logo
HARUN YAHYA

Kurrë Mos Harroni Se Nuk Ka Zot Tjetër Pos Allahut

.. Ata ekanë harruar Allahun, por edhe Ai i ka harruar ata...
(Sure Teube: 67)

Ajo që vijon është thjeshtë logjikë e shëndoshë: Nëse ne e shohim një kala të bërë nga rëra përgjatë bregut të detit, jemi të bindur se dikush e ka bërë atë. Vetëm një person i pamend do të pohonte se ajo u formua rastësisht nga efekti i valëve dhe erërave. Çdo gjë që ekziston në gjithësi ka një projektim të dukshëm. Për më tepër, ky projektim i dukshëm në çdo detal të gjërave të krijuara është në mënyrë të pakrahasueshme më i përsosur, më superior dhe më kompleks se ai i një kështjelle prej rëre. Prandaj, ne ballafaqohemi me një fakt të qartë: gjithësia është krijuar nga një Krijues superior. Ai Krijues është Allahu, Zoti i të gjitha botëve.

Ekzistenca e këtij rendi të përsosur në gjithësi është një fakt i pamohueshëm. Bota në të cilën jetojmë është krijuar që të jetë e banueshme. Raporti i forcës gravitacionale, distanca mes tokës dhe diellit, përqindja e oksigjenit në atmosferë, dhe qindra baraspesha të tjera delikate, nuk kanë ndodhur vetvetiu apo rastësisht. Ato, pa dyshim, janë krijim i All-Allahut, i cili ka kontrollin mbi çdo gjë, nga mikroorganizmat më të vegjël deri tek planetët e mëdhenj të sistemit diellor. Ai është Allahu që krijoi gjithësinë me urtësi dhe me fuqinë e Tij të pafund dhe ndërtoi botën posaçërisht si një vend të banueshëm për ne:

Ai e bën natën të kalojë në ditë dhe ditën të kalojë në natë. Ai i ka nënshtruar Diellin dhe Hënën, kështu që secili lëviz për një kohë të caktuar. Ky është Allahu, Zoti juaj. Pushteti është i Tij! Kurse ata që ju i adhuroni krahas Tij, nuk zotërojnë as sa cipa e bërthamës së hurmës. (Sure Fatir: 13)

Duke e larguar vëmendjen tonë tani nga hapësira e jashtme, le të marrim parasysh trupin tonë. Trupi i njeriut është një strukturë që zien nga mrekulli të mahnitshme. Funksionimi i përsosur i trurit të njeriut është përtej krahasimit me kompjuter, produktin më të përparuar të teknologjisë moderne. Për më tepër, çdo organ plotëson funksionin e veçantë të tij në mënyrë të përkryer, dhe punon në harmoni të plotë me organet e tjera. Për shembull, për të marrë frymë një herë të vetme, goja, hunda, gabzherri, mushkëritë, zemra dhe të gjitha enët e gjakut, duhet të funksionojnë njëkohësisht. Asnjë nga këto nuk pushon ose të rraskapitet as edhe për një çast të vetëm. Ato të gjitha janë të bindura dhe të nënshtruara Krijuesit të tyre, dhe me plot bindje i binden asaj që u është bërë obligim atyre. Ajri, i pastruar dhe i ngrohur tek kalon nëpër hundë, bartet pastaj në mushkëri nëpërmjet gabzherrit. Ky oksigjen do të përdoret nga zemrat tona dhe enët e gjakut, nga çdo qelizë e vetme në trupin tonë. Organet e përfshira në këtë proces kryejnë me mjeshtëri shumë procese pa huti, gabim ose vonesë të çfarëdo lloji. Po të kishte ndonjë çarje në këtë harmoni, nuk do të kishte as frymëmarrje, as jetë.

E njëjta gjë vlen edhe për procesin e shikimit. Syri është një nga shenjat më të qarta të krijimit. Si syri i njeriut ashtu edhe ai shtazor janë shembuj të jashtëzakonshëm të krijimit të përsosur. Ky organ i mahnitshëm ofron shikim cilësor, me të cilin ende nuk mund të krahasohet teknologjia bashkëkohore e shekullit njëzet e një. Por, mos harroni kurrë se një sy funksionon vetëm si tërësi me të gjithë komponentët e tij. Për shembull, nëse të gjithë komponentët e syrit, si kornea, konjunktiva, irida, bebëza, thjerrëza, retina, koroidet, muskujt dhe gjëndrat e lotëve të ishin tërësi, por po t’i mungonte vetëm një qepallë e vetme, syri do të dëmtohej dhe do të bëhej i paaftë për të parë. Në të njëjtën mënyrë, vetëm dështimi i prodhimit të lotëve do të shkaktonte tharje të syrit, dhe, në fund verbërinë. Ky fakt ngre një pyetje jetike: Kush e krijoi syrin dhe aftësinë e tij për të parë nga asgjëja?

