logo
HARUN YAHYA

Kurrë Mos Harroni T’i Luteni Allahut

Lutjuni Zotit tuaj me përulje dhe ngadalë! Njëmend, Ai nuk i do ata që e kalojnë kufirin. Dhe mos bëni çrregullime në Tokë, pasi është vënë rregulli, ndërsa Atij lutjuni me frikë dhe shpresë. Vërtet, mëshira e Allahut është afër punëmirëve.
(Sure A'raf: 55-56)

Kurrë mos harroni se Allahu është Zot i gjithë njerëzimit, duke përfshirë edhe veten tuaj, dhe se Ai është miku dhe ndihmëtari juaj i vetëm. Prandaj, mos harroni kurrë se kur kërkoni diçka, kërkojeni atë së pari prej Tij.

Lutja është një nga aktet më të rëndësishme të adhurimit e cila na afron më afër me Allahun. Nga natyra e tyre, të gjithë njerëzit ndiejnë nevojë për ta kryer këtë akt të adhurimit. Megjithatë, ndërsa ajo është një pjesë e nevojshme dhe e dëshirueshme në jetën e besimtarëve", një jobesimtar lutet vetëm në kohë të vështira. Kjo e fundit mund të mos pranohet nga Allahu, sepse ajo që është më e lavdërueshme është që të kërkoni ndihmë prej Allahut si në kohë të rehatisë ashtu edhe në vështirësi, domethënë, në çdo moment të jetës sonë. Kjo për arsye se, ai që i lutet Allahut është njeriu që e pranon dobësinë e tij përpara Allahut, dhe paaftësinë e tij për të arritur çfarëdo qoftë pa lejen e Tij.

Lutja shoqërohet me nënshtrim ndaj Allahut. Ai i cili lutet ia atribuon të gjitha përfundimet, qofshin ato të lehta apo të vështira, Krijuesit dhe Sundimtarit të gjithësisë. Dijenia se zgjidhja e një problemi, ose parandalimi i një gjendje të padëshirueshme, i takon vetëm Allahut, është burim lehtësimi dhe besimi për një besimtar. Sepse, duke iu lutur vetëm Allahut, dhe duke marrë vetëm Atë si mikun e vetëm të tij, kjo rrënjos në besimtarin një ndjenjë sigurie.

Megjithatë, këtu kemi nevojë të theksojmë një keqkuptim të zakonshëm: t’i lutemi vetëm Allahut nuk do të thotë të qëndrojmë duarkryq, të presim dhe të mos bëjmë asgjë. Një person duhet të ndjehet i sigurt për faktin se Allahu mban çdo gjë nën kontrollin e Tij. Ai duhet po ashtu të jetë i përpiktë që t’i fus në punë mjetet të cilat Allahu i ka treguar si zgjidhje. Ai i cili i lutet sinqerisht Allahut duhet po ashtu të përmbush “lutjet e veprave” në përputhje me rregullat e vendosura nga Allahu. Ajo që nënkuptojmë me “lutjet përmes veprave” këtu, është se njeriu duhet të bëjë më të mirën për të arritur një rezultat të dëshirueshëm. Për shembull, shfrytëzimi i të gjitha formave të kujdesit mjekësor është një formë e “lutjes përmes veprimit” që bëhet nga një person i sëmurë në mënyrë që të shërohet prej sëmundjes që ka. Lutja që njeriu ia drejton Allahut për shërim është një formë e lutjes verbale. Prandaj, lutja përmes veprave është një akt themelor i adhurimit që duhet gjithmonë ta shoqërojë lutjen gojore.

