Kur njerëzit pyesin për fenë e tyre, shumica e njerëzve thonë se ata janë Muslimanë. Mirëpo, shumica prej tyre nuk e kanë lexuar Kur'anin, Librin e drejtë të Islamit, madje edhe vetëm një herë. Megjithatë, siç është përmendur gjatë këtij libri, Kur'ani është shpallja e Allahut nëpërmjet së cilës Ai paraqet Veten dhe shpjegon qëllimin e vërtetë të jetës sonë në këtë botë dhe në botën tjetër, si edhe veçoritë e përsosmërisë morale.
Të jetuarit e jetës i pavetëdijshëm për pritjet e Allahut dhe të qenit i kënaqur me fe të sajuara nuk i shkon për shtati ndërgjegjes dhe diturisë së një personi. Allahu pohon se Ai zbriti Kur'anin që njerëzit ta lexojnë:
"Ne me urtësi e zbritëm atë (Kur'anin) dhe me urtësi është zbritur. E ty nuk të dërguam tjetër vetëm se përgëzues dhe qortues. Dhe (ta shpallëm) Kur'anin që Ne e ndamë pjesë - pjesë për t'ua lexuar njerëzve dalëngadalë dhe ashtu e shpallëm atë një pas një." (Sure Isra: 105-106)
Kur'ani është unik dhe prandaj shumë më superior se çdo libër tjetër. Për këtë arsye, informacioni që përmban ai është shumë më superior se çdo informacion tjetër. Çdo person i cili e lexon atë me qëllim të sinqertë dhe sheh mrekullitë, urtësinë unike dhe superioritetin që vargjet e tij përcjellin do të udhëzohet në të vërtetën. Pa marrë parasysh se a besojnë njerëzit në të apo jo, Kur'ani është përkujtues për të gjitha botërat dhe një mrekulli e Zotit tonë, siç lexojmë në:
Thuaj: "I besuat ju atij ose nuk i besuat (atij nuk i bëhet dëm), e atyre që u është dhënë dijeni (nga librat e parë) para tij, kur u lexohet atyre, ata hudhen me fytyra (përdhe) duke i bërë sexhde", dhe thonë: "I lartësuar është Zoti ynë, premtimi i Zotit tonë është i realizuar". Dhe duke qarë hudhen me fytyra (kur dëgjojnë Kur'anin) dhe ai ua shton edhe më përuljen (ndaj All-llahut). (Sure Isra: 107-109)
Njeriu kurrë nuk është tepër i vjetër për ta lexuar Kur'anin, për ta kuptuar atë dhe për t'i zbatuar urdhërat e tij në jetën e tij apo të saj. Duke qenë kështu, njeriu nuk duhet të pushtohet nga nxitjet që i pëshpëritë Shejtani, si: "Nuk e ke bërë këtë deri më sot, prandaj a do të kesh ndonjë dobi nëse e bën këtë tani e tutje?" dhe të jeni të kujdesshëm ndaj këshillave të ngjashme të shejtanit. Allahu do t'i mbajë njerëzit përgjegjës për gjendjen e tyre më të vonshme. Nëse një person, duke e parë të vërtetën, kthehet nga Allahu dhe Kur'ani dhe fillon të jetojë një jetë duke kërkuar kënaqësinë e Tij, Mëshirën dhe Parajsën, Allahu do ta pranojë pendimin e tij apo të saj.
Në këtë mënyrë, ata të cilët e dinë se do të vdesin një ditë dhe do të jetojnë një jetë të amshueshme dhe të cilët janë të vetëdijshëm për Parajsën dhe Ferrin, duhet ta kenë parasysh gjendjen e tyre me ndërgjegje dhe urtësi dhe pastaj të vendosin se si të sillen. Ajo që i shkon për shtati ndërgjegjes dhe urtësisë së njeriut është që ta jetoj jetën duke kërkuar kënaqësinë e Allahut, Mëshirën e Tij dhe Parajsën dhe t'u bindet urdhërave të Tij. Siç pohon Ai në Kur'an:
"Lexo çka të është shpallur ty nga Libri i Zotit tënd! Nuk ka kush që mund t'i ndryshojë fjalët e Tij dhe pos Tij, nuk mund të gjesh stehim." (Sure Kehf: 27)