Sigurisht, nuk është poseduesi i syrit që vendos vet për të krijuar syrin e tij. Sepse, është me të vërtetë e palogjikshme të supozohet se një qenie, madje e pavetëdijshme për konceptin e "shikimit," të mund të vendosë mbi nevojën e tij dhe për krijimin e një syri në trupin e vet. Duke qenë kështu, realiteti është se ekziston një Qenie me urtësi superiore, e Cila krijoi qeniet e gjalla me aftësi shikimi, dëgjimi dhe kështu me radhë. Disa njerëz që nuk mund ta vlerësojnë All-Allahun ashtu si e meriton Ai pohojnë se qelizat e pandërgjegjshme fituan shikimin dhe dëgjimin, aftësi që kërkojnë vetëdije, me vullnet dhe aftësi vetjake. Megjithatë, është qartë e dukshme se nuk mund të jetë kështu. Kur'ani tregon se kush e dhuron shikimin si më poshtë:

Thuaju: “Është Ai që ju ka krijuar dhe ju ka dhënë dëgjimin, shikimin dhe zemrat, e megjithatë ju pak e falënderoni!” (Sure Mulk: 23)

Siç shihet në ajetin e mësipërm, është Allahu i Cili krijon të gjitha këto sisteme që funksionojnë në harmoni të plotë me njëri-tjetrin. Detaje të panumërta në trupat tonë dhe në organizmat e tjerë shfaqin me radhë fuqinë dhe madhështinë e All-Allahut, dhe na zbulojnë ne të vërtetën se Ai përfshinë çdo gjë me dijen e Tij. Megjithatë, në vend se të reflektojnë për këtë disa njerëz e kanë më të lehtë t’ia kthejnë shpinën këtij realiteti. Mirëpo, Allahu inkurajon njeriun që të shikoj rreth vetes dhe të reflektojë mbi madhështinë e Tij:

Allahu është Ai, që ka krijuar shtatë qiej dhe po aq toka. Urdhrat e Tij zbresin përmes tyre, që ju ta dini se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë dhe se Ai përfshin gjithçka në diturinë e Tij. (Sure Talak: 12)

Kurrë mos harroni sa afër jush është Allahu dhe se Ai përfshinë çdo gjë. Çfarëdo që mund t’ju shkojë në mendje mu në këtë moment, diçka që keni përjetuar në fëmijërinë tuaj, si dhe planet tuaja për dy vitet e ardhshme janë të gjitha të përfshira në dijeninë e All-Allahut. Pushteti i Tij mbi të gjitha qeniet vazhdon pandërprerë, ditën dhe natën. Allahu na informon për këtë të vërtetë në Kur'an si vijon:

Ne e kemi krijuar njeriun dhe, Ne e dimë ç’i pëshpërit atij shpirti i vet. Ne jemi më pranë tij se damari i qafës së vet. (Sure Kaf: 16)

Allahu i di të fshehtat e të gjitha gjërave, duke përfshirë edhe sekretet dhe mendimet ndryshe të panjohura për qeniet njerëzore. Allahu, i Cili përfshin gjithë njerëzimin gjithandej, është me ne, pa marrë parasysh ku jemi apo çfarë bëjmë:

Në çfarëdo pune që të jesh, çfarëdo gjëje që të lexosh nga Kurani dhe çfarëdo pune që të bëni (o njerëz), Ne jemi dëshmitarë, kur ju të thelloheni në të. Zotit tënd nuk i fshihet asnjë grimë peshe, në Tokë e në qiell; as më pak nga ajo e as më shumë nuk mbetet pa u shënuar në Librin e qartë. (Sure Junus: 61)

Pavarësisht nga ky fakt, disa njerëz pandehin se Allahu është shumë larg. Sipas arsyetimit të tyre të gjymtë, Allahu jeton përtej një planeti të largët, që ndërhyn herë pas here në "çështjet e kësaj bote", ose që nuk ndërhyn asnjëherë. Ata mendojnë se Ai e krijoi gjithësinë dhe pastaj e la atë të pakontrolluar (Pa dyshim se Allahu është i pastër nga ajo që i përshkruajnë ata.) Megjithatë, ky është një gabim i qartë. Allahu është kudo dhe prania e Tij përfshinë çdo gjë. Ai rrethon çdo vend, nga lindja në perëndim, dhe nga veriu në jug.

Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë dhe Allahu i përfshin të gjitha (në dijen e Tij). (Sure Nisa': 126)

Kudo që shkoni, Allahu është aty, edhe nëse është cepi më i largët i tokës. Ai ju rrethon madje edhe në këtë moment, Ai është më afër jush sesa damari i qafës tuaj. Ai sundon trupin tuaj, dhomën tuaj, dhe qytetin ku jetoni, tërë gjithësinë, dhe të gjithë botërat që ju nuk jeni në gjendje t’i shihni, për më tepër, Ai ka njohuri për të kaluarën dhe të ardhmen e tyre. Disa njerëz, të cilët i shpërfillin këto fakte absolute, mund të arrijnë të fshehin mendimet e tyre dhe shumë vepra që ata kryejnë nga njerëzit e tjerë. Por, ata harrojnë faktin se ata nuk mund t’i fshehin ato prej Allahut. Në të vërtetë, Allahu është me ta edhe kur ata bëjnë komplot.

Ai e di ç’ka para tyre dhe ç’ka pas tyre, kurse dijenia e tyre nuk mund ta ngërthejë Atë. (Sure Ta Ha : 110)

Ju nuk mund ta dini kurrë se çfarë do të përjetoni në një çast të caktuar, por Allahu e di. Prandaj, ju tashmë jeni të bindur dhe i jeni dorëzuar Allahut, qoftë me apo pa vetëdije për këtë.

Pa marr parasysh se a e zbuloni apo e mbani të fshehur atë që është në veten tuaj, Allahu e di atë. As edhe një fjalë e vetme që ju pëshpëritni nuk mund të mbahet e fshehur nga Ai. Nuk ka sekrete për Allahun, Ai i di fshehtësitë tuaja dhe çdo gjë që ju mendoni apo e mbani të fshehur.

