Gjatë gjithë historisë, All-llahu ka dërguar të dërguarit e Tij te shumë popuj. Këta të dërguar të All-llahut u bënë thirrje njerëzve për në rrugën e drejtë dhe u komunikuan atyre mësimet e Tij. Megjithatë sot, disa besojnë se të dërguar të ndryshëm u sollën njerëzve fe të ndryshme. Ky është një mendim i gabuar. Fetë që All-llahu u shpalli popujve të veçantë në periudha të ndryshme ishin në të vërtetë një e njëjta fe. Për shembull, edhe pse shpallja që iu zbrit Profetit Isa (as) shfuqizoi disa prej ndalesave të shpalljes së mëparshme, në parim nuk ka dallime të mëdha ndërmjet feve të shpallura nga All-llahu. Ajo që u është shpallur profetëve të mëparshëm, Profetit Musa (Mojsi) (as) dhe Profetit Isa (as), dhe Profetit të fundit Muhammedit (saas), janë në thelb një fe e vetme e vërtetë në Sytë e All-llahut. Ajetet e Kur'anit e vërtetojnë këtë:
Thuaj (o Muhamed): "Ne besojmë All-llahun, atë që na është shpallur neve, atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is'hakut, Jakubit, Esbatëve (12 bijve të tij) dhe në atë që i është dhënë Musait, Profeti Isait dhe profetëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë asnjë dallim midis tyre dhe Ne vetëm Atij (All-llahut) i përulemi." Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t'i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur. (Surja Al 'Imran: 84-85)
Këto ajete dëshmojnë se rruga e drejtë që iu shpall njeriut është Islami dhe se të gjithë profetët u bënë thirrje popujve të tyre që ta pasojnë një rrugë të vetme.
Në një varg tjetër All-llahu urdhëron: "... Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj." (Surja Ma'ide: 3) All-llahu dërgoi të dërguarit e Tij për ta përcjellë këtë fe, fenë me të cilën Ai është i kënaqur, te popujt e tyre dhe kështu ta paralajmërojnë njerëzimin. Çdo person, të cilit i është përcjellë porosia e All-llahut dhe të cilit në këtë mënyrë i bëhet thirrje në këtë fe është përgjegjës që t'i përmbahet asaj.
Megjithatë, disa shoqëri e kanë pranuar porosinë ndërsa të tjerat e kanë mohuar atë. Në disa shoqëri, në anën tjetër, rruga e drejtë është shtrembëruar në besime të zvetënuara pas vdekjes së të dërguarit të tyre. Kjo rrëfehet në Kur'an si vijon:
Feja e vërtetë tek All-llahu është vetëm Islami. Ata që u është dhënë Libri, patën mospajtime nga zilia që kishin midis tyre, vetëm pasi u erdhi dituria. Por kushdo që i mohon udhëzimet e All-llahut, ta dijë se All-llahu është i shpejtë në llogari. (Surja Al 'Imran: 19)
Njëra prej shoqërive që devijoi pasi që për një kohë jetoi në rrugën e drejtë ishte një pjesë e Bijve të Izraelit (Beni Israilët). Siç na mëson Kur'ani, All-llahu u dërgoi shumë të dërguar Bijve të Izraelit dhe i njoftoi ata për rrugën e drejtë. Megjithatë, ata çdo herë ngrinin krye kundër një profeti, ose pas vdekjes së një profeti, shndërronin rrugën e drejtë në një grumbull besimesh të zvetënuara. Veç kësaj, nga Kur'ani ne dimë se madje edhe sa ishte ende gjallë Profeti Musa (as), disa prej Bijve të Izraelit e adhuruan viçin e artë gjatë mungesës së shkurtër të tij (Shih Suren Ta Ha: 83-94). Pas vdekjes së Profetit Musa (as), All-llahu dërgoi shumë të dërguar të tjerë tek Bijtë e Izraelit për t'i paralajmëruar ata dhe i dërguari i fundit prej këtyre profetëve ishte Profeti Isa (as).
