Në fundjavë, nëna e çoi Husejnin në kopshtin zoologjik. Ishte hera e parë që ai shihte kaq shumë kafshë të ndryshme së bashku në një vend. Shkuan tek shtëpia e elefantit. Atje, një elefant i vogël pengohej mbi feçkën e tij dhe rrëzohej. Nëna e tij e ndihmonte të ngrihej sa herë që binte.
Nëna e elefantit e pa Husejnin që po i shikonte me vëmendje dhe i shpjegoi: "A e sheh, është shumë i vogël dhe ende nuk di ta përdorë feçkën. Ai nuk do të largohet prej meje për 12 vitet që do të vijnë dhe mua më duhen plot 6 muaj për t’i mësuar si ta përdorë feçkën.”
Husejni u përgjigj: "Unë gjithmonë kam qenë kurioz të di, përse i përdorin elefantët feçkat? Merrni frymë me to?"
Nëna elefant i filloi t'i shpjegonte: "Feçkat tona na bëjnë të ndryshëm nga të gjithë kafshët. Vrimat me të cilat marrim ajër ndodhen në fund të feçkës dhe ne i përdorim ato për të sjellë ushqim dhe ujë në gojë, për të ngritur sende dhe për të nuhatur. Me feçkat tona mund të mbajmë deri në 4 litra ujë. A e di ti se ne mund të mbajmë edhe një bizele të vogël në to? Mësoje se nuk i kemi fituar rastësisht këto gjëra. Ato janë dhuratë nga Allahu i Plotfuqishëm, i cili krijoi gjithçka."
Pasi dëgjoi nënën elefant, Husejni vazhdoi ta pyesë: "Po si ia bëni për të gjetur ushqim të mjaftueshëm?"
Nëna elefant iu përgjigj: "Ne jemi kafshët më të mëdha që jetojnë mbi tokë. Një elefant ha rreth 330 kilogram bimë në ditë. Neve na duhet të kalojmë 16 orë në ditë duke ngrënë."
Husejni kurioz bëri gati një pyetje tjetër: "Po dhëmbët? Më trego diçka për to."
Nëna elefant vazhdoi të fliste: "Siç mund ta shohësh, unë kam dy dhëmbë të gjatë dhe të mprehtë. Ne mbrohemi me ta, gjithashtu i përdorim për të hapur gropa, për të gjetur ujë. Sigurisht që, duke bërë gjithë këto punë, dhëmbët tanë prishen dhe, për këtë arsye, Allahu i Plotfuqishëm na ka dhënë një aftësi të veçantë. Sa herë që prishet dhëmbi, del një tjetër, i ri, në vend të tij."
Husejni mendoi për një moment: "Ti tani duhet të jesh e uritur, po të gërhasin zorrët."
Nëna elefant buzëqeshi dhe tha: "Jo, kjo zhurmë nuk tregon që jam e uritur. Ne elefantët i lëshojmë këta tinguj për të komunikuar me njëri-tjetrin. A e di se ne mund të flasim me njëri-tjetrin deri në 4 km largësi?"
Husejni u habit dhe ia ktheu: "Po si flisni me njëri-tjetrin?"
Nëna elefant i tha: "Allahu na ka krijuar në ballë një organ të veçantë që lëshon tinguj që njerëzit nuk mund t'i dëgjojnë. Kështu, ne flasim me anë të një kodi, të cilin edhe kafshët e tjera nuk e kuptojnë dhe e dëgjojmë njëri-tjetrin nga distanca shumë të largëta. Siç mund ta shohësh, krijimi i mrekullueshëm i Allahut mund të vërehet mirë tek ne, elefantët, por mos harro, se ne duhet të mendojmë mbi këto gjëra dhe, në të njëjtën kohë, ta falënderojmë Allahun vazhdimisht!"
Husejni pohoi me kokë dhe i tha: "Faleminderit që më tregove gjithë këto gjëra interesante. Tani më duhet të shkoj se më pret mami."
"Mirupafshim, Husejn!" tha nëna elefant.
Rrugës për tek nëna e tij ai ecte dhe mendonte, “Kush e di sa të mrekullueshme janë krijimet e Allahut te kafshët e tjera!”