Katërmbëdhjetë shekuj më pare, Zoti zbriti Kuranin për të udhëzuar njerëzit në rrugën e vërtetë. Që prej ditës së shpalljes së tij e deri në Ditën e Gjykimit, ky libër i fundit hyjnor do të mbesë udhëzimi i vetëm për ta.
Stili i pakrahasueshëm i Kuranit dhe urtësia e tij e përkryer janë tregues të qartë se ai është me të vërtetë fjala e Zotit. Përveç kësaj, Kurani ka mjaft veçori të tjera të mrekullueshme, të cilat vërtetojnë se ai është me të vërtetë një libër hyjnor. Një prej këtyre veçorive është fakti se një numër i konsiderueshëm i fakteve shkencore, të cilat njeriu mundi t'i zbulonte vetëm me ndihmën e teknologjisë së shekullit XX, janë shpallur në Kuran 1400 vjet më parë.
Sigurisht që nuk mund të pretendojmë që Kurani është një libër shkencor, pasi qëllimi i shpalljes së tij nuk është shtjellimi i fakteve shkencore apo shpjegimi i dukurive natyrore, por siç e thamë dhe më lart, udhëzimi i njerëzve drejt së vërtetës. Megjithatë, në Kuran gjejmë shumë fakte shkencore, të cilat janë zbuluar në mënyrë të plotë vetëm në saje të fjalës së fundit të teknologjisë bashkëkohore. Këto fakte shkencore as që mund të perceptoheshin apo imagjinoheshin në kohën e shpalljes së tij, gjë që vërteton akoma më tepër prejardhjen e tij hyjnore.
Që të kuptojmë mrekullitë shkencore në Kuran, sëpari duhet të hedhim një vështrim në nivelin e shkencës që mbizotëronte në kohën e shpalljes së këtij libri hyjnor.
Në shekullin VII, në shoqërinë arabe ekzistonin shumë bestytni, me të cilat ishin përzier edhe çështjet shkencore. Mungesa e teknologjisë së duhur, me anë të së cilës do të studioheshin të fshehtat e natyrës dhe universit, i la këta arabë të hershëm nën ndikimin e bestytnive dhe legjendave të trashëguara nga brezat e mëparshëm. Për shembull, ata supozonin se ishin malet ato që e mbanin qiellin lart. Ata besonin se toka ishte e sheshtë dhe në dy skajet e saj ndodheshin male të larta, të cilat ishin shtyllat që mbanin qiellin lart.
Sidoqoftë, të gjitha këto besime të kota të shoqërisë arabe u zhdukën me zbritjen e Kuranit. Në ajetin e dytë të sures Er-Rra'd thuhet: "Zoti është Ai që i ngriti qiejt pa asnjë shtyllë..." Ky ajet hodhi poshtë besimin e trashëguar të arabëve se qielli qëndron lart i mbajtur prej maleve. Në mjaft çështje të tjera janë shpallur të dhëna tepër të rëndësishme dhe të sakta, në një kohë kur askush s'kishte asnjë njohuri për to. Kurani, i cili zbriti në kohën kur njerëzit dinin shumë pak rreth astronomisë, fizikës ose biologjisë, përmban argumente bazë mbi një sërë dukurish të ndryshme, si krijimi i Universit, krijimi i qenieve njerëzore, struktura e atmosferës apo ekuilibri delikat, i cili bën të mundur jetën në tokë.
Tani, le të shqyrtojmë së bashku disa mrekulli shkencore të shpallura në Kuran.