Të gjitha këto mrekulli që shqyrtuam më sipër vërtetojnë qartë se Kurani është një libër, në të cilin çdo gjë e shpallur është provuar të jetë e vërtetë. Faktet rreth temave shkencore, lajmet mbi të ardhmen dhe përshkrimi i historive të ndodhura në kohët e lashta tregojnë se askush nuk mund t'i njihte ato në kohën e shpalljes së Kuranit. Kjo na vërteton bindshëm një gjë: se Kurani nuk ka mundësi të jetë fjalë e njeriut, ai është fjala e Zotit të Plotfuqishëm, Krijuesit të gjithçkaje, dija e të Cilit përfshin çdo gjë. Në një ajet kuranor, Zoti thotë "Sikur Kurani të ishte prej dikujt tjetër, përveç Zotit, njerëzit do të gjenin në të shumë kundërthënie." (En-Nisa 82) Jo vetëm që kundërthëniet nuk ekzistojnë në Kuran, por shumë pjesë të këtij Libri të Shenjtë përmbajnë mrekulli të ndryshme, të cilat zbulohen dita-ditës.
Njerëzimi duhet të kapet fort pas këtij libri hyjnor të shpallur nga Zoti dhe ta pranojë atë si udhëzimin e tij të vetëm. Në një nga ajetet kuranore, Zoti na bën thirrje:
Këtë libër ne e bëmë dobiprurës e të begatshëm, ndaj përmbajuni atij dhe ruajuni (nga gjynahet), me qëllim që të mëshiroheni. (El-En'am 155)
Në një ajet tjetër, Zoti tërheq vërejtjen:
Thuaj: "E vërteta është ajo që vjen nga Zoti juaj, ndaj kush të dojë, le të besojë dhe kush të dojë, le të mohojë. (El Kehf 29)
Në të vërtetë këto janë këshilla. Kush dëshiron, merr mësime nga ky Kuran. (Abese 11-12)
Engjëjt thanë: “Larg nga të metat je
Ti o Zot! Ne nuk kemi asnjë dije tjetër
përveç asaj që na mësove Ti. Vërtet,
Ti je i Gjithëdijshëm e i Urtë.”
(El-Bekare 32)