Kurrë mos harroni se çdo gjë në sipërfaqen e tokës ka nevojë për Allahun, ndërsa Ai është i lartë mbi çdo gjë dhe i pastër nga çdo mangësi. Allahu nuk ka nevojë për asgjë. Ai është mbi dobësitë njerëzore, si gjumi, uria, etja dhe lodhja. Çdo njeri me siguri do të vdes, pos Allahu, i Gjalli, do të mbetet gjallë përjetësisht:

Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi! Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Kush mund të ndërhyjë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij? Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë pas njerëzve, kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga Dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron. Kursi-u i Tij shtrihet mbi qiejt dhe Tokën dhe Ai nuk e ka të rëndë t’i ruajë ato. Ai është i Larti, Madhështori! (Sure Bekare: 255)

Kurrë mos harroni se Allahu ka çdo gjë nën kontrollin e Tij. Siç është theksuar në Kur'an, "Nuk ka gjethe që bie pa dijeninë e Tij." (Sure En'am: 59) Çdo gjë ndodh me vullnetin e Allahut dhe vetëm me urdhrin e tij. Po kështu, Ai drejton çdo çështje nga qielli në tokë. Shumë njerëz janë të prirur ta kufizojnë këtë koncept të "çdo çështje" vetëm në dukuritë e natyrës dhe ngjarje të tilla si lindja dhe vdekja. Megjithatë, çdo ngjarje ndodhë sepse Allahu urdhëron kështu. Po ashtu, çdo punë kryhet dhe çdo sistem funksionon, sepse Allahu dëshiron kështu. Zbulimet teknologjike, administrimi i cilit do shtet në botë, rregullimi i çështjeve të tyre sociale dhe ekonomike, përparimet në art, çdo kompani biznesi, performanca e saj vjetore, çdo fëmijë që hap sytë e tij në këtë botë, çdo moment që një person kalon në jetën e tij, të gjitha mbahen nën kontrollin e Allahut. Asnjë vendim, qoftë i rëndësishëm apo i parëndësishëm, nuk mund të merret pa lejen e Allahut. Asnjë veprim nuk ndërmerret pa Vullnetin e Tij. Në të njëjtën mënyrë, funksionimi i triliona qelizave në trupin tonë, funksioni përkatës që çdo pjesë e qelizës kryen brenda këtyre qelizave, sistemet që i mbajnë këto qeliza në jetë, dhe hollësi tjera të panumërta, janë nën kontrollin e Tij. Përveç kësaj, toka rrotullohet pa pushim në hapësirën e pafund, dhe të gjitha sistemet nga ai i frymëmarrjes deri tek ai i riprodhimit, e bëjnë jetën e një milingone të vetme në këtë planet të mundshme, sepse Zoti ynë i ka ata nën kontrollin e Tij. Ky fakt rrëfehet në Kur'an si vijon:

Unë mbështetem tek Allahu, Zoti im dhe Zoti juaj. S’ka asnjë gjallesë që të mos jetë nën pushtetin e Tij. Me të vërtetë, Zoti im, është në rrugë të drejtë. (Sure Hud: 56)

Çdo njeri i nënshtrohet Allahut. Allahu, i Gjithëdijshmi, përfshin çdo gjë në dijen e Tij. Është Ai i Cili u jep njohuri njerëzve, që nga fëmija i vogël e deri tek një shkencëtar. Ai është i mirinformuar për të fshehtën, si dhe të dukshmen. Ai përcakton numrin e çdo gjëje në qiej dhe në tokë, duke përfshirë yjet, pemët, kafshët, njerëzit, si edhe sasinë e shiut që bie në tokë:

S’ka krijesë që gjendet në qiej dhe në Tokë e që të mos vijë si rob para të Gjithëmëshirshmit. Sigurisht që Ai e njeh mirë gjithsecilin prej tyre dhe i ka numëruar të gjithë saktësisht. (Sure Merjem: 93-94)

Çdo gjë që ndodhë në çdo cep të gjithësisë është nën kontrollin e Allahut. Ai e di çdo aspekt të ngjarjeve, qofshin të fshehta apo të hapura. Ai është i gjithëdijshëm gjithashtu, jo vetëm për ne, por për çdo gjë në qiej, në tokë dhe çka ka në mes tyre. Allahu është Zotëruesi i të gjitha botëve. Duke qenë kështu, kurrë mos harroni se asgjë, madje edhe diçka e rëndësisë së vogël, nuk mund të jetë e fshehtë për Të, dhe se të gjitha mendimet dhe të gjitha veprimet, duke përfshirë edhe tuajat, janë nën kontrollin e Tij. Kjo ngase Allahu e di atë që e përjeton njeriu gjatë gjithë jetës së tij, për të cilën Ai mban llogari, në mënyrë të detajuar. Allahu nuk harron asgjë asnjëherë

