tokë Profeti Adem (as) duke u larguar nga prania e All-llahut, Profeti Isa (as) mund të zbres në Tokë duke u larguar nga prania e All-llahut gjatë Kohës së Fundit. (All-llahu e di të vërtetën.) Siç kemi parë, ajetet e Kur'anit lidhur me kthimin në Tokë të Profetit Isa (as) janë plotësisht të qarta.
All-llahu tregon për ngritjen e Profetit Isa (as) në Suren Merjem si vijon:
Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur, në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!" (Surja Merjem: 33)
Kur e marrim parasysh këtë ajet së bashku me Al 'Imran: 55, ai flet për një të vërtetë shumë të rëndësishme. Në ajetin e Sures Al 'Imran thuhet se Profeti Isa (as) është ngritur në praninë e All-llahut. Nuk është dhënë asnjë informacion në këtë ajet për vdekje apo vrasje. Megjithatë, në Suren Merjem: 33 është dhënë informacioni për ditën kur Profeti Isa (as) do të vdes. Ajo vdekje e dytë ka mundësi të ndodhë vetëm nëse Profeti Isa (as) vdes pas kthimit dhe pasi që të jetojë për një kohë në tokë. (All-llahu e di të vërtetën.)
Një tjetër dëshmi në lidhje me kthimin e Profetit Isa (as) në tokë paraqitet në Suren Ma'ide dhe në Suren Al 'Imran në trajtën e fjalës kehlen. Këto ajete thonë:
All-llahu do të thotë: "O Isa, i biri Merjemes, kujtoje mirësinë Time ndaj teje dhe nënës sate: se si të forcova ty me Shpirtin e Shenjtë (Xhibrilin), kështu që ti u predikoje njerëzve, kur ishe foshnjë në djep dhe i rritur (burrë) (kehlen)…" (Surja Ma'ide 110)
Ai do t'iu flas njerëzve qysh në djep dhe si i pjekur (burrë) (kehlen) dhe do të jetë nga të përsosurit (Surja Al 'Imran: 46)
Kjo fjalë paraqitet vetëm në dy ajetet e mësipërme në Kur'an dhe vetëm në lidhje me Profetin Isa (as). Kuptimi i fjalës kehlen, i përdorur për t'iu referuar kohës së pjekurisë së Profetit Isa (as) përputhet me moshën në mes 30 dhe 50 vjeçare, me dikë që nuk është më i ri, dikë që ka arritur moshën e përkryer. Dijetarët Islamik pajtohen që kjo fjalë të përkthehet si një fjalë që tregon periudhën pas moshës 35 vjeçare.
Bazuar në një hadith të transmetuar nga Ibn Abbasi që njofton se Profeti Isa (as) u ngrit në qiell në fillim të viteve të tridhjeta të tij, në një moshë të re, dhe do të qëndrojë edhe për dyzet vite të tjera kur të kthehet, dijetarët Islamik thonë se pleqëria e Profetit Isa (as) do të ndodhë pasi që ai të kthehet në tokë. 20
Kur i analizojmë me kujdes ajetet e Kur'anit, shohim se ky formulim është përdorur vetëm për Profetin Isa (as). Të gjithë profetët u folën njerëzve dhe u bënë thirrje në rrugën e drejtë. Ata të gjithë komunikuan porosinë e tyre në moshë të pjekur. E megjithatë, nuk ekziston asnjë formulim i tillë në Kur'an për cilindo profet tjetër. Ky formulim është përdorur vetëm për t'iu referuar Profetit Isa (as) dhe tregon pozitën e tij të mrekullueshme. Kjo për arsye se fjalët "në djep" dhe "në moshë të pjekur" që pasojnë njëra tjetrën në këto ajete e vënë theksin në dy periudha të mrekullueshme.
