Kthehuni tek Zoti juaj dhe nënshtrojuni Atij, para se t’ju vijë dënimi, sepse atëherë nuk do të mund t’ju ndihmojë kush. Ndiqni më të mirën e asaj që ju është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi papritmas, pa e ndier atë..(Sure Zumer:54-55)
Kur njeriu është në rrezik jete, "ndërgjegjja" e tij fillon ta bëjë një vlerësim të shpejtë të jetës dhe veprave të tij. Nëse ky person nuk ka jetuar në pajtim me fenë (dinin) e All-llahut dhe nuk është angazhuar në vepra të mira në këtë botë, atëherë ai do të jetë i pushtuar nga pikëllimi dhe një pendim i madh. Shumë gjëra që ishin lënë pas dore gjatë jetës së tij shfaqen papritmas dhe me qartësi para syve të tij. Ndoshta për herë të parë në jetën e tij, ai e kupton se sa afër është vdekja. Ai pranon se nuk ka bërë një jetë të kësaj bote që i jep atij të drejtën për Xhennet. Ai bëhet i vetëdijshëm se ka qenë mosmirënjohës ndaj All-llahut dhe ndjen se kjo nuk do të mbetet pa përgjigje. Një frikë e tmerrshme të cilën nuk e ka përjetuar kurrë më parë e rrethon atë, dhe e kupton se vetëm All-llahu mund ta shpëtojë atë nga gjendja në të cilën ndodhet. Pastaj, ai i premton All-llahut se do të vazhdojë të jetë mirënjohës dhe i drejtë dhe se gjithmonë do ta kujtojë këtë gjendje. Ai i lutet All-llahut në mënyrë të sinqertë që të jetë i shpëtuar nga rreziku në të cilin ndodhet. Ai kërkon vetëm që të shpëtojë dhe t'i jepet vetëm një mundësi për të mbetur gjallë...
Megjithatë, ca njerëz nuk u mbeten besnik fjalëve dhe premtimeve që më parë i kishin dhënë All-llahut pasi që mbijetojnë një rrezik të tillë për jetë. Posa All-llahu e shpëton një person të tillë, ai kthehet në gjendjen e tij të mëparshme. Ndjenjat e pendimit dhe të nënshtrimit zëvendësohen me ndjenjën e mosmirënjohjes. Ai harron atë që kishte menduar dhe kuptuar në momentin kur ishte përballur me vdekjen. Me besimin se e kishte kaluar rrezikun, ai largohet nga All-llahu sikur të mos ishte ai personi që kishte përjetuar pendimin dhe që i ishte përgjëruar me sinqeritet All-llahut më parë. Ai e vazhdon jetën e tij me një dashuri edhe më të madhe për botën, sikur të mos kishte qenë në një situatë të vështirë pak kohë më parë. Në Kur'an, disa shembuj e përshkruajnë gjendjen psikologjike të njerëzve të tillë:
Ai ua mundëson (njerëzve) udhëtimin nëpër tokë dhe det. E, kur gjenden në anije që lundron me ta me erën e përshtatshme e ata i gëzohen kësaj, arrin një stuhi dhe i sulmojnë valët nga të gjitha anët e mendojnë se do t’i vënë poshtë, (atëherë) i luten All-llahut sinqerisht, duke i premtuar besimin: “Nëse na shpëton nga kjo, me të vërtetë, do të jemi mirënjohës”. E kur All-llahu i shpëton ata, ata përnjëherë pa kurrfarë të drejte bëjnë turbullira në Tokë. O njerëz! Vërtet, padrejtësia që bëni për t’u kënaqur në jetën e kësaj bote, vetëm ju dëmton. Pastaj ju do të ktheheni te Ne dhe Ne do t’ju njoftojmë për atë që keni punuar.(Sure Junus: 22-23)
Kur juve ju godet fatkeqësia në det, ata që ju i adhuronit në vend të Atij, zhduken. Por, pasi Ai ju shpëton në tokë, ju i ktheni shpinën. Njeriu është mosmirënjohës. Vallë, a jeni të sigurt, që Ai nuk do t’ju fundosë në tokë ose, që nuk do të dërgojë mbi ju stuhi me rërë, pa pasur mundësi që ju të gjeni dikë, që t’ju mbrojë? (Sure Isra: 67-68 )
Siç theksohet në ajetin e mësipërm, si mund të jetë i sigurt njeriu se nuk do të përballet përsëri me një rrezik të ngjashëm apo krejtësisht tjetër? Përndryshe, si mund të ndjehet dikush i sigurt se do të shpëtojë një herë tjetër? Nuk ka dyshim se askush kurrë nuk do të mund të garantonte që këto gjëra nuk do të ndodhin. Mbani në mend gjithashtu se shpëtimi nga një rrezik nuk do të përbëjë ndonjë ndryshim në jetën e njeriut. Në fund të fundit, njeriu do të vdes një ditë, pikërisht atëherë kur ai ta mbarojë kohën e përcaktuar për të. Atëherë ai do të ndjejë pendim, por kjo nuk do t’i sjellë aspak dobi atij.
