logo
HARUN YAHYA

Pendimi Që Ndjenë Njeriu Në Xhehennem

Kur ai t’i vërë re prej së largu, ata do t’ia dëgjojnë vlimin dhe rënkimin.(Sure Furkan: 12)

Pendimi që ndiejnë jobesimtarët kur shohin Xhehennemin

Në Ditën e Gjykimit, kur të kenë dhënë llogari, njerëzit do të tubohen dhe do të shtyhen në Xhehennem në "grupe." Në këtë turmë do të jenë të gjithë ata që e mohuan fenë dhe ekzistencën e All-llahut gjatë gjithë historisë dhe ata që ishin kryelartë dhe ua kthyen shpinën shenjave të All-llahut. Në mesin e tyre do të jenë edhe ata që gëzonin pasuri dhe famë. Megjithatë, për zhgënjimin e tyre, ato gjëra të cilave ata u kishin kushtuar rëndësi në dynja nuk do t’i shpëtojnë ata nga dënimi i përjetshëm. All-llahu na njofton në Kur’an se të gjithë ata që nuk besuan do të tërhiqen zvarrë të turpëruar në Xhehennem. Para dyerve të Xhehennemit, rojet e tyre do t’i shtyjnë ata të pranojnë mëkatet e tyre për herë të fundit dhe do t’i fusin në të. Pas kësaj, dyert do të mbyllen pas tyre përjetësisht. All-llahu e përshkruan në Kur’an mënyrën në të cilën jobesimtarët shtyhen në Xhehennem si vijon:

Jobesimtarët do të shtyhen grupe-grupe në Xhehennem dhe, kur të arrijnë atje, do të hapen dyert e tij dhe rojtarët do t’u thonë atyre: “A nuk ju kanë ardhur të dërguar midis jush, të cilët ju lexonin shpalljen e Zotit tuaj e ju tërhiqnin vërejtjen për takimin e kësaj dite?!” Mohuesit do të thonë: “Po, është e vërtetë!” E kështu përmbushet fjala e All-llahut për dënimin e mohuesve. Atyre u thuhet: “Hyni në portat e Xhehennemit, ku do të qëndroni gjithmonë!” Sa vend i shëmtuar që është ai për mendjemëdhenjtë!(Sure Zumer: 71-72)

Ky dënim është për shkak se gëzoheshit në tokë, pa kurrfarë të drejte dhe ngaqë keni qenë të ndërkryer. Hyni në dyert e Xhehennemit për të qëndruar përherë në të! Sa i shëmtuar që është vendbanimi i mendjemëdhenjve!(Sure Gafir: 75-76)

As edhe një person i vetëm nga mesi i kësaj turme nuk do të mund të dalë dhe të thotë se nuk ishte paralajmëruar për këtë ditë. Kjo për arsye se All-llahu, i Cili është i Drejti, kishte dërguar lajmëtarë tek çdo individ për ta përkujtuar atë për ekzistencën e Tij, Ditën e Gjykimit, Xhennetin dhe Xhehennemin.Prandaj, mosbesimtarët do të pranojnë se e meritonin dënimin në Xhehennem.

Ata mbetën arrogant edhe pse ishin paralajmëruar dhe me vetëdije nuk pranuan t’i shërbejnë All-llahut, i Cili i krijoi ata. All-llahu e bën me dije njeriun në Kur’an se të tillët do të jenë të poshtëruar në Xhehennem:

Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem! Me të vërtetë, ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk duan të Më adhurojnë, do të hyjnë në Xhehennem të poshtëruar”!(Sure Gafir: 60)

I Dërguari i All-llahut (savs) e ka theksuar të njëjtën gjë në një hadith:

...A t’ju njoftojë për banorët e Zjarrit? Në të do të jetë çdo njeri i vrazhdë, i dhunshëm, krenar dhe mendjemadh. (Buhariu)

Duke e konsideruar veten si të gjithë-fuqishëm në dynja, disa nga këta njerëz u rebeluan paturpësisht ndaj Zotit tonë. Ata menduan se fuqia do t’ju sigurojë shpëtim atyre. Kur u përkujtuan për vetinë el-Kahar (Nënshtruesi) të All-llahut, për ekzistencën e Xhehennemit dhe të Xhennetit, dhe ju ofrua udhëzim për në rrugën që e pëlqen All-llahu, ata u përgjigjën:

“Pse nuk na dënon All-llahu për këtë që po flasim?” Xhehennemi është një dënim i mjaftueshëm për ata. Në flakët e tij do të digjen. Eh, sa vendbanim i tmerrshëm që është ai!(Sure Muxhadile: 8)

Si përgjigje ndaj rebelimit të tyre, ata do të futen brenda dyerve të Xhehennemit dhe kurrë më nuk do të lejohen që të dalin prej aty përveç nëse All-llahu dëshiron ndryshe. Që nga momenti që e shohin Zjarrin, ata do të ndjejnë një pendim të padurueshëm për gabimet e tyre. All-llahu shpall në Kur’an se ky është momenti kur ata e kuptojnë qartë se nuk ka asnjë mënyrë për të dalë nga Xhehennemi:

Të ligjtë do të shohin zjarrin dhe do të binden, se me të vërtetë, do të bien në të dhe nuk do të gjejnë largim prej atij.(Sure Kehf: 53)