Ndërsa luteni, mos harroni kurrë që të jeni të sinqertë dhe t’i drejtoheni Allahut me një ndjenjë të thellë të përuljes në zemrën tuaj. Allahu është më afër njeriut se sa damari i tij i qafës. Ai di dhe dëgjon gjithçka. Lutja është mënyra më e lehtë për t’iu afruar Atij. As edhe një mendim i vetëm që përshkon mendjen tuaj nuk mund të mbahet i fshehtë nga dituria e Tij. Edhe pse puna qëndron kështu, megjithatë shumica e njerëzve nuk janë në dijeni se Allahu është i dijshëm për lutjet dhe dëshirat e të gjithëve. Ata mendojnë se Allahu i dëgjon vetëm disa prej lutjeve të tyre, apo se edhe në qoftë se Ai i dëgjon ato, Ai nuk u përgjigjet atyre. (Pa dyshim se Allahu është i pastër nga ajo që i përshkruajnë Atij). Kjo mënyrë e të gjykuarit është me të meta. Allahu i di edhe mendimet tona më të fshehta, çdo fjalë që ne mund ta shqiptojmë, dhe Ai u përgjigjet të gjithave. Allahu tërheq vëmendjen tonë për këtë fakt në Kur'an si vijon:

Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë. (Sure Bekare: 186)

Prandaj, mos harroni kurrë se nëse duam diçka, atë duhet ta kërkojmë vetëm nga Allahu. Të komunikojmë me Zotin tonë është shumë e lehtë.

Njeriu është i nxituar për nga natyra, një fakt që është theksuar edhe në ajetin, “Njeriu është krijuar i nxituar. Unë do t'jua tregoj shenjat e Mia, prandaj mos kërkoni të ngutem.” (Sure Enbija': 37) Kjo nguti nganjëherë mund të shfaqet edhe në lutjet e tij. Siç u tha më herët, njeriu gjithmonë pret një përgjigje të menjëhershme për lutjet e tij.

Megjithatë, duhet ta kemi parasysh se është Allahu Ai që e di se çfarë është e mirë për ne. Ne jemi njoftuar për këtë në Kur'an: "Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di kurse ju nuk dini." (Sure Bekare: 216) Kjo është arsyeja pse, kur një person kërkon diçka nga Krijuesi i tij, ai duhet të jetë i kënaqur me Të, pavarësisht nga rezultati, duke qenë i vetëdijshëm se vendimi i takon vetëm Allahut. Jo çdo gjë që ju dëshironi mund të jetë e mirë për ju. Prandaj, Allahu i përgjigjet lutjes, jo medoemos në mënyrën se si ne shpresojmë, por në mënyrën që Ai e gjykon të jetë më e drejta. Ka shumë të ngjarë se, që ju të bëheni më i ditur, Allahu mund ta përgatit karakterin tuaj ndryshe derisa të vijë koha që ju ta bëni atë. Ka mundësi po ashtu se Allahu do t’ua zëvendësojë dëshirën tuaj me diçka akoma më të mirë, por është duke e provuar durimin dhe besnikërinë tuaj.

Këshilla e Profetit Muhamed për besimtarët për mënyrën se si t’i luten Allahut është një shembull shumë i mirë për mënyrën se si duhet të sillet një besimtar:

Kur dikush prej jush mendon të ndërmarr diçka, le të lutet: "O Allah, unë Të konsultoj përmes Diturisë Tënde, dhe kërkojë forcë përmes Fuqisë Tënde, dhe kërkoj prej Begative Tuaja të mëdha, sepse Ti je I Aftë, ndërsa unë nuk jam dhe, Ti ke dije e unë nuk kam, dhe Ti je Njohësi i të fshehtave. O Allah, në qoftë se Ti e di se kjo gjë është e mirë për mua në lidhje me Fenë time, jetën time dhe pasojat e punëve të mia, atëherë caktoje atë për mua, bëje të lehtë për mua, dhe beko atë për mua. Por në qoftë se Ti e di se kjo gjë është e keqe për Fenë time, jetën time apo pasojat e punëve të mia, atëherë largoje atë prej meje, dhe më largo mua nga ajo, dhe më dhuro fuqi për të bërë mirë çfarëdo qoftë ajo, dhe bën që të jem i kënaqur me të. (Buhariu dhe Muslimi)