E tillë është gjendja e përgjithshme psikologjike e atyre që jetojnë të larguar nga feja (dini). All-llahu e shpjegon këtë gjendje si vijon:
E, kur njeriun e gjen e keqja, atëherë Na lutet shtrirë ose ulur, ose në këmbë. E, sapo Ne ia largojmë të keqen, vazhdon rrugën, thuajse nuk Na është lutur për fatkeqësinë që e ka goditur. Kështu, plëngprishësve (që shkelin kufijtë e All-llahut) iu zbukurohet ajo që punojnë.(Sure Junus: 12)
Kur njerëzit i godet ndonjë e keqe, ata i luten Zotit të vet, duke iu kthyer me pendesë, e pastaj, kur Ai u jep të shijojnë mëshirën e Tij, atëherë një pjesë tyre i shoqërojnë Zotit të vet diçka tjetër (në adhurim).(Sure Rum: 33)
Njerëzit që përshkruhen në këto vargje i drejtohen All-llahut kur ballafaqohen me vështirësi. Megjithatë, posa ta kalojnë këtë vështirësi ata i harrojnë premtimet që i bënë All-llahut dhe shfaqin mosmirënjohje. Ky qëndrim sqaron se pendimi që ata ndjenë në të vërtetë lindi nga pafuqia që ndjen njeriu në gjendje vështirësie.
Pendimi i veçantë për besimtarët megjithatë është shumë i ndryshëm nga pendimi i përmendur më lart sepse ai i sjell më të mirën njeriut. Pendimi i sinqertë nuk harrohet menjëherë. Ai i jep shtytje njeriut dhe shkakton ndryshime thelbësore në karakterin e tij. Ai i cili ndjen pendim të sinqertë në zemrën e tij jeton pjesën tjetër të jetës së tij në pajtim me pëlqimin e All-llahut, duke shpresuar në mëshirën dhe faljen e All-llahut. Kur ndryshojnë rrethanat, ose jepet një mundësi e re, ai nuk guxon kurrë t’i kthehet mënyrës së mëparshme të të jetuarit, duke qenë i vetëdijshëm se një mosmirënjohje e tillë nënkupton humbje për të.
All-llahu në Kur'an rrëfen për gjendjen psikologjike të njerëzve që përballen me vdekjen në bordin e anijes në mënyrë që kjo të shërbejë si paralajmërim për të gjithë njerëzit. Kjo për arsye se kjo prirje ekziston në unin e secilit individ. Pra, duke nxjerrë një mësim nga ky shembull i përshkruar në ajetet e mësipërme, njeriu duhet seriozisht t’i shmanget këtij aspekti negativ të shpirtit të tij dhe të bëjë një verifikim të sinqertë të ndërgjegjes së tij. Pastaj, ai duhet t’ia parashtrojë vetes së tij këto pyetje:
"Në çfarë gjendje psikologjike do të isha, po të isha në një situatë të ngjashme? Çfarë do të më bënte të pendohesha? Cilat ndryshime radikale të karakterit tim do t’ia premtoja vetes sime, nëse do të shpëtoja nga rreziku? Prej çfarë veprash do të hiqja dorë dhe cilat vendime do t’i zbatoja sinqerisht në praktikë?"