Kurrë mos harroni se është Allahu Ai që ju ka dhënë gjithçka. Hidhni një sy përreth jush, çdo gjë që ju shikoni është përgatitur me përpikëri për të përmbushur nevojat tuaja dhe është vënë në shërbimin tuaj. Tani shikoni në qiell dhe përpiquni të njihni çdo gjë që ju shikoni përreth. Kjo është mënyra që të kuptoni më mirë se është Allahu Ai i Cili na jep shumë të mira që ne i shohim apo nuk arrijmë t’ i shohim, dhe është Allahu Ai të Cilit duhet t’i jemi mirënjohës. Është Allahu i Cili krijon trupin e njeriut, i cili ende mbetet një mister, pavarësisht nga arritjet më të mëdha teknologjike, dhe mban në jetë funksionimin e të gjitha organeve të tij në harmoni të përsosur. Është gjithashtu Allahu i Cili krijon bagëtinë dhe i vë ato në shërbim të njerëzve, i Cili i rrit ato për mish, produkte të qumështit, lesh, lëkurë, dhe i bën ato të përshtatshme për t’i kalëruar dhe për bartjen e ngarkesave, i Cili lëshon shiun nga qielli në tokë dhe bën që të mbijnë prej saj fruta dhe bimë me shije të ndryshme nga po ajo tokë e njëjtë, i Cili vë qindra miliarda galaktika në lëvizje në një mënyrë mahnitëse, i Cili e bën të përshtatshme ditën për punë dhe natën për pushim, i Cili bën që dielli të rrotullohet në mënyrë që t’i plotësojë kërkesat e të gjitha gjallesave, i Cili krijon detin në formën më të përshtatshme në mënyrë që qeniet njerëzore të mund të marrin ushqim nga ai dhe të udhëtojnë në të. Në një ajet, Allahu shpall:

Ai e ka krijuar njeriun prej një pike fare, por ja që ky bëhet kundërshtar i hapët! Kafshët Ai i ka krijuar për ju. Nëpërmjet tyre ju siguroni rroba të ngrohta dhe dobi të tjera. Prej tyre ju ushqeheni dhe shikoni pamje të bukura, kur i ktheni nga kullota dhe, kur i nxirrni në kullotë. Ato mbajnë barrët tuaja deri në vende të largëta, tek të cilat ju do të arrinit me mundim të madh; me të vërtetë, Zoti juaj është i Butë dhe Mëshirëplotë. (Ai ka krijuar) edhe kuajt, mushkat dhe gomarët, që ju t’i shaloni dhe t’i mbani për bukuri. Ai krijon edhe gjëra që ju nuk i dini. Allahut i takon që t’ju tregojë rrugën e drejtë, kur ka prej tyre edhe të shtrembra; sikur të donte Allahu, do t’i udhëzonte të gjithë. Është Ai që zbret nga qielli shi, i cili ju siguron ujë për të pirë dhe bën që të rriten bimët, që shërbejnë si ushqim për kafshët. Nëpërmjet tij (ujit) rriten të lashtat, ullinjtë, palmat, rrushi dhe fruta të llojllojshme. Këtu ka vërtet tregues (të fuqisë hyjnore) për njerëzit, që kuptojnë. Ai ka bërë që ju ta shfrytëzoni natën dhe ditën, Diellin dhe Hënën. Edhe yjet janë vënë në shërbimin tuaj me urdhrin e Tij. Njëmend, në këto ka shenja për njerëzit që mendojnë. Ai ka krijuar në Tokë për ju çdo gjë me ngjyra dhe cilësi të ndryshme. Natyrisht që në këto ka shenja për njerëzit që ua vënë veshin. Është Ai që ju ka vënë në shërbim detin, që ju të hani prej tij mish të freskët dhe të nxirrni nga ai stolitë që mbani. Ti sheh se si anijet e çajnë atë, që ju të kërkoni mirësitë e Allahut dhe të jeni mirënjohës. Ai ka vendosur male të palëvizshme në Tokë, që ajo të mos tundet bashkë me ju, dhe ka krijuar lumenj e rrugë për të arritur aty ku synoni. Ai ka vënë edhe shenja të tjera, si dhe yjet, nëpërmjet të cilave njerëzit orientohen. Atëherë, a është njësoj si Ai që krijon, si ai që nuk krijon?! A nuk po merrni vesh? Nëse do t’i numëronit mirësitë e Allahut, nuk do të mund t’i llogarisnit ato. Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë. (Sure Nahl: 4-18)

Çdo njëra prej mirësive që njeriu vështirë se mund t’i numërojë gjatë jetës së tij kanë ardhur në jetë me Vullnetin e Zotit tonë, i Cili rregullon çdo gjë. Allahu na kujton për këtë realitet me një shembull të habitshëm:

Sikur të gjithë drurët, që gjenden në Tokë, të ishin pena e deti bojë shkrimi e t’i shtohen atij edhe shtatë dete të tjera, nuk do të shtereshin fjalët e Allahut. Pa dyshim, Allahu është i Plotfuqishmi dhe i Urti. (Sure Lukman: 27)

Kurrë mos harroni se është Allahu i Cili ju ka dhënë gjithë pasurinë dhe të mirat që posedoni, dhe se Ai është Pronari i vërtetë i tyre. Kjo është për shkak se pushteti i qiejve dhe i tokës dhe çdo gjë në mes tyre i takon Allahut. Ai ndanë çfarë të dojë, për këdo që Ai dëshiron. Kur Ai u jep fund jetëve të tyre, ai është përsëri i vetmi trashëgimtar. E vërteta e vetme është se pronari i vërtetë i të gjitha shtëpive, makinave, mallrave dhe pronave është Allahu.