Në të vërtetë, Allahu na këshillon që të jemi të qëndrueshëm në faljen e namazit:

Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz! Kjo është njëmend e vështirë, përveçse për të devotshmit. (Sure Bekare: 45)

Mos harroni kurrë se këmbëngulja për t’u falur e pastron një besimtar, dhe e pajis atë me forcën e vullnetit dhe të karakterit. Si përgjigje për lutjet e tij, një besimtar arrin një gjendje më të lartë shpirtërore, e cila është më e vlefshme se çdo gjë tjetër që ai mund të kërkojë.

Megjithatë, ata që nuk e respektojnë Allahun ashtu siç i takon Atij ushqejnë dyshime në zemrat e tyre, duke menduar në mënyrë të gabuar se lutjet e tyre nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Megjithatë, një besimtar nuk ka dyshim se Allahu i dëgjon lutjet e tij, dhe se, në një farë mënyre, Ai u përgjigjet atyre. Ai është plotësisht i vetëdijshëm se asgjë nuk është jashtë kontrollit të Tij, dhe se çdo gjë ndodh sipas një fati të veçantë të paracaktuar. Prandaj, ai nuk ka asnjë dyshim se lutja e tij do të marrë përgjigje. Asnjëherë mos harroni që t’ia drejtoni lutjet tuaja Allahut pa dyshuar në sigurimin e ndihmës së Allahut, duke e ditur se thirrja juaj me siguri do të marrë përgjigje. Pavarësisht nga situata, beso në Zotin, sepse Allahu do që robërit e Tij të jenë afër Tij. Ajo është aq e lehtë për Allahun, që ju ka krijuar prej një pike uji dhe që krijoi gjithësinë nga asgjëja, për t'iu përgjigjur lutjeve tuaja. Kështu, gjithë çka ju duhet të bëni është që të luteni me besim dhe durim.

Lutja është një lidhje e veçantë mes njeriut dhe Allahut. Një person i ndanë të gjitha problemet e tij dhe dëshirat e tij me Allahun, ai e lut Atë. Allahu, që dëgjon çdo thirrje, kurrë nuk e lë atë pa përgjigje. Kjo është arsyeja pse Kur’ani nuk përcakton vetëm një mënyrë të adhurimit. Kur’ani e nxit njeriun “ta përmend Allahun duke qëndruar në këmbë, ulur dhe i shtrirë” (Sure Nisa': 103), që do të thotë se njeriu mund ta përmend Allahun dhe t’i lutet Atij në çdo kohë dhe në çfarëdo rrethane, pa qenë duke kryer domosdo ndonjë ritual apo ceremoni të veçantë. Kjo për shkak se, ajo që ka rëndësi nuk është shfaqja e jashtme, por sinqeriteti i njeriut...

Kjo mënjanë, nuk është e nevojshme që të jetë i caktuar një vend i veçantë për lutje. Mos harroni se ju mund të luteni në qendër tregtare, në rrugë, në makinë, në shkollë, në punë, domethënë, kudo. Gjithçka që ju duhet të bëni është që ta lironi mendjen tuaj nga mendimet boshe dhe të ndjeni afërsinë e Allahut me ju.

Mos harroni kurrë se një jetë pa lutje është e varfër në sytë e Allahut. Siç thotë ajeti i 77-të i Sures Furkan: “Zoti im nuk do t’ju përfillte, sikur të mos ishte lutja juaj.” Të qenit i vetëdijshëm për varësinë e tij e bën një person të dashur në sytë e Allahut. Për këtë arsye, njeriu duhet t’i kthehet Krijuesit të tij, t’ia pranojë Atij të metat e veta, dhe të kërkojë ndihmë vetëm prej Tij. Çdo sjellje tjetër e tij do të thotë shfaqje e kryelartësisë ndaj Allahut, dhe pësim i një dënimi të përjetshëm në Xhehenem.