Të marrësh parasysh këto dhe të veprosh në përputhje me rrethanat, duke qenë fizikisht në rrezik nuk është medoemos e nevojshme. Ka shumë mundësi që dikush që dështon të marr në konsideratë një mundësi të tillë të mund ta përjetojë atë shumë shpejt. Ose, ai mund të mos përballet kurrë me një rrezik të tillë në jetë. Megjithatë, në të dyja rastet një gjë është e sigurtë: kur të vijë momenti i vdekjes i përcaktuar për një person, ai do t’i gjejë papritur engjëjt e vdekjes pranë tij. Mu në atë moment, kur ai vërtetohet plotësisht për të vërtetën e vdekjes, nëse ka dështuar ta jetojë jetën e tij në rrugën e All-llahut, ai patjetër do të ketë arsye për t’u penduar.
Për t’iu shmangur pendimit në këtë botë dhe në botën tjetër, e vetmja gjë që duhet të bëjmë është që t’i kthehemi All-llahut, të jemi të ndërgjegjshëm për përgjegjësitë tona ndaj All-llahut, dhe t’iu përmbahemi urdhërave të All-llahut siç thuhet në Kur'an. Vdekja është tejet afër, kështu që njeriu nuk duhet kurrë të vonojë për të bërë gjërat për të cilat mban përgjegjësi. Ai duhet t’i vërë në veprim vendimet e tij të sinqerta me durim dhe vendosmëri. Sinqeriteti dhe afërsia me All-llahun duhet të jetë sinqeriteti që ndjen njeriu në kohë rreziku dhe pafuqie, nëse jo më shumë.
Fakti më i rëndësishëm që duhet të mbajmë në mend është fakti në vazhdim: qëllimi kryesor i ekzistencës së njeriut në këtë botë është që t'i shërbej All-llahut dhe të jetë një rob që fiton kënaqësinë e Tij. Çdo gjë tjetër përveç kësaj, domethënë, suksesi, pasuria, familja, karriera e njeriut, etj janë vetëm mjete me të cilat njeriu mund t’i afrohet më shumë All-llahut. Përpjekjet e atyre që përpiqen vetëm për t’i arritur ato mjete në mënyrë të pandërgjegjshme, duke harruar dhe shpërfillur faktin se këto të mira u janë dhënë atyre nga All-llahu në mënyrë që ata t'i kthehen Atij dhe t’i falënderohen Atij, do të jenë të kota, përveç nëse All-llahu dëshiron ndryshe. Përfitimet e përkohshme të realizuara në këtë botë mund të mos i bëjnë fare dobi njeriut në botën tjetër. Në Kur'an, Zoti ynë i Plotfuqishëm All-llahu thotë se këta janë soji i njerëzve të cilët do t’i pllakosë më së shumti pikëllimi:
Thuaj: “A doni t’ju lajmëroj për ata që, më së shumti, humbasin nga punët e veta, për ata, përpjekja e të cilëve ka qenë e kotë në jetën e kësaj bote, ndërkohë që mendonin se po bënin vepra të mira?” Këta janë ata, që nuk kanë besuar në shpalljet e Zotit të tyre dhe në takimin me Të. Punët e tyre do të fshihen, andaj Ne nuk do të vëmë kurrfarë peshe për ta (për veprat e tyre), në Ditën e Kiametit. (Sure Kehf: 103-105)
Nëse njeriu e fiton kënaqësinë e All-llahut në këtë botë nëpërmjet sjelljes dhe moralit të tij, All-llahu me siguri do ta mbrojë atë si në këtë botë ashtu edhe në të përtejmen. Megjithatë, nëse ai e humb këtë mundësi në këtë botë, ai do të pendohet për këtë gabim të tmerrshëm që nga momenti kur engjëjt e vdekjes do t’i shfaqen atij. Ky gabim, që nuk ka gjasa që të përmirësohet, do të jetë shkaku i një pendimi të përjetshëm-përveç nëse All-llahu dëshiron ndryshe. Në Kur’an, All-llahu e përshkruan pendimin që ndjejnë njerëzit në Praninë e Tij si vijon:
Ai do të thotë: “Ah, sikur të kisha bërë diçka të mirë për jetën time!” (Sure Fexhr: 24)
...Ai thërriste: “Ah! Sikur të mos i kisha shoqëruar Zotit tim askënd!” (Sure Kehf: 42)
...“Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të Dërguarin! (Sure Furkan: 27)
Një person i cili nuk do të donte t’i shqiptonte këto fjalë i dëshpëruar duhet, që nga ky moment, t’i nënshtrohet Zotit tonë dhe të jetojë në pajtim me parimet e përcaktuara nga Krijuesi ynë.