Të kuptuarit do të jetë shumë i mprehtë në Xhehennem; gjithçka për çka jobesimtarët u shtirën si të paditur në dynja, atëherë do të duket shumë e qartë. Ata do të kuptojnë se ata e jetuan gjithë jetën e tyre për qëllime të kota dhe në fund do ta kuptojnë se, në këmbim të përfitimeve të vogla dhe të përkohshme, ata do të duhet të jetojnë në vuajtje në jetën e përtejme. Pak dekada që ata i kishin në botë u dukeshin një kohë e gjatë dhe ndërkohë ata nuk menduan kurrë për Ahiretin. Ata e parapëlqyen këtë botë ku njeriu e ndjen veten të pakënaqur në mënyrë të parikuperueshme më shumë se një jetë të përsosur dhe të lumtur ku njeriu nuk është i prekshëm nga dobësitë fizike siç janë uria dhe rraskapitja. Posa të hyjnë nëpër portat e Xhehennemit ata e kuptojnë se nuk kanë shpëtim. Kështu, si një rrugëdalje e fundit për t’iu shmangur dënimit, ata kërkojnë shpëtim duke ofruar një shpërblesë: një shpërblesë me gjithçka që kishin në këtë botë. Këto përpjekje të kota janë përshkruar si më poshtë:

...Ndërsa ata që nuk i përgjigjen Atij - sikur të ishte e tyre gjithçka që gjendet në Tokë, madje edhe një herë aq, ata do ta sakrifikonin atë (për të shpëtuar). Njerëzve të tillë u është përgatitur llogari e rëndë dhe strehimi i tyre është Xhehennemi. Eh, sa shtrat i shëmtuar që është ai!(Sure Ra’d: 18)

Megjithatë, këto përpjekje të fundit që shfaqen me përballjen me të vërtetën e hyrjes në Xhehennem do të jenë të kota. All-llahu na bën me dije se këto përpjekje nuk sjellin dobi:

Sot nuk pranohet prej jush kurrfarë shpërblese e as prej atyre që nuk kanë besuar: zjarri është vendbanimi juaj, ai është për ju; eh, sa vendbanim i tmerrshëm që është ai!”(Sure Hadid: 15)

Natyrisht se ekziston një arsye domethënëse pse këto përpjekje nuk sjellin asnjë rezultat. All-llahu i paralajmëroi ata për Xhehennemin, kur ata ishin ende në dynja. Çdo gjë u bë e qartë për ta; se askush nuk do të jetë në gjendje ta ndihmojë një tjetër dhe se askush nuk do të jetë në gjendje të ofrojë ndonjë shpërblesë. Ata u përkujtuan edhe se nuk do të pranohet asnjë shpërblesë. Një ajet të cilin All-llahu e shpalli për t’i paralajmëruar njerëzit në lidhje me këtë fakt është si vijon:

Frikësojuni Ditës kur askush nuk do të mund të bëjë asgjë për askënd dhe, kur prej askujt nuk do të pranohet as ndërmjetësim, as shpërblesë e as që do të ndihmoheni.(Sure Bekare: 48)

Megjithatë, përkundër të gjitha paralajmërimeve, ata këmbëngulën në mohimin e tyre dhe me vetëdije përgatitën një fund të tillë për veten e tyre. Në atë ditë, ata do të pranojnë një të vërtetë domethënëse: se ata e merituan Xhehennemin për shkak të veprave të tyre.

Ky pendim, përveç nëse All-llahu dëshiron ndryshe, do të jetë një mundim i madh nga i cili nuk do të gjejnë shpëtim përjetësisht. Kjo për arsye se ata janë ndeshur me një fakt të rëndësishëm: po të kishin qenë të përkushtuar për të fituar pëlqimin e All-llahut në vend se të përpiqen për qëllime të kota, ata nuk do të ishin në hyrjen e Xhehennemit, por në Xhennet. Për shkak të dështimit të tyre për të ndjekur rrugën e drejtë, ata vuajnë një humbje të tmerrshme.

Siç thotë All-llahu në ajetin e njëzetë të Sures el-Beled, "mbi ta do të jetë zjarri i mbyllur." Pasi që ata të hyjnë nëpër portat e Xhehennemit, ata do të mbyllen brenda. Pas këtyre portave ekziston dënimi i Xhehennemit me fund të pacaktuar, të cilin ata do ta vuajnë për aq kohë sa dëshiron All-llahu. Për jobesimtarët, nuk ka asnjë mundësi për të shpëtuar nga kjo vuajtje. All-llahu e quan këtë zjarr "Shkatërrimtar." Kështu shkruan në vargjet vijuese të Sures el-Humeze:

E kush mund të ta shpjegojë ty se çfarë është tortura shkatërruese? Ajo është zjarri i All-llahut i ndezur fort, i cili depërton deri në zemrën e njeriut. Ai do t’i rrethojë ata nga çdo anë, në shtylla të gjata flakëruese.(Sure Humeze: 5-9)

Dënimi me të cilin përballen jobesimtarët në Xhehennem

Para se të vazhdojmë me pendimin me të cilin do të përballen jobesimtarët në Ahiret, do të jetë e dobishme ta përshkruajmë vuajtjen në Xhehennem. Pa qenë të vetëdijshëm për format e vuajtjes në Xhehennem, njeriu mund të dështojë në të kuptuarit e dimensioneve të pendimit atje.

