...Nuk është gjynahnëse gaboni, por është gjynah, kur zemrat tuaja bëjnë faj me qëllim. Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.
(Sure Ahzab: 5)
Feja është e bazuar në parimin bazë të frikës ndaj Allahut. Vetëm ata që i frikësohen Allahut ashtu siç e meriton Atij mund të jenë sinqerisht të devotshëm. Kjo për shkak se, siç na informon Kur’ani, sinqeriteti është dispozita e atyre që ndjejnë një frikë të fuqishme ndaj Allahut dhe që angazhohen vetëm në veprat me të cilat Ai do të jetë i kënaqur. Asgjë nuk mund ta tremb një besimtar të sinqertë nga qëllimi i tij i vërtetë, ai shmang me kujdes veprat për të cilat nuk do të jetë në gjendje të jep llogari në Ditën e Gjykimit. Në një ajet të Kur’anit, Allahu ka tërhequr vëmendjen për këtë qasje më të mirën prej të gjithave:
Cili është më i mirë, ai që themelet e godinës së vet i vë në përkushtimin ndaj Allahut dhe në kënaqësinë e Tij apo ai që themelet e godinës së tij i vë në bregun e gërryer dhe që rrokulliset me të në zjarrin e Xhehenemit?! Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë popullin keqbërës. (Sure Teube: 109)
Kur'ani e përshkruan një besimtar, jo si një person që nuk bën gabime kurrë, por si dikë që bën gabime, por menjëherë pendohet dhe kërkon falje tek Allahu. Për çdo moment të jetës së tij, një besimtar që ka frikën e Allahut përpiqet të përvetësojë qëndrimin dhe sjelljen më të mirë. Edhe pse ai mund të pengohet ose të bëjë gabime kohë pas kohe, ndonjëherë të parëndësishme, ndonjëherë të mëdha, Kur’ani transmeton shumë gabime të bëra nga besimtarët. Megjithatë, ajo që është me rëndësi është që të jetë i vendosur të mos e përsëris gabimin, dhe që sinqerisht të heq dorë prej tij një herë e përgjithmonë. Në të vërtetë, është e pamundur që një person të mos gaboj gjatë jetës së tij pasi ta ketë përqafuar fenë, bota është një vend i sprovës dhe përgatitjes. Për më tepër, çdo gabim që ai bën përforcon vetëdijen e një besimtari për dobësitë e tij para Allahut. Allahu ka premtuar se do t’i falë ata që pendohen sinqerisht për keqbërjet e tyre dhe që i korrigjojnë gabimet e tyre.
Islami ofron lehtësinë dhe lirinë më të madhe. Megjithatë, për shkak se gabimet shkaktojnë reagime e ndryshme të pafavorshme nga shoqëria, shumica e njerëzve sillen në përputhje me kriteret e përcaktuara nga ajo. Në shoqëritë ku mbizotëron injoranca, njerëzit nuk janë të prirur ta falin dikë edhe nëse ai person i korrigjon gabimet e tij. Ai gabim shndërrohet në një njollë të përhershme të reputacionit të atij personi. Këto zakone shoqërore janë ato që i shtyjnë njerëzit injorant në josinqeritet. Ai mund të përpiqet ta lartësojë veten në sytë e njerëzve nëpërmjet mjeteve mashtruese. Mendimet e të tjerëve vazhdimisht e preokupojnë mendjen e tij. I vetmi lehtësim i vërtetë nga një gjendje e tillë e dëshpëruar është që të jetë i sinqertë dhe i çiltër ndaj Allahut, pasi që vetëm feja e Tij është ajo që i largon shqetësimet lidhur me gjykimet dhe mendimet e të tjerëve. Është përsëri feja e Tij ajo që i mban larg besimtarët nga çdo qëndrim që e degjeneron sinqeritetin dhe ndershmërinë e tyre:
Për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre - e kush i fal gjynahet përveç Allahut? - dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë. (Sure Al 'Imran: 135)
Siç ka thënë Profeti (savs): "feja është sinqeritet dhe vullnet i mirë." (Muslimi) Njeriu mund të jetë i sinqertë vetëm nëse ndjek ndërgjegjen e tij dhe e preokupon mendjen e tij me faktin se Allahu sheh çdo gjë që ai bën. Kurrë mos harroni se sjellja në pajtim me pikëpamjet dhe dëshirat e të tjerëve do t’ju shmang nga e vërteta. Çdo sjellje që ka për qëllim të fitojë pëlqimin e njerëzve do ta dëmtojë sinqeritetin e njeriut. Nga ana tjetër, duke qenë të vetëdijshëm se Allahu i sheh robërit e Vet në çdo moment, dhe të vepruarit në përputhje me ligjet e Kur’anit, kultivon sinqeritetin.
