"A thua mos po kërkojnë gjykimin e Kohës së Injorancës? Po për një popull që bindshëm beson, a ka gjykim më i mirë se ai i All-llahut?" (Sure Maide: 50)
Të Dërguarit e Allahut dhe Kur'ani janë udhëzuesit e vetëm për besimtarët, siç lexojmë në:
"Thuaj: 'A të kërkojë Zot tjetër pos All-llahut, e Ai është Zot i çdo sendi?'" (Sure En'am: 164)
Mirëpo, mosbesimtarët gjejnë dhe pasojnë udhëzues dhe udhëheqës tjerë pos Allahut, ndjekin ideologji dhe lëvizje të padrejta dhe kështu jetojnë në lajthitje të plotë. Por, kur vdesin dhe shohin mundimin e përjetshëm të Ferrit (Xhehenemit), do ta pranojnë këtë mashtrim të madh: "Dhe thonë: 'Zoti ynë, ne i dëgjuam udhëheqësit tonë dhe të parët tonë, por ata na shmangën nga Rruga e Drejtë'" (Sure Ahzab: 67) dhe shfaqin pendimin e tyre.
Faktorët që përcaktojnë qëndrimet dhe besimet e shumicës së këtyre njerëzve, të cilët shtiren si të paditur për atë që do t'u ndodhë atyre pas vdekjes, janë rregullat, parimet dhe zakonet e shoqërisë. Duke i pasuar paraardhësit e tyre, shoqërinë që i rrethon apo udhëheqësit e tyre, këta njerëz devijojnë, sepse çdo mendim apo qëndrim që nuk është në pajtim me Kur'anin është i mangët.
Besimtarët, në anën tjetër, veprojnë në përputhje me urdhërat e Allahut dhe me përpikmëri ju shmangen të gjitha mendimeve dhe qëndrimeve të ndaluara, pa marrë parasysh kohën dhe vendin. Kurdo që bëjnë diçka apo sjellin një vendim, ata i referohen Kur'anit dhe Sunnetit të Profetit tonë (saas) dhe marrin parasysh urdhërin e Allahut në lidhje me atë situatë të veçantë. Ata sillen në pajtim me urdhërat e Kur'anit dhe jo në pajtim me trillet dhe dëshirat e tyre, zakonet e padrejta shoqërore apo zakonet e trashëguara. Vërtet, Allahu u thot besimtarëve:
"Dhe ky është Libër dobiprurës që Ne e zbritëm, përmbajuni atij dhe ruajuni ashtu që të mëshiroheni." (Sure En'am: 155)
Ata që nuk e pranojnë Allahun si Gjykatësin e vetëm, që u kundërvihen urdhërave të Tij apo sajojnë gjykime të tjera pos të Tij devijojnë nga rruga e drejtë. Ata i konsiderojnë normat dhe zakonet e shoqërive të tyre më të shtrenjta se urdhërat e Allahut dhe qëndrojnë këmbëngulës dhe të paepur në këtë qëndrim. Edhepse ndërgjegja e tyre pranon këtë të vërtetë, ata refuzojnë urdhërat e Allahut nga mendjemadhësia dhe fanatizmi. Në Kur'an, Allahu na njofton për njerëz të tillë, si vijon:
E kur u thuhet atyre (idhujtarëve): "Pranoni atë që All-llahu e shpalli," ata thonë: "Jo, ne ndjekim atë rrugë në të cilën i gjetëm prindërit tanë." Edhe sikur prindërit e tyre të mos kenë kuptuar dhe të mos jenë udhëzuar në rrugën e drejtë (ata do t'i pasonin)? (Sure Bekare: 170)
Ja pra, Ne nuk kemi dërguar para teje Paralajmërues (Pejgamber) në ndonjë vendbanim, që të mos i ketë thënë paria e pasur e tij: "Ne i gjetëm të parët tanë në këtë fé dhe ne jemi të orientuar gjurmëve të tyre." Thuaj: "A edhe nëse ju kam sjell rrugë më të mirë nga ajo që i gjetët të parët tuaj?" Ata thonë: "Ne nuk i besojmë asaj me çka ju jeni dërguar!" (Sure Zukhruf: 23-24)
Ky qëndrim vetëm se pengon njerëzit të përqafojnë Islamin dhe të besojnë në Allahun. Për shembull, Faraoni dhe krerët e popullit të tij thanë: "A keni ardhur te ne të na largoni nga ajo që adhuruan baballarët tonë dhe të bëheni sundues në tokë? Ne nuk ju besojmë. (Sure Jusuf: 78), kur Profeti Musa (as) dhe vëllau i tij Profeti Harun (as) i thirrën ata që të adhurojnë Allahun dhe t'i nënshtrohen Atij.
Në të njëjtën mënyrë, populli i Profetit Shuajb (as) pyeti: "O Shuajb, a namazi yt po të thotë të na urdhërosh që ta braktisim atë që adhuruan prindërit tonë, ose të mos punojmë me pasurinë tonë ashtu si të dëshirojmë?" (Sure Hud: 87), dhe pastaj kundërshtuan. Siç pohojnë këto vargje, njerëzit e thirrur në rrugën e Allahut nga ana e Profetëve gjithmonë përgjigjen: "Argumenti juaj nuk është në pajtim me rrugën që baballarët dhe stërgjyshërit tonë pasuan."
Në çdo kohë, njerëzit reaguan ndaj udhëzimeve të Profetëve me armiqësi dhe kundërshtim dhe këmbëngulën në qëndrimin e tyre. Pra, të gjithë Profetët thirrën njerëzit të adhurojnë Allahu, t'i nënshtrohen Atij, ta pasojnë në mënyrë të sinqertë fenë e Tij dhe ta adhurojnë vetëm Atë duke kërkuar vetëm kënaqësinë e Tij.