Siç u përmend më herët, pendimi i jobesimtarëve fillon që nga momenti kur ata e shohin Xhehennemin dhe pastaj vazhdon përjetësisht. Bisedat në mesin e këtyre njerëzve me ardhjen e tyre në Xhehennem janë si më poshtë:

Kurse për ata, që e mohojnë Zotin e tyre, dënimi është Xhehennemi; eh, sa i shëmtuar është ai vendbanim! Kur të hidhen aty, do të dëgjojnë ulërimën e tij, ndërkohë që ai vlon gati për të shpërthyer me furi. Sa herë që aty të hidhet ndonjë grup, rojtarët e tij do t’i pyesin ata: “A nuk ju erdhi ndonjë paralajmërues?!” “Po - do të përgjigjen ata - na kanë ardhur vërtet paralajmërues, por ne i quajtëm ata gënjeshtarë dhe thamë: “All-llahu nuk ka shpallur asgjë; ju jeni në një humbje të madhe”! Ata do të thonë: “Sikur të kishim dëgjuar ose menduar, nuk do të ishim midis banorëve të Zjarrit Flakërues!” Kështu, ata do ta pranojnë gjynahun e tyre. Larg qofshin prej mëshirës së Zotit banorët e Zjarrit Flakërues!(Sure Mulk: 6-11)

Siç ka shpallur All-llahu në këto vargje, kur ata të hidhen në Xhehennem, do të dëgjojnë një zhurmë të tmerrshme. All-llahu e përshkruan këtë zhurmë në ajetin e shtatë të Sures el-Mulk si: "duke ulëritur, ndërkohë që ai vlon." Ky zë i tmerrshëm shkakton një vuajtje dhe frikë të tmerrshme tek jobesimtarët. Në një ajet tjetër, All-llahu e përshkruan Zjarrin e Xhehennemit si një zjarr që gati shpërthen me furi (Sure el-Mulk: 8). Refuzuesit kur e përjetojnë këtë ngjarje të tmerrshme do të ndjehen të dëshpëruar, sepse do të kuptojnë ndëshkimin me të cilin do të përballen. Dhe siç shpalli më lart Zoti ynë, ata do të flasin për pendimin e tyre për shkak të dështimit të tyre për të pasur një kuptim më të mirë për çdo gjë ndërsa ishin ende në dynja.

Ata do të përjetojnë një vuajtje të tillë të pamëshirshme, sepse do të kuptojnë se dënimi me të cilin do të ballafaqohen do të jetë jashtëzakonisht i tmerrshëm dhe i dhimbshëm. Në vargjet vijuese, theksohet se Xhehennemi është vendi më i keq për të qëndruar.

...Eh, sa strehim i keq është ai!(Sure Al ‘Imran: 162)

...Sa vendbanim i keq!(Sure Nisa’: 115)

Vendbanimi i tyre është zjarri e sa vendstrehim i shëmtuar është ky për keqbërësit!(Sure Al ‘Imran: 151)

Ata do të digjen në Xhehennem. Eh, sa vendbanim i tmerrshëm është ai!(Sure Ibrahim: 29)

Xhehennemi është përshkruar në një mënyrë të ngjashme në hadithet e Pejgamberit (savs):

Në mesin e banorëve të Zjarrit ka prej atyre të cilët do të jenë të zhytur në zjarr gjer në nyjet e këmbëve të tyre, disa gjer tek gjunjët e tyre, disa gjer në bel dhe disa gjer në fyt. (Muslimi)

Banorët e Xhehennemit do të hidhen poshtë në këtë vend të shëmtuar në grupe. Në një ajet All-llahu e shpall këtë në këtë mënyrë: "Ata do të hidhen në zjarr bashkë me mohuesit"(Sure Shu’ara: 94) Nga ky ajet, kuptohet që të gjithë jobesimtarët duke përfshirë edhe ata që ishin kryelartë, që kishin pasuri dhe ishin të nderuar, do të hidhen në zjarr si masa të pavlefshme. Si përgjigje ndaj arrogancës së tyre në dynja, ata do të jenë të poshtëruar dhe të përbuzur në atë ditë.

Në Xhehennem, ata kurrë nuk do të jenë të nderuar dhe kurrë nuk do të jenë të mëshiruar. Si lëndë djegëse e Xhehennemit, ata do të jetojnë në dhimbje dhe mjerim për gjithë përjetësinë. All-llahu zbulon këtë fakt në ajetet në vazhdim:

Me të vërtetë, ju (idhujtarë) dhe idhujt që i adhuroni në vend të All-llahut, do të jeni lëndë djegëse për Xhehennemin. Ju do të vini në të.(Sure Enbija’: 98)

...Ata do të jenë lëndë djegëse e zjarrit.(Sure Al ‘Imran: 10)

All-llahu na njofton në Kur’an për format e ndryshme të ndëshkimit në Xhehennem. Shumica e njerëzve do të banojnë aty, siç thuhet në ajet, "për kohë të gjatë." Me fjalë të tjera, ata do të mundohen për aq kohë sa dëshiron All-llahu. Ne mund t’i përshkruajmë disa nga këto ndëshkime si vijon:

Në ajetin e trembëdhjetë të Sures el-Furkan, All-llahu rrëfen se mosbesimtarët do të hidhen "në një vend të ngushtë në Xhehennem të lidhur së bashku në pranga." Lënia e njeriut të mbyllur në një hapësirë të ngushtë madje edhe për disa minuta e bën atë të tendoset. Madje edhe mendimi i të qenit i rrethuar nga të katër anët me mure është shpesh një mendim i padurueshëm. Dënimi i Xhehennemit është, megjithatë, i pakrahasueshëm me atë të dynjasë. Të mbyllur në atë hapësirë të ngushtë, ata do t’i nënshtrohen edhe zjarrit. Për më tepër, të lidhur së bashku në zinxhirë, ata nuk do të jenë në gjendje të lëvizin, e lëre më të ikin nga zjarri. Madje edhe të përfytyrohet një skenë e tillë është e dhimbshme.

