Çdo njeri do ta shijojë vdekjen! Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni.(Sure Enbija’: 35)
Vdekja konsiderohet të jetë një fund dhe shkatërrim përfundimtar prej atyre që nuk besojnë në botën tjetër. Mirëpo, ky është një perceptim i gabueshëm ngase vdekja nuk është fundi por një fillim. Për besimtarët, ajo është fillimi i një Parajse të përsosur e të përjetshme që është e pastër nga çdo e keqe dhe e metë. Për jobesimtarët, në anën tjetër, ky është një kalim në një jetë në Xhehennem, ku përjetohet një dënim i madh.
Ata të cilët e kuptojnë këtë realitet e jetojnë një fund të këndshëm në këtë botë kur t’ju vijë vdekja dhe një fillim të këndshëm në Ahiret. Këto të dyja ndodhin njëkohësisht. Jobesimtarët, në anën tjetër, përballen me një pendim të pariparueshëm për shkak të mospërfilljes së këtij realiteti, për të cilin ata ishin njoftuar më parë. Ata vuajnë këtë pendim në çdo moment për aq kohë sa të dojë All-llahu dhe kurrë nuk gjejnë pushim prej tij.
Megjithëse vdekja nuk është një çështje të cilës shumica e njerëzve i kushtojnë kujdes të veçantë, ajo është një fund i pashmangshëm. Kjo për arsye se All-llahu e krijon vdekjen si fundin e përcaktuar të kësaj jete. Deri tani, as edhe një person i vetëm nuk i është shmangur vdekjes. Askujt nuk i kanë siguruar prona, pasuria, karriera apo miqtë e ngushtë shpëtimin nga vdekja. Pa dyshim se çdo njeri do ta takojë vdekjen. All-llahu e rrëfen këtë të vërtetë në shumë ajete në Kur’an:
Kudo që të gjendeni, do t’ju arrijë vdekja, madje, qofshi edhe në kështjellat më të forta!” (Sure Nisa’: 78)
Thuaj: “Vdekja prej së cilës po ikni, do t’ju arrijë. Pastaj, ju do të ktheheni tek Ai, i Cili e di të padukshmen dhe të dukshmen dhe Ai do t’ju njoftojë ju për atë që keni bërë.”(Sure Xhumu’a: 8)
Por All-llahu nuk ia shtyn afatin asnjë shpirti, që i vjen koha (evdekjes); All-llahu e di mirë gjithçka që bëni ju. (Sure Munafikun: 11)
Pra, a e shpëton njeriun shmangja nga të menduarit për vdekjen dhe për jetën pas vdekjes nga përballja me këtë realitet? Natyrisht se përgjigja në këtë pyetje është "Jo". Pasi që njeriu është i pafuqishëm kur bëhet fjalë për vdekjen, gjëja më e arsyeshme që duhet të bëjë është që vazhdimisht të mendojë për vdekjen dhe të përgatitet për jetën e përtejme, siç ka thënë Profeti Muhammed (savs): "Meditoni shumë për vdekjen. All-llahu ia hap zemrën atij personi i cili mendon shumë për vdekjen dhe e bën vdekjen të lehtë për të." (Transmetuar nga Ebu Hurejra)
Ata që lënë pas dore të menduarit për Ahiretin ndërsa hutohen nga kjo jetë kalimtare e kësaj bote i zë vdekja në befasi. Atyre që thonë: "Derisa jemi të rinj, mund të jetojmë jetën tonë siç na pëlqen më së tepërmi dhe të mendojmë për vdekjen në vitet e fundit të jetës sonë" e kuptojnë se kurrë nuk do të kenë një mundësi të tillë. Kjo për arsye se vdekja është e paracaktuar nga All-llahu. Një person mund të vdes para se të plaket. Në këtë rast, bërja e planeve për të ardhmen dhe shtyrja e përmbushjes së urdhërave të All-llahut do të çojë vetëm drejt një pendimi të tmerrshëm.