Në të vërtetë, në veprën e tij Komenti i Tabariut, Imam Tabariu jep këtë shpjegim lidhur me këto ajete:
Këto thënie (Surja Ma'ide: 110) tregojnë se për ta plotësuar jetëgjatësinë e tij dhe për t'iu folur njerëzve në moshë të pjekur Profeti Isa (as) do të zbres nga qielli. Kjo për arsye se ai u ngrit në qiell kur ishte ende i ri. Në këtë ajet (Surja Al 'Imran: 46) ka dëshmi se Profeti Isa (as) është i gjallë dhe Ehl el-Sunneti (Populli i Sunnetit) e ndanë këtë pikëpamje. Kjo për arsye se në këtë ajet pohohet se ai do t'iu flas njerëzve në moshë të pjekur. Ai do të mund ta arrijë moshën e pjekur vetëm kur të zbres në tokë nga qielli.21
Megjithatë, disa njerëz e interpretojnë shprehjen "në moshë të pjekur" në një mënyrë shumë të largët nga kuptimi i saj i vërtetë dhe nuk e analizojnë atë në kontekst me logjikën e përgjithshme të Kur'anit. Këta njerëz janë të mendimit se profetët kanë qenë gjithmonë njerëz të pjekur, për ç'arsye shprehja i referohet jetëve të gjithë profetëve. Sigurisht profetët ishin njerëz të pjekur të cilët All-llahu i ka edukuar. Mirëpo, në Suren Ahkaf All-llahu zbulon se mosha e pjekurisë së plotë është dyzet vjet. Në këtë ajet shpallet se:
Njeriun e kemi porositur të jetë i sjellshëm ndaj prindërve të vet. Nëna e mbart atë me mund dhe me mund e lind. Ai mbartet dhe ushqehet me gji për tridhjetë muaj dhe, kur arrin në moshën e burrërisë e i mbush dyzet vjet, ai thotë: "O Zoti im! Më frymëzo që të falënderoj për begatitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur! Më dhuro pasardhës të mirë! Tek Ty kthehem i penduar dhe Ty të dorëzohem!" (Surja Ahkaf: 15)
Prandaj, fjala kehlen gjithashtu tregon për kthimin e Profetit Isa (as) në tokë ashtu si gjithë informacioni tjetër i dhënë në Kur'an. (All-llahu e di të vërtetën.)
Në Kur'an ekzistojnë shembuj të tjerë të njerëzve të cilët u larguan nga kjo botë dhe pastaj u kthyen pas qindra vitesh
Njëri prej këtyre njerëzve është një burrë i cili qëndroi i vdekur për një shekull. Kjo rrëfehet në Suren Bekare:
Kur'ani jep shembullin e një njeriu i cili qëndroi i vdekur për një shekull. Kjo rrëfehet në Suren Bekare:
Po për atë i cili, kur kaloi pranë një qyteti të rrënuar përtokë, tha: "Si mund ta kthejë në jetë All-llahu këtë qytet tani që ai është i vdekur?!" Dhe All-llahu e bëri atë të vdes për njëqind vjet e pastaj e ringjalli dhe e pyeti: "Sa kohë ke ndenjur këtu?" - Ai u përgjigj: "Një ditë ose gjysmë dite". - "Jo" - i tha All-llahu, "por ke ndenjur njëqind vjet. Shiko ushqimin dhe pijen tënde që nuk janë prishur! Shikoje gomarin tënd (si do ta ringjallim) që të bëjmë ty dëshmi mrekullie për njerëzit; vështroji eshtrat se si i bashkojmë e pastaj i veshim me mish!" Kur atij iu bë e qartë, ai tha: "Tashmë e di se All-llahu është i Fuqishëm për çdo gjë!" (Surja Bekare: 259)
Në ajetet e paraqitura në faqet e mëparshme, përmendet fakti se Profeti Isa (as) nuk kishte vdekur por është "marr." Në ajetin e mësipërm, ky njeri, megjithatë, vdiq pa dyshim. Rrjedhimisht, madje edhe një person i vdekur mund të ringjallet me vullnetin e All-llahut dhe ajeti i mësipërm e pohon këtë në mënyrë të qartë.