Në një ajet tjetër, All-llahu na njofton se jobesimtarët do të mbeten në "hije të një tymi të zi" (Sure Uaki’a: 43). Në përgjithësi, fjala "hije" na sjell në mendje një freski. Megjithatë, ky nuk është rasti me Xhehennemin. Në Xhehennem, All-llahu na njofton se kjo hije nuk është as e ftohtë e as freskuese.

Një formë tjetër e dënimit në Xhehennem është pamundësia e vdekjes. Vdekja është një mënyrë shpëtimi. Për këtë arsye, All-llahu nuk do të lejojë që njerëzit e Xhehennemit të vdesin siç pohon Ai në ajetin, "vdekja do t’u vijë atyre nga të gjitha anët, por nuk do të vdesin" (Sure Ibrahim: 17). Ata do të përjetojnë çdo lloj lëndimi që, në kushte normale, do të rezultonte me vdekje. Përkundër kësaj, ata nuk do të vdesin, por në vend të kësaj do të vazhdojnë të vuajnë vuajtje edhe më të madhe për aq kohë sa dëshiron All-llahu në jetën e tyre të përjetshme.

Fakti që nuk do të ketë vdekje tjetër në botën tjetër është deklaruar edhe nga Profeti Muhammed (savs):

Kur banorët e Xhennetit të kenë shkuar në Xhennet dhe të burgosurit e Zjarrit të kenë shkuar në Zjarr, do të thirret vdekja dhe do të vendoset në mes të Xhennetit dhe Zjarrit. Pastaj do të bëhet kjo shpallje: "Banorë të Xhennetit, nuk ka më vdekje! Të burgosur të Zjarrit, nuk ka më vdekje!" Kjo do të shtojë kënaqësinë e banorëve të Xhennetit dhe pikëllimin e të burgosurve të Zjarrit. (Muslimi)

Në këtë botë, djegjet e rënda rezultojnë me vdekje për një kohë të shkurtër. Njeriu vështirë se mund t’i rezistojë zjarrit. Edhe në qoftë se njeriu nuk vdes, por vetëm pëson lëndime, nevojitet një kohë e gjatë për t’u shëruar plagët siç duhet. Por në Xhehennem, dënimi i zjarrit do të jetë i pakrahasueshëm me zjarrin që ne njohim në këtë botë. Në Xhehennem, sapo t’u digjen lëkurat, ato u ndërrohen me lëkura të tjera, për të shijuar dënimin më shumë. (Surja Nisa: 56) Thënë shkurt, në Xhehennem, njeriu do të vuajë një dhimbje të pafund të shkaktuar nga zjarri për aq kohë sa dëshiron All-llahu.

All-llahu përshkruan një formë tjetër të vuajtjes të shkaktuar nga zjarri në vargun e trembëdhjetë të Sures edh-Dharijat ku Ai thotë se banorët e Zjarrit do të mundohen nga Zjarri. Është pothuajse e pamundur për të kuptuar dhimbjen që do ta shkaktonte një gjendje e tillë. Njeriu do të mund të përfytyronte dhimbjen e madhe që do të shkaktonte kjo vuajtje duke marrë parasysh dhimbjet e vogla që shkakton një djegje e zakonshme në këtë botë. Ndërsa të gjitha këto ndodhin, njeriu do të përjetojë gjithashtu si vijon:

Mandej do të lidhen në zinxhirë... (Sure Hakka: 32)

Ata do të lidhen në zinxhirë.(Surat al-Insan: 4)

Ata do të rrihen me kamxhikë prej hekuri. (Sure Haxhxh: 21)

Me zjarrin e Xhehennemit do të damkoset balli, anët dhe shpina e tyre.(Sure Teube: 35)

Mbi kokat e tyre do të hidhet ujë i valuar,(Sure Haxhxh: 19)

Rrobat do t’i kenë prej katrani e zjarri do t’ua mbështjellë fytyrat,(Sure Ibrahim: 50)

Ata nuk do të gjejnë pije të ftohtë, freskuese. Në atë ditë vetëm ujët e vluar (Sure Sad: 57)

dhe gjaku e qelbi(Sure Hakka: 36)do të jenë të disponueshme.

Ushqimi i vetëm që kanë banorët e Zjarrit, nga ana tjetër, janë frytet me gjemba të hidhura dhe pema e zekumit. All-llahu na njofton se si pema e zekumit do të rezultojë të jetë vuajtje për jobesimtarët:

Pema e Zekkumit do të jetë ushqim i gjynahqarit. Si tunxh i shkrirë ajo do të vlojë në barkun e tij, ashtu si vlon uji i nxehtë. (Engjëjve do t’u thuhet): “Rrëmbejeni atë dhe çojeni në mes të zjarrit flakërues! Pastaj, për dënim, hidhni mbi kokën e tij ujë të valuar (duke i thënë): “Shijoje këtë, o njeri “i fuqishëm” dhe “fisnik”! Ja, ky është dënimin për të cilin ju dyshonit!”(Sure Duhan: 43-50)

Nga përshkrimet në Kur’an, ne e dimë që ushqimi në Xhehennem do të ketë një efekt mbytës në njerëz. Ata do të përpiqen ta pijnë atë pije prej ujit të qelbëzuar përnjëherë, por pa dobi, ata kurrë nuk do të arrijnë ta gëlltitin atë. Qelbi, që është gjëja më e pështirë në këtë botë për nga pamja dhe era e tij, do të jetë gjithashtu një prej ushqimeve të njerëzve në Xhehennem. Kjo do t’iu shkaktojë dhimbje të madhe banorëve të Zjarrit, por, nga uria, ata nuk do të kenë zgjidhje tjetër, përveç se të hanë. Megjithatë, ajo që ata hanë nuk do të shuaj urinë e tyre. Ata gjithashtu do të vuajnë dhimbjen e urisë përgjithmonë.