Gjatë gjithë jetës së tij, Profeti Isa (as) i bëri thirrje popullit të tij që të jetoj sipas fesë (dinit) të shpallur nga All-llahu dhe i përkujtoi ata që të jenë robër të vërtetë të All-llahut. Ai i udhëzoi ata për urdhrat e Inxhilit – shpalljes që iu zbrit atij, pjesë të së cilës mund të kenë mbijetuar në pjesë të Ungjijve. Inxhili vërtetonte urdhrat e Teuratit – shpalljes që iu zbrit Profetit Musa (as), një pjesë e së cilës mbetet e shkruar në Teurat dhe në Dhiatën e Vjetër – e cila deri atëherë veçse ishte shtrembëruar. Duke kritikuar mësimet e gabuara të rabinëve që ishin përgjegjës për degjenerimin e fesë (dinit) së vërtetë, Profeti Isa (as) shfuqizoi rregullat që u sajuan nga vet rabinët dhe nëpërmjet të cilave ata nxorën përfitime personale. Ai i thirri Bijtë e Izraelit në njësinë e All-llahut, në të vërtetën dhe sjelljen e virtytshme. Kur'ani na tregon:
Dhe (kam ardhur te ju) për t'ju vërtetuar Teuratin, që është para meje dhe që t'ju lejoj disa gjëra që i keni pasur të ndaluara. Ju kam sjellë një provë nga Zoti juaj, prandaj kijeni frikë All-llahun dhe bindmuni! (Surja Al 'Imran: 50)
Megjithatë, pasi që Profeti Isa (as) u largua nga toka, disa prej pasuesve të tij më vonë filluan ta shtrembërojnë shpalljen. Nën ndikimin e disa ideve pagane që erdhën nga Grekët, ata zhvilluan një besim të zvetënuar në "trininë" (Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë) (Pa dyshim All-llahu është i pastër nga ajo që i përshkruajnë). Në emër të Krishterimit, ata iu bashkëngjitën një feje krejtësisht tjetër. Edhe pse Krishterimi i sotëm përmban ca besime dhe praktika që i takojnë besimit të vërtetë, fesë që iu shpall Profetit Isa (as) e që u degjenerua nga disa individë që erdhën pas tij. Shumë vjet pas ardhjes së parë të Profetit Isa (as), njerëz të panjohur shkruan librat që ne sot i njohim si Dhiata e Re dhe i shkruan ato në gjuhën greke ndonëse gjuha e Profetit Isa (as) dhe e dishepujve të tij ishte gjuha aramike, një gjuhë e afërt me gjuhën arabe. Në kohërat që pasuan, historianët i grumbulluan këto shkrime. Rrjedhimisht, Krishterimi sot ka humbur shumëçka nga mësimet origjinale të Profetit Isa (as).
Pas Profetit Profeti Isa (as), All-llahu dërgoi një të dërguar tjetër nga një fis tjetër në mënyrë që nëpërmjet tij Ai t'ia shpallte fenë burimore botës dhe Ai e pajisi atë me një libër fisnik. Ky i dërguar ishte Profeti Muhammed (saas) dhe ky libër është Kur'ani, e vetmja shpallje e pandryshuar Hyjnore.
Kur'ani i drejtohet gjithë njerëzimit dhe vlen për të gjitha kohërat. Të gjithë njerëzit e të gjitha moshave do të konsiderohen përgjegjës për përmbajtjen e tyre ndaj këtij libri, nëse i janë ekspozuar porosisë së Islamit. Ata do të gjykohen në bazë të Kur'anit në Ditën e Gjykimit. Në ditët tona në veçanti, të gjitha kombet e botës janë bashkuar në një mënyrë dhe pothuajse janë shndërruar në një fis të vetëm, duke iu falënderuar përparimeve teknologjike. Një akademik e quajti botën e sotme "fshat global". Prandaj, ka pak njerëz në botë sot që mund të mos jenë në dijeni të ekzistencës së Kur'anit dhe të cilët janë të painformuar për Islamin. Përkundër kësaj, vetëm një pjesë e njerëzve besojnë në Kur'an.
Në Kur'an jepet lajmi i gëzuar dhe në hadithe përshkruhet në hollësi se Profeti Isa (as) do të kthehet në tokë dhe do t'iu bëj thirrje njerëzve për në rrugën e drejtë ashtu që gjendja kundërthënëse në të cilën gjenden të krishterët e sotëm do të zgjidhet. Siç do të bëhet fjalë në kapitujt vijues të këtij libri, Profeti Isa (as) u ngrit në Praninë e All-llahut dhe ende nuk ka përjetuar një vdekje fizike. Pas një kohe, ai do të kthehet dhe, siç transmetohet në këtë hadith, do të bëj që Islami të mbizotërojë në botë, së bashku me Hazreti Mehdiun (as). Ashtu siç dinë më së miri, si bota e krishterë ashtu edhe ajo muslimane janë duke u përgatitur për ta takuar këtë vizitor të bekuar dhe për të qenë të denjë për moralin e tij të lartë.