"All-llahu dëshiron t'ju lehtësoj (dispozitat), e megjithatë njeriu është i paaftë (për të përballuar epshet)." (Sure Nisa: 28)
Secili njeri vie në jetë dhe rritet me Vullnetin e Allahut dhe ka nevojë për mbrojtjen e Tij në secilën fazë të jetës. Allahu është mbrojtësi, udhëzuesi dhe mbështetësi i vetëm i të gjithë njerëzve, i Gjalli, i Cili është Krijuesi i çdo gjëje. Vargu në vazhdim e pohon këtë fakt:
"O ju njerëz, ju keni nevojë për All-llahun e All-llahu nuk ka nevojë për ju; Ai është i falënderuari." (Sure Fatir: 15)
Allahu, Krijuesi i gjithësisë dhe të gjitha qenieve, qofshin të gjalla apo të vdekura, zbriti Kur'anin si mëshirë për njerëzimin. Mirëpo, disa njerëz sajojnë arsyetime të ndryshme për të mos jetuar sipas vlerave të tij. Njëra prej këtyre është ideja e gabuar se parimet morale Islame disi kufizojnë mënyrën e tyre të zgjedhur të jetës. Por ky është një mashtrim i madh, sepse ata të cilët jetojnë në shoqëritë që nuk ndjekin parimet morale të Kur'anit përjetojnë ankth të madh, vështirësi dhe kufizime, ndërsa parimet morale të Kur'anit paraqesin një jetë të lumtur, të qetë dhe të sigurt. Kur'ani është mëshirë që lehtëson trysninë që njerëzit e shkaktojnë mbi njëri tjetrin, largon rregullat e ashpra dhe parimet e panevojshme dhe kufizuese, lehtëson problemet e njerëzve dhe siguron një jetë të qetë.
Vërtet, Allahu shpall se duke komunikuar porosinë e Tij, i Dërguari ua lehtëson njerëzve barrat e tyre të rënda dhe ua heq zinxhirët rreth tyre. Veç kësaj, ata të cilët i përgjigjen thirrjes së të Dërguarit dhe pastaj e mbështesin, ndihmojnë dhe mbrojnë atë dhe ndjekin rrugën e vërtetë të Allahut do të arrijnë shpëtimin: paqen, lumturinë dhe mirësitë. Siç lexojmë:
"Ata që e pranojnë të Dërguarin (Muhammedin), Pejgamberin arab, (që nuk shkruan as nuk lexon), të cilin e gjejnë të cilësuar (të përshkruar me virtytet e tij), te ata në Tevrat dhe në Inxhil, e që i urdhëron ata për çdo të mirë dhe i ndalon nga çdo e keqe, u lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshmet, dhe heq nga ata barrën e rëndë të tyre dhe prangat që ishin mbi ta. Pra, ata të cilët e besojnë atë, e nderojnë dhe e ndihmojnë atë dhe veprojnë me Dritën që u zbrit me të, të tillët janë të shpëtuarit." (Sure A'raf: 157)
Në shoqëritë ku njerëzit nuk jetojnë sipas parimeve të Kur'anit, disa rregulla të ashpra pa nevojë i bëjnë jetërat e njerëzve të vështira dhe bëjnë që shumë probleme të mbeten të pazgjidhura. Parimet dhe botëkuptimi i ushqyer në mendjet e njerëzve vendosin rregulla dhe ndalesa të reja dhe përmes këtyre kufizimeve, i nënshtrojnë njerëzit ndaj trysnisë së panevojshme. Për shembull, mund të ndalohet ndonjë ushqim i lejuar. Ose, sjellja e njerëzve mund të kufizohet për arsye se veprime të caktuara shpallen të palejueshme. Çdo shoqëri ka disa rregulla dhe praktika që burojnë prej vet kulturës dhe interesave të tyre. Edhepse ato nuk shprehen gojarisht, ato praktikohen dhe zbatohen në përgjithësi, prej të gjithë pjesëtarëve të shoqërisë.
Në fund të fundit, njerëzit përpiqen të dëshmohen tek të tjerët dhe paraqesin vetveten sikur ata të kishin cilësi superiore. Rrjedhimisht, nën rregullat dhe kufizimet shtypëse të shoqërisë, njerëzit nuk mund të flasin lirshëm, të qeshin apo të jetojnë siç kanë dëshirë, sepse jetojnë nën kërcënimin e vazhdueshëm shoqëror të poshtërimit, dënimit apo përgojimit.
Njerëzit të cilët nuk e njohin Allahun, që nuk e mbështesin besimin e tyre në Të dhe nuk i nënshtrohen Atij dhe që nuk jetojnë në pajtim me parimet e Kur'anit bëhen strehë e shqetësimeve të panumërta: e frikës për të ardhmën, të mbeturit vetëm, e plakjes, e pësimit të një aksidenti, e vdekjes, e përjetimit të rrezikimit të shëndetit të fëmijëve të tyre, humbjes së pasurisë, dështimit në biznes apo martesë, të qenit i privuar nga një shkollim i mirë dhe kështu me rradhë.