Për ata nuk do të ketë tjetër ushqim, përveç ferrave helmuese, të cilat as nuk do t’i mbajnë, as nuk do t’ua shuajn urinë.(Sure Gashije: 6-7)

All-llahu jep përshkrime të tjera në Kur’an lidhur me vuajtjen në Xhehennem:

Ata do të gulçojnë në të(Sure Enbija’: 100)

...që aty të mbeten përgjithmonë...(Sure Nebe’: 23)

...Vuajtjet nuk do t’u lehtësohen dhe nuk do t’u jepet afat (pushim)... (Sure Al ‘Imran: 88)

Ata do të dëshirojnë të dalin nga zjarri, por s’do të mund të dalin dot. Ata i pret dënimi i përhershëm.(Sure Ma’ide: 37)

Këto mundime do të shkaktojnë vuajtje dhe pendim të papërshkrueshëm tek jobesimtarët. Për të shpëtuar, ata do të luten shumë herë dhe madje do të japin pëlqimin që t’u merren shpirtrat e tyre. All-llahu rrëfen bisedat e njerëzve në Xhehennem në Kur’an si vijon:

Ata do të thërrasin: “O Malik! (Më mirë) Le të na vdesë Zoti yt!” Ndërsa Ai do të thotë: “Ju do të qëndroni përherë aty!” Tashmë, Ne ju kemi sjellë të Vërtetën, por shumica prej jush e urren të Vërtetën.(Sure Zuhruf: 77-78)

Largimi nga feja (dini) dhe dështimi për të marrë mësim nga paralajmërimet do të shkojë në dëm të këtyre njerëzve, siç rrëfen All-llahu në Kur’an. Si përgjigje në këtë, All-llahu nuk do t’iu përgjigjet thirrjeve të këtyre njerëzve dhe Ai do t’i mbajë ata në dënimin e tyre për aq kohë sa të dojë Ai.

Këto janë vetëm disa prej vuajtjeve që do t’u shkaktohen atyre që mohuan All-llahun dhe Ahiretin dhe që i shpërfillën paralajmërimet për ekzistencën e Xhehennemit dhe Xhennetit. Përveç kësaj, ekziston një vuajtje tjetër, vuajtje e cila do të mbetet gjithmonë me jobesimtarët. Kjo është ndjenja e pendimit që njeriu nuk do të jetë në gjendje ta harrojë as edhe për një moment. Kjo ndjenjë do të thellohet edhe më shumë me vuajtjen e shkaktuar nga fakti se njeriu do të dërgohet në Xhehennem, në vendin më të tmerrshëm që njeriu mund ta shoh ndonjëherë. Siç është thënë më herët, çdo moment që jobesimtarët do të përjetojnë vuajtje, do t’i përkujtoj ata se, po të kishin ndjekur rrugën e drejtë, asnjë nga këto do t’iu ndodhte atyre. Nuk ka mënyrë për t’iu shmangur këtij pendimi.

Pendimi që do të ndjejnë jobesimtarët në Xhehennem

Duke e përjetuar ashpërsinë e dënimit, mosbesimtarët do të jenë të mbërthyer nga pendimi pse nuk kishin besuar në All-llahun ndërsa ishin ende në dynja. Megjithatë, ky pendim nuk do ta ndryshojë gjendjen e tyre. Në dynja, atyre u ishin ofruar shumë mundësi, të cilat ata nuk arritën t’i shfrytëzojnë. Posa të arrijnë ta kuptojnë këtë të vërtetë, ata do të qajnë për çdonjërin dhe çdo gjë që atyre ua ka shkëputur mendjen nga All-llahu dhe Ahireti dhe që kanë ndikuar që ata të jepen pas gjërave të kësaj bote.

Në Kur’an, pendimi që ndjejnë jobesimtarët është plot zemërim, siç thotë All-llahu në ajetin e mëposhtëm:

Ditën, kur fytyrat e tyre do të rrotullohen në zjarr, ata do të thonë: “Ah, sikur t’i ishim bindur All-llahut dhe të Dërguarit!” Dhe do të thonë: “O Zoti ynë, ne iu bindëm parisë tonë dhe eprorëve tanë, por ata na shmangën prej rrugës së drejtë. O Zoti ynë, atyre jepu dënim të dyfishtë dhe mallkim të madh!”(Sure Ahzab: 66-68)

Dhe, kur të vijë te Ne, (jobesimtari) do t’i thotë (djallit që e kishte shok): “Ah, sikur të kishte qenë largësia midis meje dhe teje sa ajo mes lindjes e perëndimit! Sa shok i keq paske qenë ti!” (Atyre do t’u thuhet): “Nuk do t’ju bëjë dobi (pendimi) juve sot, sepse ju u larguat nga e vërteta dhe humbët. Me të vërtetë, ju jeni pjesëtarë në dënim”.(Sure Zuhruf: 38-39)

Siç sugjerojnë këto vargje, ata shpresojnë të shpëtojnë veten e tyre duke i fajësuar ata që i larguan nga rruga e drejtë. Mirëpo, All-llahu i dhuroi çdonjërit një ndërgjegje në mënyrë që ai të udhëzohej në rrugën e drejtë. All-llahu gjithashtu e pajisi njeriun me vullnet për t’i zbatuar vendimet e tij përkatëse. Në këtë kuptim, njeriu është i pajisur me të dy alternativat, si edhe me njohjen e të drejtës dhe të gabuarës. Duke qenë kështu, zgjedhja e njeriut është krejtësisht e tij. Përveç kësaj, All-llahu e di nëse njeriu mban besimin apo mohimin thellë në zemrën e tij. Prandaj, ata njerëz që i çojnë njerëzit në Xhehennem, si edhe ata që iu bashkohen atyre do të dënohen me drejtësi. Atë ditë, askush nuk do të mbajë përgjegjësi për gjynahet e tjetrit.

