Në këtë libër ne dhamë disa shembuj dhe shpjeguam që në trupin tonë ndodhin shumë proçese dhe ne jemi plotësisht të pavetëdijshëm për to. Çdo organ dhe çdo qelizë në trupin tonë punon me një shpejtësi të pabesueshme dhe në të njëjtën kohë funksionon në mënyrë të përkryer. Secila i kryen detyrat që i janë caktuar në harmoni. Gjaku u dërgon vazhdimisht ushqim qelizave për të cilat ato kanë nevojë që të jetojnë. Stomaku dhe zorrët e copëzojnë këtë ushqim në grimca dhe e bëjnë atë të përshtatshëm për t’u përdorur nga qelizat. Qelizat nervore u dërgojnë stimuj gjithë pjesëve të trupit; truri i vlerëson këto stimuj, dhe si rezultat ne arrijmë të shikojmë, të dëgjojmë, të shijojmë dhe të perceptojmë me të gjithë shqisat e tjera.
Kur njëra nga këto detyra vonohet ose nuk kryhet, rregulli normal i funksioneve tona trupore prishet. Nëse qelizat nervore dëmtohen, gjymtyrët tona nuk funksionojnë, nëse dëmtohen qelizat e stomakut ne nuk mund ta tresim ushqimin që hamë; nëse na dëmtohen qelizat e gjuhës ne nuk mund të shijojmë dot kekët me çokollatë, portokajt, bananet apo ëmbëlsirat që ne hamë. Megjithatë, përveç se në raste sëmundjesh, asnjëra nga të mësipërmet nuk ndodh. Çdo komponent i trupit tuaj kryen pandërprerë funksionet e veta normale ndërsa ju jetoni jetën tuaj të përditshme. Përsosja me të cilën ju jeni bekuar në çdo moment të jetës tuaj sigurisht që e ka një arsye. Asgjë nuk mund të lindë vetvetiu dhe të ketë një mekanizëm kaq të plotë dhe të padefekt.
Televizori juaj, frigoriferi, kompjuteri, stilolapsat që ju përdorni kur shkruani, shkurt çdo gjë e ka një projektues dhe prodhues. Një makinë apo një aeroplan nuk mund të vijë në ekzistencë vetvetiu. Duke qenë kështu, është thjesht e pamundur për një tërësi kaq perfekte sistemesh si trupi i njeriut të vijë në ekzistencë nga rastësia.
Ju me siguri habiteni se si ka mundësi që disa njerëz mendojnë që trupat e tyre funksionojnë si rezultat koinçidencash të thjeshta. Kjo me të vërtetë është pretendimi më i paarsyeshëm që mund të parashtrohet ndonjëherë. Rregulli i mrekullueshëm në trupin e njeriut nuk mund të ketë ardhur në ekzistencë nga rastësia. Ky rregull i mrekullueshëm provon që ai është projektuar nga një Qënie me inteligjencë dhe zgjuarsi supreme. Ai është krijimi i një Krijuesi suprem, Zotit tonë.
Allahu na tregon në Kur’an që Ai është i Gjithë-Mëshirshëm ndaj robërve të Tij. Ajo që na takon të bëjmë, është që t’i nënshtrohemi Atij, t’i bindemi plotësisht urdhërave të Tij dhe ta falenderojmë Atë për të gjitha bukuritë që na ka dhënë. Në një ajet Kur’anor, Allahu na drejtohet si më poshtë:
Ky është Allahu, Zoti juaj. Nuk ka zot tjetër përveç Tij, Krijuesi i çdo gjëje, pra adhurojeni Atë. Ai është mbikqyrës ndaj çdo gjëje. (Sure El-En’am: 102)
Ata(engjujt) thanë: “Ti je pa të meta! Ne nuk kemi dije tjetër përveç atë që na e mësove Ti. Vërtetë,
Ti je i Gjithëdituri, i Urti.”
(Kur’an, 2:32)