Ata që kalojnë jetët e tyre të larguar prej All-llahut dhe të cilët pendohen vetëm kur e kuptojnë se vdekja ju është afruar do të përjetojnë një pendim të tillë. Megjithatë, pendimi që lind nga frika e vdekjes dhe i cili nuk bart një qëllim të sinqertë për të përmirësuar dhe pastruar veten e tij mund të mos jetë i pranueshëm nga All-llahu. Duke qenë haptazi në favor të kësaj jete me gjithë ekzistencën e vdekjes, njerëzit e tillë përpiqen në mënyrë të dëshpëruar për të shpëtuar veten e tyre vetëm atëherë kur e kuptojnë se vdekja është shumë afër. Mirëpo, kjo nuk u sjell dobi. All-llahu e di josinqeritetin e tyre, sepse All-llahu është më afër njeriut se sa damari i qafës së tij. Ai e di se çfarë ka në brendinë e njeriut, duke përfshirë edhe mendimet e tij më intime dhe sekretet më të thella të tij. All-llahu na bën me dije në Kur’an se Ai nuk do të pranojë pendimin e bazuar në frikën nga vdekja në momentin e fundit:
Nuk pranohet pendimi i atyre që vazhdimisht bëjnë të këqija e, kur u afrohet vdekja, atëherë thonë: “Unë tani me të vërtetë po pendohem”. As për ata që vdesin duke qenë jobesimtarë. Për këta, Ne kemi përgatitur dënim të dhembshëm. (Sure Nisa’: 18)
Në shumë vargje është theksuar se kur u jepet një mundësi tjetër, këta njerëz të pasinqertë shpejt vazhdojnë me qëndrimin e tyre mosmirënjohës:
Sikur t’i shohësh ata kur të vihen para zjarrit, duke thënë: “Ah! Sikur të ktheheshim pas, nuk do t’i mohonim shpalljet e Zotit tonë dhe do të bëheshim besimtarë!” Po, atyre iu doli sheshit ajo që më parë e fshihnin, por edhe sikur të ktheheshin, prapë do të bënin ato që u ishin ndaluar. Vërtet, ata janë gënjeshtarë. (Sure En’am: 27-28)
Për këtë arsye, do të ishte e gabuar të kemi një arsyetim që bazohet në mendimin "Do të pendohem, kur të vijë koha e duhur." Kjo mënyrë e të menduarit nuk do ta shpëtojë njeriun nga dënimi në Xhehennem. Pra, nëse njeriu nuk do të vuajë një dënim të dhembshëm të përjetshëm pas vdekjes, ai duhet të jetojë për një qëllim, duke e ditur se patjetër do ta takojë All-llahun dhe do të duhet të jap llogari për veprimet e tij.
Gjatë gjithë jetës së tyre, njerëzit përkujtohen shumë herë për ekzistencën e Xhennetit dhe të Zjarrit dhe se duhet të përgatiten për jetën e përtejme. Megjithatë, jobesimtarët bëhen të shurdhër ndaj këtyre paralajmërimeve. Pasi përballen me vdekjen, një nga burimet kryesore të pendimit të tyre është fakti se ata kanë çuar veten e tyre drejt shkatërrimit. Askush nuk i detyroi ata, ata, me vullnetin e tyre, e zgjodhën këtë fund të keq për veten e tyre. Që nga momenti i vdekjes jobesimtarët fillojnë të vuajnë nga pikëllimi. Frika e tmerrshme që ndjejnë në kohën e vdekjes është pikëllimi fillestar i kësaj vuajtje, të cilën All-llahu e sqaron në Kur’an si vijon:
...dhe këmbët do të ngrijnë. Atë ditë, ai do të sillet te Zoti yt. Ai as nuk besoi dhe as nuk u fal, por e mohoi të vërtetën dhe ia ktheu kurrizin, e pastaj shkoi te njerëzit e vet, duke u krenuar. Mjerë për ty! Mjerë për ty! Sërish: Mjerë për ty! Mjerë për ty! (Sure Kijame: 29-35)
Megjithatë, njeriu duhet të mbaj në mend se vetëm jobesimtarët vuajnë nga kjo frikë. Besimtarët e kalojnë gjithë jetën e tyre duke punuar për të fituar kënaqësinë dhe dashurinë e All-llahut. Për këtë arsye, ata janë plot shpresë. Jobesimtarët, në anën tjetër, përjetojnë një pendim të madh e të vonuar kur vdekja i mposht ata. Megjithatë, ky pendim në asnjë mënyrë nuk i mban ata të sigurt nga dënimi, sepse është shumë vonë. Në Kur’an, thuhet se në momentin e vdekjes, shpirtrat e jobesimtarëve merren duke përjetuar vuajtje dhe vështirësi të madhe.