Të gjitha këto janë burim i ankthit aspak të palehtësuar. Padyshim, parimet morale të Kur'anit u mundësojnë njerëzve t'ju shmangen shqetësimeve të tilla, sepse njerëzit që janë të larguar prej vlerave të Islamit janë të pavetëdijshëm se çdo gjë ndodhë me Vullnetin e Allahut dhe se gjithçka është e paracaktuar. Ata nuk arrijnë të gjykojnë se ndodhitë e mira dhe të këqija në jetë janë sprova dhe se Allahu dhuron dhe është pronar i të gjitha mirësive dhe bukurive. Për këtë arsye, shoqëritë e përbëra prej individëve të tillë karakterizohen me tendosje, kaos, shqetësim, ankth dhe pasiguri.
Një shoqëri e përbërë prej njerëzve të cilët zbatojnë parimet morale të Kur'anit është imune ndaj gjërave të tilla negative, gjë që mund të vërehet në përsosmërinë morale të pjesëtarëve të saj. Të tillët mbështesin besimin e tyre në Allahun dhe janë këmbëngulës dhe poashtu tregojnë mëshirë, dhembshuri dhe dashuri. Të përulur dhe të kënaqur thellë në qenien e tyre, ata ndiejnë qetësi dhe ngushëllim që jetojnë në pajtim me fenë e përshkruar prej Allahut. Siç porositë Kur'ani, ata nuk i frikësohen askujt pos Tij dhe punojnë për të fituar kënaqësinë e Tij mbi çdo gjë tjetër. Ata e dijnë se çdo mirësi që gëzojnë është prej Allahut dhe se humbja e çdo gjëje të shtrenjtë është sprovë prej Allahut dhe kështu ruajnë qetësinë e tyre kur arrijnë sukses apo kur ndeshen me ndonjë ndodhi të papritur. Ata poashtu nuk reagojnë pa menduar kur përballen me vështirësi apo probleme.
Kur'ani qartë shpjegon atë që është e ligjshme dhe e paligjshme dhe shpjegon në hollësi parimet morale me të cilat Allahu është i kënaqur. Për këtë arsye, rregullat e vetma që udhëheqin jetën e besimtarëve janë ato që përmenden në Kur'an, sepse ai paraqet gjykimet që i përshtaten natyrës së njeriut duke siguruar një lehtësim të ndërgjegjës dhe duke sjellur qetësi dhe siguri. Allahu pohon se Ai ka për qëllim t'ua lehtësojë njerëzve barrat e rënda të tyre, si vijon:
"All-llahu dëshiron t'ju sqarojë çështjet e t'ju drejtojë në rrugën e atyre që ishin para jush (pejgamberët) dhe t'ju pranojë pendimin. All-llahu e di më së miri gjendjen e robërve dhe është më i Urti. All-llahu dëshiron t'ju pranojë pendimin, e ata që ndjekin dëshirat e epsheve, dëshirojnë që ju të shmangeni në tërësi (nga rruga e drejtë). All-llahu dëshiron t'ju lehtësoj (dispozitat), e megjithatë njeriu është i paaftë (për të përballuar epshet)." (Sure Nisa: 26-28)
Bediuzzaman Said Nursi shpjegon parajsën shpirtërore që do ta gëzojnë ata, pikërisht në këtë jetë, të cilët jetojnë në pajtim me Kur'anin dhe urdhërat e tij:
Në momentin që e pashë këtë botë në mes të errësirës, zemra, shpirti dhe mendja ime dhe të gjitha aftësitë e mia njerëzore, vërtet, të gjitha grimcat e qenies sime, ishin të gatshme të qajnë dhe të klithin nga dhimbja. Por papritur, Emri i Allahut të Plotëfuqishëm i të Drejtit u ngrit në simbolin e të Gjithëdijshmit, dhe Emri i Mëshirëplotit në simbolin e Bujarit të Madh, Emri i të Gjithëmëshirshmit në simbolin (domethënë, në kuptimin e) Atij që falë gjithnjë, Emri i Ringjallësit në simbolin e Trashëguesit, Emri i Dhuruesit të Jetës në simbolin e Zemërgjerit dhe Emri i Mbështetësit u ngrit në simbolin e Zotëruesit. Ato praruan dhe mbushën me dritë shumë botëra brenda botës së njerëzimit. Duke hapur dritaret e botës së ndritshme të jetës së përtejme, ato shpërndanë drita mbi botën e errët të njeriut. (Nursi, "Letrat: Letra e 29-të")
Allahu pajisi njerëzimin me një natyrë që kurrë nuk gjenë qetësi dhe prehje në një sistem jo-Islam. Duke nënvizuar dallimin në mes të besimtarëve dhe mosbesimtarëve, kjo cilësi e besimtarëve bëhet më e dukshme në Ahiret. Ata të cilët nuk jetojnë në pajtim me Kur'anin janë të dëshëpruar, ndërsa besimtarët përjetojnë lumturi të madhe:
"E kur të vijë ajo Ditë (e Gjykimit), askush nuk do të flasë, pos me lejen e Tij, e prej tyre (të tubuarve), ka fatzi dhe fatbardhë." (Sure Hud: 105)