Dhe jo larg prej aty, Xheneti do t’u afrohet besimtarëve të devotshëm, (që do t’u thuhet:) “Kjo është premtuar për ju, për këdo që është penduar dhe ruajtur (nga gjynahet), që e ka pasur frikë të Gjithëmëshirshmin, edhe atëherë kur nuk e shihte kush, e që ka ardhur me zemër të kthyer (nga Allahu). Hyni në të (Xhenet) me paqe e siguri. Kjo është Dita e amshimit!”
(Sure Kaf: 31-34)
Ata që e meritojnë "kthimin më të mirë në praninë e Allahut," siç shpjegohet në Kur'an, Libri i tyre, në të cilin është e regjistruar çdo gjë që ata kanë bërë në këtë botë, do t'iu dorëzohet atyre nga ana e djathtë e tyre, dhe ata nuk do të kenë asnjë vështirësi për të dhënë llogari për veprat e tyre. Prej atij momenti, ata do të jetojnë një jetë të lumtur. Besimtarëve u jepet lajmi i gëzuar për këtë jetë të këndshme në shumë ajete të Kur'anit:
Ai, të cilit do t’i jepet libri i tij në dorën e djathtë, do ta ketë të lehtë llogarinë dhe do të kthehet i gëzuar te të afërmit e tij. (Sure Inshikak: 7-9)
Ai, të cilit do t’i jepet libri i veprave të tij nga ana e djathtë, do t’u thotë (njerëzve të tij): “Ja, lexoni librin tim! Vërtet, unë kam qenë i bindur se do të jepja llogari.” Kështu, ai do të ketë jetë të lumtur, në një kopsht të lartë. (Sure Hakka: 19-22)
Besimtarët të cilët do ta fitojnë këtë jetë të ardhme do të mirëpriten nga engjëjt me fjalët, “Shpëtimi qoftë mbi ju! Ju keni qenë njerëz të mirë, andaj hyni në të dhe qëndroni përgjithmonë!” (Sure Zumer: 73) Pastaj ata do të dërgohen në Xhenet në grupe dhe do të hyjnë aty në paqe dhe siguri:
...Njerëz të tillë do të shpërblehen me Xhenet të lartë për durimin e tyre dhe do të mirëpriten e do të gjejnë paqe. Aty do të qëndrojnë përherë; sa vendbanim dhe vendstrehim i mrekullueshëm që është ai! (Sure Furkan: 75-76)
Mos harroni se ju mund të fitoni një mirëpritje të ngjashme dhe të hyni në banesën e lumturisë dhe gëzimit vetëm nëse keni një besim të palëkundur në botën tjetër, nëse keni frikë Allahun dhe Ditën e Llogarisë dhe nëse bëni vepra të mira. Allahu na bën me dije në Kur’an se njerëzit e Xhenetit do të thonë si vijon:
“Vërtetë, Ne i frikësohemi Zotit tonë në një Ditë të ashpër, që do t’i bëjë fytyrat të jenë të vrenjtura.” Por Allahu do t’i ruajë ata nga tmerret e asaj Dite e do t’u japë shkëlqim dhe gëzim. (Sure Insan: 10-11)
Një pamje madhështore e liqeve, lumenjve dhe e gjelbërimit të dendur është Xheneti që e përfytyrojnë njerëzit. Megjithatë, Xheneti nuk është i kufizuar vetëm me këto cilësi. Xheneti është vendbanim i përjetshëm i besimtarëve, dhe është i shkëlqyeshëm për nga bukuria e pafund dhe për nga mirësitë më sublime, përtej asaj që ne do të mund të përfytyronim apo të dëshironim ndonjëherë. Ne formojmë një tablo mendore të Xhenetit bazuar në atë që ne e dimë në këtë botë, por çdo ide që ne mund të fitojmë për Xhenetin nga ajo që e dimë nga kjo botë është në mënyrë të pashmangshme e pamjaftueshme, ne vetëm mund të bëjmë ca aludime për të formuar një tablo të përgjithshme. Ne do të jemi në gjendje ta kuptojmë natyrën e vërtetë të Xhenetit vetëm atëherë kur të hyjmë në të. Në të vërtetë, një varg tërheq vëmendjen tonë për këtë fakt, në këtë mënyrë:
Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë. (Sure Sexhde: 17)
Çka do që ju kënaq në këtë botë ekziston në Xhenet, në gjendjen e saj më të mirë dhe më të përsosur. Xheneti, një vendbanim i mirësive të panumërta, përfshin çdo gjë që njeriu mund të dëshirojë dhe që e kënaq atë. Në një ajet të Kur'anit, Allahu e përshkruan Xhenetin në këtë mënyrë:
Ngado që të hedhësh sytë, do të shohësh lumni dhe një mbretëri të madhe. (Sure Insan: 20)