Historia e "Shokëve të Shpellës" është rrëfyer në Suren Kehf. Këta ishin disa të rinj të cilët ishin të shtrënguar të strehohen nga tirania e vrazhdë e sundimtarit të asaj kohe në një shpellë. Rrëfehet se ata i zuri gjumi dhe u zgjuan pas shumë viteve të kaluara në gjumë:
Kur disa djelmosha u strehuan në shpellë dhe thanë: “O Zoti ynë, na jep mëshirë nga ana Jote dhe përgatitna për sjellje të drejtë!” Ne ua mbyllëm veshët atyre (duke i lënë të flinin) në shpellë për shumë vjet. (Surja Kehf: 10-11)
Dhe (po të kishe qenë atje), do të mendoje se ata ishin të zgjuar, por ata ishin në gjumë. Ne i rrotullonim ata herë në krah të djathtë e herë në të majtë, kurse qeni i tyre rrinte shtrirë me dy këmbët e para në hyrje të shpellës. Sikur t'i kishe parë, ti do të ikje nga ata dhe do të kaplonte frika. Kështu pra, Ne i zgjuam që të pyesnin njëri-tjetrin. Njëri nga ata tha: "Sa keni ndenjur (në gjumë?)" - U përgjigjën: "Kemi qëndruar një ditë a një pjesë të ditës". Disa thanë: "Zoti juaj e di më mirë se sa keni ndenjur. Dërgoni njërin prej jush në qytet me këtë monedhë argjendi tuajën e le të shikojë se cili ushqim është më i pastër. Le t'ju sjellë diçka prej tij, le të sillet mirë dhe askush të mos marrë vesh për ju. (Surja Kehf: 18-19)
Kur'ani nuk shpjegon saktësisht sa kohë kaluan në shpellë këta të rinj. Në vend të kësaj, kohëzgjatja e kësaj periudhe përfshihet në shprehjen "për disa vite." Supozimi i njerëzve të kësaj kohe megjithatë ishte goxha i lartë: treqind e nëntë vjet. All-llahu thotë:
Ata qëndruan në shpellën e tyre treqind vjet (diellorë), duke shtuar nëntë (për vitet hënore). Thuaj (o Muhamed): "All-llahu e di më mirë sa kanë qëndruar. Atij i përket fshehtësia e qiejve dhe e Tokës. Eh, sa mirë sheh Ai çdo gjë dhe sa mirë që dëgjon! Njerëzit nuk kanë tjetër mbrojtës përveç Atij dhe Ai nuk e ndan me askënd pushtetin e Vet." (Surja Kehf: 25-26)
Në kushte normale, njerëzit natyrisht nuk mund të flenë për një kohë kaq të gjatë. Prandaj, ky gjumë nuk mund të jetë i llojit të gjumit të cilin ne e njohim. Ndoshta ata janë marr në një dimension tjetër në të cilin koha dhe hapësira nuk vlejnë dhe më vonë janë kthyer në tokë.
Këta njerëz u kthyen në jetë ashtu siç zgjohen njerëzit nga gjumi. Në mënyrë të ngjashme, Profeti Isa (as) do të kthehet në jetë kur ai të zbres përsëri në tokë dhe, pas përmbushjes se përgjegjësisë së ndershme e cila i është ngarkuar prej All-llahut, dhe, si kërkesë e ajetit: Ai tha: "Aty (në tokë) do të jetoni, aty do të vdisni dhe prej saj do të ringjalleni." (Surja A'raf: 25) ai do të vdes në tokë, si çdo qenie tjetër njerëzore e All-llahu e di të vërtetën.
Fakti se Profeti Isa (as) është gjallë në Praninë e All-llahut dhe se ai do të kthehet në tokë në fundin e kohës paraqitet deri në një masë në përmbledhjet e haditheve, midis tyre Tejsir el-Usul ile Xhemi'el-Usul i el-Shejbanit; El-Muvette' i Imam Malikit; Sahihet e Ibn Huzejmes dhe Ibn Hibbanit; dhe Musnedet e Ibn Hanbelit dhe el-Tejelisit, që konsiderohen si burimet kryesore të shumicës së haditheve të besueshme. Për më tepër, shumë dijetarë Islamik kanë bërë hulumtime dhe studime lidhur me këto fakte dhe kanë shkruar libra dhe libra mësimor për to. Këto janë gjithashtu burime të paçmueshme.