Profeti jonë (saas) gjithashtu i thirri njerëzit t'i nënshtrohen vetëm Allahut dhe t'i binden urdhërave të Tij. Kur'ani na tregon se në Ditën e Gjykimit, njerëzit do të jenë përgjegjës për bindjen apo mosbindjen ndaj urdhërave të Allahut. Në Kur'an, Allahu paralajmëron ata të cilët adhurojnë zotëra tjerë përveç Tij dhe sajojnë religjion të ri të shtrembëruar duke u mbështetur në trillet e tyre me këto fjalë:
"A mos kanë ata ortakë (zotëra ose idhuj) që u përcaktuan atyre fé, të cilën nuk e urdhëroi All-llahu? Po, sikur të mos ishte fjala vendimtare (e All-llahut që shpërblimi dhe ndëshkimi të jenë në ahiret), do të kryhej dënimi mbi ta, e megjithatë, mohuesit do të kenë dënim të dhimbshëm." (Sure Shura: 21)
Në një varg tjetër, Zoti ynë urdhëron:
"Po a nuk u mjaftoi atyre që Ne ta shpallëm Librin, i cili u lexohet atyre? E s'ka dyshim se kjo është dhuratë e përkujtim për njerëz që duan të besojnë". (Sure Ankebut: 51)
Siç pohojnë këto vargje, disa prej atyre që refuzojnë udhëzimin e të Dërguarve bëjnë ashtu në emër të feve të rrejshme të sajuara nga njeriu dhe akuzojnë të Dërguarit për shtrembërim të kësaj feje. Ndryshe, duke e konsideruar argumentin e Allahut dhe të Dërguarin e Tij si të pamjaftueshëm, ata sajojnë fe të rrejshme. Mirëpo, qëndron fakti se Kur'ani që na e zbriti Allahu mjafton për njerëzit.
Besimtarët nuk merakosen për besimin dhe praktikat e lidhura me besimin e njerëzve tjerë, sepse ata i kushtojnë vëmendje vetëm urdhërave të Allahut dhe zakoneve të Profetit tonë (saas). Shpallja e Kur'anit u dha fund besimeve dhe praktikave të padrejta të shumë njerëzve. Profeti ynë (saas), që nuk përfilli akuzat dhe armiqësinë e njerëzve, u mbështet fuqishëm në Allahun dhe Kur'anin. Në ditët tona, besimtarët duhet të mbështeten fuqishëm në Allahun, Kur'anin dhe Sunnetin e Profetit tonë (saas) dhe kurrë të mos kërkojnë rrugë tjetër pos asaj të Kur'anit.
Njëra prej ideve të gabuara më të mëdha e atyre që pasojnë mendimin e shumicës, që nuk përfillin vendimet e Allahut dhe kështu janë larg prej vlerave të Islamit është besimi i gabuar që "shumica gjithmonë përfaqëson të vërtetën." Siç lexojmë në Kur'an, shumica e njerëzve nuk janë në rrugë të drejtë: Në qoftë se u bindesh shumicës (mohuese që janë) në tokë, ata do të largojnë ty nga rruga e All-llahut. Ata nuk ndjekin tjetër vetëm supozime dhe nuk janë tjetër vetëm se rrenacakë. (Sure En'am: 116).
Poqese vendimet e shumicës nuk janë në pajtim me Kur'anin, ato nuk pasqyrojnë të vërtetën, sepse natyra e drejtë e një lëvizjeje nuk përcaktohet prej asaj se sa njerëz e pasojnë atë. Ky varg poashtu pohon se mendimet e shumicës së njerëzve mbështeten në supozime dhe prandaj largojnë shumë njerëz nga rruga e drejtë.
Largimi nga urdhërat e Allahut për t'iu bashkangjitur vendimeve të shumicës i bën ata humbës si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër, sepse ata mbeten krejtësisht të vetmuar: "Ata shkatërruan vetveten dhe u shkoi huq trillimi që e bënin." (Sure A'raf: 53). Ndërrimi i shpalljes së Allahut me një trillim bën që njerëzit të vuajnë zhgënjim të madh:
E kush është më mizor se ai që trillon për All-llahun? Të tillët paraqiten para Zotit të tyre, e dëshmitarët thonë: "Këta ishin të cilët gënjyen ndaj Zotit të tyre, pra mallkimi i All-llahut qoftë kundër mizorëve!" (Sure Hud: 18)
"E kush është më mizor se ai që shpif gënjeshtër ndaj All-llahut, ose përgënjeshtron të vërtetën pasi t'i ketë ardhur ajo? Po, a nuk është Xhehennemi vend për jobesimtarët?" (Sure Ankebut: 68)
Në anën tjetër, besimtarët i nënshtrohen sinqerisht urdhërit të Allahut. Përsosmëria morale pasuese e tyre shpjegohet në vargjet në vijim:
"Zoti ynë ka përfshirë me diturinë e vet çdo send, ne ju kemi mbështetur All-llahut. Zoti ynë, vendos mes nesh dhe mes popullit tonë gjykimin tënd të drejtë, se Ti je më i miri gjykatës." (Sure A'raf: 89)
"Unë nuk mund të largoj prej jush asnjë send nga caktimi i All-llahut, vendimi nuk është i tjetërkujt vetëm i All-llahut, vetëm Atij iu kam mbështetur dhe vetëm Atij le t'i mbështeten ata që besuan." (Sure Jusuf: 67)
Thuaj: "O All-llah, Krijues i qiejve e i tokës, Njohës i të fshehtës edhe i të dukshmës, Ti je që gjykon mes robërve Tu për atë që ata kundërshtoheshin." (Sure Zumer: 46)