"Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur'anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij." (Sure Hixhr: 9)
Njëra prej vetive më të rëndësishme të Kur'anit është se ka arritur tek ne në po atë formë në të cilën iu shpall Profetit tonë (saas). Në: "Ne e zbritëm Përkujtuesin, dhe Ne do ta mbrojmë atë" (Sure Hixhr: 9) Allahu premtoi se do ta mbrojë atë.
Shkrimet Hyjnore që u shpallën para Islamit humbën format e tyre origjinale me kalimin e kohës; ata janë ose të mangëta ose nuk janë plotësisht të sakta. Mirëpo, në rastin e Kur'anit, Allahu vendosi shpalljet në kujtesën e Profetit tonë (saas). Veç kësaj, pasiqë ai pranoi secilën shpallje, Profeti (saas) u tha Shoqëruesve të tij të shumtë t'i shkruajnë ato, duke siguruar në këtë mënyrë ruajtjen e tij në formën e tij origjinale tekstuale. Kalifi Ebu Bekër (632-634) e kishte grumbulluar Kur'anin në një kopje të vetme, dhe Kalifi Uthman (644-656) dërgoi kopjet e tij në qytetet e rëndësishme Islamike. Vargjet në vijim shpjegojnë mënyrën se si Profeti jonë (saas) u përpoq të mbaj në mend shpalljet dhe mënyrën se si Allahu i ndihmoi atij ta bëjë këtë:
"Ti (Muhammed) mos shqipto atë (Kur'anin) me gjuhën tënde për ta nxënë atë me të shpejtë! Sepse Ne e kemi për detyrë tubimin dhe leximin e tij. E kur ta lexojnë atë ty, ti përcille me të dëgjuar leximin e tij. Dhe pastaj është obligim i Yni që ta shpjegojmë atë." (Sure Kijame: 16-19)
Siç pohohet në këto vargje, Profeti jonë (saas) e mbajti në mend Kur'anin në mënyrë unike, sepse Allahu i rrënjosi vargjet e tij në mendjen e tij. Meqenëse Shoqëruesit e tij i shkruajtën të gjitha gjersa ai ishte ende gjallë, në pajtim me premtimin e Tij, secila prej shkronjave të tij ka mbetur e pandryshuar që nga fillimi i shpalljes së tij mbi 1,400 vjet më parë. Prandaj, shpallja e Allahut ka mbijetuar e paprekur deri në ditët tona.
Mungesa në Kur'an e çfarëdo kundërthënie dhe mospajtimi të brendshëm poashtu tregon se është prej Allahut dhe është imun ndaj ndryshimeve. Kur'ani është nga brenda i qëndrueshëm dhe në harmoni të plotë me zhvillimet historike dhe zbulimet shkencore. Kjo veti është aq e sigurt dhe e qartë sa që Zoti ynë pohoi:
"A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kur'anin? Sikur të ishte prej dikujt tjetër, përveç prej All-llahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie." (Sure Nisa: 82)
Shumë kundërthënie mund të gjehen në librat e zakonshëm. Mirëpo, çdo fjalë e Kur'anit është në harmoni të plotë me të tjerat. Veç kësaj, Kur'ani ofron informacion për gjeneratat e mëparshme, komunitetet, format e ndryshme të administrimit, strategjitë ushtarake dhe për shumë çështje tjera, si edhe për ngjarjet e të kaluarës dhe të ardhmës. Kur'ani është gjithashtu në harmoni absolute me faktet historike si edhe me të gjitha zhvillimet që ndodhën pas shpalljes së tij. Për shembull, vargjet e para të Sures Rum (Perandoria Bizantine) shpallin se Perandoria Bizantine do të pësonte një disfatë të rëndë, por megjithatë do të ishte fitimtare pak kohë pas kësaj, si vijon:
"Elif, Lamë, Mimë. Bizantinët (Romakët) u mundën, në tokën më të ulët, por pas disfatës së tyre, ata do të ngadhënjejnë, brenda pak viteve. Çështja është vendim i All-llahut, fillim e mbarim (për disfatë dhe për fitore)." (Sure Rum: 1-4)
Këto vargje u shpallën rreth vitit 620, gadi 7 vjet pasiqë Persianët idhujtarë mposhtën Bizantinët e Krishterë. Në të vërtetë, Bizanti ishte mposhtur aq rëndë sa që vet mbijetesa e tij ishte në pikëpyetje. Pra fitorja e parashikuar e tij dukej e pamundshme për shumë njerëz, duke përfshirë Arabët politeist.
