Por këshillo, se vërtet këshilla u bën dobi besimtarëve.
(Sure Dharijat: 55)
Në jetën e kësaj bote, Allahu u jep njerëzve një jetë mjaft të gjatë për të marrë mësim nga përkujtimet e shumta. Në thelb, ka shumë gjëra që i ndodhin një personi gjatë jetës së tij që duhet të konsiderohen si përkujtime. Për shembull, vdekjet që raportohen në lajme apo ato për të cilat jemi dëshmitar vet, duhet të merren si paralajmërime. Nga këta shembuj, Allahu na përkujton se edhe ne gjithashtu mund të takojmë vdekjen tonë në çdo moment. Po ashtu, edhe dobësitë fizike që ne nuk mund t’i parandalojmë janë përkujtime nga Zoti ynë. Siç u përmend më herët, Allahu i krijon këto dobësi në njeriun për ta bërë atë ta kuptojë se kjo botë nuk është e denjë për të qenë të përkushtuar ndaj saj. Përveç kësaj, humbja e mirësive të caktuara ose ndonjë fatkeqësi mund të jenë gjithashtu përkujtim nga Allahu. Edhe pse një person mund të jetë shumë i bukur apo i pasur, me vullnetin e Allahut, mund të mjaftojë vetëm një çast për të humbur bukurinë ose pasurinë e tij.
Mos harroni kurrë se secili prej këtyre rasteve është thjesht përkujtim nga Allahu për robërit e Tij si mëshirë, dhe se ne duhet të reflektojnë për to, dhe të vazhdojmë të ecim në rrugën e drejtë në të cilën Ai na thërret. Megjithatë, siç është cekur në Kur'an, ndërsa këto përkujtime u bëjnë dobi besimtarëve, ato vetëm sa i shqetësojnë ata të cilët janë mendjemëdhenj ndaj Allahut:
Prandaj këshillo, nëse këshilla do të jetë e dobishme! Asaj do t’ia vërë veshin ai që (i) frikësohet (Allahut), e do t’i shmanget vetëm më i keqi. (Sure A'la: 9-11)
Përsëri, mos harroni kurrë se Allahu ka dërguar Kur’anin si udhërrëfyes për njerëzimin, paralajmërim dhe këshillë, siç është cekur në Kur'an:
Në të vërtetë, Ne kemi paraqitur me hollësi në këtë Kur’an shpalljet Tona, që ata (jobesimtarët) t’ua vënë veshin, por kjo vetëm ua ka shtuar atyre largimin (nga e vërteta). (Sure Isra': 41)
Ka shumë ajete në Kur'an të cilat lidhen me faktin se njerëzve u janë dhënë shumë përkujtime dhe paralajmërime. Prandaj, kushdo që i shpërfill dhe ua kthen shpinën atyre meriton të ndëshkohet. Kjo është bërë e qartë në Kur’an si vijon:
Si këshillë për ata. Ne nuk jemi asnjëherë të padrejtë.(Sure Shu'ara': 209)
Ai i paralajmëroi ata për fuqinë e dënimit Tonë, por ata i vunë në dyshim paralajmërimet. (Sure Kamer: 36)
Asnjëherë mos harroni se të gjithë përkujtimet që i merrni në të vërtetë vijnë prej Allahut. Allahu i ka informuar robërit e vet, me anë të Dërguarve dhe librave të Tij, për urdhrat e Tij, dhe i ka bërë ata me dije se si duhet të sillen në mënyrë që ta kënaqin Atë. Allahu i ka ngarkuar besimtarët me detyrën që të urdhërojnë për punë të mira, të ndalojnë të keqen dhe të përkujtojnë të vërtetën. Prandaj, çdo përkujtim që merr një besimtar është i rëndësishëm. Kur’ani i këshillon njerëzit të urdhërojnë të mirën dhe të ndalojnë të keqen dhe ta përkujtojmë njëri-tjetrin për përgjegjësitë e tyre. Në këtë mënyrë, të Dërguarit e Allahut i paralajmëruan popujt e tyre në mënyrë që t’i shpëtojnë ata nga dënimi i përjetshëm:
Dikur, të gjithë njerëzit përbënin një bashkësi të vetme. Pastaj Allahu u dërgoi profetët me lajme të mira dhe paralajmërime. Bashkë me ata, Ai zbriti edhe Librin me të vërtetën, për t’i gjykuar njerëzit në çështjet për të cilat nuk pajtoheshin. Mirëpo, njerëzit u grindën midis tyre, pasi u erdhën shenjat e qarta, nga zilia që kishin për njëri-tjetrin. Atëherë, me vullnetin e Vet, Allahu i udhëzoi besimtarët që ta kuptonin të vërtetën, lidhur me çështjet për të cilat të tjerët nuk pajtoheshin. Allahu shpie në udhë të drejtë kë të dojë. (Sure Bekare: 213)
O ithtarë të Librit! Ju ka ardhur i Dërguari Ynë, që jua qartëson gjërat pas ndërprerjes së (vargut të) të dërguarve, për të mos thënë ju (kur të dënoheni), se nuk na ka ardhur asnjë që sjell lajme të mira e as ndonjë paralajmërues. Ja, ju erdhi ai që sjell lajme të mira dhe paralajmërime. Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë. (Sure Ma'ide: 19)
Kur’ani në mënyrë të përsëritur thekson rëndësinë e bindjes ndaj të dërguarve. Kjo është për shkak se, sapo që i dërguari t’ia përcjell porosinë e Librit dhe të fesë në mënyrë të qartë popullit të vet, nuk mbetet më asnjë justifikim që ata mund të bëjnë tek Allahu:
(Këta janë) të dërguar që kanë sjellë lajme të mira e kanë paralajmëruar, në mënyrë që njerëzit të mos kenë ndonjë justifikim ndaj Allahut, pas ardhjes së të dërguarve. Se, Allahu, është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm. (Sure Nisa': 165)
Thirrja në fe e Profetit Nuh drejtuar popullit të tij, këmbëngulja e tyre për ta refuzuar atë, dhe fundi i tmerrshëm që ata pësuan, të gjitha rrëfehen në Kur’an si mësime që duhet kujtuar nga gjeneratat që erdhën pas tyre:
Ne e dërguam Nuhun te populli i tij dhe i thamë: “Paralajmëroje popullin tënd para se t’i vijë një dënim i dhembshëm!” Ai tha: “O populli im! Në të vërtetë, unë jam për ju një paralajmërues i qartë: që të adhuroni Allahun, t’i frikësoheni Atij e të më bindeni mua, me qëllim që Ai të falë disa nga gjynahet tuaja dhe t’ju lërë (të jetoni) deri në një afat të caktuar. Dhe, kur t’ju vijë çasti i caktuar i Allahut, askush nuk do të mund ta shtyjë atë, veç sikur ta dinit”! Ai tha: “O Zoti im, unë e thirra vërtet popullin tim natë e ditë, por thirrja ime edhe më tepër i largoi (nga e vërteta). Sa herë, që i thirrja për t’i falur Ti, ata shtinin gishtërinjtë në veshë dhe mbuloheshin me petkat e tyre, duke këmbëngulur me mendjemadhësi (në mosbesim). Pastaj i thirra me zë të lartë. Më pas ua shpalla edhe botërisht, edhe fshehurazi e u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh”. (Sure Nuh: 1-10)
Ata thanë: “O Nuh, ti na kundërshtove ne, madje e zgjate kundërshtimin. Le të na godasë ajo me çfarë na kërcënon, nëse thua të vërtetën!” Tha (Nuhu): “Vetëm Allahu do t’jua sjellë atë, nëse dëshiron; e ju Atij nuk mund t’i ikni. Këshilla ime nuk do t’ju bëjë dobi edhe sikur të doja t’ju këshilloja, nëse vullneti i Allahut është që t’ju shkatërrojë. Ai është Zoti juaj dhe ju tek Ai do të ktheheni”. Nëse ata thonë: “Ai e ka trilluar atë”. Thuaj: “E nëse unë e kam trilluar, gjynahu im bie mbi mua e unë jam larg nga gjynahet që bëni ju”. Dhe Nuhut iu shpall: “Nga populli yt askush nuk do të besojë, përveç atyre që tashmë kanë besuar, andaj mos u pikëllo për atë që bëjnë ata! (Sure Hud: 32-36)