...Ah sikur t’i shihje keqbërësit gjatë agonisë së vdekjes, kur engjëjt zgjasin duart (duke thënë): “Dorëzoni shpirtrat tuaj! Sot ju do të ndëshkoheni me dënim poshtërues për shkak të të pavërtetave që keni thënë për All-llahun dhe që keni shpërfillur shpalljet e Tij”. (Sure En’am: 93)
E çfarë do të bëjnë ata, kur engjëjt do t’ua marrin shpirtin, duke i rrahur në fytyrat dhe shpinat e tyre?! (Sure Muhammed: 27)
Sigurisht se nuk ka gjasa për të kuptuar plotësisht atë që përjetojnë mosbesimtarët në kohën e vdekjes. Mirëpo, All-llahu e përshkruan këtë gjendje në mënyrë që njeriu të mund të meditojë dhe t’i shmanget takimit të një fundi të tillë. Engjëjt e vdekjes, siç sugjerojnë vargjet, do t’i marrin shpirtrat e jobesimtarëve, ndërsa i godasin ata në fytyrat dhe shpinat e tyre. Që nga ai moment, jobesimtarët do të vuajnë dhimbje fizike të shoqëruar me një pendim të thellë pasi që e dinë se nuk kanë mundësi të kthehen prapa.
Në momentin e vdekjes, njeriu është plotësisht i vetëdijshëm për atë që i ndodhë atij. Ky është fillimi i jetës së tij të përjetshme. Vdekja është vetëm një fazë kalimtare, ajo është në të vërtetë largimi i shpirtit nga mishi.
Për shkak të dënimit që ata vuajnë në kohën e vdekjes, jobesimtarët kuptojnë se do t’i nënshtrohen një dënimi të madh që do të zgjasë përjetësisht-përveç nëse All-llahu dëshiron ndryshe. Ata që kanë jetuar gjithë jetën e tyre të larguar nga feja e All-llahut fillojnë të luten në mënyrë të sinqertë për faljen e All-llahut dhe për shpëtim. Ata luten që të kthehen përsëri në dynja, për të bërë vepra të mira dhe për të kompensuar atë që kanë humbur. Por dëshirat e tyre nuk janë të pranueshme, sepse atyre u ishte "dhënë një jetë mjaft e gjatë që ata të merrnin mësim", siç pohon All-llahu në këtë ajet. Atyre u ishte dhënë lajmi i gëzuar për kopshtet e Xhennetit dhe ishin paralajmëruar gjithashtu për Zjarrin e Xhehennemit, por ata me kokëfortësi ishin larguar nga gjithë këto të vërteta. All-llahu shpall në Kur’an se ata përsëri do të priren drejt mohimit me dhënien e një mundësie tjetër:
Kur i vjen vdekja ndonjërit prej tyre (jobesimtarëve), ai thotë: “O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira në botën që kam lënë!” Kurrsesi! Me të vërtetë, kjo është një fjalë të cilën ai (kot) e thotë... (Sure Mu’minun: 99-100)
Jobesimtarët me vetëdije nuk iu përulën në sexhde All-llahut, nuk i përmbushën urdhrat e Tij dhe as nuk iu bindën parimeve të larta morale. All-llahu thotë në Kur’an se në kohën e vdekjes, ata nuk do të jenë në gjendje madje edhe vetëm të përulen në sexhde:
Ditën (e Kiametit), kur të zbulohen shumë ngjarje të frikshme, ata do të thirren që të përulen në sexhde, por nuk do të munden! Të ulura do të jenë shikimet e tyre dhe do t’i mbulojë poshtërimi, sepse kanë qenë të ftuar të përuleshin në sexhde, sa qenë shëndoshë (dhe nuk kanë pranuar). (Sure Kalem: 42-43)
Ekziston edhe një çështje tjetër që e bën edhe më të madh pendimin e njerëzve të cilët, në momentin e vdekjes, e kuptojnë se premtimet e All-llahut janë të gjitha të vërteta. Besimtarët, të cilëve jobesimtarët nuk iu besuan dhe nuk i morën me seriozitet në dynja dhe madje edhe u tallën me ta, nuk e përjetojnë aspak pikëllimin që e përjetojnë jobesimtarët në atë ditë. Ata shpërblehen përjetësisht me shpërblimet më të mira, sepse ata e jetuan gjithë jetën e tyre në mënyrë të sinqertë për të arritur kënaqësinë e All-llahut. Ndryshe nga jobesimtarët, shpirtrat e tyre mirren "me butësi", pa asnjë dhimbje. (Sure Naziat: 2) Siç e përshkruan All-llahu në këtë ajet, engjëjt i përshëndesin besimtarët dhe u japin lajmin e gëzuar të Xhennetit.