Allahut i takon sundimi i qiejve dhe i Tokës dhe gjithçka që ato përmbajnë. Ai është i Fuqishëm për çdo gjë. (Sure Ma'ide: 120)

Kur t’iu vijë vdekja, ju do të lëni pas çdo gjë që keni. Pasuria juaj, pozita, gjërat personale, thënë shkurt, çdo gjë që keni dashur në këtë botë, nuk do të jetë më me ju. Trupi juaj i zhveshur, i mbështjellur në një pëlhurë të thjeshtë, do të vendoset në një gropë. Ndërkohë, shpirti yt do të kthehet tek Allahu, i vetëm. As pozita juaj në shoqëri, as emri juaj dhe as pasuria juaj nuk do t’ju bëjnë aspak dobi. Ato ekzistuan vetëm për t’ju vënë ju në sprovë. Ju nuk jeni pronari i vërtetë i tyre, çdo gjë që ju keni, i keni ngase Allahu u jep juve ato. Nëse Allahu i merr ato përsëri për ndonjë arsye, ju nuk do të mund t’i ktheni më kurrë ato.

Mos harroni kurrë se asgjë nuk ju ndodh ju, përveç asaj që Allahu ka caktuar për ju. Allahu mban njohurinë për çdo gjë që ndodh. Domethënë, çdo gjë është paracaktuar nga Allahu. Gjithë çka ndodhë është në përputhje me fatin e njeriut. Një person që gdhinë një ditë të re në mëngjes nuk e di kurrë se çfarë e pret atë gjatë pjesës tjetër të asaj dite. Edhe pse ai mund ta planifikoj me kujdes ditën e tij, ajo kurrë nuk do të dal ashtu siç e kishte planifikuar ai. Për më tepër, ai mund të përballet fare lehtë me ngjarje krejtësisht të papritura. I rrethuar nga një panjohuri e tillë, një person mund të qetësohet vetëm përmes njohjes se çdo ngjarje me të cilën ballafaqohet është caktuar nga Allahu veçanërisht për të, duke besuar në Të, dhe duke iu bindur fatit. Allahu ka njohuri për ngjarjet që ju nuk i kishit planifikuar dhe ato të gjitha ndodhin nën kontrollin e Tij. Në të njëjtën mënyrë, edhe ato që ju i kishit planifikuar janë gjithashtu nën kontrollin e Tij ...

Me të vërtetë, nuk ka vend apo moment në gjithësi që është i pavarur nga Allahu. Asgjë nuk mund të mbetet jashtë sundimit të Tij.

Thuaj: “Do të na godasë vetëm ajo që na ka caktuar Allahu; Ai është Mbrojtësi ynë dhe vetëm tek Allahu le të mbështeten besimtarët!” (Sure Teube: 51)

Asnjëherë mos harroni se çfarëdo që të ndodhë me ju, ndodhë sipas Vullnetit të Allahut dhe pa dyshim se është paracaktuar për një qëllim. Mos harroni se njeriu nuk ka rrugëdalje tjetër vetëm se të kërkoj strehim tek Ai, dhe se ai nuk ka mbrojtës as ndihmës tjetër pos Allahut:

A nuk e di ti se vetëm Allahut i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës? Përveç Allahut ju nuk keni tjetër mbrojtës e as ndihmës? (Sure Bekare: 107)

Është Allahu i Cili na ndihmon të merremi me çfarëdo problemi gjatë një dite ose kur ne duam të bëjmë një punë. Përveç faktit se është Ai që na e bën këtë detyrë më të lehtë për ne, është përsëri Allahu i Cili e krijon atë punë dhe na mundëson ne që ta realizojmë atë. Nga ana tjetër, një person i cili e harron madhështinë e Allahut, i konsideron kolegët e tij, familjen e tij apo mësuesin e tij, si ata që mund ta ndihmojnë atë ...

Vërtet, këta njerëz mund të jenë në gjendje të ofrojnë ndihmë përmes njohurive dhe përvojës së tyre. Por ne duhet ta kemi parasysh se secili prej tyre është vetëm një mjet. Është kështu për arsye se Allahu ka krijuar një sistem të shkakut dhe pasojës në këtë botë. Për shembull, për të kultivuar mollë, një bujk duhet së pari të mbjellë farën, ta ujitë dhe t'i hedh pleh tokës. Këto janë shkaqet me të cilat Allahu shkakton një rezultat. Vetëm pas plotësimit të të gjitha këtyre parakushteve një bujk mund të shpresoj të korrë të korra të bollshme. Ndërkohë që kryejmë një punë, duhet gjithmonë të jemi të vetëdijshëm se ne mund të arrijmë një rezultat të dëshirueshëm vetëm me Vullnetin e Allahut, dhe se duhet të tregojmë mirënjohje të sinqertë për atë që Ai paracakton.

Mos harroni kurrë se është vetëm Allahu i Cili ju mbron nga rreziku, sëmundja, vuajtja dhe vështirësia. Përndryshe, do të mund ishte vetëm çështje e një çasti kur do të mund të ju ndodhte ndonjë fatkeqësi. Ju mund të mendoni se është mjeku juaj dhe barërat që merrni ato që ju shërojnë. Natyrisht, këto janë shkaqet me të cilat Allahu ju ka shëruar. Nuk ka asnjë arsye pse ju të mos përfitoni nga këto shkaqe, por në ndërkohë, ju duhet të mbani në mend se në fund të fundit është Allahu Ai që ju rikthen shëndetin. Përveç nëse dëshiron Allahu, as mjeku më i aftë, as barërat më të shtrenjta, as spitalet më të mira nuk mund t’ju ndihmojnë. Asnjëherë mos harroni se Allahu mund t’i sjellë sëmundje kujt të dojë pa ndonjë arsye, ashtu siç ia rikthen shëndetin atij që Ai dëshiron, përsëri pa ndonjë arsye. Kjo rrëfehet në Kur'an me fjalët e profetit Ibrahim si vijon:

...I Cili, kur sëmurem, më shëron. (Sure Shu’ara’: 80)

Duke harruar se Allahu posedon gjithë pushtetin, dhe në këtë mënyrë, të kërkosh ndihmë nga ai i cili nuk është në gjendje t’i ndihmojë as vetes së tij e lëre më dikujt tjetër, shpie vetëm në dështim, si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër:

Kurse ata që i adhuroni në vend të Tij, nuk mund t’ju ndihmojnë as ju e madje as veten e tyre. (Sure A'raf: 197)

Kurrë mos harroni se ju duhet ta keni vetëm frikën e Allahut dhe të kërkoni kënaqësinë e Tij. Askush të cilin ju mund ta vlerësoni apo ta konsideroni të rëndësishëm apo të fuqishëm nuk posedon në të vërtetë kurrfarë pushteti real. Duke qenë kështu, t’ia keni frikën apo ta doni dikë me frikën, respektin dhe dashurinë që i takojnë vetëm Allahut është një formë e idhujtarisë, një mëkat me të vërtetë të madh:

E megjithatë, disa njerëz zgjedhin (për të adhuruar) në vend të Allahut (zota) të tjerë, (duke i konsideruar) si të barabartë me Atë dhe duke i dashur siç duhet Allahu. Por ata që besojnë, e duan shumë më tepër Allahun (se sa ç’i duan idhujtarët idhujt e tyre). Sikur keqbërësit të shihnin që tani çastin kur të përballen me ndëshkimin, do ta kuptonin se e tërë fuqia i përket Allahut dhe se dënimi i Tij është fort i ashpër. (Sure Bekare: 165)

Profetit Muhamed, paqja qoftë mbi të, ka paralajmëruar njerëzit gjithashtu kundër kësaj forme të idhujtarisë:

Kushdo që e takon Allahun, duke mos i shoqëruar shok Atij, do të hyjë në Xhenet, dhe kushdo që e takon Atë si dikush i cili i ka shoqëruar Atij diçka, do të hyjë në zjarr. (Muslimi)

Kjo është një pikëpamje aq e rëndësishme për ta kuptuar. Nëse një person e bazon gjithë jetën e tij në të, ai do ta pranojë faktin se nuk ekziston asnjë qenie për t’ia pasur frikën, për t'iu nënshtruar ose për të qenë i nevojshëm për të, përveç Allahut. Duke vepruar kështu, ai person arrin lirinë në kuptimin e saj të vërtetë, dhe arrin pathyeshmëri, duke qenë i mbrojtur nga Krijuesi i tij, i Plotfuqishmi. Një person i tillë shpreson ta fitojë kënaqësinë e Allahut, i Cili i plotëson të gjitha nevojat e të gjitha qenieve, zbret siguri mbi robërit e Tij, i ndihmon të shtypurit dhe nevojtarët, i shpërblen plotësisht për atë që secili ka fituar:

Cili është më i mirë, ai që themelet e godinës së vet i vë në përkushtimin ndaj Allahut dhe në kënaqësinë e Tij apo ai që themelet e godinës së tij i vë në bregun e gërryer dhe që rrokulliset me të në zjarrin e Xhehenemit?! Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë popullin keqbërës. (Sure Teube: 109)

Një nga gabimet më të mëdha që shumica e njerëzve e bëjnë është ky: ata e bazojnë gjithë jetën e tyre në ndjekjen e pëlqimit të njerëzve të tjerë. Megjithatë, çdo moment që jetohet dhe çdo vepër që bëhet për të fituar pëlqimin e njerëzve të tjerë, duke e harruar Krijuesin e vet, në fund vetëm se do të shpie në vuajtje. Për të zotët e mendjes, Allahu ka dhënë shembullin vijues në Kur'an:

Dëgjojeni këtë shembull që ka sjellë Allahu! Janë dy njerëz: njëri ka shumë bashkëpronarë që e kundërshtojnë njëri-tjetrin, ndërsa tjetri ka vetëm një pronar, të cilit i përkushtohet. A janë të njëjtë ata në krahasim?!... (Sure Zumer: 29)

Allahu u dhuron atyre prej robërve të Tij të cilët jetojnë në pajtim me urdhrat e Tij një jetë të mirë si në këtë botë ashtu edhe në jetën e përtejme. Megjithatë, ata që janë larg nga ato praktika që do ta kënaqnin Atë, të cilët kërkojnë ndihmë nga të tjerët të cilët janë robër po aq të pafuqishëm të Allahut si ata vet, në fund të fundit vetëm se do të vuajnë. Lidhur me këtë, një ajet thotë:

Në të vërtetë, Allahu nuk u bën njerëzve asnjë të keqe, por njerëzit i bëjnë keq vetvetes. (Sure Junus: 44)

Për më tepër, ata që i adhurojnë të tjerët pos Allahut do të braktisen dhe do të jenë të poshtëruar dhe të braktisur:

Mos vër zot tjetër me Allahun, se do të mbetesh i poshtëruar dhe i braktisur! (Sure Isra': 22)

Ata të cilët nuk çajnë kokën dhe janë harrestar për ekzistencën e Allahut bëjnë një jetë të vështirë në këtë botë. Zemrat e tyre kurrë nuk mund të gjejnë paqe apo lumturi në këtë jetë. Në fakt, kjo vuajtje është vetëm shpërblimi i tyre për përshkrimin e ekzistencës së sistemeve të përsosura në këtë botë rastësisë. Në këmbim të refuzimit të tyre, një zjarr përcëllues i pret ata në botën tjetër.