Kurrë mos harroni se Allahu është i Gjithëmëshirshmi. Kush punon vepër të keqe ose e ngarkon veten me gjynahe, pastaj kërkon falje prej Allahut do të kuptojë se Allahu është Falës e Mëshirëplotë. (Sure Nisa': 110) Për këtë arsye, mbani mend se Allahu është Mëshirëploti dhe Gjithnjë-falësi, dhe lutjuni Atij me shpresë.

Pa marrë parasysh se sa i rëndë është gabimi që mund ta keni bërë, dhe ju ndjeni keqardhje të madhe për të, kjo nuk është një arsye që ju të humbni shpresën për faljen e Allahut. Kështu, pa marrë parasysh sa fajtor ndjehet një person, ai gjithmonë mund të shpresojë që ta gjejë Zotin e tij falës. Në fakt, Kur’ani na njofton se vetëm jobesimtarët janë ata të cilët e humbin shpresën në mëshirën e Allahut:

...Mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Shpresën në mëshirën e Allahut nuk e humb askush, përveç jobesimtarëve”. (Sure Jusuf: 87)

Në anën tjetër, mos harroni kurrë se askush nuk mund të garantojë se është i denjë për Xhenet. Askush nuk është i sigurt prej dënimit nga Zoti i tij. Kjo është arsyeja pse, kur i lutet Allahut, njeriu duhet të shpresojë në mëshirën e Allahut, por duhet po ashtu të ketë frikën e humbjes së kënaqësisë së Tij.

Pikërisht siç lutet ai me padurim për të arritur Xhenetin, mu ashtu duhet të lutet për shmangien e Xhehenemit. Me fjalë të tjera, përmes frikës së Xhehenemit, ai shpreson të arrijë Xhenetin. Ai i cili e kupton madhështinë e Allahut, që e ka frikën e dënimit të Tij, dhe që dëshiron të fitojë kënaqësinë e Tij, do t’i drejtohet Atij me sinqeritet dhe ndershmëri të çiltër. Gjithashtu, ai i cili i dorëzohet Allahut, dhe e konsideron Atë si mikun dhe ndihmëtarin e tij të vetëm, do t’ia paraqes Atij shqetësimet dhe dhimbjen e tij. Si në rastin e Profetit Ja’kub, i cili tha: "unë dhimbjen time dhe pikëllimin tim ia paraqes vetëm Allahut," (Sure Jusuf: 86), ai do t’ia paraqet vuajtjet e tij dhe kërkesat e tij vetëm Allahut dhe do të kërkojë ndihmë dhe mirësi vetëm prej Tij.

Mos harroni po ashtu se të lutesh thjesht për mirësitë e kësaj bote është një formë e josinqeritetit. Qëllimi i vërtetë i besimtarëve është Xheneti. Allahu ia dhuron mirësitë e kësaj bote atyre që i dëshirojnë vetëm ato. Mirëpo, nuk ka gjasa që ata ta arrijnë shpërblimin e lavdishëm të botës tjetër. Siç thuhet në Kur'an:

...Disa njerëz thonë: “Zoti ynë, jepna të mira në këtë botë!” Por, për këta, s’ka asnjë të mirë në botën tjetër. Por ka dhe të tjerë që thonë: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. Këtyre do t’u jepet shpërblim për atë që kanë bërë. Allahu është i shpejtë në llogari. (Sure Bekare: 200-202)

Në kohë të vështira, injorantët tërhiqen dhe i drejtohen Allahut me lutje. Megjithëse, kur t’ju lehtësohet gjendja, ata menjëherë kthehen në gjendjen e tyre të mëparshme të pakujdesisë, sikur të mos i ishin drejtuar asnjëherë Allahut. Domethënë, ata i drejtohen Allahut, si “mjet i fundit "." Ky qëndrim mosmirënjohës rrëfehet në Kur'an si vijon:

E, kur njeriun e gjen e keqja, atëherë Na lutet shtrirë ose ulur, ose në këmbë. E, sapo Ne ia largojmë të keqen, vazhdon rrugën, thuajse nuk Na është lutur për fatkeqësinë që e ka goditur. Kështu, plëngprishësve (që shkelin kufijtë e Allahut) iu zbukurohet ajo që punojnë. (Sure Junus: 12)

Ai ua mundëson (njerëzve) udhëtimin nëpër tokë dhe det. E, kur gjenden në anije që lundron me ta me erën e përshtatshme e ata i gëzohen kësaj, arrin një stuhi dhe i sulmojnë valët nga të gjitha anët e mendojnë se do t’i vënë poshtë, (atëherë) i luten Allahut sinqerisht, duke i premtuar besimin: “Nëse na shpëton nga kjo, me të vërtetë, do të jemi mirënjohës”. E kur Allahu i shpëton ata, ata përnjëherë pa kurrfarë të drejte bëjnë turbullira në Tokë. O njerëz! Vërtet, padrejtësia që bëni për t’u kënaqur në jetën e kësaj bote, vetëm ju dëmton. Pastaj ju do të ktheheni te Ne dhe Ne do t’ju njoftojmë për atë që keni punuar. (Sure Junus: 22-23)

Në fakt, nuk kalon asnjë moment i vetëm në të cilin njeriu nuk ka nevojë për Zotin e tij ... Pra, kurrë mos harroni t’i drejtoheni Zotit tuaj "... i përulur dhe me frikë, jo me zë të lartë, në mëngjes dhe mbrëmje" (Sure A'raf: 55, 205). Mos harroni se fundi i atyre që nuk arrijnë t’ia drejtojnë lutjet e tyre Allahut do të jetë dënimi i përjetshëm në Xhehenem:

Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem! Me të vërtetë, ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk duan të Më adhurojnë, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar”! (Sure Gafir: 60)

SHPERNDAJE
logo
logo
logo
logo
logo
Shkarkimet
  • Kurrë Mos Harroni!
  • Kurrë Mos Harroni Se Nuk Ka Zot Tjetër Pos Allahut
  • Kurrë Mos Harroni Se Udhërrëfyesi i Vetëm Është Kur’ani
  • Kurrë Mos Harroni Se Secili Moment Që e Jetoni Është Pjesë e Fatit Tuaj
  • Kurrë Mos Harroni Ekzistencën e Shejtanit i Cili Përpiqet Të Ju Largojë Nga Rruga e Drejtë
  • Kurrë Mos Harroni Se Kjo Botë Është Një Vendbanim i Përkohshëm dhe Një Sprovë
  • Kurrë Mos Harroni Se Vdekja Mund T’ju Vijë Në Çdo Moment
  • Kurrë Mos Harroni Se Dita E Ringjalljes Dhe Dita e Llogaridhënies Do Të Ndodhë Pa Dyshim
  • Kurrë Mos Harroni Se Vendbanimi i Jobesimtarëve Është Xhehennemi (Ferri), Vendbanimi i Ndëshkimit Të Amshueshëm
  • Kurrë Mos Harroni Se Vetëm Besimtarët e Sinqertë Do Të Hyjnë Në Parajsë, Vendbanimin e Shpërblimeve
  • Kurrë Mos Harroni T’i Luteni Allahut
  • Kurrë Mos Harroni Të Jeni Të Çiltër dhe Të Sinqertë me Allahun
  • Asnjëherë Mos Harroni Të Pendoheni dhe Të Kërkoni Falje për Veprat Tuaja Të Këqija
  • Përkujtimi u Bën Dobi Vetëm Atyre Të Cilët i Frikësohen Allahut
  • Kurrë Mos Harroni Se Allahu i Krijoi Të Gjitha Gjallesat
  • Mashtrimi i Evolucionit
  • Kurrë Mos Harroni! Se Allahu Është Një dhe i Vetëm…