Shoqëritë që janë të larguara prej fesë e kuptojnë atë në mënyrë të shtrembëruar, dhe popujt e tyre, ndërsa formohen, mbledhin informacionin e tyre për të prej burimeve krejtësisht të dyshimta. Për këtë arsye, nën maskën e fesë njerëzit përvetësojnë rituale, rregulla, të drejta dhe padrejtësi të ndryshme që ata mendojnë se u përshtaten atyre. Mirëpo, burimi kryesor i diturisë së saktë për fenë e vërtetë është Kur'ani, sepse ai është Fjala sublime e Allahut, Zotit tonë i Cili krijoi gjithësinë nga asgjëja dhe Ai i Cili ka dijeni për gjithçka.
Stili i qartë i Kur'anit e bën atë të kuptueshëm për të gjithë njerëzit në mënyrë që ata të përfitojnë nga urtësia e tij unike. Mirëpo, përkundër kësaj, ata të cilët nuk janë të sinqertë apo që janë madje armiqësor ndaj Allahut dhe fesë së Tij i qasen Kur'anit me paragjykim dhe të ndikuar nga arsyeja e tyre e shtrembëruar, i keqinterpretojnë vargjet e tij. Disa njerëz, duke shpresuar që ta paraqesin fenë si një gjë të vështirë, fabrikojnë shumë besime të rrejshme, herezi dhe mite.
Besimtarët, të cilët e njohin mirë Kur'anin, e kuptojnë se trillime të tilla nuk janë asgjë më shumë se mite dhe kështu nuk i pranojnë ato. Mirëpo, ata të cilët nuk e njohin Allahun dhe Kur'anin mbeten nën ndikimin e këtyre miteve nga mosdija dhe kështu pandehin se kjo fe e rrejshme, e cila nuk bazohet në Kur'an, është feja e vërtetë. Veç kësaj, ata dështojnë të shohin bukuritë e paraqitura nga Islami, të cilat Allahu i ka zgjedhur dhe përsosur, për arsye se ata nuk e lexojnë Kur'anin.
Është interesant fakti se Kur'ani, të cilin Allahu e dërgoi për të udhëzuar njerëzimin në rrugën e drejtë, kurrë nuk tërheq vëmendjen e njerëzve të tillë. Kur ata pyetin diçka në lidhje me fenë, ata shikojnë gjithkund përveç në Kur'an, edhepse ai është burimi i vetëm i saktë i zbatueshëm për të gjitha kohërat. Kur'ani e shpreh këtë si: "E i Dërguari tha: 'O Zoti im, vërtet, populli im e konsideroi këtë Kur'an si (diç) që duhet injoruar'" (Sure Furkan: 30).
Në të vërtetë, Kur'ani është burimi i vetëm i besueshëm i Islamit, sepse ai është fjala e pandryshuar e Allahut dhe Sunneti (që Profeti Muhammed (saas) vendosi me anë të thënieve, veprave dhe miratimit të heshtur). Allahu shpalli Kur'anin në mënyrë që njerëzimi ta lexonte dhe ta kuptonte atë; të fitonte dituri të saktë për Zotin e tij, I Cili krijoi gjithësinë nga asgjëja; të mësojë se si ta adhurojë Atë dhe se si të veprojë në përputhje me urdhërat e Tij për të fituar kënaqësinë e Tij. Allahu shpjegoi/sqaroi vargjet e Tij përmes shembujve dhe tregimeve. Siç e bën të qartë në: "Asgjë nuk kemi lënë pas dore në Libër" (Sure En'am: 38), Kur'ani përfshin çdo gjë. Hollësira të shumta që i përkasin kësaj bote dhe botës tjetër shpjegohen në mënyrën më të kuptueshme, sepse, siç na njofton Allahu: "Ne ty ta shpallëm Librin që sqaron çdo gjë dhe si udhëzim e mëshirë dhe myzhde për Muslimanët." (Sure Nahl: 89).
Qëllimi i këtij libri është të shpjegoj se Kur'ani është Fjala e Allahut, udhëzim për njerëzimin që i drejtohet çdonjërit dhe se urdhërat e tij janë të zbatueshme për të gjitha kohërat. Prandaj ai duhet të jetë referimi më i rëndësishëm.
Një kuptim i saktë i Islamit dhe kuptim i drejtë i vargjeve të tij janë thelbësore për ata të cilët duan të udhëzohen prej tij. Në këtë kuptim, njëra prej detyrave më të rëndësishme për çdo Musliman i cili posedon mençuri, ndërgjegje dhe mendje të shëndoshë është t'ua përcjellë porosinë e tij gjithë njerëzve.