Në ç'botë jetoni?
Një botë me bazë të fortë me njerëz dhe drunjë, oqeane me re përmbi tyre dhe, edhe më lartë, zbraztinë e pafund të hapësirës?
A jeni ju njëri nga miliarda njerëz në atë botë?
Nëse u përgjigjeni këtyre pyetjeve me "po," atëherë gaboheni!
Nëse keni qenë në gjendje t'iu përgjigjeni atyre me "po," atëherë kjo nënkupton se gjatë gjithë jetës suaj ju ndoshta e keni shpërfillur një të vërtetë më të rëndësishmen.
E vërteta është se ju fare nuk jetoni në një botë të tillë siç është përshkruar më lartë. Në botën tuaj, nuk ekziston as edhe distanca prej pak metrash, e lëre më prej miliarda kilometrash apo galaktika të largëta me vite drite. Në të vërtetë ju jetoni në një hapësirë të vogël të mbyllur – në një dhomë të vogël të mbyllur në majë të një kulle gjigante. Ju kurrë nuk e keni lëshuar atë dhomë. Ju kurrë nuk keni dalë jashtë saj apo nuk keni qenë kudo tjetër. Gjithë çfarë keni parë ju janë trajta të ndryshme, njerëz dhe hapësira që reflektohen në muret e asaj dhome. Ju keni dëgjuar vetëm tingujt e emituar nga altoparlantët e fshehur aty brenda. Në fakt, në atë dhomë të vogël në majë të kullës, nuk ekziston askush tjetër pos jush. Ju jeni tërësisht i vetëm!
"Kulla" për të cilën po flasim ne është trupi juaj dhe dhoma e vogël në majë të tij (me fjalë të tjera, bota juaj) është truri juaj.
Truri juaj është një dhomë e mbyllur jashtë së cilës nuk mund të dilni kurrë, pasi që çdo gjë që mendoni se është origjinali i materies në realitet përbëhet prej perceptimeve që ju i përjetoni në qendrat e të pamurit apo të dëgjuarit në trurin tuaj. Ju kurrë nuk mund t'i anashkaloni ato perceptime dhe ta përjetoni "materien e vërtetë" drejtpërdrejt, me fjalë të tjera, materien origjinale që ekziston jashtë trurit tuaj. Ju mund t'i shihni sinjalet elektrike që arrijnë në qendrën e shikimit të trurit, por kurrë nuk mund ta shihni burimin e vërtetë të atyre sinjaleve. Thënë troç, ju e shihni ekranin e kinemasë në muret e "dhomës" suaj, por kurrë nuk mund t'i përjetoni drejtpërdrejt origjinalet e atyre pamjeve.
Ne do ta shpalosim këtë të vërtetë në këtë libër. Ajo që ne do të shpjegojmë këtu, sipas të gjitha gjasave, do të jetë në kundërshtim me shumë ide dhe koncepte me të cilat ju jeni familiarizuar deri më tani. Megjithatë është një e vërtetë konkrete e bazuar në dëshmi shkencore. Prandaj, është e pamundur që të hidhet poshtë kjo e vërtetë kur njeriu mendon për të në një mënyrë të arsyeshme dhe logjike, në vend se t'iu përmbahet paragjykimeve të njohura.
Mos harroni kurrë se injorimi i të vërtetës apo mospranimi për të menduar për të nuk i sjell asnjë dobi një personi. Nëse dikush thotë: "Jo, unë jetoj në një planet në një gjithësi të pafund, jo në një dhomë të mbyllur," atëherë ai duhet ta dëshmoj këtë të vërtetë. Nëse nuk mundet, atëherë besimi i verbër në një ide të tillë vetëm se do të bëjë që ai të vazhdojë të mashtrohet.