Jeta e kësaj bote është një mundësi e rëndësishme që i është dhuruar njeriut në mënyrë që njeriu të mund të fitojë jetën e përsosur dhe të përjetshme të Ahiretit.
Ata të cilët nuk e shfrytëzojnë këtë mundësi dhe jetojnë një jetë shumë të largët nga feja Islame do të pendohen për çdo moment që e kanë jetuar në dynja, kur ta shohin dënimin në Ahiret. Kjo për shkak të faktit se këta njerëz ishin paralajmëruar disa herë dhe ishin bërë me dije për ekzistencën e të dy banesave të Xhehennemit dhe Xhennetit. Ata ishin bërë me dije gjithashtu se sjellja e tyre do të përcaktonte se cilën banesë do ta fitojnë, ashtu siç ka thënë Pejgamberi (savs): "Dynjaja është ara e Ahiretit." (Ihja 'el-ulum, iv, 14.)
All-llahu me zemërgjerësi të madhe e mëson njerëzimin për ndjenjën e pendimit në këtë botë duke i stimuluar mendimet dhe ndjesitë e njeriut nëpërmjet përvojës së pendimit, në mënyrë që ai të mund të shmang arritjen e këtij fundi të pakthyeshëm. Përveç kësaj, All-llahu u jep njerëzve një kohë të caktuar në mënyrë që ata të mund ta pastrojnë veten nga gabimet e tyre dhe sjelljet e tyre të gabueshme. Gjatë jetës, çdo qenie njerëzore i është ofruar mundësia për t’u penduar dhe për ta jetuar pjesën e mbetur të jetës së tij në rrugën e All-llahut.
Shikuar nga ky këndvështrim, ndjenja e pendimit është në të vërtetë një mundësi e madhe që All-llahu ia dhuron njeriut. Kjo për arsye se pas një pendimi të tillë të thellë, nëse njeriu i kthehet All-llahut, All-llahu i dhuron atij shpëtimin e përjetshëm si shpërblim për sinqeritetin e tij. Në anën tjetër, nëse njeriu i shpërfill në mënyrë të shkujdesur këto paralajmërime dhe mundësi, atëherë dënimi i tij do të jetë pendimi dhe pikëllimi nga të cilat ai nuk do të jetë në gjendje të shpëtojë përveç nëse All-llahu ashtu dëshiron.
Në Kur'an, All-llahu na ofron shembuj të ndryshëm të njerëzve që u penduan për gabimet e tyre. Këto ndjenja pendimi shtynë një grup njerëzish që t’i kthehen All-llahut dhe i shpëtuan ata nga përsëritja e gabimit të tyre për pjesën e mbetur të jetës së tyre. Megjithatë, një grup tjetër me kohë harroi krejtësisht për këtë pendim, dhe nga padituria e përsëritur, u kthyen në gjendjen e tyre të mëparshme të mosbindjes.