Ai që udhëheq listën e këtyre dijetarëve të mëdhenj Islamik është Ebu Hanifja, themelues i shkollës juridike Hanefi. Në kapitullin e fundit të librit të tij El-Fikh el-Ekber, Ebu Hanife thotë:
Shfaqja e antikrishtit dhe Jexhuxhëve dhe Mexhuxhëve është e vërtetë; lindja e Diellit në perëndim është e vërtetë; zbritja e Profetit Isa (as) nga qiejt është e vërtetë; dhe të gjitha shenjat tjera të Ditës së Ringjalljes, që përfshihen në sunnetin e vërtetë, janë realitete të vërtetuara.22
Hadithet lidhur me ardhjen e dytë të Profetit Isa (as) janë tavatur, një shprehje e posaçme e definuar si "traditë e cila është përcjellë nga një numër i kanaleve të ndryshme të transmetuesve apo autoriteteve, të cilat mund të thuhet se përjashtojnë mundësinë e të qenit të falsifikuara." Përgjithësisht, hadithe të besueshme janë ato për të cilat shumë ekspertë të haditheve kanë njoftuar se nuk ka hapësirë në to për gabime. Dijetari Islamik Sejjid el-Xhurxhani ka interpretuar këtë mendim si vijon:
Ne përgjithësi, transmetime të besueshme janë ato që e arrijnë një nivel të tillë [të pajtueshmërisë] midis shumicës së transmetuesve që, sipas zakonit, [konsiderohet] e pamundshme që një numër aq i madh i raportuesve të pajtohen për pavërtetësinë e tyre. Në atë rast, nëse fjalët dhe kuptimi i transmetimit janë të qëndrueshme, atëherë kjo njihet si "besueshmëri e fjalës." Nëse ka pajtueshmëri midis të gjithëve sa i përket arsyes dhe kuptimit, por kundërthënie në fjalë, atëherë kjo njihet si "pajtueshmëri konceptuale." (El-Sejjid el-Sherif, Zafar el-Amani fi Sharh Mukhtasar el-Sejjid el-Sherif el-Xhurxhani fi Mustaleh el-Hadith, f. 46)
Ju paraqesim një përzgjedhje të këtyre haditheve:
Profeti Isa (as), i biri i Merjemes, pa dyshim se do të zbres si një gjyqtar i drejtë dhe sundimtar i drejtë. (Imam Neveviu, Koment për Sahih Muslim)
Dita e fundit nuk do të ndodhë derisa Profeti Isa, i biri i Merjemes, të vijë si një sundimtar i drejtë dhe një imam i drejtë. (Sunan Ibn Maxhah)
Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, djali i Merjemes, (Profeti Isa [as]) së shpejti do të zbres midis jush si sundimtar i drejtë. (Sahih Buhariu)
Nuk ka asnjë profet mes tij (Profetit Isa [as]) dhe meje. Ai pa dyshim do të zbres. Kur ta shihni, njiheni. Ai ka gjatësi mesatare, ngjyrë të bardhë në të kuqe. Ai do të ketë të veshur një veshje të lehtë dy pjesëshe ngjyrë të verdhë. Pika uji do të bien nga flokët e tij edhe pse nuk bie shi. Ai do t'i luftojë njerëzit për Islamin. Ai do ta vras antikrishtin [do ta bëjë të paefektshëm] dhe pastaj do të jetojë në tokë për dyzet vjet saktësisht. Pastaj do të vdes dhe Muslimanët do t'ia falin atij namazin. (Sahih Buhariu dhe Sahih Muslimi)
Çfarë do të bëni kur djali i Merjemes të zbres midis jush dhe të udhëheq si njëri prej jush? (Sahih Muslimi)
Profeti Isa, i biri i Merjemes (as) do të zbres pastaj dhe udhëheqësi i tyre [Muslimanëve] do ta ftojë atë t'i udhëheq në namaz. Por ai do të thotë: "Jo, disa prej jush janë udhëheqës mbi disa [prej jush.]" (Sahih Muslimi)
Veprat e dijetarëve të mëdhenj dhe të nderuar të Ehl el-Sunneh, duke përfshirë Sunan Ebu-Davudin dhe Mektubet e Imam Rabbanit, qartë pohojnë se All-llahu dërgon një individ në çdo shekull në mënyrë që ta ripërtërij dhe ta pastroj moralin fetar prej çfarëdo risie:
Sipas rrëfimit të Ebu Hurejres, i Dërguari i All-llahut (saas) ka thënë: Pa dyshim se All-llahu i Plotfuqishëm dhe i Gjithëpushtetshëm do ta dërgojë një individ në fillim të çdo shekulli i cili do ta përtërijë besimin dhe do ta pastrojë atë nga risitë e mëvonshme. (Sunan Ebu Davud, 5/100)