Ndërsa këta njerëz e joshën njëri-tjetrin në kryerjen e mëkateve, mbase iu ka shkuar në mendje shumë herë se do të japin llogari për to në Ahiret, por sidoqoftë ata zgjodhën ta trajtojnë këtë çështje sikur ajo të ishte një çështje e parëndësishme. Ata inkurajuan njëri-tjetrin në mohim të All-llahut, duke thënë: "Unë do të mbajë përgjegjësi për atë që bën ti." Shejtani, nga ana tjetër, u bëri premtime joshëse atyre dhe i devijoi ata në rrugë të gabuar. Por All-llahu, me ajetin, "... dhe ai do të vijë tek Ne krejtësisht i vetëm." (Sure Merjem: 80), na bën me dije se këto premtime nuk do të ndihmojnë aspak.

Atë ditë jobesimtarët do të shohin qartë se ata të gjithë janë të vetëm. Ata vet do ta kuptojnë një fakt të rëndësishëm: pos All-llahut, njeriu nuk ka as mik dhe as mbrojtës. Në Xhehennem, udhëheqësit e tyre dhe kushdo që ata i konsideruan si miq të tyre në dynja do t’i lënë ata krejtësisht vetëm. Gjithashtu, djalli, të cilin ata, duke e braktisur All-llahun, e morën si mbrojtës të tyre, do të jetë i pabesë ndaj tyre dhe do t’ju drejtohet atyre si në vazhdim:

Dhe, kur të marrë fund puna, djalli do të thotë: “Vërtet, All-llahu ju bëri një premtim të vërtetë. Edhe unë ju premtova, por ju mashtrova. Unë nuk kam pasur kurrfarë pushteti mbi ju. Unë thjesht ju thirra e ju m’u përgjigjët. Prandaj, mos më qortoni mua, por qortoni veten! Unë nuk jam shpëtimtari juaj e as ju nuk jeni shpëtimtarët e mi. Unë tani e mohoj që më bëtë ortak me All-llahun (në adhurim).” Vërtet, keqbërësit do të kenë një dënim të dhembshëm.(Sure Ibrahim: 22)

Të kuptuarit e pabesisë së të gjithë atyre që ata i konsideruan si miq do të jetë edhe një tjetër burim pendimi për jobesimtarët. Atëherë ata do ta kuptojnë qartë se tek askush tjetër ata nuk mund të gjejnë strehim përveç All-llahut. Megjithatë, duke e parë se të kuptuarit e kësaj nuk ofron lehtësim për ta kjo vetëm sa do të shtojë telashet e tyre. Në atë ditë, ata do të grinden me njëri-tjetrin. Ndërkohë, ata pranojnë mëkatet e tyre. All-llahu e përshkruan këtë gjendje në vargjet në vazhdim:

Ndërsa ndodhen aty brenda, ata do të grinden ndërmjet tyre, duke thënë: “Betohemi për All-llahun, ne kemi qenë njëmend në humbje të qartë, kur ju kemi barazuar me Zotin e botëve. Ishin të ligjtë ata që na mashtruan, Tashmë ne nuk kemi asnjë ndërmjetësues (tek All-llahu) e as ndonjë mik të ngushtë! Ah, sikur të ktheheshim përsëri (në jetë) e të bëheshim besimtarë!”(Sure Shu’ara: 96-102)

Siç tregohet në ajetet e mësipërme, duke ndjerë një keqardhje të thellë, jobesimtarët dëshirojnë të kthehen në dynja në mënyrë që të mund të angazhohen në vepra të mira që do t’iu sjellnin atyre mirësi në Ahiret. Megjithatë, kjo është një dëshirë e papranueshme. Ata e kuptojnë se, çkado që ata kishin ndjekur në dynja pasuria, bukuria, karriera, etj nuk kanë vlerë në Ahiret. All-llahu përshkruan disa nga shprehjet e tyre plot keqardhje në Kur’an:

Por ai, të cilit do t’i jepet libri i veprave të tij nga ana e majtë, do të thotë: “Ah, sikur të mos më ishte dhënë libri im dhe të mos e kisha ditur llogarinë time! Ah, të kisha qenë i vdekur (e të mos isha ringjallur)! Pasuria ime nuk më solli dobi dhe më la fuqia ime!” (Do të thuhet) “Kapeni dhe lidheni në pranga, pastaj digjeni në zjarrin përvëlues, mandej lidheni në zinxhirë prej shtatëdhjetë kutësh, sepse ai, me të vërtetë, nuk ka besuar në All-llahun e Madhërishëm dhe nuk është kujdesur për të ushqyer të varfrit e shkretë. Prandaj, ai sot këtu s’ka mik të afërt.”(Sure Hakka: 25-35)

...Dhe, kur të sillet Xhehennemi, atë Ditë njeriu do të kujtohet - por ç’i duhet se u kujtua! Ai do të thotë: “Ah, sikur të kisha bërë diçka të mirë për jetën time!”(Sure Fexhr: 23-24)

Përveç kësaj, të qenit dëshmitarë të gëzimit dhe lumturisë së madhe të banorëve të Xhennetit do ta thellojë edhe më shumë pendimin e jobesimtarëve. Ata e shohin dallimin e qartë në mes të jetës së banorëve të Xhennetit dhe jetës së tyre. All-llahu tërheq vëmendjen për dallimin në mes të banorëve të Xhennetit dhe të Zjarrit.