Mos harroni kurrë se "frika ndaj Allahut" është parimi themelor i Islamit. Allahu u dhuron vetëm atyre që kanë drojën e Tij aftësinë për të gjykuar në mes të së drejtës dhe të gabuarës. Kjo aftësi dallimi është me të vërtetë një bekim i madh që i është dhënë njeriut:

O besimtarë! Nëse i frikësoheni Allahut, Ai do t’ju japë aftësinë e të gjykuarit drejt, do t’ju lirojë nga gjynahet tuaja dhe do t’ju falë. Allahu zotëron mirësi të madhe. (Sure Enfal: 29)

Kur'ani gjithashtu përmend ata të cilët nuk e vlerësojnë Allahun ashtu siç i takon Atij, dhe të cilët nuk kanë frikë ndaj Tij, përkundër asaj se janë të vetëdijshëm për ekzistencën e Tij:

Thuaj: “Kush ju ushqen nga qielli dhe Toka? Kush mundëson të dëgjuarit dhe të parit? Kush mund të nxjerrë të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla? Kush i drejton gjërat?” Ata do të thonë “Allahu”. E ti (o Muhamed) thuaj: “Atëherë, përse nuk e keni frikë Atë?” Ky është Allahu, Zoti juaj i vërtetë. E çfarë ka pas së vërtetës, përveç humbjes? Atëherë, përse largoheni? (Sure Junus: 31-32)

Personi i përshkruar në ajetin e mësipërm është i vetëdijshëm për ekzistencën e Allahut dhe madje e pohon këtë. Por, ai nuk ndien kurrfarë frike ndaj Tij. Besimtarët e vërtetë, megjithatë, ndiejnë frikë të thellë ndaj Zotit të tyre. Duke pasur frikën e Ditës së Gjykimit, ata janë të ndjeshëm ndaj urdhërimeve të Tij.

Si pasojë, pa marr parasysh se a i kujton apo jo një person të gjitha ligjet e Allahut në mendjen e tij dhe bëhet rob i Tij apo i shpërfill ato, kjo nuk e ndryshon realitetin e fundit se ai po nxiton drejt asaj dite kur do të kthehet te Zoti i tij:

O njeri, që përpiqesh shumë, mundin tënd do ta gjesh te Zoti yt. (Sure Inshikak: 6)

Pasi që është kështu, mos harroni kurrë se nuk ka fuqi tjetër përveç Allahut të Plotfuqishëm, bartësit të pushtetit absolut. Ata që nuk janë në dijeni të këtij fakti i adhurojnë të tjerët pos Allahut dhe, përveç kësaj, iu frikësohen atyre ashtu siç do të duhej t’i frikësohen Allahut. Megjithatë, asnjë njeri apo shoqëri nuk ka fuqi pos asaj të Allahut. Çdo gjë i nënshtrohet Atij. Çdo gjë në qiej e në tokë i nënshtrohet vullnetit të Allahut, dhe të gjitha janë, me dëshirë apo pa të, nën kontrollin e Tij. Nga një qelizë të vetme, deri tek miliarda galaktika, nga njerëzit tek kafshët, nga malet tek erërat, të gjitha qeniet i nënshtrohen Atij. Prandaj, mos harroni të falënderoni Allahun, ashtu siç këshilloheni në ajetin vijues:

..e të mbaheni fort mbi to, e pastaj t’i kujtoni dhuntitë e Zotit tuaj dhe të thoni: “Qoftë lavdëruar Ai që i nënshtroi këto për ne, se vetë ne këto nuk do të mund t’i kishim nën pushtet.” (Sure Zuhruf: 13)

Përveç se me vullnetin e Allahut, askush nuk mund të ndërmarrë një veprim ose ta shqiptoj as edhe një fjalë të vetme. Kjo është arsyeja pse çdo fjalë që ju dëgjoni ose çdo ngjarje dëshmitar i së cilës jeni është prej Allahut, Ai që është Mbrojtës i juaji dhe Mik i vetëm i vërtetë i juaji... Në qoftë se jeni një njeri që beson, atëherë ju e dini se një e mirë dhe bukuri absolute fshihet madje edhe pas atyre gjërave që përndryshe do t’ju dukeshin të këqija. Allahu e di këtë edhe pse ju mund të mos e dini atë. Pa marrë parasysh se me çka ballafaqoheni në jetë, asnjëherë mos harroni të silleni duke pasur në mendje njohurinë për këtë fakt.

Kurrë mos harroni se Allahu është që falë, dhe se gjithmonë mbetet mundësia për tu penduar. Pa marrë parasysh se çfarë gabimi bëni, në qoftë se i drejtoheni Allahut, me pendim të sinqertë dhe me qëllim të prerë për të mos e përsëritur atë, ju gjithmonë do ta gjeni Allahun gjithnjë-falës dhe mëshirues. Allahu thotë se Ai i falë të gjitha gabimet dhe mëkatet me kusht që robërit e Tij t’i braktisin ato një herë e përgjithmonë:

Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti. (Sure Zumer: 53)

Në këtë botë, ekziston gjithmonë mundësia për tu penduar dhe për të shpresuar në faljen për gabimet dhe mëkatet e bëra. Në fenë e Allahut, njeriut nuk i duhet të bart barrën e veprave të këqija të tij nga e kaluara. Duke i kërkuar falje Allahut, dhe duke iu drejtuar Atij në mënyrë të sinqertë, kjo do t’ia lehtësojë atij këtë barrë. Që nga ai moment, ai do të jetë përgjegjës vetëm për veprat dhe mendimet e tij që do të ndodhin pas kësaj. Ndërkohë, mos harroni kurrë se Allahu pranon vetëm një pendim të sinqertë dhe jo pendim që një person kërkon kur i afrohet vdekja.