Një hadith i transmetuar nga Profeti ynë (saas) thotë se Hazreti Mehdiu (as) do të shfaqet në vitin Islamik 1400 me fjalët:
Njerëzit do të mblidhen rreth Hazreti Mehdiut (as) në vitin 1400. (Risale el-Huruxh el-Mehdi, f. 108)
Vlerat morale fetare të Islamit do ta sundojnë gjithë botën, si rezultat i një procesi të veçantë, në këtë shekull, ndërsa sistemi i dexhxhalit (antikrishtit) që kundërshton këto vlera do të zhduket krejtësisht. Por pas kësaj periudhe të përparimit, e cila do të zgjasë për rreth 100 vjet, bota përsëri do të ndodhet në një fazë degjenerimi, rreth viteve 1500 sipas kalendarit Islamik. Në një hadith të transmetuar nga shumë dijetarë, duke përfshirë Imam Ahmed Ibn Hanbelin, një dijetar i madh i haditheve të Ehl el-Sunneh dhe jurisprudencës Islamike, Profeti ynë (saas) jep informacion të rëndësishëm për fillimin e historisë njerëzore duke thënë se 5600 vite kanë kaluar deri në kohën e tij:
Ahmed Ibn Hanbeli transmetoi në 'Ilel-in e tij: PESË MIJË E GJASHTË QIND VITE KANË KALUAR NGA JETA E KËSAJ BOTE. (Al-Burhan fi Alamat al-Mahdi Akhir al-zaman, f. 89)
Shumë hadithe të tjera përmbajnë referenca të qarta se jetëgjatësia e kësaj bote është 7000 vjet:
Enes Ibn Maliku rrëfen se i Dërguari i All-llahut (saas) ka thënë: JETËGJATËSIA E KËSAJ BOTE ËSHTË SHTATË DITË SIPAS DITËVE TË JETËS SË PËRTEJME. All-llahu i Plotfuqishëm ka thënë: NJË DITË NË SYTË E ZOTIT TUAJ ËSHTË SI NJË MIJË VITE TUAJA. All-llahu do t'ia MVESHË EKUIVALENTIN E VEPRAVE TË MIRA TË SHTATË MIJË VITEVE TË JETËS SË KËSAJ BOTE atij e cili plotëson nevojën e ndonjërit prej vëllezërve të tij në fe në rrugën e All-llahut sikurse ai t'i kalonte ditët duke agjëruar dhe netët e tij në adhurim. (Al-Burhan fi Alamat al-Mahdi Akhir al-zaman, f. 88)
Transmetuar nga Dakkak Ibn Zeid el-Xhuhani: Unë ia tregova të Dërguarit të All-llahut (saas) një ëndërr që kisha parë. Në atë ëndërr i Dërguari i All-llahut ishte në majë të një minberi shtatë-shkallësh. Ai tha: MINBERI SHTATË-SHKALLËSH QË E SHEH ËSHTË MOSHA SHTATË MIJË VJEÇARE E KËSAJ BOTE. (Al-Burhan fi 'Alamat al-Mahdi Akhir az-Zaman, f. 89)
Said Nursi, përtëritës i viteve 1300 Islamike dhe më i madhi i mijëvjeçarit të fundit, përmendi vitet 1500 Islamike si periudhën e sundimit të vlerave morale Islamike. Ai deklaroi se Muslimanët do ta gëzojnë një kohë të fitores së plotë dhe të sigurt deri atëherë. Ai tha se në vitet që do të pasojnë, ngritjes së vlerave morale të Islamit do t'i vijë fundi dhe se Dita e Fundit do të gdhijë për jobesimtarët në vitin 1545 Islamik. (All-llahu e di të vërtetën.)
"Një grup prej ummetit (komunitetit) tim do të mbetet në të vërtetën deri në urdhrin e All-llahut [Ditën e Fundit]."
Kalkulimi numerik i fjalisë "Një grup nga ummeti (komuniteti) im..." do të thotë viti 1542 [2117] nënkupton kohën e ekzistencës së tij [ummetit]. Kalkulimi numerik i fjalisë "do të mbetet në të vërtetën" (kur të llogaritet shenja e dyfishimit) jep vitin 1506 [2082]; tregon se deri më atë datë [2082] do të vazhdojë punën e tij të ndriçimit të mendjes në mënyrë të dukshme dhe të qartë dhe mbase ngadhënjimtare; pastaj deri në vitin 1542 [2117] në fshehtësi dhe disfatë. Kalkulimi numerik i fjalisë "deri në urdhrin e All-llahut" (kur llogaritet shenja e dyfishimit) sugjeron se DITA E FUNDIT DO T'IU NDODHË jobesimtarëve në vitin 1545 [2120] (Shtojca Kastamonu, f. 33)
Dijetari i madh Sunni al-Barzanji pohon se jetëgjatësia e kësaj bote nuk do të arrij vitin 1600 Islamik, me fjalë të tjera, se Dita e Fundit pritet të vijë në vitet 1500 Islamike me lejen e All-llahut (All-llahu e di të vërtetën.)