All-llahu e përshkruan pamjen e banorëve të zjarrit në Kur’an në këtë mënyrë:

Të ulura do të jenë shikimet e tyre dhe do t’i mbulojë poshtërimi.(Sure Kalem: 43)

Kurse disa fytyra, atë Ditë, do të jenë të zymta.(Sure Kijame: 24)

Në anën tjetër, All-llahu i përshkruan fytyrat e banorëve të Xhennetit si vijon:

Atë Ditë do të ketë fytyra rrëzëllore, të qeshura e të gëzuara.(Sure Abese: 38-39)

Mosbesimtarët nuk do të gjejnë ndonjë ushqim tjetër përveç ujit të valë, qelbit, gjembave të hidhura, dhe pemës së zekumit. Besimtarët, në anën tjetër, do të shpërblehen me lumenj prej qumështi dhe mjalti, pije të shijshme që shërbehen në gota, të gjitha llojet e frutave dhe gjithëçka që u dëshiron zemra. Në një ajet, All-llahu e përshkruan ushqimin e banorëve të Xhennetit si vijon:

Ja përshkrimi i Xhenetit, që u premtohet të përkushtuarve (ndaj All-llahut): një vend, ku ka lumenj me ujë të pandotur, lumenj qumështi me shije të pandryshuar, lumenj vere me shije të këndshme për ata që e pinë dhe lumenj prej mjalti të kulluar. Ata do të kenë aty lloj-lloj frutash dhe falje prej Zotit të tyre. A mund të krahasohet ky shembull me Xhehennemin, ku gjynahqarët do të qëndrojnë përherë në zjarr dhe do t’u jepet ujë i valuar, që ua copton zorrët?!(Sure Muhammed: 15)

Nuk ka dyshim se nuk mund të tërhiqen paralele në mes të këtyre mirësive që u janë dhuruar besimtarëve dhe ushqimit të jobesimtarëve, i cili nuk e shuan urinë e njeriut në asnjë mënyrë dhe që shndërrohet në një burim të përjetshëm të vuajtjes. Ata do të jenë të ekspozuar ndaj zjarrit aty për kohë shumë të gjatë, lëkurat e tyre do të përtërihen tek digjen, dhe ata do të luten për lehtësim dhe freskim. Ata do të jenë të etur për mirësitë që u janë dhuruar banorëve të Xhennetit që pushojnë nën hije dhe do të kërkojnë një pjesë të tyre për veten e tyre. Në Kur’an, Zoti ynë rrëfen për gjendjen e tyre si vijon:

Banorët e zjarrit do t’u thërrasin banorëve të Xhenetit: “Derdhni pak ujë te ne ose diçka nga ajo që ju ka dhuruar All-llahu!” Ata thonë: “Në të vërtetë, All-llahu këto i ka ndaluar për mohuesit,(Sure A’raf: 50)

Thirrjet e atyre që nuk besuan nuk do të marrin përgjigje. All-llahu e pohon këtë në një ajet:

...Ne kemi përgatitur për mohuesit keqbërës një zjarr, që do t’i rrethojë nga të gjitha anët (si çadra). Nëse do të kërkojnë ndihmë, do t’u jepet një ujë si xehja e shkrirë, që do t’ua përcëllojë fytyrat. Sa pije e tmerrshme është ajo e sa strehim i keq është ai (zjarri)!(Sure Kehf: 29)

Gjithashtu, All-llahu do t’ju dhurojë Banorëve të Xhennetit veshje të gjelbërta prej mëndafshi të hollë dhe brokadë të pasur dhe byzylykë prej ari dhe argjendi. Ndërkohë, Banorët e Zjarrit do të kenë veshje prej katrani dhe zjarri të prera për ta. Besimtarët do të banojnë në banesa të bukura dhe dhoma të larta, të mbështetur në "kolltukë të kushtueshëm të thurrur," qilima elegant, dhe kolltukë të veshur me mbulesa të çmuara. Jobesimtarët, në anën tjetër, do të kenë Xhehennemin si vend pushimi dhe shtresa që i mbulojnë ata.

All-llahu na bën me dije në Kur’an se besimtarët do të kenë gjithëçka që ata dëshirojnë dhe Banorët e Xhennetit do të jenë të nderuar me një jetë të lumtur dhe të qetë në Xhennet.

Ata do të kenë te Zoti i tyre çfarë të duan.(Sure Shura: 22)

Por All-llahu do t’i ruajë ata nga tmerret e asaj Dite e do t’u japë shkëlqim dhe gëzim.>(Sure Insan: 11)

Po ta kishin marr jobesimtarët një qëndrim të ndërgjegjshëm, të sinqertë dhe të ndershëm në dynja dhe në përputhje me urdhërat e All-llahut, ata nuk do t’i nënshtroheshin dënimit të Xhehennemit në atë Ditë. Kështu jobesimtarët do të ndjejnë një pendim edhe më të madh kur mendojnë për Banorët e Xhennetit. All-llahu e definon këtë dënim në Xhehennem dhe pendimin që ata ndjejnë si "vuajtje" dhe thekson se çdo përpjekje e tyre për të shpëtuar nga kjo vuajtje do të rezultojë me një dënim tjetër që e pason të mëparshmin:

Sa herë, që do të përpiqen të dalin nga ankthi i zjarrit, do të rikthehen në të (e do t’u thuhet): “Shijoni dënimin me djegie të tmerrshme!” (Sure Haxhxh: 22)