Një shembull tjetër i rrëfyer në Ku’ran është ai i fisit të Izraelit, të cilët nuk iu bindën paralajmërimeve që iu dërguan atyre, ose nuk i korrigjuan veprimet e këqija të tyre. Për këtë arsye, zemrat e tyre u ashpërsuan, dhe u privuan nga mëshira:
Me të vërtetë, Allahu mori besëlidhjen e bijve të Izraelit dhe nga mesi i tyre caktoi dymbëdhjetë mbikëqyrës dhe u tha: “Unë jam me ju! Në qoftë se do të kryeni namazin, do të jepni zeqatin, do të besoni të dërguarit e Mi, do t’i ndihmoni ata dhe do t’i jepni vullnetarisht hua Allahut, atëherë, patjetër që Unë do t’jua shlyej gjynahet dhe do t’ju shpie në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Por, kushdo nga ju që mohon pas kësaj, me të vërtetë, e ka humbur rrugën e drejtë. Për shkak se ata e thyen besëlidhjen e tyre, Ne i mallkuam ata dhe ua bëmë zemrat të ashpra. Ata i kanë shtrembëruar fjalët e Shkrimeve të shenjta dhe kanë harruar një pjesë të mirë nga ato këshilla. Ti (Muhamed) përherë do ta vëresh tradhtinë e tyre, përveç një pakice të tyre; pra, falua fajet dhe mos i qorto! Se, Allahu i do bamirësit. (Sure Ma'ide: 12-13)
Në Kur’an, Allahu rrëfen për metodat e ndryshme që kanë përdorur të dërguarit dhe besimtarët e sinqertë të cilët i pasuan ata për t’i udhëzuar popujt e tyre në fenë e Allahut. Periudha të rëndësishme në historinë e civilizimeve të kaluara janë rrëfyer në Kur’an, i vetmi udhëzim për në rrugën e së vërtetës i përcaktuar për qeniet njerëzore, në mënyrë që brezat pasues të mund të nxjerrin mësime:
Vallë, a presin ata ndonjë gjë tjetër, veç diçkaje të ngjashme me dënimin e atyre që kanë jetuar më parë? Thuaj: “Pritni, se edhe unë po pres me ju!” (Sure Junus: 102)
Asnjëherë mos harroni që këto përkujtime u bëjnë dobi vetëm atyre që kanë frikë Allahun, ndërsa ata që nuk e posedojnë këtë frikë nuk mund të reflektojnë për to e as të nxjerrin mësime prej tyre. Allahu rrëfen për këtë gjendje të mohuesve si vijon:
Sa për ata që mohojnë, njësoj është, i paralajmërove apo nuk i paralajmërove - ata nuk besojnë. Allahu i ka vulosur zemrat e tyre, ndërsa në veshët dhe sytë e tyre kanë mbulesë; ata i pret një dënim i madh. (Sure Bekare: 6-7)
T’ua kthesh shpinën paralajmërimeve të Zotit tonë, dhe të harrosh veprat që i ke bërë, është në të vërtetë “një gabim i madh.” Kështu, Allahu e ka turbulluar të kuptuarit e tyre dhe i ka privuar ata nga mirësitë e Tij. Kjo ngase ata janë prej atyre që kurrë nuk do të udhëzohen:
Kush është më i padrejtë se ai që, kur ia kujtojnë shpalljet e Zotit të vet, largohet nga ato dhe harron se ç’kanë bërë duart e tij më parë?! Ne kemi vënë perde në zemrat e tyre, që të mos e kuptojnë atë (Kuranin), dhe ua kemi rënduar veshët. Edhe sikur ti t’i thërrasësh ata në rrugën e drejtë, ata kurrë nuk do të udhëzohen. (Sure Kehf: 57)
Prapëseprapë, Allahu u ka dërguar paralajmërime atyre me anë të Kur’anit, duke iu dhënë mundësinë që ata të marrin mësim, sepse, dënimi me të cilin do të përballen do të tejkalojë atë që ata do të mund të përfytyronin. Mos harroni kurrë se gjendja e atyre që këmbëngulin për të mos i vënë veshin paralajmërimeve të Allahut do të jetë si vijon:
Por, kur e harruan atë për të cilën ishin paralajmëruar, Ne i shpëtuam ata që këshillonin, kurse i ndëshkuam ashpër keqbërësit, për shkak të mosbindjes së tyre. (Sure A'raf: 165)
Allahu, që i ka bërë urdhrat e Kur'anit të detyrueshme për ne, nuk dëshiron vështirësi për robërit e Tij. Përkundrazi, Ai e bën jetën e robërve të Tij të lehtë këtu në këtë botë, si dhe u jep atyre lajmin e gëzuar të Xhenetit, një vendbanimi pafundësisht të bukur ku ata do të hyjnë së shpejti. Allahu, i Gjithëmëshirshmi dhe Mëshirëploti, gjithashtu premton t’ua falë robërve të Tij që i luten Atij veprat e tyre të këqija. Duke qenë kështu, njeriu e ka për detyrë ta ketë frikën e Allahut dhe ta adhurojë Atë ashtu siç i takon Atij:
Kthehuni tek Zoti juaj dhe nënshtrojuni Atij, para se t’ju vijë dënimi, sepse atëherë nuk do të mund t’ju ndihmojë kush. Ndiqni më të mirën e asaj që ju është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi papritmas, pa e ndier atë, që të mos thotë njeriu: “Mjerë për mua që nuk i kam kryer detyrimet ndaj Allahut, madje, edhe jam tallur!” (Sure Zumer: 54-56)
Në të vërtetë, nëse një person ua vë veshin këtyre paralajmërimeve apo jo dhe sillet me përgjegjësi ndaj Krijuesit të Tij, apo shpërfill dhe e harron çdo këshillë që merr, e vërteta se ne të gjithë jemi duke nxituar drejt atij momenti kur çdo njeri do të thirret për të dhënë llogari për veprat e tij apo të saj mbetet. Allahu që nuk gabon dhe nuk harron kurrë, do t’i tubojë të gjithë njerëzit për të dhënë llogari:
... Do të ktheheni tek Ai që di të dukshmen dhe të padukshmen e Ai do t’ju njoftojë për atë që keni bërë.” (Sure Teube: 105)
Duke qenë kështu, mos harroni kurrë se një paralajmërim që ju mund ta dëgjoni mund të jetë paralajmërimi juaj i fundit nga Zoti juaj, shansi juaj i fundit. Nëse nuk doni të përjetoni vuajtjen e përjetshme, mos harroni se e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga ndëshkimi është që të pendoheni dhe të bëheni robër të vërtetë të Allahut.
Mos u bëni si ata që e harruan Allahun, kështu që Ai i bëri të harronin vetveten! Pikërisht ata janë të pabindurit. (Sure Hashr: 19)
Ju së shpejti do ta kujtoni atë që po ju them! Unë çështjen time ia lë Allahut, sepse Ai i sheh vërtet robërit e Vet” (Sure Gafir: 44)
Çfarë ju është këshilluar në këtë libër janë fakte që një person i cili beson në Allahun nuk e ka lejen ose mundësinë që të zgjedh të jetë mospërfillës. Sepse, kjo është një zgjedhje përfundimi i së cilës do të jetë një jetë e përjetshme në Xhenet ose në Xhehenem. Për këtë arsye, një person që i frikësohet Allahut, dhe është i sigurt për botën tjetër, në mënyrë rigoroze i shmanget çdo gjëje që ka të ngjarë ta vë në rrezik përfundimin e jetës së tij të përjetshme. Për të njëjtën arsye, ai e mirëpret çfarëdo këshille dhe përkujtimi që do të jetë i dobishëm për jetën e tij në botën tjetër. Të jesh krenar apo kryelartë, në anën tjetër, janë qëndrime të veçanta për jobesimtarët. I vetëdijshëm se çdo përkujtim ka për qëllim që ta shpëtojë atë prej Zjarrit, një besimtar reflekton me përulje për to.