JETËGJATËSIA E KËTIJ UMMETI DO TË TEJKALOJË 1,000 VJET, POR DO TË JETË E KUFIZUAR NË 1,500 VJET… (Muhammad ibn `Abd ar-Rasul Barzanji, Al-Isha`ah li Ashrat as-Sa`ah, Shenjat e Fundit të Botës, f. 299)
Deklarata e Sujutit e bërë duke u mbështetur në hadithin e thënë nga Profeti ynë (saas) është si vijon:
JETËGJATËSIA E UMMETIT TIM NUK DO TË TEJKALOJË 1,500 VJET. (Suyuti, al-Kasfu an Mujauazati Hazihil Ummah al-Alfu, al-haui lil Fataui. 2/248, Tafsir Ruh-ul Bayan. Bursaui 4/262, Ahmad ibn Hanbal, Kitab al-'Ilal, f. 89)
Siç shihet qartë nga ky hadith i Profetit (saas) dhe pohimeve të dijetarëve të mëdhenj vitet 1400 Islamike që ne po i jetojmë janë epoka e ardhjes së Hazreti Mehdiut (as). Profeti Isa (as) do të kthehet në Tokë në këtë shekull. Hazreti Mehdiu (as) do të shfaqet dhe vlerat morale të Islamit do ta sundojnë botën.
Koncepti i dexhxhalit (antikrishtit), që do të thotë "gënjeshtar, mashtrues, ai i cili pështjellon të mirën dhe të keqen, të vërtetën dhe të pavërtetën në mendjen dhe zemrat e njerëzve, ai i cili praron një gjë për ta fshehur fytyrën e saj të vërtetë, një qenie e lig dhe e mbrapsht e cila lëviz gjithandej," është përshkruar si dikush i cili do të shfaqet në Fundin e Kohës, burimi dhe përfaqësuesi i tërë ligësisë dhe fitnes. Dexhxhali mund të jetë në të vërtetë një qenie njerëzore; apo mund të jetë një sistem apo një ideologji që përfaqëson një mënyrë të të menduarit apo praktikës që është kundër vlerave morale. Shumë hadithe përmbajnë informacion të shumtë për dexhxhalin dhe disa ajete u referohen parimeve morale dhe sistemit të dexhxhalit. Paraqitja e dexhxhalit është lajmëruar si njëra prej shenjave të mëdha të Fundit të Kohës:
Ebu Hurejra ka transmetuar: Ekzistojnë tri gjëra që, kur të shfaqen ato, nuk do t'i bëjnë kurrfarë dobie besimit të një personi i cili nuk ka besuar më parë: antikrishti, Bisha dhe Dielli që lind në perëndim. (Hadithet e el-Tirmidhiut; Muhammad ibn 'Abd al-Rasul Barzanji, Al-Isha'ah li Aashrat al-Sa'ah, f. 209)
Dijetari dhe imami i madh Islamik, Ebu Hanife, pohon si vijon lidhur me hadithet që e përshkruajnë dexhxhalin dhe shenjat tjera të Ditës së Fundit:
Shfaqja e dexhxhalit dhe e Jexhuxhëve dhe Mexhuxhëve është e vërtetë; lindja e Diellit në perëndim është e vërtetë; zbritja e Profetit Isa (as) nga qiejt është e vërtetë; dhe të gjitha shenjat tjera të Ditës së Fundit, që përfshihen në sunnetin e vërtetë, janë të vërteta të vërtetuara. (Ebu Hanife, Nu'man ibn Sabit (150/767), el-Fikh el-Ekber)
Hadithet e Profetit tonë (saas) përmbajnë po ashtu informacion të hollësishëm për karakteristikat e dexhxhalit. Sipas tij, dexhxhali do t'i largojë njerëzit nga rruga e drejtë; do ta paraqes të mirën si të keqe dhe të keqen si të mirë; do t'i mashtrojë ata të cilët e pasojnë me mirësi të paqena dhe do t'i shtyp dhe do ta përdor forcën kundër atyre që nuk e pasojnë; do të shkaktojë ngatërresë në botë dhe do të nxis konflikt; do t'iu kundërvihet vlerave morale fetare dhe do të punojë për t'i shmangur njerëzit nga ato vlera. Koha e dexhxhalit në Tokë do të jetë një kohë kur besimtarët e sinqertë do të përballen me shumë telashe dhe vështirësi dhe kur shumica e njerëzve do t'ua kthejnë shpinën vlerave morale fetare.