Kurrë mos harroni se të mos kesh frikë askënd pos Allahut siguron ndershmëri të vërtetë. Shejtani e shtynë njeriun që të bëhet i pasinqertë duke i pëshpëritur frika të rreme të poshtërimit publik, apo të vuajtjes së padrejtësisë apo dëmit. Ky është një keqkuptim i rëndë pasi që ajo që ka rëndësi me të vërtetë është kënaqësia dhe falja e Allahut; është Allahu i Cili e ndëshkon apo shpërblen njeriun, si në këtë botë ashtu dhe në botën tjetër. Çdo njeri bën gabime. Prandaj, ajo që me të vërtetë ka rëndësi është që të kërkohet falje prej Allahut në mënyrë të sinqertë, dhe të mos përsëritet gabimi që nga momenti kur jemi bërë të vetëdijshëm për të. Vëmendja e njeriut që të kërkojë të përmirësohet për gabimet e tij zbulon sinqeritetin e tij. Pasi që askush nuk është i patëmeta, më i nderuari ndër njerëzit është ai që është më i sinqerti dhe më i ndershmi ndaj Allahut. Allahu ka shpallur si vijon:
Zoti juaj e di më së miri ç’keni në shpirtrat tuaj. Nëse ju jeni të drejtë, sigurisht që Ai është Falës për ata që pendohen. (Sure Isra': 25)
Sa herë që një njeri i sinqertë e bën një gabim, ai kujton dobësinë e tij para Allahut dhe i kthehet Atij, sepse e di se nuk janë njerëzit ata që mund të falin, por Allahu. Me fjalë të tjera, një besimtar pendohet me sinqeritet kur bën një gabim dhe nuk brengoset për atë se çfarë mendojnë njerëzit. Ata që përpiqen t’i kënaqin të tjerët dhe që brengosen për mendimet e tyre janë të prirur të bëjnë gabime më shpesh për shkak të përpjekjeve të tyre për t’i fshehur ato. Megjithatë, e vërteta është se edhe në qoftë se ata mund t’i mashtrojnë të tjerët, Allahu di çdo gjë. Mos harroni se njerëzit e pandershëm dhe të pasinqertë në fund të fundit i sjellin humbje të rëndë vetëm vetës së tyre.
Allahu nuk e ngarkon asnjë njeri me barrë më të rëndë se që ai mund ta bartë. Për më tepër, Ai ka premtuar se do t’i fal robërit e Tij të sinqertë, me kusht që keqbërjet e tyre të jenë bërë gabimisht. Ky është lajmi i mirë që Allahu u jep besimtarëve:
Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka: në dobi të tij është e mira që bën, kurse në dëm të tij është e keqja që punon. Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose veprojmë pa qëllim! Zoti ynë, mos na ngarko barrë të rëndë, ashtu si i ngarkove ata para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko me diçka që nuk mund ta bartim! Na i shlyej gjynahet tona, na i fal ato dhe na mëshiro! Ti je Zoti Ynë! Prandaj na jep fitore kundër atyre që nuk besojnë!” (Sure Bekare: 286)
Gjithashtu mos harroni se një njeri duhet t’i nënshtrohet vetëm Allahut me sinqeritet të vërtetë. Një person mund të jetë injorant, ai mund të jetë i padijshëm për gjërat që duhet t’i bëjë që Allahu të jetë i kënaqur me të. Mirëpo, Allahu me siguri do t’i udhëzojë në rrugë të drejtë ata që me të vërtetë dëshirojnë të kthehen tek Ai. Ajo që ka rëndësi është që t’i dorëzohemi Zotit në mënyrë të sinqertë. Allahu ka dhënë lajmin e gëzuar se kush është i nënshtruar ndaj Tij nuk do të përjetojë humbje:
Kush i dorëzohet Allahut, me tërë qenien e tij, duke qenë punëmirë, ai është kapur për vegën më të fortë. Tek Allahu do të kthehet çdo gjë. (Sure Lukman: 22)
Pra, kurrë mos i shpërfillni paralajmërimet e panumërta që i merrni, dhe mos harroni kurrë se një dhe e vetmja mënyrë për të arritur shpëtimin, si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër, është që t’i kthehemi Allahut me zemër të çiltër.