Kjo për arsye se Xhehennemi është një vend prej nga nuk ka kthim. Ai është vendi, ku ndjenja e pendimit nuk sjell asnjë përfitim për njeriun. Për më tepër, në Xhehennem, koncepti i pendimit nuk është i definuar. Në momentin që jobesimtarët vdesin, engjëjt do t’ju thonë atyre se ata kurrë më nuk do të përjetojnë diç të mirë për gjithë përjetësinë-përveç nëse All-llahu dëshiron ndryshe:

Ditën, kur të shohin engjëjt, për keqbërësit nuk do të ketë lajm të mirë dhe do t’u thuhet: “Nuk do të kaloni dot për matanë!” (Sure Furkan: 22)

Për këtë arsye, jobesimtarët e marrin shkatërrimin e vetes së tyre si mënyrën e vetme të shpëtimit. Ata do të luten për shkatërrimin e tyre, por pa dobi. Kjo për arsye se atyre u ishte dhënë një jetë e tërë, e cila ishte e mjaftueshme për të marrë mësim, por ata me dashje parapëlqyen mohimin dhe ia kthyen shpinën të vërtetës. Si përgjigje ndaj kësaj, All-llahu do t’u thotë atyre si vijon:

“Mos e kërkoni sot shkatërrimin vetëm një herë, por kërkojeni shumë herë!” (Sure Furkan: 14)

“Përcëllohuni në të! E duroni apo nuk e duroni, njësoj është për ju. Në të vërtetë, ky është shpërblimi i vetëm për atë që keni bërë”.(Sure Tur: 16)

Në ajetin e dyzetë të Sures el-Araf, All-llahu e përshkruan ‘pamundësinë e jobesimtarëve’ për t’u larguar nga Xhehennemi dhe për të hyrë në Xhennet, duke thënë se "ata nuk do të hyjnë në Xhennet deri sa të kalojë deveja nëpër vrimën e gjilpërës." Për më tepër, All-llahu na njofton se jobesimtarët do të jenë të shpërfillur dhe të harruar pasi që, në dynja, ata ia kthyen shpinën rrugës së drejtë dhe e shpërfillën takimin e tyre të Ditës së Gjykimit. Ata nuk do të marrin asnjë përgjigje apo ndihmë nga All-llahu:

(All-llahu) do t’i thotë: “Kështu të erdhën shenjat Tona dhe ti i harrove ato e po kështu sot do të jesh i harruar.” (Sure Ta ha: 126)

Pastaj do t’u thuhet: “Ne sot po ju braktisim në harresë, ashtu siç e keni harruar ju takimin e kësaj dite. Vendqëndrimi juaj është Zjarri dhe për ju nuk ka kurrfarë ndihmësi. (Sure Xhathije: 34)

Të cilët e morën fenë për lojë dhe argëtim dhe u mashtruan nga jeta e kësaj bote”. Ne sot do t’i harrojmë ata, ashtu siç e patën harruar ata takimin e kësaj Dite dhe siç mohuan shpalljet Tona. (Sure A’raf: 51)

Ata do t’i përgjërohen All-llahut për të shpëtuar nga zjarri dhe All-llahu do t’ju përgjigjet atyre kësisoj:

“O Zoti ynë, nxirrna prej Xhehennemit e, nëse kthehemi prapë tek e keqja, atëherë jemi keqbërës të vërtetë.” Ai do t’u thotë: “Rrini aty të përbuzur dhe mos Më flisni asgjë!” (Sure Mu’minun: 107-108)

Ata që nuk besuan do të marrin një dënim të ashpër. Ky dënim do të jetë qëndrimi në vetmi të plotë në vuajtje dhe mospranimi i asnjë ndihme. All-llahu nuk do të mëshirohet mbi ta, nuk do t’i mbrojë ata dhe nuk do t’i falë mëkatet dhe gabimet e tyre. Po të kishin kërkuar strehim tek All-llahu sa ishin të gjallë, do ta kishin gjetur All-llahun Gjithnjëfalës dhe Mëshirëplotë ndaj tyre. Megjithatë, me të hyrë në Xhehennem, këto fakte që do t’u vijnë në mendje më nuk do t’ju ndihmojnë atyre aspak.

Pas gjithë asaj që thamë, njeriu duhet të mendoj mbi disa fakte pikërisht tani: se All-llahu është plot mëshirë dhe dhembshuri ndaj robërve të Tij dhe se njeriu duhet ta bëjë vetëm All-llahun mik dhe mbrojtës të tij. Sepse pasi të mbyllen pas njeriut dyert e Xhehennemit, ato nuk do të hapen për aq kohë sa dëshiron All-llahu dhe nuk do të jepen më mundësi sikurse në këtë botë. Në Kur’an, All-llahu e përshkruan rrugën e shpëtimit si vijon:

Por ata që pendohen, përmirësohen, mbështeten fort tek All-llahu dhe që besimin e tyre e kanë sinqerisht vetëm për All-llahun, do të jenë me besimtarët e vërtetë. All-llahu do t’u japë shpërblim të madh besimtarëve. Përse t’ju ndëshkojë All-llahu, nëse ju e falënderoni dhe e besoni?! All-llahu është Mirënjohës dhe i Gjithëdijshëm. (Sure Nisa’: 146-147)

SHPERNDAJE
logo
logo
logo
logo
logo
Shkarkimet
  • Parathënie
  • Për të mos ndierë keqardhje në ahiret
  • Pendimi që ndjenë njeriu në këtë botë
  • Fillimi i pendimit për jobesimtarët: Vdekja
  • Pendimi që ndien njeriu në ditën e gjykimit
  • Pendimi që ndjenë njeriu në xhehennem
  • Mashtrimi i evolucionit