Shfaqja e dexhxhalit do të ketë një ndikim të thellë në tërë botën dhe do të jetë burimi i zhvillimeve që do të shkaktojnë shumë katastrofa dhe telashe mbi njerëzimin. Pasi që shënjestra kryesore e tij do të jenë vlerat morale fetare dhe besimtarët e vërtetë, periudha në fjalë mund të jetë veçanërisht e vështirë për besimtarët. Përveç kësaj, shumë njerëz do të besojnë në mashtrimet e tij dhe do ta pasojnë atë. Një gjendje e tillë duhet të kundërshtohet nga të gjithë njerëzit e ndërgjegjshëm dhe besimtarët. Për më tepër, ata do të duhet të nisin një luftë të fuqishme intelektuale kundër kësaj gjendje, në të cilën, me vullnetin e All-llahut, ata do të ngadhënjejnë. Megjithatë, Profeti (saas) zbuloi se ligësia e këtij individi do të jetë e një shkalle që nuk është parë kurrë më parë në histori dhe i paralajmëroi besimtarët që t'i shmangen atij. Ky paralajmërim është më se i rëndësishëm:
Po ua them këto gjëra që të mund ta kuptoni situatën dhe të mos bini në kurthin e tij dhe që të mund t'iu tregoni atyre që do të vijnë pas jush, sepse ligësia e tij është ligësia më e keqe nga të gjitha. (Nu'aym ibn Mas'ud; Ismail Mutlu, Kiyamet Alametleri (Shenjat e Ditës së Fundit), Mutlu Publications, (Stamboll: 1999), 92-93)
Kjo këshillë, si edhe lutja e tij për mbrojtjen e All-llahut nga fitneja e shkaktuar nga dexhxhali, është një udhërrëfyes për Muslimanët. Muslimanët nga sekte dhe raca të ndryshme e lusin All-llahun gjatë pesë namazeve të tyre ditore që t'i mbrojë ata nga e keqja e dexhxhalit. Siç zbulon ky hadith, lutja që Profeti ynë i dashur (saas) ua mësoj besimtarëve është si vijon:
Ebu Hurejra ka transmetuar: I Dërguari i All-llahut (saas) ka thënë: Kur çdo njëri prej jush ta thotë teshehudin (në namaz) ai duhet të kërkoj strehim tek All-llahu nga katër (sprova) dhe si rrjedhojë duhet të thotë: "O All-llah! Unë kërkoj strehim tek Ti nga dënimi i Xhehenemit, nga dënimi i varrit, nga sprova e jetës dhe e vdekjes dhe nga e keqja e sprovës së Mesihu dexhxhalit." (Sahih Muslimi, Libri 4, Numër 1217)
Fakti se Profeti (saas) ua mësoi këtë lutje pasuesve të tij personalisht dhe u rekomandoi që ta thonë gjatë lutjeve ditore tregon se sa e rëndësishme është çështja e dexhxhalit për besimtarët. Ne e dimë se pas lutjeve të tyre ditore, dijetarët Islamik shtuan edhe këto fjalë: "All-llahumme axhirni min fitne el-Messiah el-dexhxhal ue el-Sufjan" (O All-llahu im, na mbrojë nga sprovat e Mesihu dexhxhalit dhe të Sufjanit). Të vetëdijshëm për peshën e madhe të sprovës së dexhxhalit, Muslimanët kërkojnë mbrojtjen e All-llahut me këtë lutje në lutjet e tyre ditore. Kjo tregon se Muslimanët janë të përgatitur shpirtërisht për dexhxhalin. Megjithatë, përgatitja më e rëndësishme që duhet bërë kundër dexhxhalit është pikërisht ajo që duhet bërë për tu përgatitur për ardhjen e Profetit Isa (as).
