Shumë njerëz pranojnë gjithçka që dëgjojnë prej shkencëtarëve si fakte të sakta. Madje as nuk iu shkon ndër mend se shkencëtarët mund të kenë po ashtu paragjykime të ndryshme filozofike apo ideologjike.
Mirëpo, kjo është një ide e gabuar e rëndomtë; për shembull, ca shkencëtarë që mbështesin evolucionin ua imponojnë publikut paragjykimet dhe pikëpamjet e tyre filozofike nën maskën e shkencës. Për shembull, edhe pse janë të vetëdijshëm që ndodhitë e rastit nuk shkaktojnë asgjë tjetër pos parregullsi dhe pështjellim, ata prapëseprapë pohojnë se ky rregull, plan dhe projektim i mrekullueshëm, që mund të shihet si në gjithësi ashtu edhe në organizmat e gjallë, zuri fill nga rastësia.
Për shembull, një biolog ateist vrojton personalisht strukturën jashtëzakonisht komplekse të një molekule të proteinës. Ai e di shumë mirë se në këtë kompleksitet ekziston një projektim madhështor dhe se është e pamundshme që ky rregull të ketë ardhur në jetë vetvetiu. Megjithatë, ai pohon se proteina, materiali ndërtimor i jetës, u krijua rastësisht në kushtet primitive të tokës miliarda vite më parë. Ky është një pohim i paarsyeshëm. Ai nuk ndalon këtu; ai pohon po ashtu se, jo vetëm një, por me miliona molekula të proteinës u formuan rastësisht, dhe pastaj, në mënyrë të pabesueshme, u bashkuan për të krijuar qelizën e parë të gjallë. Dhe, ai mbron pikëpamjen e tij me një kokëfortësi të verbër. Ky person është një shkencëtar evolucionist.
Po t’i gjente po i njëjti shkencëtar tri tulla që qëndrojnë njëra mbi tjetrën ndërsa ecën përgjatë një rruge të rrafshët, ai kurrë nuk do të supozonte se këto tulla janë bashkuar rastësisht dhe pastaj janë vendosur njëra mbi tjetrën, përsëri rastësisht. Vërtetë, kushdo që do ta bënte një pohim të tillë do të konsiderohej i çmendur. Si është e mundshme pra që njerëzit të cilët përndryshe janë të aftë t’i vlerësojnë ngjarjet e zakonshme në mënyrë të arsyeshme të mund të përvetësojnë një teori të tillë të paarsyeshme kur bëhet fjalë për gjykimin për vet ekzistencën e tyre?
Nuk ka mundësi të pohohet se kjo teori është përvetësuar në emër të shkencës: kurdo që ekzistojnë dy alternativa njëlloj të mundshme, qasja shkencore kërkon që të merren parasysh të dyja. Megjithatë, as edhe një molekulë e vetme e proteinës, e të mos flasim për një qelizë të tërë, nuk ka mundur të krijohet rastësisht.
Në këtë rast, mbetet vetëm një mundësi. Jeta nuk ka ndodhur rastësisht; ajo ka ardhur në jetë nga ana e një intelekti. Me fjalë të tjera, ajo është krijuar. Të gjitha gjallesat kanë ardhur në jetë si krijim i Allahut, Zotëruesit të diturisë, fuqisë dhe urtësisë superiore. Kjo nuk është thjeshtë një formë e të besuarit; është një përfundim i arsyeshëm tek i cili kemi arritur në mënyrë të logjikshme dhe shkencore.
Kështu që, mos harroni kurrë se është Allahu, Zoti ynë, i Cili e krijoi gjithësinë dhe e projektoi atë, deri në hollësinë më të vogël.