Një natë, para se të binte për të fjetur, Omari, bashkë me babain e tij, ndoqi një film dokumentar. Filmi fliste për kafshët dhe ai u habit shumë nga fakti se si arrijnë disa kafshë të mbijetojnë edhe në kushtet më të vështira të ambientit. Kur ra në shtrat, po mendonte për atë që kishte parë në televizor dhe nisi të imagjinonte që edhe ai jetonte atje, bashkë me kafshët. Papritur, e gjeti veten në një vend të mbuluar krejt me borë. Filloi të çapitej rreth e rrotull, kur, papritur e pakujtuar, dëgjoi një zë: -“Mirë se erdhe, Omar!”
"Kush je ti?" -e pyeti ai.
"Unë jam pinguini." u përgjigj kafshëza e vogël.
Krijesa që po i fliste dukej tamam sikur kishte veshur frak. Omarit i ra ndër mend menjëherë se kush ishte ai që po i fliste. Edhe dokumentari që kishte parë atë mbrëmje me babain kishte një pjesë që fliste për pinguinët.
"Oh, po, tha Omari, unë sapo kam parë diçka për jetën tënde në televizor. Ëmmm..., është vërtet ngricë këtu. Po ti, nuk sëmuresh asnjëherë?"
Pinguini iu përgjigj:"Këtu është Poli i Jugut dhe temperaturat mund të shkojnë deri në -88°C. Kjo klimë mund t'u shkaktonte vdekjen shumë kafshëve, por, ne nuk kemi asnjë vështirësi që jetojmë këtu, kjo, falë cilësive të veçanta që na ka dhuruar Allahu. Ne nuk na bën dëm moti i ftohtë, ashtu si kafshëve të tjera, sepse nën lëkurë kemi veshur një pallto të ngrohtë prej dhjami. Kur vjen dimri, përgjatë bregdetit, ne drejtohemi për nga jugu."
Omarit i ra ndër mend përse e kishte fjalën ai dhe i tha: "Kjo do të thotë se ju migroni! Po çfarë cilësish të tjera ke ti? Për shembull, unë mësova nga dokumentari se ju kujdeseni tepër për vezët derisa të çelin të vegjlit. Më trego, të lutem!"
Pinguini buzëqeshi dhe filloi të flasë: "Ndryshe nga kafshët e tjera, vezët nuk i ngroh femra, por mashkulli. E ne e bëjmë këtë në temperturën -30°C për 65 ditë pa lëvizur asnjë çast nga vendi. Në këtë kohë, nëna pinguin shkon larg për të kërkuar ushqim për zogjtë që do të çelin. Pasi çelin, zogjtë e kalojnë muajin e tyre të parë të jetës mbi këmbët e nënës dhe të babait, sepse, nëse do t'i lëshonin, qoftë edhe për dy minuta, ai do të ngrinte për vdekje."
Omari tundi kokën i habitur: "Kjo do të thotë se ju duhet të jeni vërtet shumë të kujdesshëm, apo jo?"
Pinguini iu përgjigj: "Allahu i ka mësuar çdo kafshe se si të jetojë. Ne veprojmë ashtu siç na ka frymëzuar Ai."
Omari-"Po, ia ktheu Omari, Zoti ynë i ka mësuar çdo krijese kur dhe ku duhet të jetojë dhe si ta gjejë ushqimin. Jeta juaj, o miku im, është një shembull i mirë për këtë."
Pinguini u kthye për të ikur dhe i tha: "Ti mund të gjesh shumë shembuj edhe tek krijesat e tjera. Familja ime po më pret, duhet të shkoj tani."
Papritur, Omari dëgjoi tringëllimën e një zileje që po binte. Tashmë ishte mëngjes dhe ora me zile po bënte detyrën e saj. E kuptoi se udhëtimi i tij s’kishte qenë gjë tjetër veçse një ëndërr e bukur.