Në një aspekt, ardhja e dytë e Profetit Isa (as) do ta provojë faktin se kjo lutje është dëgjuar. Kjo për arsye se hadithet tregojnë se sprova e dexhxhalit mund të asgjësohet vetëm me kthimin në Tokë të Profetit Isa (as) dhe se kur dexhxhali ta shoh Profetin Isa (as), "ai do të tretet si kripa që tretet në ujë." Disa prej haditheve që zbulojnë mënyrën se si Profeti Isa (as) do ta bëj dexhxhalin të paefektshëm janë si vijon:
... Ndërsa dexhxhali përhap të keqen nëpër botë, All-llahu do ta dërgojë Mesihun, Isain (as), të birin e Merjemes, i cili do ta takojë dexhxhalin tek porta e Luddit [afër Jerusalemit] dhe do ta bëj atë të paefektshëm. (Sahih Muslimi)
... Ndërsa dexhxhali përhap të keqen nëpër botë, All-llahu do ta dërgojë Mesihun, Isain (as), të birin e Merjemes... Profeti Isa (as) do ta takojë dexhxhalin tek porta e Luddit [afër Jerusalemit] dhe do ta bëj atë të paefektshëm. (Sahih Muslimi)
Kur armiku i All-llahut [dexhxhali] ta shoh atë [Profetin Isa (as)], do të tretet siç shkrinë kripa në ujë dhe edhe po të mos përballej [Profeti Isa (as)] fare me të, madje edhe atëherë ai do të tretej plotësisht. All-llahu do ta bëj atë të paefektshëm nga dora e Profetit Isa (as)... (Sahih Muslimi, 6924)
Profeti Isa (as) do të kthehet së shpejti dhe pastaj do ta asgjësojë [shpirtërisht] dexhxhalin, të ligun, të mbrapshtin. (Nuzul-i Mesih Risalesi (Debati mbi ardhjen e dytë të Mesihut), Stamboll: Ekmel Publishing, 1998, f. 121)
Prandaj, është një çështje e një rëndësie të madhe që të gjithë besimtarët dhe ata të cilët dëshirojnë të jenë të mbrojtur nga sprova e dexhxhalit duhet ta mbështesin plotësisht Profetin Isa (as) dhe të përpiqen për të përgatitur mjedisin më të mirë të mundshëm para se ai të kthehet vërtet.
Në njërën anë, Muslimanët duhet të zbulojnë ligësinë dhe mashtrimet e dexhxhalit dhe të fillojnë një luftë intelektuale kundër atyre elementeve që përbëjnë themelet ideologjike të sistemit të dexhxhalit. Nga ana tjetër, ata duhet të përgatitin themelin për luftën e madhe intelektuale që Profeti Isa (as) do ta fillojë pas kthimit të tij dhe duhet të përgatiten për ta mbështetur atë. Informacioni i dhënë në Kur'an dhe zhvillimet e përshkruara në hadithe tregojnë se një nga periudhat më të rëndësishme të historisë po afron.
Ata të cilët do ta kenë nderin të jetojnë në një periudhë të tillë historike duhet të ndiejnë një gëzim të madh për këtë të ardhme dhe duhet të jenë të vetëdijshëm për shkallën e përgjegjësisë së tyre. Një nga gjërat e para që këta njerëz duhet të bëjnë është që të përgatiten dhe t'i përgatitin njerëzit rreth tyre për kthimin e Profetit Isa (as).
15. Omer Nasuhi Bilmen, Kuran-i Kerim’in Türkce Meali Alisi ve Tefsiri (Përkthimi në turqisht i Kur’anit Fisnik dhe komentimi i tij), Timas Publishing, Stamboll, botimi i 8-të, Vëllimi 7, f. 3292
16. Prof. Sulejman Ates, Yuce Kur’an’in Cagdas Tefsiri (Komentimi bashkëkohor i Kur’anit), Stamboll, 1988-1992, vol. 6, f. 4281
17. Sajjid Kutb, Fi Zilal al-Qur’an (Nën hijen e Kur’anit), www.sevde.de/ Kuran-Tevsiri/Kuran_Tefsiri.htm
18. Imam Muhammed Zahid el-Keutheri, Nazra ‘Abira fi Maza’im Man Yankur Nuzul ‘Profeti Isa ‘alyhi al-Salam aabla al-Akhira (Një vështrim i shpejtë i pretendimeve të atyre të cilët mohojnë zbritjen e Isait para Jetës së ardhshme), Egjipt, 1980, f. 105
19. Omer Nasuhi Bilmen, Kuran-i Kerim’in Türkce Meali Alisi ve Tefsiri (Përkthimi në turqisht i Kur’anit Fisnik dhe komentimi i tij), Timas Publishing, Istanbul, 8th edition, Vëllimi 7, f. 3292
20. Muhammed Khalil Herras, Fasl al-maqal fi raf’i ‘Profeti Isa hayyan ëa nuzulihi ëa qatlihi’d-Dajjal (Zbritja e Jezusit, rigjallërimi i tij, ringjallja dhe vrasja e Dexhxhalit nga ana e tij), Makatabat as-Sunnah, Kairo, 1990, f. 20
21. Imam et-Tabariu, Kometi i Taberiut, Vëll. 1, f. 247
22. Imam Ebu Hanife, El-Fikh el-Ekber, http://muslim-canada.org/fiqh.htm