Madje edhe Faraoni, egërsia dhe arroganca e të cilit është përmendur në Kur'an, vendosi të besoj, kur e kuptoi se do të mbytej. Allahu zbulon si vijon lidhur me pendimin në momentin e vdekjes:

Allahu është pranues i pendimit vetëm për ata që bëjnë ndonjë të keqe nga padituria dhe pendohen shpejt. Pra, këtyre Allahu ua pranon pendimin. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë. Nuk pranohet pendimi i atyre që vazhdimisht bëjnë të këqija e, kur u afrohet vdekja, atëherë thonë: “Unë tani me të vërtetë po pendohem”. As për ata që vdesin duke qenë jobesimtarë. Për këta, Ne kemi përgatitur dënim të dhembshëm. (Sure Nisa': 17-18)

Kurrë mos harroni se Allahu është pafundësisht i durueshëm. Ai u jep afat disa njerëzve madje edhe pasi të kenë bërë ndonjë gabim. Megjithatë, nëse një mëkatar nuk ndëshkohet menjëherë ai nuk duhet të lejojë që kjo ta mashtrojë atë. Kjo për arsye se pas veprave të këqija të tij, Allahu i jep robit të vet një kohë të caktuar për t’u përmirësuar. Në qoftë se ai person i kupton gabimet e tij dhe kërkon falje, ai e gjen Allahun Gjithnjë-falës. Nëse, në anën tjetër, ai vazhdon me gabime dhe rebelohet, ai me siguri se do t’i shijojë pasojat e këqija të veprave të tij:

Sikur Allahu t’i dënonte njerëzit për shkak të mbrapshtive të tyre, nuk do të linte asgjë të gjallë në Tokë. Por Ai i lë ata deri në një afat të caktuar dhe, kur atyre u vjen afati, ata nuk mund ta shtyjnë atë e as ta shpejtojnë, qoftë edhe për një çast. (Sure Nahl: 61)

Kurrë mos harroni se nuk mund të jesh tjetër pos rob i Allahut; sepse Allahu e ka krijuar njeriun për ta adhuruar Atë:

Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. (Sure Dharijat: 56)

Të jesh i nënshtruar ndaj Zotit tonë, që na jep çdo gjë që kemi, që na krijoi dhe na dhurojë jetë, të cilës Ai do t'i japë fund kur të dëshirojë, është si të mbahesh fort për litarin më të sigurt që nuk do të zgjidhet kurrë:

Kush i dorëzohet Allahut, me tërë qenien e tij, duke qenë punë-mirë, ai është kapur për vegën më të fortë. Tek Allahu do të kthehet çdo gjë. (Sure Lukman: 22)

Pra, mos e harroni kurrë “ALLAHUN, ZOTIN TONË”

Ky është Allahu, Zoti juaj. S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij, Krijuesit të çdo gjëje, andaj adhuroni vetëm Atë! Ai është Mbikëqyrës i çdo gjëje! Shikimet njerëzore nuk mund ta arrijnë Atë, ndërkohë që Ai i arrin shikimet e të gjithëve. Ai është Bamirës i pakufi dhe di çdo gjë. (Sure En'am: 102-103)

SHPERNDAJE
logo
logo
logo
logo
logo
Shkarkimet
  • Kurrë Mos Harroni!
  • Kurrë Mos Harroni Se Nuk Ka Zot Tjetër Pos Allahut
  • Kurrë Mos Harroni Se Udhërrëfyesi i Vetëm Është Kur’ani
  • Kurrë Mos Harroni Se Secili Moment Që e Jetoni Është Pjesë e Fatit Tuaj
  • Kurrë Mos Harroni Ekzistencën e Shejtanit i Cili Përpiqet Të Ju Largojë Nga Rruga e Drejtë
  • Kurrë Mos Harroni Se Kjo Botë Është Një Vendbanim i Përkohshëm dhe Një Sprovë
  • Kurrë Mos Harroni Se Vdekja Mund T’ju Vijë Në Çdo Moment
  • Kurrë Mos Harroni Se Dita E Ringjalljes Dhe Dita e Llogaridhënies Do Të Ndodhë Pa Dyshim
  • Kurrë Mos Harroni Se Vendbanimi i Jobesimtarëve Është Xhehennemi (Ferri), Vendbanimi i Ndëshkimit Të Amshueshëm
  • Kurrë Mos Harroni Se Vetëm Besimtarët e Sinqertë Do Të Hyjnë Në Parajsë, Vendbanimin e Shpërblimeve
  • Kurrë Mos Harroni T’i Luteni Allahut
  • Kurrë Mos Harroni Të Jeni Të Çiltër dhe Të Sinqertë me Allahun
  • Asnjëherë Mos Harroni Të Pendoheni dhe Të Kërkoni Falje për Veprat Tuaja Të Këqija
  • Përkujtimi u Bën Dobi Vetëm Atyre Të Cilët i Frikësohen Allahut
  • Kurrë Mos Harroni Se Allahu i Krijoi Të Gjitha Gjallesat
  • Mashtrimi i Evolucionit
  • Kurrë Mos Harroni! Se Allahu Është Një dhe i Vetëm…