Në një nga thëniet e tij, i dërguari i Allahut, Profeti Muhamed (savs) e përshkroi Xhenetin si vijon:
Kur banorët e Xhenetit të hyjnë në Xhenet, një folës do të thërrasë: (keni një premtim nga Allahu se) ju do të jetoni aty dhe kurrë nuk do të vdisni, do të jeni të shëndetshëm aty dhe kurrë nuk do të sëmureni, do të qëndroni të rinj dhe kurrë nuk do të plakeni, do të jetoni një lumturi të përhershme dhe kurrë nuk do të ndjeheni fatkeq. (Muslimi)
Besimtarëve në Xhenet do t’u ofrohen shumë lloje të ushqimit dhe të pijeve. (Sure Murselat: 43) Allahu do t'ua zgjerojë dhuntitë atyre me fruta dhe mish si ua ka ënda, (Sure Tur: 22) dhe mish shpendësh që ua ka ënda. (Sure Uaki'a: 21) Për më tepër, këto begati kurrë nuk do të kenë të sosur. (Sure Sad: 54) Kur'ani përshkruan se kopshtet do të jenë të stolisura me gjelbërim (Sure Rrahman: 64) do të kenë lumenj të cilët rrjedhin poshtë tyre, dhe ushqimet e tyre dhe hija e freskët do të jenë të përhershme. (Sure Rra'd: 35) degët e pemëve në këto kopshte do të jenë përplot me fruta të pjekura afër sa t'i arrijnë ato me dorë. (Sure Insan: 14) (Sure Uaki'a: 28-29) Dhe, burime që gulfojnë janë karakteristika të tjera natyrore, të cilave u referohet në lidhje me Xhenetin në Kur'an. (Sure Rrahman: 66)
Atje do të ketë lumenj me ujë të pastër, lumenj qumështi me shije të pandryshuar, lumenj vere me shije të këndshme për ata që e pinë dhe lumenj prej mjalti të kulluar. (Sure Muhammed: 15) Ndërsa disa nga të mirat e Xhenetit do t’u ngjajnë atyre të kësaj bote, të tjerat do të jenë të një natyre krejtësisht të panjohur. (Sure Rrahman: 48) Mirësi të panumërta dhe bukuri të paimagjinueshme i presin besimtarët në Xhenet siç shpallet në ajetin 22 të Sures Shura.
Besimtarët do të jetojnë në pallate të mrekullueshme në Xhenet (Sure Teube: 72), dhe do të jenë të mbështetur në kolltukë të trashë, e të kushtueshëm (Sure Uaki'a: 15-16). Mirësitë tjera që u janë premtuar besimtarëve janë si vijon:
Aty do t’u shërbehet me enë të argjendta dhe kupa kristali. (Sure Insan: 15)
Dhe (Allahu), për durimin e tyre, Ai do t’i shpërblejë me Xhenet dhe petka të mëndafshta. (Sure Insan: 12)
Ata do të jenë të veshur me petka të holla mëndafshi të gjelbër dhe me armaç mëndafshi të trashë, të stolisur me byzylykë të argjendtë... (Sure Insan: 21)
Sigurisht, gëzimi i të qenit në shoqëri të të dashurve tonë është një nga të mirat e kësaj bote. Besimtarët ndiejnë kënaqësi të madhe duke kaluar kohën me vëllezërit dhe motrat e tyre të cilët janë vërtet të devotshëm ndaj Allahut. Prandaj, mendimi për të qenë së bashku përsëri me ta në Xhenet është një burim i madh i motivimit për besimtarët, të cilët janë, nga natyra e besimit të tyre, të prirur për këtë ndjenjë. Megjithatë, kjo shoqëri nuk është e kufizuar vetëm në ca vite, siç është rasti me jetën e kësaj bote. Përkundrazi, ajo është e destinuar të zgjasë deri në amshim:
Xheneti i Adnit, në të cilin do të hyjnë ata dhe besimtarët e ndershëm prej prindërve të tyre, grave dhe pasardhësve të tyre. Dhe engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë (e Xhenetit) (e do t’u thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që është ky!” (Sure Ra'd: 23-24)
Në Xhenet, besimtarët do të jenë gjithashtu me bashkëshortet të cilët ata vetë i dëshirojnë. Siç është theksuar në Kur'an, “në to ata do të kenë bashkëshorte me dëlirësi të përsosur...” (Sure Nisa': 57). Të pastra nga çfarëdo e mete e kësaj bote, bashkëshortet në Xhenet do të jenë të krijuar në një formë të veçantë:
Të cilat (bashkëshortet e tyre) Ne i kemi krijuar në një formë të veçantë. (Sure Uaki'a: 35).
