Ky libër është shkruar për ata të cilët së voni janë njohur me Islamin dhe të cilët tashmë kanë dijeni dhe një shkallë të bindjes ndaj Islamit, por e cila mund të ketë pasur origjinën e tyre në burime të papërshtatshme apo të pabaza. Informacioni të cilin njerëzit e grumbullojnë për Islamin është, në të shumtën e rasteve, i kufizuar në atë që paraqesin familjet e tyre, shokët apo librat e caktuara. Mirëpo, informacionit të saktë për Islamin mund t’i qasemi vetëm duke iu referuar Kuranit, burimit të Islamit.
Kurani është shpallja e fundit e zbritur prej Zotit, si udhëzim për njerëzimin. I vetmi libër i shpallur nga Zoti që ka mbijetuar plotësisht e pandryshuar, është Kurani. Ajo përmban vetëm atë që është shpallur nga Zoti. Zoti zbriti porosinë e Tij, ose me anë të Xhibrilit, ose përmes frymëzimit të drejtpërdrejt të Profetit Muhammed. Kurani përbëhet vetëm prej asaj që iu shpall Profetit Muhammed.
Kurani është udhëzim për të udhëhequr njeriun në rrugën e drejtësisë. Është shpallje e Zotit, e zbritur për të nxjerrë njeriun nga errësira në dritë. Me anë të Kuranit, Zoti ynë, Krijuesi i njeriut dhe i të gjitha gjallesave, udhëzon robërit e Tij në rrugën e drejtë.
Në këtë libër, bazuar në informacionin e ofruar nga Kurani, do të bëjmë fjalë për Zotin, vetitë e Tij, qëllimin e vërtetë të ekzistencës sonë në këtë botë, çfarë duhet të bëjmë për të vepruar në pajtim me të, realitetin e vdekjes dhe atë që na pret, jetën e përtejme.
Ju rekomandojmë që ta lexoni këtë libër me kujdes dhe të mendoni për mësimet e tij, pasi që ato kanë për qëllim që t’ju afrojnë më shumë me Krijuesin tuaj dhe t’ju tregojnë rrugën e lumturisë dhe shpëtimit të përjetshëm.