Në Dhjetor të vitit 627, perandoritë Bizantine dhe Persiane zhvilluan një betejë vendimtare në Nineveh. Këtë herë, Bizantinët papritur mposhtën Persianët. Disa muaj më vonë, Persianët u detyruan ta bëjnë një marrëveshje me Bizantin, e cila i obligonte ata t'i kthejnë territoret e Bizantit. Në fund, "fitorja e Romakëve" që Allahu e premtoi në mënyrë të mrekullueshme u realizua. Ky shembull i vetëm ofron dëshmi se Kur'ani është Fjala e Allahut.
Një veti tjetër e Kur'anit është se ai përmban fakte kyçe në lidhje me shumë çështje (për shembull, për astronomi, fizikë dhe biologji), në një kohë kur njerëzit kishin shumë pak dijeni për gjëra të tilla. Kur'ani iu shpall banorëve të shekullit të shtatë të Arabisë, shoqëria e të cilëve përmbante shumë besime paragjykuese dhe të pabaza që merreshin si "shkencore." Duke mos pasur teknologjinë për ta studiuar gjithësinë dhe natyrën, ata besonin në legjenda të trashëguara prej gjeneratave të kaluara. Për shembull, ata mendonin se mallet mbështetnin qiellin, se Toka ishte e rrafshët dhe kishte male të larta në të dy skajet e saj dhe se këto male shërbenin si shtylla për të mbajtur kupën qiellore lart mbi kokat e tyre. Kur'ani mënjanoi paragjykimet/bestytnitë e tilla, siç lexojmë në:
"All-llahu është Ai që ngriti qiejt pa ndonjë shtyllë. Ju i shihni ato…" (Sure Rra'd: 2)
Disa të vërteta shkencore vetëm tani së voni të zbuluara me anë të teknologjisë u shpallën në Kur'an 1,400 vjet më parë. Faktet e tilla janë dëshmi tjera se Kur'ani është Fjala e Allahut (Për informacion më të hollësishëm, shiko Mrekullitë e Kur'anit të Harun Jahjasë, Botimet e Al-Attique të vitit 2000)
Kur'ani është i shkruar në një gjuhë me një bukuri dhe pasuri të pakrahasueshme sa që ia kalon të folurit e rëndomtë. Në kohën e shpalljes së tij, poetët Arab garonin me njëri tjetrin për të krijuar veprat më të mira letrare. Mirëpo, stili në mënyrë unike i bukur i Kur'anit fitoi admirimin e tyre dhe nuk mund e të mos pranonin natyrën e tij të mrekullueshme në kuptimin letrar.
Nëse e lëmë këtë anash, një kod matematikor i ndërlikuar, fare i pakapshëm për inteligjencën njerëzore, është i rrënjosur në ndërtimin e Kur'anit. Disa fjalë të lidhura përsëriten në numër të njëjtë në Kur'an. Për shembull: fjala ditë përsëritet 365 herë, ditët përsëritet 30 herë, muaji përsëritet 12 herë, shejtan dhe engjull përsëritet 88 herë, bota/dynjaja dhe jeta e përtejme/ahireti përsëriten 115 herë, vera-nxehtësia dhe dimri-të ftohtit përsëriten 5 herë, ndëshkimi përsëritet 117 herë, falja përsëritet 234 herë (dyfishi i fjalës ndëshkim), pasuria përsëritet 26 herë dhe varfëria përsëritet 13 herë.
Fakte të tilla qartë tregojnë se Kur'ani është Fjala e Allahut, jo e njerëzimit. Ajo është shpallje e Allahut Profetit Muhammed (saas) dhe ka mbetur e pandryshuar që prej se u shpall.
Allahu shpreh këtë veti superiore si vijon:
"E në qoftë se dyshoni në atë që Ne ia shpallëm gradualisht robit Tonë, atëherë silleni ju një kaptinë të ngjashme me të (Kur'anin) dhe thirrni (për ndihmë) dëshmitarët tuaj (zotërat) pos All-llahut, nëse jeni të sinqertë (në thëniet tuaja se Kur'ani nuk është prej Zotit). E mos e paçit bërë (deri më tash), e as që do ta bëni kurrë (edhe në të ardhmën), atëherë ruajuni Zjarrit, lëndë e të cilit janë njerëzit dhe gurët, që është i përgatitur për mosbesimtarët." (Sure Bekare: 23-24)
Thuaj: "Edhe sikur të bashkoheshin njerëzit dhe xhinët për të sjellë të ngjashëm me Kur'anin, ata nuk do të mund të bënin si ky sado që do ta ndihmonin njëri - tjetrin." (Sure Isra: 88)