Herë pas here një person përballet me dhimbje dhe vështirësi të ndryshme fizike dhe shpirtërore në këtë botë. Ndër to janë ndjenjat aq të thella që nuk mund të krahasohen me asnjë dhimbje tjetër fizike. Kjo ndjenjë që shkakton një shqetësim aq të madh në shpirtin e njeriut është një ndjenjë që quhet "pendim."
Megjithatë, ekzistojnë dy forma krejtësisht të ndryshme të pendimit. Pendimi që ndjejnë besimtarët dhe pendimi që e përjetojnë jobesimtarët. Këto dy ndjenja dallojnë jashtëzakonisht shumë nga njëra-tjetra.
Besimtarët janë njerëz të cilët kanë një besim absolut në faktin se ngjarjet ndodhin me vullnetin e All-llahut, dhe çdo gjë që u ndodhë atyre, ndodhë me vullnetin e All-llahut. Kjo e shpjegon vetinë e tyre dalluese shumë të rëndësishme të besimit të paepur të tyre në All-llahun, në kohë të mira, në telashe, ose kur ata bëjnë ndonjë gabim. Profeti Muhammed (savs), vuri në dukje karakterin e fortë të besimtarit me një krahasim në hadithin më poshtë:
Shembulli i një besimtari është sikurse shembulli i një kalliri që qëndron në fushë e që tronditet nga era dhe pastaj kthehet në gjendjen e tij të parë, por qëndron në rrënjët e tij. (Muslimi)
Pasi që bën një gabim, një besimtar menjëherë pendohet me sinqeritet dhe shpreson në faljen e All-llahut. Si rezultat, ai nuk vuan nga një ndjenjë e dhimbshme dhe jetëgjatë e pendimit. Pendimi që ndjejnë besimtarët i nxit ata që të kërkojnë falje, për të pastruar veten e tyre dhe i ndalon ata nga përsëritja e këtij gabimi. Kjo i ndihmon ata t’i korrigjojnë gabimet e tyre dhe i ndalon ata të mos zhyten në një gjendje të dhimbshme dhe pesimiste shpirtërore. Për më tepër, ky pendim nuk e zvogëlon entuziazmin, përkushtimin, apo zellin e tyre fetar dhe as nuk i tërheq ata poshtë në një spirale frike dhe depresioni.
Pendimi që ndjejnë jobesimtarët, në anën tjetër, është shumë shqetësues dhe jetëgjatë, pasi që ata nuk kanë besim në All-llahun, kur ata ndeshen me vështirësi ose kur bëjnë ndonjë mëkat. Gjatë gjithë jetës së tyre, ata shpesh përdorin fraza të tilla si "Do të dëshiroja të mos e kisha bërë këtë..." "Do të dëshiroja të mos e kisha thënë kurrë këtë...," dhe kështu me radhë.
Më e rëndësishme është se ata i nënshtrohen një pendimi shumë më të madh në Ahiret. Ata që kanë jetuar një jetë të larguar prej fesë (dinit) në këtë botë do të pendohen për çdo moment të jetës së tyre që e kanë jetuar të larguar nga rruga e drejtë. Ata ishin paralajmëruar më parë dhe ishin ftuar në rrugën e drejtë. Ata patën kohë të mjaftueshme për të menduar dhe për të zgjedhur rrugën e drejtë. E megjithatë, ata nuk dëgjuan, kur u paralajmëruan, duke shpërfillur Ahiretin sikur kurrë nuk do të vdisnin. Pastaj në botën tjetër, ata nuk do të kenë mundësi të kthehen në këtë botë dhe t’i korrigjojnë gabimet e tyre. Në Kur'an, All-llahu i rrëfen shprehjet e tyre plot keqardhje si vijon:
Ne ju kemi paralajmëruar se është i afërt dënimi,Ditën, kur njeriu do të shohë se ç’kanë bërë duart e tij dhe, kur jobesimtari do të thotë: “Ah, sikur të isha pluhur!” (Sure Nebe: 40)
Sikur t’i shohësh ata kur të vihen para zjarrit, duke thënë: “Ah! Sikur të ktheheshim pas, nuk do t’i mohonim shpalljet e Zotit tonë dhe do të bëheshim besimtarë!” (Sure En’am: 27)
Ata do të thonë: “Sikur të kishim dëgjuar ose menduar, nuk do të ishim midis banorëve të Zjarrit Flakërues!” (Sure Mulk: 10)
Ky libër ka për qëllim t’i paralajmëroj njerëzit për një ditë kur ata do të pendohen duke thënë "ah, sikur të kishim kuptuar...," "ah, sikur të mos i kishim refuzuar shenjat e Zotit tonë...," "ah, sikur t’i kishim pasuar ata të cilët na sollën porosinë...,"ah, sikur ta kishim bërë këtë dhe atë," etj dhe t’i ftojë ata që të jetojnë për All-llahun, ndërsa ende e kanë mundësinë për t’i korrigjuar gabimet e tyre.
Mbani në mend se atë ditë pendimi i askujt nuk do ta shpëtojë atë nga zemërimi i All-llahut. E vetmja mënyrë për t’iu shmangur këtij pendimi është që t’i nënshtrohemi All-llahut, ndërsa ka ende kohë dhe t’iu bindemi urdhërave të All-llahut.
Ky libër është një ftesë për në rrugën e All-llahut dhe një përkujtim për ndëshkimin e pashmangshëm në botën tjetër, ku nuk do të ketë vend për t’u fshehur dhe asnjë mundësi shpëtimi. All-llahu na përkujton këtë fakt në Kur'an në këtë mënyrë:
Përgjigjuni thirrjes së Zotit tuaj, para se të vijë Dita, të cilën All-llahu nuk e kthen më. Atë Ditë ju nuk do të keni kurrfarë strehimi dhe nuk do të mund të mohoni. (Sure Shura: 47)