Elif Lâm Râ. Këtë Libër ta kemi shpallur ty (o Muhamed),
për t’i nxjerrë njerëzit, me lejen e Zotit të tyre, nga errësira në dritë, në rrugën e të Plotfuqishmit, të Denjit për çdo lavd.
(Sure Ibrahim: 1)
Allahu e zbriti Kur'anin për njerëzit për të reflektuar për të, në mënyrë që ata të mund të dinë se Ai është Zoti i vetëm, për të mësuar se si ta adhurojnë Atë, dhe të bëhen të vëmendshëm. Kur'ani, udhëzuesi ynë i vetëm, na pajis ne me shpjegime për gjithçka që na nevojitet, na tregon rrugën e cila e kënaq Allahun, dhe na jep lajmin e mirë për përfundimin e mrekullueshëm të nënshtrimit si rob i Tij:
...Ne ta zbritëm ty Librin, si shpjegim për çdo çështje, si udhërrëfyes, si mëshirë dhe si lajm të mirë për myslimanët. (Sure Nahl: 89)
Kur'ani është libri që Allahu ua zbriti robërve të Tij me të vërtetën. Ai është këshillë, shërim dhe mëshirë për besimtarët. Besimtarët që mund ta kuptojnë këtë realitet të rëndësishëm reflektojnë thellësisht mbi çdo ajet të Kur'anit, dhe e jetojnë gjithë jetën e tyre në përputhje me të. Përgjigjja e çdo pyetje që ata kërkojnë është dhënë në Kur'an:
Ne u kemi zbritur atyre një Libër, të cilin e kemi shpjeguar gjerësisht, që të jetë udhërrëfyes dhe mëshirë për njerëzit që besojnë. (Sure A'raf: 52)
Pasi që Kur'ani shpjegon çdo gjë që ka të bëjë me qenien rob i Allahut, njeriu është përgjegjës për të jetuar në pajtim me Kur'anin, duke i respektuar kufijtë e përcaktuar në të dhe duke iu bindur urdhrave të tij. Në Ditën e Llogarisë, njerëzit do të merren në pyetje vetëm duke u bazuar në këtë libër. Prandaj, mos harroni kurrë se mënyra se si silleni, mendimet dhe vendimet tuaja, me pak fjalë, e tërë mënyra e jetës suaj, duhet të jetë në pajtueshmëri vetëm me Kur'anin, dhe jo me atë që shumica e njerëzve duan. Të jetuarit në pajtim me Kur'anin është rruga e vetme drejt shpëtimit.
Përveç kësaj, është e nevojshme që Kur'ani të lexohet dhe kuptohet për të jetuar në pajtim me fenë e shpallur në të, edhe pse njerëzit rreth jush mund të jenë larg të jetuarit në përputhje me të. Shumica e njerëzve mund të mos e kenë lexuar kurrë Kur’anin. Në mesin e atyre që janë të njohur me Kur'anin, në anën tjetër, mund të ketë të atillë që vetëm i mësojnë përmendësh ajetet në gjuhën arabe, pa reflektuar për kuptimin e tyre. Ata madje mund ta konsiderojnë Kur’anin si një lloj hajmalie (Pa dyshim se Allahu është mbi gjithë atë që ata i përshkruajnë Atij në mënyrë të gabuar) dhe kështu e mbajnë në raftet e sipërme të dollapëve. Por në qoftë se ajo që dëshironi të arrini është shpëtimi, ju duhet t’iu bindeni urdhrave të Allahut, dhe jo të atyre të shumicës së njerëzve. Ju duhet t’i lexoni paralajmërimet që Allahu ua zbriti dhe t’i dini përmendësh urdhrat e Tij. Arsyeja pse është shpallur Kur'ani është bërë e qartë në ajetet e mëposhtme:
Ky (Kuran) është shpallje e qartë për njerëzit, me qëllim që ata të marrin paralajmërim nëpërmjet tij, që ta dinë se Allahu është Një Zot i Vetëm dhe që të këshillohen njerëzit e mençur! (Sure Ibrahim: 52)
Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët. (Sure Sad: 29)
Siç shihet nga ajetet e cituara më lartë, Allahu na informon se vetëm njerëzit e mençur, të cilët posedojnë besimin që përshkruhet në Kur'an, mund të marrin mësim. Dhe mbani mend se Kur'ani është bërë i lehtë për ne për të reflektuar dhe për të marrë këshilla:
“Vallë, a të kërkoj tjetër gjykatës përveç Allahut, kur është Ai që ju ka zbritur këtë Libër të hollësishëm?!” Ata që Ne u kemi dhënë Shkrimet e shenjta, e dinë se Kurani është me të vërtetë i zbritur nga Zoti yt. Prandaj, kurrsesi mos u bëj nga ata që dyshojnë! (Sure En'am: 114)
Dhe kështu, Ne e kemi zbritur Kuranin në vargje të qarta dhe, sigurisht, Allahu udhëzon në rrugë të drejtë kë të dojë. (Sure Haxhxh: 16)
Përveç kësaj që thuhet në këto ajete, ka edhe një fakt që ne duhet ta mbajmë në mend: Kur'ani është një udhëzues për besimtarët, ndonëse ai mund t’i lërë të humbur jobesimtarët. Ata që nuk besojnë se do të grumbullohen në prani të Zotit të tyre në Ditën e Gjykimit dhe se Kur'ani është libri në të vërtetën i dërguar nga Zoti, nuk arrijnë të kuptojnë qëllimin hyjnor të ajeteve të tij. Ata mbeten të shurdhër dhe të verbër ndaj tyre. Kjo gjendje rrëfehet si vijon në Kur'an:
Kur ti (Muhamed) lexon Kuranin, Ne vëmë një perde të fshehtë mes teje dhe atyre që nuk besojnë në jetën e ardhshme. Ne kemi vënë mbulesa në zemrat e tyre, që të mos e kuptojnë atë (Kuranin), dhe ua kemi shurdhuar veshët. Kur ti përmend në Kuran vetëm Zotin tënd, ata kthejnë shpinën, duke ikur. (Sure Isra': 45-46)
Pa dyshim, ky qëndrim i jobesimtarëve rezulton nga mungesa e sinqeritetit dhe prirja e tyre për të ndjekur trillet dhe dëshirat e tyre. Shembuj të kësaj mungese të të kuptuarit të pranishme në mesin e jobesimtarëve janë si më poshtë:
Ne kemi bërë rojtarë të zjarrit vetëm engjëjt dhe numrin e tyre e kemi bërë sprovë (objekt polemikash) për jobesimtarët, me qëllim që të binden ata që u është dhënë Libri e t’u shtohet besimi atyre që besojnë; që të mos dyshojnë ata që u është dhënë Libri dhe besimtarët e vërtetë dhe që të thonë ata që kanë sëmundjen e dyshimit në zemër dhe mosbesimtarët: “Ç’ka dashur të thotë Allahu me këtë shembull?” Kështu, Allahu lë në humbje atë që do dhe çon në rrugë të drejtë atë që do. Askush tjetër, përveç Tij, nuk e di numrin e ushtrisë së Zotit tënd. Ky është vetëm një përkujtesë për njerëzit. (Sure Muddeththir: 31)
Besimtarët, në anën tjetër, posedojnë një gjendje krejtësisht tjetër shpirtërore. Sapo ata dëgjojnë ajetet e Allahut, ata i binden kësaj porosie më të bukurës, dhe kështu, e arrijnë shpëtimin si në këtë botë ashtu edhe në atë të përtejmen. Qëndrimi tipik për një besimtar ndaj shenjave të Allahut rrëfehet në Kur'an si vijon:
Allahu ka shpallur Fjalën më të bukur (Kuranin) në formën e një libri, pjesët e të cilit i ngjasojnë njëra-tjetrës dhe përsëriten. Prej tij u rrëqethet lëkura atyre që i frikësohen Zotit të tyre e, mandej qetësohen lëkura dhe zemrat e tyre, kur përmendet Allahu. Ky Libër është udhëzim i Allahut. Nëpërmjet tij Allahu udhëzon kë të dojë. Ndërsa atë që Allahu e shpie në humbje, s’mund ta udhëzojë kush. (Sure Zumer: 23)
Mos harroni kurrë se, në qoftë se keni vërtetë frikë ndaj Allahut, zemra juaj duhet të zbutet kur i dëgjoni ajetet e tij. Kjo ngase Allahu na ka informuar se besimtarët me besim të sinqertë do të ketë aftësinë për të kuptuar Kur'anin si libër në të vërtetën. Vetëm jobesimtarët ushqejnë dyshime në lidhje me saktësinë e tij:
...dhe që ata, të cilëve u është dhënë dituria, ta kuptojnë se ai (Kurani) është e Vërteta nga Zoti yt, ta besojnë atë dhe zemrat e tyre të binden e të qetësohen me të. Nuk ka dyshim se Allahu i udhëzon në rrugën e drejtë ata që besojnë. Ata që nuk besojnë do të vazhdojnë të dyshojnë në të (Kuran), derisa t’u vijë Ora (e Kiametit) në mënyrë të papritur ose derisa t’u vijë dënimi i Ditës Shterpë. (Sure Haxhxh: 54-55)
Kurrë mos harroni se edhe ju do të gjykoheni në bazë të Kur'anit në Ditën e Gjykimit. Allahu e zbulon këtë të vërtetë në ajetin vijues;
Andaj, përmbaju fort asaj që të është shpallur ty, sepse ti, në të vërtetë, je në rrugën e drejtë. Pa dyshim që Kurani është përkujtues për ty dhe popullin tënd; e ju do të pyeteni! (Sure Zuhruf: 43-44)
Se shumica e njerëzve janë larguar nga Kur'ani, dhe se pothuajse e kanë braktisur atë, nuk duhet të ju mashtrojë. Kjo ndodhë për shkak se, njerëzit e konsiderojnë si të garantuar një jetëgjatësi prej 60-70 vjet, ata janë të prirur të presin vitet e vonshme të jetës së tyre si kohën e duhur për ta pasuar Kur’anin. Ata vijnë në përfundimin e gabuar se të jetuarit në pajtim me fenë do t’i privojë ata nga kënaqësitë e rinisë. Megjithatë, me këtë arsyetim të pasinqertë, ata përgatisin një fund të hidhur për veten e tyre.
Udhëzuesi i vetëm që ju shpjegon se si të jeni robër të Allahut është Kur’ani. Ju duhet ta ndërtoni jetën tuaj sipas urdhrave të tij. Kjo për arsye se, në Ditën e Gjykimit, besimtarët dhe jobesimtarët njëlloj, do të gjykohen në bazë të bindjes së tyre ndaj Kur'anit. Asnjëherë mos harroni se mund të shpresoni të arrini Parajsën dhe shpëtimin nga dënimi i përjetshëm vetëm nëse zbatoni atë që urdhëron Kur’ani në mënyrë të sinqertë.