Duke e imagjinuar veten përgjatë këtij muri, siç përmendet në Kur’an, janë kriteret e vërteta mbi të cilat bazohet sinqeriteti i njeriut në sjelljen e tij. Ky mur është vendi ku njeriu – ende i pasigurt se ku do të vendoset, edhe pse faktikisht mund ta shoh Xhenetin dhe Xhehenemin, respektivisht – pret ta dëgjojë gjykimin e Allahut lidhur me të. Ajetet përkatëse të Kur’anit janë si vijon:
Një mur do t’i ndajë ata, ndërsa në lartësitë e tij do të ndodhen njerëz, të cilët i njohin të dyja palët sipas tipareve. Ata do t’u thërrasin banorëve të Xhenetit: “Paqja qoftë mbi ju!” Ata nuk do të kenë hyrë ende në Xhenet, ndonëse shpresojnë. E kur t’i kthejnë sytë nga banorët e zjarrit, do të thonë: “O Zoti ynë! Mos na hidh midis këtyre njerëzve të këqij!” (Sure A'raf: 46-47)
Imagjino veten përgjatë këtij muri, diku midis Xhenetit dhe Xhehenemit: si ka mundësi që të keni harruar diçka që ka të ngjarë t’ju shpie në Xhehenem, ndërsa jeni atje në cepin e tij?
Në të njëjtën mënyrë, a do të mund ta shpërfillnit një paralajmërim që ka të ngjarë ta vë në rrezik arritjen e Xhenetit, derisa ai është aq afër? Ose, a do të mërziteshit nëse dikush do t’ua përkujtonte atë? Përkundrazi, ju do të ndiheshit mirënjohës ndaj atij personi për përkujtimin.
Këto kritere mbi të cilat përcaktohet sinqeriteti vlejnë gjithashtu edhe për peshojat e drejtësisë që do të vendosen për t’i peshuar veprat e njerëzve në Ditën e Gjykimit. Atë ditë, çdo njeri do të ketë nevojë për çdo vepër të mirë në emër të tij, edhe nëse ajo nuk do të peshojë më shumë se një grimcë e vogël. Po kështu, ai do të dëshirojë të largohet nga çdo vepër e keqe e tij, edhe nëse ajo nuk do të peshojë më shumë se një grimcë e vogël. Peshojat do të jetë aq të ndjeshme sa që edhe pesha e një grimce të vetme në njërën prej enëve të peshores mund të ndryshojë jetën e përjetshme të njeriut.
Prandaj, urdhërimi për punë të mira dhe ndalimi i së keqes, thirrja e njerëzve në rrugën e Allahut, dhe paralajmërimi i njerëzve për Ditën e Gjykimit, janë mirësi të mëdha për njeriun, i cili është i prirur të jetë harrestar. Arsyeja pse për banorët e Xhehenemit është caktuar Xhehenemi rrëfehet si vijon në Kur'an:
Ata të cilët e morën fenë për lojë dhe argëtim dhe u mashtruan nga jeta e kësaj bote”. Ne sot do t’i harrojmë ata, ashtu siç e patën harruar ata takimin e kësaj Dite dhe siç mohuan shpalljet Tona. (Sure A'raf: 51)
Duket se njerëzit janë më të prirur t’iu kushtojnë më shumë vëmendje çështjeve prej të cilave ata kanë ndonjë përfitim. Për shembull, nëse një personi i ofrohet një shumë e madhe e parave, nëse ai përmbush një detyrë deri në fund të ditës, mund të përfytyrojmë se me sa vëmendje dhe me çfarë përkushtimi do ta realizonte ai atë. Gjithashtu, ai do të ishte jashtëzakonisht vigjilent dhe i vëmendshëm po të dinte se pakujdesia e tij ose dështimi për ta përmbushur atë detyrë do të rezultonte me një dënim të ashpër.
Dëshira e besimtarëve, dhe syçeltësia e tyre ndaj pakujdesisë, rezultojnë nga besimi i patundur i tyre në botën tjetër, dhe në ekzistencë e Xhenetit dhe të Xhehenemit. Kjo është arsyeja pse besimtarët e veprojnë në përputhje me këtë të vërtetë gjatë gjithë jetës së tyre, dhe janë të përcaktuar që në fund të hyjnë në Xhenet "për atë që kanë punuar më parë në ditët që kanë kaluar." (Sure Hakka: 24)
Duke qenë kështu, kujtoni gjithmonë gjendjen e njerëzve të cilët presin në frikë në këtë mur ndarës. Kurrë mos harroni se ajo kohë dhe ai vend i përshkruar në Kur’an janë më të besueshme se realiteti në të cilin jetoni mu në këtë moment dhe se të gjitha përkujtimet që ju bëhen, bëhen vetëm e vetëm për t’iu thirrur drejt shpëtimit dhe jetës së amshueshme në Xhenet.