...të cilëve engjëjt ua marrin shpirtrat, duke qenë të pastër. U thonë atyre: “Shpëtimi qoftë mbi ju! Hyni në Xhenet, si shpërblim për veprat që keni kryer!” (Sure Nahl: 32)
Kjo është një vuajtje tjetër mendore për jobesimtarët. Atyre u janë ofruar po ato mundësi të njëjta që iu ofruan edhe besimtarëve në këtë botë. Megjithatë, ata me dashje i ndërruan të mirat e përjetshme të Xhennetit për të mirat kalimtare të kësaj bote. Edhe pse u përkujtuan se bota është vetëm një vend sprove për njeriun dhe se banesa e vërtetë është Ahireti, ata u shtinë si të padijshëm për këtë. Prandaj ata nuk u angazhuan në vepra të mira për të arritur Xhennetin. Megjithatë, të jetuarit sipas moralit të Kur’anit dhe të qenit një besimtar i sinqertë është e mundur për çdonjërin vetëm nëse njeriu bëhet i përkushtuar për këtë qëllim. Të menduarit mbi të gjitha këto e bën edhe më të madh pendimin e jobesimtarëve.
Në një ajet All-llahu thotë:
A mos mendojnë ata që bëjnë vepra të këqija, se Ne do t’i bëjmë të njëjtë me ata që kanë besuar dhe që kanë bërë vepra të mira, se jeta dhe vdekja e tyre do të jetë e njëjtë? Sa keq që gjykojnë ata! (Sure Xhathije: 21)
Me fjalë të tjera, secili njeri do të shpërblehet ashtu siç e meriton, të mirët me lajm të gëzuar ndërsa të këqinjt me dënim të xhindosur.
Për më tepër frika e njohurisë se Xhehennemi është i përgatitur për ta do ta forcojë edhe më shumë pendimin që ndjejnë jobesimtarët. Deri atëherë ata kanë përjetuar vetëm vuajtjen e largimit të shpirtrave të tyre. Kjo vuajtje megjithatë i bën ata të vetëdijshëm për dënimin e tyre të afërt.
Ky pendim i jobesimtarëve që fillon me vdekjen do të zgjasë për aq kohë sa dëshiron All-llahu. Ata do të mbeten në këtë dënim të përjetshëm në çdo moment, orë dhe ditë që kalon dhe nuk do të kenë shpëtim nga pendimi.
Megjithatë, është në dorën e njeriut të mos vuajë një pendim kaq të madh. Të presësh të takosh vdekjen nuk është medoemos mënyra për ta kuptuar realitetin e vdekjes dhe përtej saj. Për besimtarët, mjafton premtimi i All-llahut. Pas vdekjes, drejtësia e All-llahut mbizotëron pa dyshim; jobesimtarët ndëshkohen me zjarr dhe besimtarët shpërblehen me kopshtet e Xhennetit.
Pra, gjëja më e zgjuar që duhet ta bëjë një person që nuk ka takuar ende vdekjen do të ishte që të kërkojë strehim tek All-llahu dhe të shpresojë në faljen e Tij. Përveç kësaj, njeriu duhet të shqyrtojë me vëmendje Kur’anin, udhërrëfyesin e vetëm për në rrugën e drejtë për njerëzimin, dhe sunnetin e Profetit (savs) për të formuar një kuptim të plotë dhe për të jetuar sipas asaj që urdhërohet. Në vend të shmangies nga të menduarit për vdekjen, njeriu do të përfitojë nga të medituarit mbi realitetin dhe afërsinë e saj dhe duke vepruar në pajtim me këtë.
Ai që i kthehet All-llahut fiton pëlqimin e All-llahut si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër dhe hyn në Xhennet, i kënaqur me Zotin tonë dhe Zoti ynë, i kënaqur me të. All-llahu u jep besimtarëve lajmin e gëzuar për këtë në Kur’an:
O ti shpirt i qetësuar! Kthehu te Zoti yt, ti i kënaqur me Atë dhe Ai kënaqur me ty! Bashkohu me robërit e Mi dhe hyr në Xhenetin Tim! (Sure Fexhr: 27-30)
Mënyra për t’iu shmangur pendimit dhe për të fituar lumturinë e përjetshme është të reflektojmë mbi vdekjen dhe Ahiretin dhe të jetojmë në rrugën e All-llahut, Krijuesit të njeriut.