Jeta e kësaj bote, nuk është gjë tjetër, veçse argëtim dhe lojë. Ndërsa jeta e botës tjetër, pikërisht ajo është jeta e vërtetë. Veç sikur ta dinin!
(Sure 'Ankebut: 64)
Mos harroni kurrë se çdo gjë mbi faqen e dheut është krijuar për një qëllim. Është një fakt shumë i qartë që çdo gjë që ju shihni rreth jush i shërben një qëllimi të veçantë. Ekziston edhe një qëllim për të cilin ju dhe pjesa tjetër e njerëzimit ekziston:
Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë; Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i madh. (Sure Mulk: 2)
Siç shpjegon ajeti i mësipërm, Allahut e ka vendosur njeriun përkohësisht në këtë botë për ta vënë atë në sprovë. Ai na sprovon me atë që përjetojmë në jetë, Ai e krijon këtë botë, në mënyrë që besimtarët të dallohen prej jobesimtarëve, dhe me çka ata të mund të pastrohen nga e keqja, dhe të jenë të denjë për shpërblimin e Xhenetit. Me fjalë të tjera, kjo botë është thjesht një vend sprove ku ne mund të fitojmë kënaqësinë e Allahut.
Allahu i ka bërë të qartë kufijtë të cilëve duhet t’iu përmbahemi, dhe sjelljen me të cilën Ai është i kënaqur ose i pakënaqur. Kështu, karakterin e një personi në këtë botë e përcaktojnë shpërblimet e tij apo dënimi në botën tjetër. Prandaj, çdo moment i vetëm që kalon na sjell më afër Xhenetit apo Xhehenemit. Prandaj, kurrë mos harroni se ju jeni duke u sprovuar, madje edhe në këtë moment, dhe se rezultati i kësaj prove do ta përcaktojë jetën tuaj të përtejme. Gjithashtu, mos harroni kurrë se ky rezultat është shumë afër. Allahu na e përkujton këtë fakt në disa ajete dhe i paralajmëron robërit e Tij për këtë ditë:
O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju! (Sure Hashr: 18)
Allahu i paralajmëron njerëzit që të mos kenë lakmi të madhe për gëzimet e përkohshme dhe joshëse të kësaj bote. Kjo është për shkak se, as pasuria, as bukuria e as pozita shoqërore, domethënë, asgjë që një njeri posedon në këtë botë, nuk do t’i ndihmojë atij në botën tjetër. Ai do të lërë pas çdo gjë që kishte, duke përfshirë edhe trupin e tij. Trupi i tij do të kalbet në tokë, pasuria për të cilën ai ishte aq krenar nuk do të mund t’i rezistojë dëmtimit të papërmbajtshëm të kohës. Ai do të sillet fill i vetëm në praninë e Zotit të vet, për të dhënë llogari për veprat e tij.
Megjithatë, pavarësisht nga ky realitet i qartë, të preokupuar nga rutinat e përditshme, shumica e njerëzve e harrojnë krejtësisht të vërtetën e vdekjes dhe të botës tjetër, ata supozojnë se jeta e tyre është e kufizuar vetëm në këtë botë. Ky qëndrim shpjegohet në Kur'an si vijon:
Ata thonë: “Nuk ka tjetër veç jetës së kësaj bote, vdesim e jetojmë dhe vetëm koha na shkatërron”. Ata nuk kanë kurrfarë dijenie për këtë, ata vetëm hamendësojnë ashtu. (Sure Xhathije: 24)
Megjithatë, këta njerëz shpërfillin një fakt të rëndësishëm; jeta e kësaj bote është në të vërtetë mjaft e shkurtër. Merreni parasysh një burrë rreth të tridhjetave të tij. Nëse ai do të mendonte për jetën e tij, me siguri se do t’i dukej se ajo ishte e “rrufeshme.” Po të pyetej ai se çfarë mendon për këto 30 vite jetë, ai thjesht do të vërente se çdo gjë ka kaluar shumë shpejtë. Po t’i kërkohej atij të tregonte historinë e tij, kujtimet e tij do të arrinin në vetëm disa orë diskutim. Ky njeri do të ketë ndoshta edhe 30 vjet më shumë për të jetuar, dhe që do të kalojnë po aq shpejt sa edhe koha që tashmë ka kaluar. Në shumë ajete, Allahu tërheq vëmendjen tonë për kohëzgjatjen e shkurtër e jetës së kësaj bote dhe na njofton se njerëzit do ta pranojnë këtë fakt në botën tjetër:
Ditën kur do t’i tubojë, atyre do t’u duket sikur nuk kanë ndenjur në tokë, veçse një çast të shkurtër dite... (Sure Junus: 45)
Ditën, kur të vijë Ora (e Kiametit), keqbërësit do të betohen se kanë qëndruar (në tokë) veçse për një kohë të shkurtër. Kështu ata shmangen nga e Vërteta. (Sure Rum: 55)
Për ta penguar njeriun nga dashuria e panevojshme për këtë botë, Allahu ka vendosur elemente të ndryshme me të meta dhe të padëshirueshme në këtë jetë, dhe kështu theksoi natyrën e përkohshme të kësaj bote. Kjo është pa dyshim një nga çështjet mbi të cilat njeriu duhet të reflektojë, çdo gjë që ju e doni shumë apo e konsideroni të vlefshme në këtë jetë plaket, të dashurit tuaj vdesin, njëri pas tjetrit, madje edhe njerëzit më të bukur rreth jush plaken, sëmuren apo dobësohen... Momente që ju kanë ofruar aq shumë gëzim, apo ato të cilat i keni pritur aq me padurim, të gjitha janë tani pjesë e së kaluarës. Kjo vlen edhe për kohërat më të vështira që i keni përjetuar. Kjo do të vlejë gjithashtu edhe për përvojat tuaja në të ardhmen, gjatë pjesës tjetër të jetës tënde, e cila do të duket aq e shkurtër sa rrahja e qepallave. Ju do të jeni në një sprovë të vazhdueshme, një sprovë që do të vazhdojë deri kur t’ju arrijë vdekja ... Pastaj, si çdo njeri që ka ardhur ndonjëherë në këtë botë, ju do të shpërbleheni në masë të plotë për atë që keni bërë, dhe kështu do të fillojë jeta juaj e përjetshme.
Mirëpo, njeriu nuk dëshiron që të zbehet asgjë e bukur ose e kënaqshme. Megjithatë, në këtë jetë të shkurtër, një dëshirë e tillë nuk mund të përmbushet. Pra, si mundet njeriu t’i arrijë ato? Xheneti është vendi i vetëm ku ato do të realizohen.
Kurrë mos harroni se bota nuk është vendi i duhur për t’i përmbushur këto dëshira. Nëse me të vërtetë ju qanë zemra për mirësi të përjetshme, mos harroni kurrë se ju nuk duhet të ndiqni jetën e kësaj bote, por të kërkoni botën tjetër duke përgatitur veten tuaj për të.
Jobesimtarët që janë të paditur për këto fakte, megjithatë, përpiqen të kufizojnë çdo gjë që dëshirojnë në këtë botë të përkohshme. Aspirata të tilla janë të bazuara në besimin e zvetënuar se vdekja i jep fund kësaj bote. Kështu, në këtë botë ata përpiqen t’i arrijnë të gjitha të mirat dhe kënaqësitë. Nga frika se vdekja do t’i privojë ata nga dëshirat e tyre, ata përpiqen që ta shfrytëzojnë sa më shumë këtë jetë. Megjithatë, përpjekjet e tyre janë të kota, kjo botë është plotësisht e mangët. Vendbanimi i vërtetë i njeriut, domethënë, ahireti është vendbanimi që ofron të mirat më të mira dhe më të paprishura që njeriu mund t’i gëzojë, megjithatë, të gjitha mirësitë e tilla janë ruajtur vetëm për besimtarët e vërtetë të cilët janë në shërbim të Allahut dhe të askujt tjetër. Mirësitë që gëzojnë jobesimtarët janë të kufizuara vetëm në këtë botë. Mënyra në të cilën jobesimtarët do të jenë të ekspozuar ndaj zjarrit rrëfehet në Kur'an si vijon:
Ditën, kur ata që kanë mohuar do të vihen para Zjarrit (do t’u thuhet): “Ju keni shfrytëzuar gjithë të mirat në jetën tuaj tokësore dhe jeni kënaqur me to, ndërsa sot do të ndëshkoheni me dënim poshtërues, sepse keni qenë arrogantë në Tokë pa kurrfarë të drejte dhe nuk i jeni bindur Allahut”. (Sure Ahkaf: 20)
Kjo edhe është arsyeja pse Profeti (savs) tërhoqi vëmendjen për rëndësinë e përgjegjësisë për veten dhe veprat e veta:
Një burrë i urtë është ai i cili e merr veten e tij në llogari (dhe përmbahet nga bërja e veprave të këqija) dhe bën vepra fisnike që do t’i bëjnë dobi pas vdekjes së tij, ndërsa personi i pamend është ai që iu nënshtrohet tundimeve dhe dëshirave të tij dhe kërkon prej Allahut përmbushjen e dëshirave të tij të kota. (Tirmidhiu)
Siç tregohet këtu, asgjë nuk mund të jetë më e rëndësishme se veprat që bëhen në përpjekje për t’iu shmangur dënimin të zjarrit. Ka raste kur një student do të studionte me seriozitet për të diplomuar, një biznesmen për të siguruar një pasuri të madhe, dhe një tjetër do të sakrifikonte çdo gjë për të arritur prestigj. Megjithatë, nuk ka garanci që këta njerëz do të jetojnë aq gjatë sa për t’i arritur këto qëllime, se studenti mund të mos jetojë aq gjatë sa për të arritur ditën e diplomimit të tij, për shembull. Megjithatë, një gjë është e sigurt, ai do të kthehet te Zoti i tij dhe do të duhet të japë llogari për veprat e tij në Ditën e Gjykimit.
Sigurisht, ata që nuk shpresojnë se do të takohen me Ne, që janë të kënaqur me jetën e kësaj bote, duke gjetur prehjen në të dhe që janë të pavëmendshëm ndaj shenjave Tona, do të kenë si vendstrehim zjarrin, për atë që kanë bërë. (Sure Junus: 7-8)
Sëmundjet, aksidentet apo pleqëria, për të cilat duhet të kemi kujdes nuk janë tjetër pos dëshmi se kjo botë nuk është një vend të cilit duhet t’i kushtojmë rëndësi:
Vallë, a nuk e shohin ata se çdo vit vihen në provë një ose dy herë e prapëseprapë as nuk pendohen, as nuk e mbledhin mendjen?! (Sure Teube: 126)
Siç bëhet e qartë nga ajeti: “...Ju dëshironi të mirat kalimtare të kësaj bote, kurse Allahu dëshiron botën tjetër...” Sure Enfal: 67 ”, Allahu vazhdimisht na përkujton se kjo botë është me të meta në mënyrë që robërit e Allahut të mund ta arrijnë vendin më të mirë në botën tjetër:
Asnjëherë mos i shpërfillni këto paralajmërime dhe mbani në mend se ju duhet ta kënaqni Allahun për të qenë të denjë për lumturi për gjithë përjetësinë. Allahu e ka bërë të qartë në Kur'an se ata që e duan jetën e shkurtër të kësaj bote do të humbasin jetën e përjetshme në ahiret:
Atij që dëshiron shpërblim në jetën tjetër, Ne do t’ia shtojmë atë. Ndërsa atij që dëshiron shpërblim në këtë jetë, Ne do t’i japim pjesë prej saj, por ai nuk do të ketë pjesë në jetën tjetër. (Sure Shura: 20)
Në ajetet e Tij, Allahu i nxit njerëzit ta dëshirojnë ahiretin, pasi që ai është jetëgjatë dhe jokalimtar. (Surah Ta Ha: 131)
Gjatë gjithë kohës, asnjëherë mos harroni se Allahu do t'u japë besimtarëve të vërtetë, të cilët aspirojnë jetën e botës tjetër, një jetë të mirë edhe në këtë botë. Besimtarë të vërtetë janë ata që arrijnë mirësitë më të mëdha të Allahut si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër:
Ata i pret lajmi i mirë në këtë jetë dhe në ahiret... (Sure Junus: 64)