Sigurisht që atë ditë banorët e Xhenetit nuk do të mendojnë për tjetër gjë, veç lumturisë së tyre. Ata dhe gratë e tyre do të jenë nën hije, të mbështetur në ndenjëse të larta. (Sure Ja Sin: 55-56)
Allahu, i Cili u dhuron shumë mirësi robërve të Tij në Xhenet, do të krijojë çdo gjë në mënyrë të tillë sa të ofrojë kënaqësi të shkallës më të lartë. Allahu do t’i shpërblejë robërit e Vet duke krijuar për ta çdo gjë që ata e dëshirojnë. Ajeti vijues e bën të qartë se nuk do të ketë kufizime të mirësive në Xhenet:
Ata do të kenë atje çdo gjë që ata duan e prej Nesh do të kenë edhe më shumë. (Sure Kaf: 35)
Për t’u siguruar se njerëzit e dëshirojnë Xhenetin dhe kërkojnë kënaqësinë e Tij, Allahu e ka bërë këtë botë jo të përkryer. Në këtë botë, e cila është krijuar me shumë më pak të mira se që ka në Xhenet, çdo gjëje i vjen fundi. Natyra jo e përkryer e kësaj bote nuk kufizohet vetëm me vdekjen; si një sprovë që rëndon mbi jobesimtarët nga Allahu, ata u gëzohen gjërave vetëm për pak kohë, pasi që ata shumë shpejt mërziten madje edhe me gjërat më të mira në këtë jetë. Megjithatë, Xheneti është një vend ku njeriu kurrë nuk do të ndiejë lodhje nga shijimi i mirësive të tij. Pra, mbi besimtarët nuk do të rëndojë mërzi apo lodhje, si në Xhenet ashtu edhe në këtë botë. (Sure Fatir: 35)
Por, kurrë mos harroni se shumë më të mëdha se këto begati, përfitimi më i madh në Xhenet, është kënaqësia e Allahut. Për besimtarët, asnjë përfitim material nuk mund të sjellë kënaqësi më të madhe se të fituarit e kënaqësisë së Allahut. Siç theksohet në Kur'an, "...Por kënaqësia e Allahut është shpërblimi më i madh...". (Sure Teube: 72)
Ajo që i bën kënaqësitë e Xhenetit aq të lartësuara është se ato dhurohen si rezultat i kënaqësisë së Allahut. Allahu ka qenë i kënaqur me veprat e atyre të cilët Ai i ka konsideruar të denjë për të hyrë në Xhenet, ua ka falur gabimet e tyre, dhe i ka vendosur ata në banesën më të bukur, ku ata do të gëzojnë një jetë të lumtur për gjithë përjetësinë. Lajmi i gëzuar i Xhenetit është dhënë në Kur'an si vijon:
Aty do të kenë çfarë të duan - e prej Nesh (do të kenë) edhe më shumë. (Sure Kaf: 35)
O ti shpirt i qetësuar! Kthehu te Zoti yt, ti i kënaqur me Atë dhe Ai kënaqur me ty! Bashkohu me robërit e Mi dhe hyr në Xhenetin Tim! (Sure Fexhr: 27-30)
Ky është premtimi i Allahut për ata me të cilët Ai është i kënaqur. Mos harroni kurrë se, vetëm ata që e dinë se kjo botë është një sprovë, janë të vëmendshëm ndaj paralajmërimeve të Allahut, pasojnë ndërgjegjen e tyre, dhe përpiqen të fitojnë kënaqësinë e Allahut, e arrijnë këtë fund të mirë.