Profeti Isa (as), ashtu si të gjithë profetët e tjerë, është rob i zgjedhur i All-llahut, të cilin All-llahu e caktoi për t'i thirrur njerëzit në rrugën e drejtë. Mirëpo, All-llahu i ka dhuruar Profetit Isa (as) disa veti që e dallojnë atë prej profetëve tjerë, duke qenë ngritja e tij tek All-llahu dhe ardhja e sërishme e tij në tokë ajo më e rëndësishmja prej tyre.
Në kundërshtim me atë që besojnë shumica e njerëzve, Profeti Isa (as) nuk u kryqëzua dhe as nuk u vra dhe as që vdiq për ndonjë arsye tjetër. Kur'ani na tregon se ata as nuk e vranë dhe as nuk e kryqëzuan atë dhe se All-llahu e ngriti atë pranë Tij. Veç kësaj, Kur'ani na njofton me disa ngjarje nga jeta e Profetit Isa (as) të cilat nuk kanë ndodhur ende. Pra, ardhja e tij e dytë në tokë është një parakusht që këto ngjarje të ndodhin. Nuk ka dyshim se ngjarjet e rrëfyera në Kur'an me siguri do të ndodhin.
Përveç kësaj, në një numër shumë të madh të haditheve të besueshme1 të Profetit Muhammed (saas) mësojmë se Profeti Isa (as) është gjallë në Sytë e All-llahut dhe do të kthehet në tokë dhe se kur të kthehet ai do të sundojë me Kur'an, do të jetë një mjet nëpërmjet të cilit bota e Krishterë do të kthehet në Islam, dhe, së bashku me Hazreti Mehdiun (as)2, do të bëjnë që vlerat morale Islamike të mbizotërojnë në mbarë botën. Dijetarët më të mëdhenj Islamik pajtohen se Profeti Isa (as) nuk ka vdekur dhe se ai do të kthehet në tokë. Megjithatë, pavarësisht nga kjo, ka njerëz që supozojnë se Profeti Isa (as) ka vdekur disa mijëra vjet më parë dhe kështu nuk ka gjasa që ai do të kthehet. Ky është një mendim i gabuar që buron nga mungesa e njohurive rreth Kur'anit dhe haditheve.
Profeti Muhammed (saas) na ka informuar po ashtu se në kohën kur Profeti Isa (as) do të kthehet në tokë, kohë e cila quhet 'fundi i kohës', do të ketë një periudhë në të cilën në tokë do të arrihet një paqe, drejtësi dhe mirëqenie e pashembullt.
'Fundi i Kohës' i referohet periudhës kohore të afërt me fundin e botës. Sipas Islamit, në këtë kohë do të ndodhin sprovat e tmerrshme të dexhxhalit (antikrishtit), shumë tërmete dhe shfaqja e Jexhuxhëve dhe Mexhuxhëve (Xhuxhëve dhe Maxhuxhëve), pas të cilave mësimet Kur'anore do të mbizotërojnë dhe njerëzit përgjithësisht do t'iu përmbahen vlerave që ai mëson.
Dëshmitë se Profeti Isa (as) nuk ka vdekur, se ai është ngritur në praninë e All-llahut dhe se do të kthehet përsëri do të shqyrtohen në këtë libër në dritën e ajeteve Kur'anore, haditheve dhe interpretimeve të dijetarëve Islamik. Megjithatë, para se t'ia fillojmë, do të ishte e dobishme t'ia kujtojmë vetes disa të dhëna themelore që lidhen drejtpërdrejt me këtë temë.
1. Njoftimet dhe mësimet mbi thëniet dhe veprat e Profetit Muhammed (saas)
2. Kuptimi i vërtetë i fjalës ‘Mehdi’ është I Udhëzuari dhe ky do të jetë dikush i cili, përkrah Isait (as) do të punojë ta reformojë shoqërinë drejt Islamit para Ditës së Gjykimit.