All-llahu na njofton në Kur'an për pendimin që përjetuan tre njerëz që nuk kishin marrë pjesë në një betejë gjatë jetës së Profetit Muhammed (savs) si një shembull shumë i përshtatshëm për pendimin që buron nga keqardhja:
Pa dyshim, All-llahu e pranoi pendimin e të Dërguarit, të muhaxhirëve dhe të ensarëve, të cilët shkuan pas atij në çastin e vështirë, pasi zemrat e disave prej tyre për një fije qenë afër shmangies (nga detyra), pastaj All-llahu pranoi pendimin e tyre. Vërtet, Ai është i Butë dhe i Mëshirshëm me ta. Ai ua pranoi pendimin edhe atyre të treve, që mbetën prapa atëherë, kur toka, sado e gjerë, iu duk e ngushtë dhe iu shtrënguan shpirtrat, aq sa u bindën se nuk ka strehim tjetër përveç All-llahut e pastaj All-llahu u dha mëshirë që të pendohen. Me të vërtetë, All-llahu pranon pendimin dhe është Mëshirëplotë. (Sure Teube: 117-118)
Siç mësojmë nga vargjet e mësipërme, të tre njerëzit që kishin mbetur prapa përjetuan një ndjenjë të madhe të keqardhjes në zemrat e tyre. Si pasojë, ata e kuptuan se e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga kjo keqardhje është që të pendohen dhe të kërkojnë strehim tek All-llahu. Kjo është ndjenja e pendimit të sinqertë që i vë njerëzit në lëvizje, i ndryshon ata dhe i nxit ata për t’i korrigjuar gabimet e tyre. Njerëz të tillë të sinqertë do të jetojnë një jetë në përputhje me pëlqimin e All-llahut dhe do të shpresojnë në dhembshurinë dhe mëshirën e All-llahut. All-llahu na njofton në Kur'an se Ai pranon pa dyshim pendimin e robërve të Tij dhe i falë ata:
Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë All-llahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. All-llahu është Falës e Mëshirëplotë. Ndërsa, ai që pendohet dhe bën vepra të mira, është i kthyer krejtësisht nga All-llahu. (Sure Furkan: 70-71)
Ndërsa ata që kryejnë vepra të këqija e pastaj pendohen dhe bëhen besimtarë, ta dinë se pas kësaj, Zoti yt është vërtet Falës e Mëshirëplotë. (Sure A’raf: 153)
O bijtë e Izraelit, Ne ju shpëtuam nga armiku juaj, bëmë besëlidhje me ju në anën e djathtë të Turit dhe ju zbritëm manë dhe thëllëza. (Sure Ta Ha: 82)
Gjithashtu në Kur’an thuhet se ata popuj të cilëve u janë dërguar profetët u penduan për veprimet e tyre të gabuara. Po ashtu, populli i Profetit Musa (as) që nuk mundën të prisnin që ai të kthehej nga mali Sinai me porosinë e All-llahut e harruan All-llahun dhe iu rikthyen idhujtarisë. All-llahu përshkruan pendimin e madh të këtij populli për gjynahun e tyre si vijon:
Populli i Musait, pas largimit të tij, filloi të adhurojë një viç të bërë nga stolisjet e tyre të arta. Ai kishte një zë si të lopës. A nuk e shihnin ata se ai as nuk mund t’u fliste, as t’i udhëzonte në rrugë të drejtë?! Ata e zgjodhën këtë viç për adhurim dhe u bënë keqbërës. Por, kur u penduan dhe e kuptuan se kishin hyrë në rrugë të gabuar, ata thanë: “Nëse Zoti ynë nuk na mëshiron dhe nuk na fal, me të vërtetë, do të jemi të humbur!” (Sure A’raf: 148-149)
All-llahu e vë theksin në pendim përsëri në Kur'an në historinë e pronarëve të kopshtit. All-llahu u dhuroi atyre një kopsht si mirësi prej Tij. Megjithatë, ata u bënë kryelart, e përvetësuan kopshtin dhe harruan të jenë mirënjohës ndaj All-llahut. Prandaj dënimi që morën bëri që ata të pendohen për veprimet e tyre dhe t’i kthehen All-llahut. Ajetet lidhur me pronarët e kopshtit janë si vijon:
Ne i kemi vënë në provë ata (banorët e Mekës), ashtu siç i sprovuam të zotët e kopshtit, të cilët ishin betuar se në mëngjes do t’i vilnin frutat e nuk patën thënë “Në dashtë Zoti”! Kështu, kopshtin e goditi një fatkeqësi nga Zoti yt, ndërkohë që ata po flinin dhe gdhiu si i kositur. Në agim, ata thirrën njëri-tjetrin: “Nxitoni herët në kopshtin tuaj, nëse doni t’i vilni frutat!” Dhe u nisën duke pëshpëritur: “Të mos lejojmë asnjë të vobekët që të hyjë në kopshtin tonë!” Ata u nisën herët, të vendosur në atë që thanë. Por, kur e panë kopshtin, ata thanë: “Ne qenkemi vërtet të humbur; madje, qenkemi të privuar (nga frutat e kopshtit).” Më i arsyeshmi ndër ta tha: “A nuk ju thashë unë se duhet ta lartësoni All-llahun?!” “Lavdëruar qoftë Zoti ynë! - thanë - Ne paskemi qenë vërtet të padrejtë!” Atëherë filluan të qortojnë njëri-tjetrin. “Ah, të mjerët ne! - thanë ata - Paskemi qenë vërtet arrogantë! Zoti ynë mund të na japë një kopësht më të mirë, po të kthehemi të penduar tek Ai!” (Sure Kalem: 17-32)
Por kur ndryshojnë rrethanat apo kur atyre u jepet një mundësi e re, shumica e njerëzve e harrojnë paralajmërimin, i cili do të duhej t'i bëjë ata të ndjejnë keqardhje, të pendohen dhe t’i inkurajojë ata të bëjnë vepra të mira. Ata që i shpërfillin paralajmërimet dhe u kthehen sjelljeve të tyre të mëparshme me siguri do të dënohen, përveç nëse pendohen me kohë siç ishte rasti me popullin e Themudit, popullin e Profetit Salih (as). Këta njerëz i refuzuan me vrazhdësi paralajmërimet e profetit Salih (as), edhe pse e dinin se do të pendoheshin për dënimin e pashmangshëm të tyre. S’ka dyshim se All-llahu nuk do ta shkel kurrë premtimin e Vet për realizimin e urdhërit të Tij. All-llahu na njofton në Kur’an për këtë të vërtetë, e cila do të jetë një mësim për të gjithë njerëzit:
Ai tha: “Ja, kjo është një deve. Ajo do të ketë radhën e saj për të pirë, ashtu si edhe ju, në ditë të caktuara. Mos i bëni kurrfarë të keqeje asaj, se do t’ju godasë dënimi i një Dite të madhe! Por ata e therën e pastaj u erdhi keq. Dhe kështu, ata i goditi dënimi. Njëmend, në këtë ka këshillë, por shumica e njerëzve nuk janë besimtarë. Në të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë. (Sure Shu’ara: 155-159)
Njeriu duhet të mbaj mend se All-llahu është i drejtë. Ai nuk lë asnjë faj pa përgjigje; por Ai gjithashtu shpërblen me bujari të madhe veprat e mira që bëhen për Të. Ai u jep lajmin e gëzuar të mëshirës dhe të Xhennetit të Tij atyre që i kthehen Atij me një pendim të sinqertë. Duke i marrë këto parasysh, njeriu duhet t’ia bëjë vetes pyetjen në vazhdim: duke qenë të vetëdijshëm për telashet e mëdha që shkakton pendimi i përkohshëm në këtë botë, a ia vlen të rrezikohet një pendim që mund të zgjasë përgjithmonë? Mos të harrojmë se ky pendim do të jetë pendimi që njeriu do ta vuajë në jetën e përtejme të pafund në Xhehennem...
Pa dyshim, askush nuk do të rrezikonte të ndjente një pendim të tillë në Ahiret. Në këtë rast, ajo që njeriu duhet të bëjë është e qartë: çdo njeri më vete në këtë botë ka ende kohë për ta shfrytëzuar këtë mundësi. Ai i cili përfiton nga kjo mirësi e All-llahut jo vetëm që do të jetë i shpëtuar nga zjarri por gjithashtu do të jetë trashëgimtar i mirësive të kësaj bote dhe të Ahiretit të përjetshëm.
Prandaj, çdo person i cili përpiqet për t’i arritur këto mirësi dhe për t’iu shmangur pendimit të Banorëve të Zjarrit ka nevojë të jetë i përkushtuar për të fituar kënaqësinë e All-llahut. Njeriu duhet ta ndjekë në mënyrë të pakushtëzuar rrugën që e nxjerr njeriun nga errësira në dritë. All-llahu e përcakton këtë rrugë në ajetet e mëposhtme:
Është Ai që ju bekon, ndërkohë që engjëjt e Tij luten për ju, me qëllim që Ai t’ju nxjerrë nga errësira në dritë. Ai është Mëshirues ndaj besimtarëve. Përshëndetja e tyre, kur ta takojnë Atë, është “Paqe”. Ai u ka përgatitur atyre shpërblim bujar. (Sure Ahzab: 43-44)